Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Amr ibn Xhamuh r.a.

 Plaku që me këmbën e tij të çalë deshi të shkelë xhenetin.

Amr ibnul Xhamuhu ishte njëri prej prijësve të Jethribit në kohën e injorancës, prijës i fisit benu Seleme elMusev-vedu dhe prej njerëzve më bujarë dhe më të ndershëm të Medinës.

Ishte zakon në kohën e injorancës që paria ta ketë idhullin e vet në shtëpi, si shenjë bekimi e urate për çdo mëngjes e çdo mbrëmje, t’i bëjë kurban në rast feste dhe t’i lutet në rast të ndonjë fatkeqësie!!!

Idhulli i Amr ibnul Xhamuhut quhej me emrin “Menat”, të cilin e kishte ndërtuar prej llojit më të mirë të drurit.

Shpenzonte shumë në ruajtjen, kujdesjen dhe mirëmbaj-tjen e tij dhe e parfumoste me erërat më të këndshme.

*  *  *

Amr ibnul Xhamuhu i kishte kaluar të gjashtëdhjetat kur drita e besimit kishte filluar të depërtojë në shtëpitë e Jethribit, shtëpi pas shtëpie, me kontributin e misionarit të parë, Mus’ab ibnu Umejrit. Para plakut kishin besuar tre bijtë e tij: Muavvedhi, Muadhi, Halladi dhe një mocanik i tyre me emrin Muadh ibnu Xhebel…

Së bashku me tre djemtë e tij kishte besuar edhe nëna e tyre, Hindi, mirëpo plaku nuk dinte asgjë për këtë.

Hindi, gruaja e Amr ibnul Xhamuhut, kishte vënë re se shumica e banorëve të Medinës e pranuan fenë islame dhe nuk kishte mbetur prej parisë së Medinës askush në politeizëm, përveç burrit të saj dhe një numri të vogël rreth tij.

Hindi e donte dhe kishte respekt të madh ndaj burrit të saj, prandaj i dhembsej shumë që ai të vdiste si pabesimtar e të shkonte në xhehnem.

Amri po ashtu kishte frikë se djemtë e tij do ta braktisin fenë e baballarëve dhe të gjyshërve të tyre e do të shkojnë pas këtij thirrësi, Mus’ab ibnu Umejrit, i cili pati sukses që brenda një kohe relativisht të shkurtër të bindë një numër të madh njerëzish që ta braktisin fenë e të parëve të tyre e të hyjnë në fenë e Muhammedit.

Kështu, një ditë prej ditësh, në bisedë e sipër, Amri i tha gruas së vet:

– Oj Hind, kujdesu që bijtë tanë të mos bien në kontakt me këtë njeri (e ka qëllimin te Mus’ab ibnu Umejri), derisa të mendojmë rreth kësaj çështjeje.

Ajo ia ktheu:

– Dëgjoj dhe përulem! Mirëpo, a do të kishe dëshiruar të dëgjosh prej birit tënd Muadhit se ç’transmeton nga ky njeri?!

Plaku ia ktheu me nxitim:

– Vaj për ty! Mos e ka ndërruar fenë Muadhi e unë nuk po e ditkam?!

Gruaja e mirë ndjeu dhembje për plakun dhe tha: “Assesi, por ai mori pjesë në disa tubime të këtij thirrësi dhe mbajti mend diçka që thonte ai.”

Pastaj plaku tha:

– Thirre, pra, të vijë këtu.

Kur i biri erdhi para tij, ai tha:

– Lexo diçka që thotë ky njeri!

 

I biri nisi të lexojë:

“Më emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirë-plotit.

Lavdërimi i takon vetëm Allahut, Zot i botëve, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Sundues i Ditës së Gjyki-mit.

Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë!

Drejtona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre të cilët i bekova, jo të atyre që kanë merituar hidhërimin e as të atyre që kanë humbur!” (ElFatiha  17)

I mahnitur nga ajo që dëgjoi, plaku tha:

– Sa të mrekullueshme qenkan këto fjalë!

A janë të gjitha fjalët e tij sikurse këto?!

Muadhi iu përgjigj:

– Por, edhe më të mira se këto, o babai im. A do ta pranosh thirrjen e tij, sepse i tërë fisi yt i është bindur atij.

Plaku, pasi heshti një çast, tha:

– Nuk do ta pranoj thirrjen e tij, derisa të konsultoj “Menatin” e të shoh se çka do të më sugjerojë ai.

I biri atëherë i tha:

– Çka mund të të sugjerojë “Menati”, o babai im, kur ai është dru i ngurtë, nuk mendon e as nuk flet.

Plaku ia ktheu me hidhërim:

– Të thashë se unë nuk mund të marr qëndrim të prerë pa u konsultuar me të.

*  *  *

Pa humbur kohë Amr ibnul Xhamuhu u ngrit dhe shkoi te “Menati”. Kur donin t’i flitnin, linin një grua plakë pas tij, e cila, sipas bindjes së tyre, përgjigjej në vend të tij sipas asaj që ai e inspironte. Amri qëndroi para tij me shtatin e tij të gjatë. U mbështet në këmbën e tij të shëndoshë, sepse këmba tjetër e tij ishte e çalë. E lavdëroi atë me lavdërimet më të mira që dinte, pastaj i tha:

– O “Menat”! Nuk ka dyshim se ti e di se ky thirrësi, i cili ka ardhur tek ne prej Mekës, nuk dëshiron t’i bëjë keq askujt, përveç teje…

Ai ka ardhur të na ndalojë të të adhurojmë ty… Unë nuk desha ta pranoj thirrjen e tij, edhe pse dëgjova prej fjalëve të tij të bukura, derisa të marr mendimin tënd. Prandaj, më këshillo si të veproj.

Por, “Menati” nuk i dha atij kurrfarë përgjigje.

Plaku atëherë tha:

– Ndoshta ti je hidhëruar me mua. Por, unë ende nuk kam bërë asnjë gjë që të nënçmojë ty. Megjithatë, do të të lë disa ditë, derisa të të kalojë hidhërimi.”

*  *  *

Bijtë e Amr ibnul Xhamuhut e dinin se sa ishte i lidhur babai i tyre me idhullin e tij “Menatin” dhe se ai, me kalimin e kohës, ishte bërë pjesë e tij. Mirëpo, ata e kuptuan se besimi i tij në të kishte filluar të luhatej dhe ishte obligim i tyre që atë besim të mbetur të ta mënjanonin, sepse kjo ishte rruga e tij deri te besimi.

Në errësirën e natës, bijtë e Amr ibnul Xhamuhut, së bashku me shokun e tyre Muadh ibnu Xhebelin, shkuan te “Menati”, e morën atë prej vendit ku ishte vendosur dhe e hodhën në një gropë të beni Selemes, ku ata hidhnin mbeturinat e tyre. Pastaj u kthyen në shtëpitë e tyre, pa e ditur për këtë askush.

Kur u zgjua Amri në mëngjes, si zakonisht, shkoi te idhulli i tij për ta përshëndetur, por u habit kur nuk e gjeti në vendin e tij. I zemëruar tha:

– Vaj për ju! Kush është ai që e ka sulmuar zotin tonë?!

Por, askush prej të pranishmëve nuk iu përgjigj.

Filloi ta kërkojë brenda në shtëpi dhe jashtë saj. Nisi të bërtiste e të kërcënohej, derisa më në fund e gjeti të kthyer me kokë poshtë në një gropë. E lau, e pastroi, e parfumosi, e ktheu në vendin e tij dhe tha:

– Betohem në Allahun, sikur ta dija se kush ka vepruar me ty kështu, do ta kisha poshtëruar.

Kur erdhi nata e dytë, të rinjtë përsëri u lëshuan mbi “Menatin” dhe e përsëritën të njëjtin veprim.

Kur u zgjua, plaku e kërkoi dhe e gjeti në gropë, në mesin e mbeturinave. Përsëri e mori, e lau, e pastroi, e pafumosi dhe e vendosi në vendin e vet.

Të rinjtë vazhduan ta përsërisin të njëjtin veprim çdo ditë. Kur plaku u lodh, një natë para se të flejë shkoi te “Menati, ia vari shpatën në qafë dhe i tha:

– O “Menat”, betohem në Allahun, se unë nuk po e di se kush është duke e bërë këtë me ty, gjë që po e sheh edhe vetë. Nëse te ty ka ndonjë të mirë, atëherë duhet që vetë ta luftosh të keqen. Ja, kjo shpatë është me ty!

Pastaj shkoi në shtratin e tij.

Të rinjtë, posa e hetuan se plaku është në gjumin e tij më të mirë, ia mësyen idhullit, e morën shpatën prej qafës së tij, e nxorrën jashtë shtëpisë, e lidhën me litar te një qen i ngordhur dhe i hodhën të dy në një pus të fisit beni Seleme, në të cilin shkonin ndytësirat.

Plaku u zgjua në mëngjes dhe si çdo ditë shkoi te idhulli, por nuk e gjeti. Pa humbur kohë doli ta kërkojë. Më në fund e gjeti të kthyer me fytyrë teposhtë në pus, të lidhur me një qen të ngordhur, ndërkaq shpata i ishte marrë. Kësaj radhe plaku nuk u mundua ta nxjerrë prej grope, por e la aty ku e kishin gjuajtur dhe i recitoi këto vargje:

Betohem në Allahun se, sikur të ishe zot,

Nuk do të ishit në pus, ti dhe qeni i ngordhur.

Pas kësaj Amri hyri në fenë e Allahut.

*  *  *

Amri ibnul Xhamuhu e shijoi ëmbëlsinë e besimit, gjë që e cyti t’i kafshojë gishtat, i penduar për çdo çast të jetës së tij si pabesimtar. Për këtë ai iu kthye fesë së re me tërë trupin dhe shpirtin e tij. Kështu që e vuri veten, pasurinë dhe tre bijtë e tij në dispozicion të fesë Islame.

*  *  *

Pas një kohe të shkurtër do të ndodhë beteja e Uhudit. Amri i vërejti tre bijtë e tij se si përgatiteshin për të luftuar me armiqtë e Allahut xh.sh. I shihte ata duke u endur sikurse luan, e secili prej tyre dëshironte të bjerë shehid për të fituar kënaqësinë e Allahut xh.sh. Ky qëndrim i të bijve e nxiti dhe vendosi që edhe ai të shkojë në luftë nën flamurin e Pejgamberit a.s.

Mirëpo të bijtë ishin të mendimit që ta pengonin babain e tyre në realizimin e qëllimit të tij.

Ai ishte plak, i shtyrë në moshë. Përveç kësaj, ai ishte edhe i çalë. Mosdaljen e tij në luftë, dhe të atyre si ai, e kishte lejuar edhe Allahu xh.sh.

Të bijtë i thanë:

– O babai ynë, Allahu xh.sh. të ka liruar prej kësaj. Përse atëherë e ngarkon veten me atë që Allahu i Madhërishëm të ka liruar?

Plaku u hidhërua për së tepërmi prej fjalëve të tyre dhe u nis të ankohet te Resulullahi s.a.s. dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, bijtë e mi dëshirojnë të më pengojnë nga kjo e mirë dhe e argumentojnë këtë pse jam i çalë. Betohem në Allahun, se unë dëshiroj që me këtë këmbën time të çalë ta shkel xhenetin.

Pejgamberi a.s., atëherë iu tha të bijëve:

– Lëjeni, ndoshta Allahu do t’ia dhurojë shehidllëkun.

Atëherë të bijtë e lanë, duke iu bindur urdhrit të Resulullahut s.a.s.

Posa u afrua koha e daljes, Amr ibnul Xhamuhu e përshë-ndeti gruan e tij, ashtu siç përshëndetet ai që shkon në rrugën e pakthim.

Pastaj u kthye kah Kibleja, i çoi duart kah qielli dhe tha:

– O Zoti im, më dhuro shehidllëkun e mos më kthe të dëshpëruar në familjen time!!!

Pastaj u nis, i rrethuar nga të tre bijtë e tij dhe me një numër të madh njerëzish nga fisi i tij benu Seleme.

Kur lufta arriti kulmin dhe u shpartalluan njerëzit që kishin për detyrë të kujdesen për Pejgamberin a.s., u vërejt Amr ibnul Xhamuhu duke shkuar në rreshtin e parë; qëndronte i fuqishëm në këmbën e tij të shëndoshë dhe thoshte:

– Unë jam i përmalluar për xhenet, unë jam i përmalluar për xhenet! Menjëherë pas tij ishte i biri, Halladi.

Plaku dhe i biri i tij, duke e mbrojtur Resulullahun, ranë të vdekur shehidë në fushën e betejës. Ndërmjet rënies dëshmor të birit dhe babait të tij nuk ishin vetëm disa çaste.

*  *  *

Posa përfundoi lufta, u ngrit Resulullahu s.a.s. te dëshmorët e Uhudit për t’i varrosur ata, e sahabëve të vet iu tha:

“Lërini me gjakun dhe plagët e tyre, sepse unë do të jem dëshmitar për ta.”

Pastaj vazhdoi:

“Nuk ka asnjë musliman që plagoset në rrugën e Allahut e që të mos vijë në Ditën e Kijametit duke i shkuar gjaku. Ngjyra e tij është si ngjyrë e dyllit të verdhë (safran), kurse era e tij është sikurse era e miskut.”

 

Pastaj tha:

“Varroseni Amr ibnul Xhamuhun me Abdullah ibnu Amrin, sepse ishin shokë të pandashëm në dynja.”

*  *  *

Allahu qoftë i kënaqur me Amr ibnul Xhamuhun dhe shokët e tij, dëshmorë të Uhudit, dhe ua shëndriste varret! Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events