Prindërit:
Data/Vendi i Lindjes: 118 AH ()
Vendi i ndërrimit jetë: 181 AH ()
Vendbanimet: Merv
Fëmijët:
Abdullah ibn Mubarek tregon për një ngjarje që i kishte ndodhur gjatë rrugës së kthimit nga Haxhi.
Ai tregon se kishte takuar në rrugë një grua që po rrinte ulur e vetmuar. Prandaj, i kishte shkuar pranë dhe e kishte përshëndetur me përshëndetjen islame dhe përgjigja saj kishte qenë një ajet kuranor.
– Selam!
– “Paqe! Do të jetë fjala prej një Zoti Mëshirëplotë.” (Jasin, 36:58)
– Çfarë ka ndodhur? Pse je këtu?
– “Ata që Allahu i shpie në humbje, askush nuk mund t’i udhëzojë në rrugë të drejtë”. (Gafir, 7:186), me këtë ajo donte të thoshte se kishte humbur rrugën.
– Ku do të shkosh tani?
– “I Lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (në Jerusalem).” (Isra, 17:1), pra donte të thoshte që pasi kishte vizituar Qaben tani do të shkonte në Xhaminë Aksa.
– Sa kohë ke që qëndron këtu?
– “… për tri net, ndonëse jam i shëndoshë.” (Merjem, 19:1)
– Po shikoj që nuk ke asgjë për të ngrënë.
– “Allahu është Ai i Cili më ushqen dhe më jep të pi.” (Shuara, 26:79)
– Si ke marrë abdes?
– “…dhe kur nuk gjeni ujë, atëherë fërkoni fytyrën dhe duart tuaja me dhè të pastër”. (Nisa, 4:43)
– Kam me vete ca ushqim, do të dëshiroje diçka?
” …pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja.” (Bekare, 2:187). Pra, me këtë donte të thoshte se agjëronte.
Abdullahu, i habitur që gruaja e agjëronte dhe po udhëtonte në të njëjtën kohë, i thotë:
– Nuk jemi në Ramazan, përse po agjëron?
Gruaja i përgjigjet:
– “Kush bën vepra të mira suplementare, ta dijë se Allahu është njëmend Falënderues dhe i Gjithëdijshëm.” (Bekare, 2:158)
– Po ti je udhëtare, nuk është e nevojshme ta mundosh veten me agjërim nafile (shtesë)”.
– “Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e kuptoni.” (Bekare, 2:184)
– Do të përpiqem të gjej plaçkën tënde dhe njerëzit e tu, a do të vish me mua?
– “Çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di.” (Bekare, 2:197). Pra, me fjalë të tjera ajo ishte e lumtur për këtë gjë.
Kështu ai e vë devenë përpara dhe i thotë gruas t’i hipi asaj. Në atë moment gruaja thotë:
– “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre…” (Nur 24:30). Atëherë Abdullahu e ul shikimin e tij. Në momentin kur gruaja ishte duke hipur në deve, një pjesë e rrobës së saj ngec, dhe ajo thotë:
– “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë.” (Shura, 42:30)
Atëherë Abdullahu e lidh devenë dhe kur gruaja hipën në të lexon duanë me rastin e hipjes në mjetin e udhëtimit:
– “I Përsosur qoftë Ai që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë; ne me të vërtetë te Zoti ynë do të kthehemi.”
Në rrugë e sipër Abdullahu bëhet kureshtar dhe e pyet:
– Në cilin klan bën pjesë?, kështu që gruaja i përgjigjet:
– “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni.” (Isra, 17:36). Me kuptimin që për ato gjëra mbi të cilat nuk ke dijeni, është e kotë të pyesësh për to.
Kështu Abdullahu bie në qetësi dhe thotë me vete të lexojë ndonjë poezi. Kur fillon të lexojë poezi, gruaja i thotë:
– “Kështu që lexoni Kuran sa të mundeni” (Muzemil, 73:20). Ai fillon kështu të lexojë diçka nga Kurani Famëlartë dhe gruaja e përgëzon duke i thënë:
– “Ai ia jep urtësinë kujt të dojë.” (Bekare, 2:269)
Më vonë për shkak se deveja po ecte shumë shpejt dhe ai po këndonte Kuran me zë të lartë, gruaja e qorton duke i thënë:
– “Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët” (Lukman, 31:19)
Gjatë udhëtimit Abdullahu e pyet:
– A jeni e martuar?
– “O besimtarë! Mos pyesni për gjëra, që, sikur t’ju thuheshin haptazi, nuk do t’ju pëlqenin…” (Maide, 5:101). Kështu Abdullahu i kërkon të falur, ndërsa gruaja i përgjigjet:
– “Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë.” (Jusuf, 12:92)
Më në fund ata arritën pranë një karvani, kështu që ai e pyet gruan nëse kishte ndonjë të njohur në këtë karvan. Gruaja i jep këtë përgjigje:
– “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote.” (Kehf, 18:46) Me këtë donte të thoshte se në atë karvan gjendeshin djemtë e saj. Abdullahu i habitur e pyet:
– Çfarë pune kanë djemtë e tu me karvanin?”
– “Ai ka vënë edhe shenja të tjera, si dhe yjet, nëpërmjet të cilave njerëzit orientohen.” (Nahl, 16:16). Ajo donte të thoshte që djemtë e saj ishin udhërrëfyesit e karvanit.
Kur afrohen pranë karvanit gruaja i thërret djemve të saj duke i thënë:
– “…të cilin (Ibrahimin) Allahu e ka marrë për mik të ngushtë?!” (Nisa, 4:125), “…dhe Allahu i ka folur Musait drejtpërdrejt.” (Nisa, 4:164), “O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin).” (Merjem 19:12). Me fjalë të tjera ajo kishte tre djem me emrat Ibrahim, Musa dhe Jahja.
Kështu tre fëmijët dalin dhe gëzohen shumë kur shikojnë nënën e tyre. Në ato moment nëna i thotë:
-“Dërgoni njërin prej jush në qytet me këtë monedhë argjendi tuajën e të shikojë se cili ushqim është më i pastër.” (Kehf, 18:19). Kur i sollën ushqimin ajo i thotë Abdullahut:
– “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!” (Hakka, 69:24). Pas këtij ajeti ajo përmend një ajet tjetër:
– “A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?! (Rahman, 55:60)
Abdullahu i habitur nga çdo përgjigje e saj, i drejtohet fëmijëve të gruas duke i thënë: Ky ushqim është haram për mua deri sa të më thoni se cila është kjo grua. Fëmijët i thanë: Kjo është nëna jonë dhe ka 40 vjet që nuk flet asgjë tjetër përveç Kuranit.
Shto koment