Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Ebu Ejjub el Ensari r.a.

Do të varroset nën muret e Kostantinopojës.

Ky sahab i ndershëm quhet Halid ibnu Zejd ibnu Kulejbi, prej fisit beni Nexhxhar.

Është i njohur me ofiqin Ebu Ejjub, u përket ensarëve.

Kush prej nesh, muslimanëve, nuk e njeh Ebu Ejjub elEnsariun?!

Allahu xh.sh. e ngriti përmendjen e tij në Lindje dhe në Perëndim dhe e lartësoi mbi të gjitha krijesat famën e tij, kur e zgjodhi shtëpinë e tij që në të të zbresë Pejgamberi a.s., me rastin e arritjes së tij në Medinë si muhaxhir. Vetëm ky nder është mjaft për të.

Rreth vendosjes së Pejgamberit a.s., në shtëpinë e Ejjub elEnsariut ekziston një tregim i bukur, i cili është mirë të përsëritet gjithmonë.

Në momentin e ardhjes së Pejgamberit a.s. në Medinë, zemrat e banorëve të saj e pritën në mënyrën më madhështore me të cilën pritet një mysafir i ardhur nga një vend tjetër.

E vështronin me mall të madh, ashtu siç e pret i dashuri të dashurin e vet…

Ia çelën zemrat e tyre dhe ia hapën dyert e shtëpive të tyre që të zbresë në shtëpinë më të mirë.

Mirëpo, Pejgamberi a.s. qëndroi në Kuba, në periferi të Medinës, disa ditë, gjatë të cilave ndërtoi xhaminë, e cila njëkohësisht është edhe xhamia e parë e ndërtuar për adhurim.

Pejgamberi a.s. pastaj e la Kubanë dhe hipi në devenë e vet, ndërsa paria e Jethribit qëndroi në të dy anët e rrugës. Secili prej tyre dëshironte të ketë nderin që i Dërguari i Allahut të zbresë në shtëpinë e tij…

Secili nga paria i dilte përpara devesë dhe e joshte që të ndalej para shtëpisë së tij, duke thënë:

– Vendosu tek unë, o i Dërguari i Allahut, nën mbrojtjen time!

Pejgamberi a.s. ua kthente atyre:

– Lëre, lëre, sepse ajo është e urdhëruar.

Kështu pra, në mesin e kësaj zhurme, deveja vazhdonte rrugën deri në cakun e saj, të cilën njerëzit e përcillnin me vështrimet e tyre kurse zemrat i kishin shpeshtuar të rrahu-rat.

Kur deveja e kalonte një shtëpi, dëshpërohej i zoti i saj, mirëpo ringjallej shpresa në shpirtrat e atyre që u pasonin shtëpitë.

Deveja vazhdonte rrugën e njerëzit shkonin pas saj dhe dëshironin të dinin nga thellësia e zemrave të tyre se kush do të ketë fatin që Resulullahu të zbresë në shtëpinë e tij, derisa ajo arriti në një shesh para shtëpisë së Ebu Ejjub elEnsariut dhe u ul aty.

Mirëpo, Pejgamberi a.s. nuk zbriti prej saj…

Nuk kaloi shumë kohë dhe ajo u ngrit dhe nisi të ecë, kurse Pejgamberi a.s. ia kishte lëshuar frerin. Por, nuk kaloi shumë kohë dhe ajo u kthye në vendin ku ishte ulur pak më parë.

Në atë moment një gëzim i papërshkruar e përfshiu zemrën e Ebu Ejjub elEnsariut dhe shkoi te Pejgamberi a.s., e  përshëndeti dhe i dëshiroi mirëseardhje. I mori teshat e tij me të dy duart, sikur të mbante thesarin e tërë botës dhe shkoi me to në shtëpinë e tij.

*  *  *

Shtëpia e Ebu Ejjub elEnsariut ishte njëkatëshe dhe mbi të nënkulmi. Ebu Ejjubi i kishte hequr të gjitha gjërat e tij që i kishte pasur nën kulm, që në të të vendosej Resulullahi.

Mirëpo, Pejgamberi a.s. preferoi vendosjen në katin e parë. Për këtë Ebu Ejjubit nuk i mbeti asgjë tjetër vetëm të bindej para urdhrit të Pejgamberit a.s. dhe e vendosi aty ku shprehu dëshirën.

Posa erdhi nata, Pejgamberi a.s. shkoi në shtratin e vet, ndërsa Ebu Ejjubi së bashku me gruan e tij u ngjitën në katin e sipërm. Posa e mbyllën derën e dhomës së tyre, kur për një çast Ebu Ejjubi u kthya nga gruaja e tij dhe tha:

– Vaj për ty! Ç’bëmë?!

Si mund të jetë i Dërguari i Allahtu poshtë, e ne të jemi mbi të?!

Si është e mundur që ne të ecim mbi Resulullahin a.s.?!

Si mund të jemi ne në mes Pejgamberit a.s. dhe Shpalljes?! Ne pra mbaruam! (E pat puna jonë!) U pikëlluan së tepërmi të dy bashkëshortët dhe nuk dinin si të vepronin.

Assesi nuk u qetësuan, derisa nuk dolën në pjesën e sipërme, e cila nuk ishte mbi Pejgamberin a.s. U larguan nga ajo pjesë duke ecur në majë të gishtërinjve dhe duke i ikur mesit të dhomës.

Ebu Ejjubi, posa u zgjua në mëngjes, shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha:

– Të betohem në Allahun se as unë e as shoqja ime tërë natën nuk kemi shti gjumë në sy.

Atëherë Pejgamberi a.s. i tha:

– Përse u ka ndodhur kjo, o Ebu Ejjub?!

Ai u përgjigj:

– Na u kujtua se ne jemi në katin e sipërm të shtëpisë e ti je në katin e parë. Çdo herë që ne lëvizim, mbi ty do të bjerë pluhuri e do të të shqetësojë, pastaj unë u bëra pengesë ndërmjet teje dhe Shpalljes (vahjit).

Pejgamberi a.s., pasi e dëgjoi Ebu Ejjubin, i tha:

– Mos u brengos, Ebu Ejjub! Më lehtë është për ne të jemi në katin e poshtëm, për shkak të vizitave të shumta të njerëzve.

Ebu Ejjubi thotë:

– U pajtova me mendimin e Resulullahut a.s. derisa një natë bënte ftohtë, e neve na u thye një ibrik dhe iu derdh uji. U çova menjëherë unë dhe gruaja ime, por nuk kishim asnjë send për ta tharë ujin përveç një copë kadife, të cilën e përdornim si çarçaf për t’u mbuluar, dhe me të thamë ujin nga frika se do të bjerë te Pejgamberi a.s.

Të nesërmen në mëngjes shkova te Pejgamberi a.s. dhe i thashë:

– Të betohem në babain tim dhe nënën time, unë nuk jam i kënaqur që të jem në katin e sipërm e ti të jesh në katin e poshtëm, nën mua. Ebu Ejjubi pastaj vazhdon e thotë se ia tregova rastin e ibrikut. Më në fund Pejgamberi a.s. iu përgjigj lutjes sime dhe ai hypi në katin e sipërm e unë me gruan time zbrita në katin e poshtëm.

Pejgamberi a.s. qëndroi në shtëpinë e Ebu Ejjubit rreth shtatë muaj, derisa u ndërtua xhamia në sheshin e hapur, ku ishte ndalur deveja. Pejgamberi a.s. atëherë kaloi në dhomat, të cilat ishin ndërtuar përreth xhamisë, për të dhe për gratë e tij. Pas kësaj u bë fqinj i Ebu Ejjubit, duke kaluar një fqinjësi shumë të mirë mes tyre!

Ebu Ejjubi e deshi aq shumë Resulullahun s.a.s. saqë kjo dashuri ia pushtoi tërë zemrën dhe mendjen. Po ashtu, edhe Pejgamberi a.s. e deshi Ebu Ejjubin deri në atë masë, saqë ata hynin dhe dilnin te njëri-tjetri pa farë teklifi dhe e shikonte shtëpinë e Ebu Ejjubit sikur të ishte shtëpia e tij.

*  *  *

Ibnu Abbasi r.a. tregon e thotë:

Ebu Bekri doli një ditë në xhami, kur bënte vapë e madhe. E pa Omeri r.a. dhe e pyeti:

– Ebu Bekër, ç’të shtyri të dalësh në këtë kohë?!

Ebu Bekri ia ktheu:

– Nuk më ka shtyrë të dal asgjë tjetër përveç urisë, sepse nuk kam asgjë për të ngrënë.

Omeri r.a., atëherë i tha:

– Betohem në Allahun se edhe mua nuk më ka shtyrë të dal asgjë tjetër përveç ajo që përmende ti.

Ata ende nuk e kishin përfunduar bisedën e tyre, kur doli Pejgamberi a.s. dhe i pyeti:

– Çka ju ka shtyrë të dilni në këtë kohë?!

Ata të dy iu përgjigjën:

– Pasha Allahun, nuk kemi dalë për asgjë tjetër veçse për shkak të dhembjes së madhe që ndiejmë nga uria.

Atëherë Pejgamberi a.s. iu tha:

– Edhe unë  pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij  nuk kam dalë për asgjë tjetër veçse për shkak të urisë.

Pejgamberi a.s. mendoi pak e iu tha:

– Çohuni e ejani me mua! U nisën e shkuan te dera Ebu Ejjub elEnsariut r.a. Ebu Ejjubi dhe çdo ditë e ruante një racion të ushqimit për Pejgamberin a.s. dhe  nëse ai vonohej e nuk vinte, atëherë ia jepte anëtarëve të familjes së vet.

Kur trokitën në derë, u paraqit Ummu Ejjubi  gruaja e Ebu Ejjubit, e cila u tha:

– Mirë se na vjen Resulullahu dhe ata që janë me të!

Pejgamberi a.s. e pyeti:

– Ku është Ebu Ejjubi?

Ebu Ejjubi e dëgjoi zërin e Resulullahut s.a.s., pasi ishte duke punuar te një hurme aty afër, vrapoi menjëherë duke thënë:

– Mirë se na vjen Resulullahu dhe ata që janë me të!” Pastaj vazhdoi: “O i Dërguari i Allahut, kjo nuk është koha në të cilën vije më parë.”

 

Pejgamberi a.s. i tha:

– Po, ashtu është.

Pastaj Ebu Ejjubi shkoi te hurmeja, dhe preu një degë, në të cilën kishte hurma të buta dhe të forta.

Pejgamberi a.s. i tha:

– Nuk do të dëshiroja ta këpusësh këtë degë. Ke patur mundësi t’i mbledhje hurmat e saj.

Ebu Ejjubi ia ktheu:

– O Resulullah, dëshirova të hani hurma të buta dhe të forta, por për ju do të therë edhe një kafshë.

Pejgamberi a.s. i tha:

– Nëse therë diçka, mos ther prej atyre që janë duke u mjelur.

Ebu Ejjubi e mori dhe e preu një edh, pastaj i tha gruas së tij: “Zë dhe gatuaj bukë, sepse ti di më mirë të bësh bukë.” Pastaj e mori gjysmën e edhit dhe e futi për ta zier, ndërsa gjysmën tjetër e poqi. Pasi u përgatit ushqimi dhe iu shërbye Pejgamberit a.s. dhe dy shokëve të tij, Pejgamberi a.s. e mori një pjesë të mishit të edhit dhe e shtiu në një copë të bukës dhe tha:

– O Ebu Ejjub, nxito me këtë copë deri te Fatimja, sepse ka shumë ditë që ajo nuk ka provuar diçka të tillë.

Pasi u ngopën, Pejgamberi a.s. tha:

– Bukë, mish, hurma të buta e të forta!!!

I dolën lotët, pastaj tha:

– Pasha Atë, në duart e të Cilit është shpirti im, kjo është begatia për të cilën do të pyeteni Ditën e Kijametit e, nëse e fitoni sikurse këtë, prekeni me duart tuaja dhe thoni:

Me emër të Allahut  “Bismillahi”, e kur të ngiheni po ashtu thoni:

“Elhamdu lillahi”.

 Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili ngopi e na begatoi!

Pejgamberi a.s. pastaj u çua e i tha Ebu Ejjubit:

-Eja nesër tek unë!

Pejgamberi a.s. e kishte zakon që kushdo që ia bënte ndonjë të mirë ai dëshironte që atë të mirë t’ia tejkalojë.

Mirëpo, Ebu Ejjubi nuk e dëgjoi këtë.

Atëherë, Omeri r.a. i tha:

– O Ebu Ejjub, Pejgamberi a.s. të urdhëron që nesër të shkosh tek ai.

Ebu Ejjubi, atëherë tha:

– Dëgjoj dhe i nënshtrohem urdhrit të Resulullahut!

Ebu Ejjubi shkoi të nesërmen te Pejgamberi a.s., i cili i dha një robëreshë të re, që shërbente te Pejgamberi a.s., dhe i tha:

– Sillu mirë ndaj saj, o Ebu Ejjub, sepse ne nuk kemi parë prej saj përveçse të mira gjatë tërë kohës sa ishte te ne!

Ebu Ejjubi u kthye në shtëpinë e vet. Me vete kishte edhe robëreshën e re. E kur e pa Emmu Ejjub (gruaja e Ebu Ejjubit) pyeti:

– Për kë është kjo, o Ebu Ejjub?!

Ai u përgjigj:

– Për ne… Na e dhuroi Resulullahu s.a.v.s.

Atëherë ajo tha:

– Sa dhurues i mirë, dhe sa dhuratë fisnike është kjo!

Ebu Ejjubi shtoi:

– Pejgamberi a.s. na porositi që të sillemi mirë ndaj saj.

Ummu Ejjub, pastaj tha:

– Si të veprojmë me të që ta çojmë në vend porosinë e Pejgamberit a.s.?!

Ebu Ejjubi u përgjigj:

– Pasha Allahun, unë nuk shoh zgjidhje më të mirë, për ta çuar në vend porosinë e Pejgamberit a.s., sesa lirimin e saj.

Ummu Ejjubi ia priti:

– “Ia qëllove. Ti je në rrugë të drejtë. Pastaj e liroi”.

*  *  *

Këto janë disa fragmente nga jeta e Ebu Ejjub elEnsariut në kohën e paqes, por nëse të jepet rasti të njihesh me disa fragmente të jetës së tij në kohën e luftës, do të shohësh çudira…

Ebu Ejjubi r.a. gjatë tërë jetës së tij ishte i angazhuar në luftë, saqë thuhet për të se ai mori pjesë në të gjitha betejat e muslimanëve, prej kohës së Pejgamberit a.s. e deri në kohën e Muaviut, përveç nëse ka qenë i angazhuar në ndonjë luftë tjetër.

Lufta e fundit e tij, ishte beteja për çlirimin e Kostantinopojës. Muavia e kishte përgatitur ushtrinë nën komandën e të birit të tij, Jezidit. Ebu Ejjubi në atë kohë ishte plak në moshën tetëdhjetëvjeçare, mirëpo mosha e tij e shtyrë nuk e kishte penguar që t’i bashkangjitej ushtrisë së Jezidit dhe t’i çajë valët e detit për të luftuar në rrugën e Allahut xh.sh.

Nuk kaloi pak kohë në përleshje me ushtrinë e armikut, derisa u sëmurë rëndë Ebu elEjjubelEnsariu, sëmundje kjo e cila nuk i mundësoi më ta vazhdojë luftën. Atëherë vetë Jezidi erdhi ta vizitojë atë dhe e pyeti:

– A ke nevojë për ndonjë ndihme, o Ebu Ejjub?

Ebu Ejjubi iu përgjigj:

– Dërgoja të falat e mia ushtrisë muslimane dhe thuaju atyre:

“Ju porosit Ebu Ejjubi të depërtoni në thellësi të tokës së armikut, të më mbartni mua me ju, dhe të më varrosni nën këmbët tuaja te muret e Konstantinopojës” dhe pas pak kohe dha shpirt.

*  *  *

Ushtarët muslimanë iu përgjigjën dëshirës së shokut të Resulullahut s.a.s. dhe u vërsulën mbi ushtrinë e armikut, derisa arritën te muret e Konstantinopojës, dhe e mbartën Ebu Ejjubin me vete.

Atje ia hapën varrin dhe e varrosën.

Allahu xh.sh. e pastë mëshiruar Ebu Ejjub elEnsariun, i cili nuk deshi të vdesë ndryshe por vetëm mbi shpinën e kuajve të shpejtë, duke luftuar në rrugën e Allahut xh.sh., në moshën tetëdhjetëvjeçare. Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events