Home » Sahabet » Rebi bin Zijad r.a.

“Askush nuk ma ka thënë të vërtetën që se jam halife ashtu siç ma ka thënë Rrebië bin Zijadi.” Omeri, r.a.

Ja qyteti i të Dërguarit të Allahut, në të cilin ende nuk është ndalur dhembja për vdekjen e Siddikut (Ebu Bekrit r.a.)

Ja tek shihen edhe delegacionet e provincave të ndry-shme të shtetit islam tek vijnë e shkojnë për çdo ditë në Medinë duke ia dhënë besën halifit Omer ibnul Hatabit se do ta dëgjojnë dhe do t’i zbatojnë urdhrat e tij, në vështirësi dhe në mirëqenie. Në njërin prej këtyre mëngjeseve, te emiri i muslimanëve erdhi një delegacion nga Bahrejni në mesin e shumë delegacioneve të tjera.

Omeri r.a. ishte përherë i interesuar të dëgjonte fjalët e delegacioneve që i vinin, se mos ndoshta nga fjalët e tyre do të përfitojë diçka të vlefshme apo ndonjë këshillë të dobishme e cila do t’i ndihmonte në udhëheqjen e drejtë të muslimanëve. Disa nga të pranishmit morën fjalën, por nuk thanë diçka që vlen të përmendet.

Atëherë Omeri iu drejtua njërit, nga i cili shpresonte një këshillë të mirë, i dha shenjë për të folur dhe i tha:

 Urdhëro e fol!

Njeriu u ngrit, e falënderoi Allahun dhe e lartësoi Atë e pastaj tha:

O emir i muslimanëve, dije se udhëheqja e çështjeve të këtij umeti është sprovë nga Allahu me të cilën Ai të ka spovuar. Ta kesh frikën e Allahut për atë që je ngarkuar dhe dije se, nëse humb edhe vetëm një dele në brigjet e Eufratit, do të japësh llogari në Ditën e Gjykimit!

Omeri u zhgreh në vaj dhe tha: Askush nuk më ka thënë të vërtetën prej se jam halife, ashtu siç ma thatë ju. E kush jeni ju, o vëlla i dashur?!

Rrebië bin Zijad ElHarithij,  iu përgjigj ai.

 Vëllai i Muhaxhir bin Zijadit?  e pyeti prapë Omeri.

Po,  tha ai.

Kur u shpërnda tubimi, Omeri e thirri Ebu Musa El Esh’ariun dhe i tha:

Hulumtoje çështjen e Rrebië ibnu Zijadit. Nëse vërtet është i sinqertë, atë do ta kemi ndihmës të madh për çështje të muslimanëve. Angazhoje atë me diçka dhe pastaj më informo për të.

*  *  *

Nuk shkoi shumë kohë nga ajo ditë dhe Ebu Musa ElEsh’ariu me urdhrin e halifes përgatiti një ushtri për çlirimin e “Menadhirit” në krahinën e Ehvazit. Në radhët e kësaj ushtrie emëroi edhe Rrebiun me të vëllanë e tij Muhaxhirin.

*  *  *

Ebu Musa El Esh’ariu e rrethoi Menadhirin dhe zhvilloi luftë të ashpër me ta. Rrallëherë në histori përsëriten luftëra të tilla. Mushrikët u treguan shumë të fortë, gjë që nuk ishte pritur prej tyre.

Numri i të vrarëve në radhët e muslimanëve ishte bukur i madh dhe kishte tejkaluar çdo parashikim.

Në këtë luftë muslimanët luftonin duke qenë edhe agjërueshëm.

Kur Muhaxhiri, vëllai i Rrebiut, pa se numri i të vrarëve në radhët e muslimanëve filloi të rritet, vendosi që ta flijojë vetveten duke shpresuar kënaqësinë e Allahut. U lye me vaj, u mbështoll me qefin dhe i la amanet të vëllait.

Atëherë Rrebiu shkoi te Ebu Musa ElEsh’ariu dhe i tha:

Muhaxhiri ka vendosur ta flijojë vetveten duke qenë agjërueshëm. Muslimanëve përveç vështirësive të luftës, i është shtuar edhe pesha e agjërimit, gjë që e ka dobësuar pakëz forcën e tyre. Dije se po refuzojnë ta prishin agjërimin, prandaj vepro si ta shohësh më të arsyeshme.

Ebu Musa doli para ushtrisë muslimane dhe tha:

 O muslimanë, prej çdo agjëruesi kërkoj që të hajë e në të kundërtën të mos luftojë. Dhe piu ujë botërisht nga një ibrik që e kishte me vete, me qëllim që edhe njerëzit të pijnë pas tij.

Kur i dëgjoi Muhaxhiri fjalët e tij piu një gëllënjkë ujë dhe tha: – Për Zotin, nuk më shtyu të pijë ujë etja, por dëshirova ta çoj në vend fjalën e emirit (komandantit) tim. Pastaj shtrëngoi shpatën dhe filloi t’i çajë radhët e armikut duke depërtuar thellë në mesin e tyre.

Për një çast, ushtarët e armikut e rrethuan atë nga çdo anë dhe filluan ta godasin me shpata para dhe prapa, derisa ra i vdekur në tokë.

Pastaj ia këputën kokën dhe e vendosën atë në një vend të ngritur në fushëbetejë.

Rrebiu e shikoi këtë skenë nga larg dhe tha: I lumi ti për gradën e lartë që arrite.

Për Zotin, do të hakmerremi për ty dhe për muslimanët e tjerë të vrarë, në dashtë Allahu.

Kur e pa Ebu Musa dhembjen e Rrebiut për të vëllanë dhe e kuptoi se zemra iu mbush plot mllef, pezm e hidhërim, ndaj armiqve të Allahut, ia dorëzoi atij udhëheqjen e ushtrisë dhe vazhdoi për në “Sus” për ta çliruar atë.

*  *  *

Rrebiu me ushtrinë e tij u vërsulën mbi mushrikët si një rrebesh i fuqishëm stuhie, i cili shkatërron para vetes çdo gjë, i shpartalluan radhët e tyre dhe ngadhënjyen mbi ta. Allahu ia mundësoi Rrebië Ibnu Zijadit çlirimin e “Menadhirit” me forcë, ku vrau armiq dhe zuri shumë robër. Preja e luftës ishte aq e madhe, sa nuk mund të numërohej dot.

*  *  *

Pas betejës së “Menadhirit”, ylli i Rrebiut shkëlqeu dhe emri i tij u bë shumë i njohur, saqë arriti të bëhet njëri nga udhëheqësit më të famshëm e më me nam prej të cilëve gjithmonë kërkoheshin vepra të mëdha.

Kur muslimanët vendosën ta çlirojnë “Sexhistanin”, ia besuan atij udhëheqjen e ushtrisë duke qenë të bindur dhe plot shpresë se ai do t’ua sillte fitoren.

Rrebië Ibën Zijadi me ushtrinë e tij të pathyeshme u nis për në “Sexhistan” duke kaluar nëpër një shketëtirë të pafund, nëpër të cilën nuk kalonin dot as egërsirat. Qytetin e parë që e rrethoi gjatë marshimit të tij në “Sexhistan” ishte “Rustak Zalika”, qytet ky me pallate të mëdha, i rrethuar me kështjella gjigante, me plot të mira dhe begati.

*  *  *

Udhëheqësi i urtë e largpamës, Rrebiu, ia lëshoi sytë që nga larg “Rustak Zalikut” dhe shpresonte të hynte në të sa më shpejtë. Mori vesh se populli së shpejti do të dalin në një festival të tyre. Rrebiu e ruajti rastin më të përshtatshëm për sulm, mu në natën e festivalit, kur njerëzit ishin të hutuar dhe nuk pritnin kurrfarë sulmi.

Zuri robër njëzet mijë njerëz e në mesin e tyre ishte edhe kryetari i atij qyteti.

Rrebië ibnu Zijadi në mesin e robërve vuri re një shërbëtor të kryetarit, i cili kishte tubuar më se treqind mijë florinj për t’ia dërguar zotëriut të vet dhe e pyeti:

 Prej nga kjo pasuri?!

 Prej një fshati nga fshatrat e zotëriut tim,  ia ktheu ai.

 A vetëm një fshat mund të sjellë kaq pasuri?  pyeti prapë Rrebiu nga kureshtja.

Po,  i tha ai.

 Me çka?  pyeti Rrebiu.

Me sopatat, kosat dhe me djersën tonë,  ia ktheu shërbëtori.

*  *  *

Kur përfundoi lufta, te Rrebiu erdhi kryetari i zënë rob  i “Rustak Zalikut” dhe e luti që ta lirojë atë dhe familjen e tij…

Po, por me një kusht,  i tha Rrebiu. Nëse u jep muslimanëve shpërblim, atëherë je i lirë.

 Sa dëshiron?   pyeti ai.

Ngule këtë shtizë në tokë dhe hidh mbi të ar e argjend derisa ta mbulosh atë,  ia ktheu Rrebiu.

Pajtohem  tha ai, dhe sakaq nxori nga thesarët e tij ar e argjend dhe filloi të hedhë mbi shtizë derisa e mbuloi të tërën.

*  *  *

Rrebiu me ushtrinë e tij ngadhënjimtare depërtoi thellë në tokën e Sexhistanit. Kështjellat binin njëra pas tjetrës nën sundimin e tij, ashtu siç bien gjethet e pemëve nga forca e erërave vjeshtore.

Banorët e qyteteve dhe fshatrave të Sexhistanit filluan t’i presin ushtarët muslimanë me mirëseardhje, duke kërkuar prej tyre siguri dhe u nënshtroheshin atyre pa luftë, derisa ushtria muslimane arriti para dyerve të qytetit “Zere-nxhe”  kryeqytet i Sexhistanit.

Armiku ishte përgatitur deri në dhëmbë për ta luftuar Rrebian dhe për ta penguar marshimin e ushtrisë muslimane me qëllim që t’i zmbrapsin ata nga kryeqyteti i tyre, sado i shtrenjtë që të ishte çmimi i kësaj sakrifice. Ndërmjet dy ushtrive u zhvillua një luftë e ashpër, ku asnjëra palë nuk kursente flijimin.

Kur u panë shenjat e para të triumfit të muslimanëve, i pari i popullit, i quajtur me emrin “Berviz”, nxitoi të bëjë paqe me Rrebiun ndonëse ende kishte forca ushtarake, por me këtë marrëveshje dëshironte t’i siguronte vetes dhe popullit të tij kushte më të favorshme.

E dërgoi një njeri te Rrebiu që të bisedojë me të dhe të kërkojë prej tij që ta caktojë një orar për takimin e tyre për të biseduar rreth paqes.

Rrebiu iu përgjigj kërkesës së tij dhe urdhëroi njerëzit e tij që ta përgatisin vendin për pritjen e “Bervizit” dhe kërkoi prej tyre që rreth tendës së bisedimeve t’i palojnë një mbi një trupat e ushtarëve të vrarë persianë, kurse në të dy anët e rrugës nga do të kalojë “Bervizi” t’i qesin të vrarët e tjerë pa i radhitur. Rrebiu ishte një burrë shtatgjatë, i pashëm, i fortë, zeshkan dhe shpatullgjerë. Shikimi i tij i rreptë fuste frikë e llahtari në zemrat e njerëzve.

Kur “Bervizi” hyri, u shashtis dhe e humbi torruan nga pamja e të vrarëve, saqë nuk pati guxim as të afrohet e të përshëndetet për së afërmi me Rrebiun.

Tek fliste nga larg, me një gjuhë që i dridhej, duke belbëzuar, pranoi kushtin e Rrebiut që përpara tij të parakalojnë njëmijë djem të rinj e në krye të secilit prej tyre të jetë nga një shtëmbë prej arit.

Të nesërmen Rrebiu hyri në qytet në mënyrë triumfale, i përcjellë nga rreshtat e të rinjve dhe nga brohoritjet e musli-manëve tek shprehnin me zë të lartë madhërimin e Allahut (Allau Ekber) dhe dëshminë islame “LA ILAHE ILLA ALLAH”.

Vërtet, kjo ditë madhështore ishte njëra prej ditëve të dalluara të Allahut xh.sh.

Rrebiu mbeti shpatë e pathyeshme në duart e muslimanëve, nën komandën e të cilit u çliruan shumë vende dhe u thyen shumë ushtri armike. Udhëhoqi çështjet e muslimanëve në provinca të ndryshme të shtetit Islam. Gjatë kohës së Emevive, Muaviu vendosi ta emërojë Rrebiun vali të Horasanit, ndonëse ky nuk kishte dëshirë ta merrte këtë detyrë. Shqetësimin dhe urrejtjen për këtë emërim ia shtoi Zijad ibnu Ebihi, njëri nga valitë e lartë të Emevive, kur ia dërgoi një shkresë në të cilën i shkruante dhe i thoshte:

“Emiri i besimtarëve Muaviu të urdhëron që arin dhe argjendin nga preja e luftës ta lësh për arkën shtetërore, kurse të tjerat t’i ndash mes luftëtarëve…”

Rrebiu, paksa i mllefosur, i shkroi atij:

“Libri i Allahut më urdhëron të kundërtën e asaj që ti më ke urdhëruar me gjuhën e emirit të muslimanëve (besimtarëve).”

Pastaj i thirri ushtarët dhe njerëzit e tjerë që të marrin pjesën e caktuar nga preja e luftës e të mos çajnë kokën për letrën tendencioze të Zijad bin Ebihit, kurse një të pestën e dërgoi sipas rregullit në qendrën e halifatit në Damask…

*  *  *

Në xhumanë e parë pas arritjes së asaj shkrese, Rrebië ibnu Zijadi, i veshur i tëri me petka të bardha, doli për ta falur namazin dhe iu drejtua njerëzve me këshillimin (hytben) e xhumasë, duke u thënë:

“Vëllezër të nderuar, mua më është mërzitur jeta. Unë do ta bëj një lutje kurse ju thoni “AMIN” lutjes sime”.

Pastaj vazhdoi e tha: “O Zoti im, nëse mua më dëshiron mirësi, më merr te Ti sa më shpejt dhe pa vonesë…”

Të gjithë njerëzit e pranishëm i thanë “AMIN” lutjes së tij…

Dhe vërtet, ende pa perënduar mirë dielli i asaj dite Rrebië ibnu Zijadi shkoi pranë fqinjësisë së Krijuesit të tij, shpirtqetë dhe i kënaqur.

Burimi

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up