Home » Shtamba e Thyer » Planifikimi i te ardhmes – Shtamba e thyer

Mundësitë materiale dhe kriteri në planifikimin e të ardhmes

Pyetje: Profeti ynë i nderuar ka këshilluar që në këtë botë të jetojmë si të huaj, ose si një kalimtar. Disa prej të parëve tanë madje, edhe mendimin se me çfarë do të ushqehesh ditën tjetër e kanë konsideruar si dëshira që nuk kanë të mbaruar. Mirëpo në kushtet e ditëve tona, shihet si e domosdoshme që të mendosh për një shkollë sa më të mirë, për një profesion të caktuar dhe të bësh gjithfarë planesh për të ardhmen. Në këtë pikë, cili duhet të jetë kriteri në të menduarit për të ardhmen?

 

Përgjigje: Ashtu siç theksohet edhe më sipër, Profeti ynë fisnik shprehet kësisoj në një hadith të Tijin: “Në këtë botë ji si një i huaj, ose si një kalimtar”(Buhari, rikak, 3; Tirmidhi, zuhd, 25). Kalimtar mund të quhet ai që është larguar prej vendbanimit të tij për të emigruar drejt një vendi tjetër, që gjendet atje si mysafir përkohësisht, e për më tepër, që nuk lidhet shumë fort pas gjërave apo njerëzve që gjenden atje. Ndërsa nocioni “abiru sebil” që përdoret në hadith, do të thotë udhëtar. Ubur, që është një trajtë e foljes “abera kaloj, e cila gjithashtu i përket paradigmës së emrit “abir”, përdoret për të shenjuar “kalimin matanë”. Në fakt, edhe njeriu bën një rrugëtim që nga mitra e nënës në fëmijëri, nga andej në rini, në pjekuri, e mandej në pleqëri, që andej në botën e varrit, në berzah, e së andejmi në sheshin e gjykimit. Ia, edhe Profeti ynë i nderuar (s.a.s.) na këshillon që ta pranojmë këtë botë si vendin e kalimit nga njëra anë në anën tjetër.

 

Në një tjetër hadith, Profeti ynë i nderuar jetonte mbi një hasër, e ngase hasra i kishte lënë disa shenja në trup, Omeri (r.a.) e pyeti i ngashëryer në lot: “O i Dërguari i Allahut! Romakët jetojnë kështu, iranianët ashtu…”, duke dashur t’i thotë që të mirakandet edhe ai prej disa mirësive të kësaj bote, mirëpo transmetohet se Profeti ynë i nderuar i gjegjet: “E ç’lidhje mund të kem unë me këtë botë! Gjendja ime e kësibotshme i ngjan atij udhëtarit që pasi qëndron përkohësisht nën hijen e një peme për t’u çlodhur, ngrihet e vazhdon rrugëtimin e tij.”‘(Tirmidhi,zuhd,44; Ibni Maxhe,zuhd,3; Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 1/301,391). Të gjithë e dimë, që po të donte Ai, të gjithë sahabët i mblidhnin të gjitha ç’kishin në shtëpi dhe ia çonin Atij. Mirëpo Krenaria e Njerëzimit, e konceptonte vetveten pikërisht si ai udhëtari që çlodhet përkohësisht nën hijen e një peme, e që më pas ngrihej për të vazhduar rrugëtimin e tij. Ai këtë quante si lidhje të vetëm me botën, madje e jetonte jetën e vet derisa të ecte drejt horizontit të shpirtit pikërisht sipas këtij kriteri.

 

Pasuri të harxhuara në rrugën e Allahut

 

Mirëpo nëse do ta shihnim me një vështrim më të gjerë këtë çështje, duke e parë në dritën e urdhërimeve dhe ndalesave të fesë, nga këto fjalë të të Dërguarit të Allahut, kuptojmë se nuk është e nevojshme braktisja tërësore e kësaj bote, por vetëm se nuk është e lejueshme zhytja kokë e këmbë në kënaqësitë dhe dëfrimet që ajo të ofron. Për shembull, në një ajet të sures Enfal thuhet: “Nëse i besoni asaj që zbriti Allahu dhe Robi i Tij atë ditë kur u nda e drejta nga e shtrembëra ( Bedri ), ta dini se një e pesta e asaj që fitoni është e Allahut, Profetit dhe të afërmve të Tij, jetimëve, të skamurve dhe udhëtarëve. Allahu është i plotfuqishëm ndaj çdo gjëje.”(Enfal, 8:41), siç duket një e pesta që i dedikohet Profetit të Allahut dhe personave të tjerë të përmendur në ajet tregon se ata janë të gjithë nën kujdesin e Allahut. Sikur i Dërguari i Allahut të kishte pranuar jo një të pestën e mallit, por sikur vetëm mbeturinat e tij të pranonte, mund të bënte një jetë më se të rehatshme, duke jetuar nëpër saraje. Mirëpo Ai pati zgjedhur që ta kalonte jetën në një dhomëz tejet të ngushtë. Asisoj që, siç na e transmeton edhe Aishja (r.a.), kur i Dërguari i Allahut donte të falte namaz gjatë natës, gjatë sexhdes, i largonte me dorë këmbët e Aishes fisnike, duke arritur që ta bëjë sexhdën vetëm pasi këmbët e saj të ishin mbledhur disi(Shih: Buhari , salat,22, 104; el-amel fi’s-salat,10; Muslim, salat , 272). Me një fjalë, në atë dhomëz që rrinte Ai, që ne iu bëfshim kurban asaj dhome nuk gjente dot vend as për t’i bërë sexhde Allahut. Mirëpo me urdhrin e Allahut (xh.xh.), ndërsa shohim ndarjen e një pjese të mirë të pasurisë së përgjithshme për Të, e nga ana tjetër duke parë se fuqitë ishin më se të mjaftueshme për të mbajtur një ushtri, Ai i përdori të gjitha ato në rrugën e Allahut, duke zgjedhur një jetë të thjeshtë. Patjetër, Ai ishte shumë këmbëngulës dhe i vendosur në çështjen e kënaqësive dhe dëfrimit, sepse vepronte me aq shumë masë dhe kritere, saqë e shprehte më së miri zgjedhjen e duhur të urdhëruar prej Allahut në trajtën: “Ji i drejtë, ashtu siç të është urdhëruar!”(Hud, 11:112).

 

Trashëgimtarët e shpirtit të mospritmërisë

 

Padyshim që i Dërguari i Allahut ishte një njeri i bindjes dhe pasionit për sa i përket lidhjes, pozicionit, gjendjes dhe thellësisë së Tij në lidhje me Allahun. Po, Ai kishte një natyrë të atillë, që shprehej se kënaqësinë që ne ndjejmë ndaj të ngrënit apo ndaj të pirit, ai e ndjente duke i kryer adhurime Allahut. Andaj edhe kërkonte leje prej bashkëshorteve të Tij për të shprehur djegien e Tij për Zotin, e menjëherë rendte për ta afruar buzën në çezmën e adhurimit. Kësisoj që, do të ishte e padrejtë nëse e krahasojmë Atë edhe me sahabët e Vet, e jo më me ne. Askush nuk mund të krahasohet me Të. Madje, nëse nuk do të quhej teprim e paturpërsi, unë do të thosha, se edhe ta krahasoni me Xhebrailin (a.s.) do të ishte krejt e padrejtë. Kjo e thënë sepse Xhebraili nuk mbartte mbi vete ngarkesat e rënda të lidhura me truporen apo me egon. Kurse Profeti ynë (s.a.s) ngase i kishte edhe këto ngarkesa njëkohësisht, kali i tij rendte vende para engjëjve. Pikërisht prej këtij shkaku, ashtu siç Ai u kthye mbrapsht prej Miraxhit, Ai na këshillonte përherë neve me këshilla objektive për botëkuptimin tonë dhe mënyrën tonë të jetesës, aq sa zbriste deri në nivelin tonë të të kuptuarit.

 

Kur e shohim çështjen pikërisht prej këtyre kritereve, edhe pse askush nuk mund të krahasohet me Të, mund të themi se njerëzit duhet të jetojnë brenda një rrethi të atillë mospritmërie në jetët e tyre personale, pikërisht ashtu siç Ai na ka mësuar. Zaten të gjitha personalitetet e larta që kanë zgjedhur të ndjekin rrugën e Tij, kanë zgjedhur pikërisht mospritmërinë si kriter kryesor të të jetuarit. Madje, nëse do t’i hidhnit një sy mënyrës së të jetuarit të Said Nursiut, do të shihni se si e ka konsideruar mospritmërinë si një nga pikat më kyçe që duhen ndjekur në jetë. Ka pasur raste që ai ka kaluar ditë të tëra mbi një pemë, nganjëherë ké ndenjur vetëm në ndonjë shtëpi në majë të malit. Madje ka pasur edhe herë kur ka ndenjur ulur mbi një copë dërrasë aspak të përshtatshme; me pak fjalë, pati zgjedhur të jetonte një jetesë tejet të thjeshtë deri në fund të jetës së tij. Veç kësaj, jo vetëm ata njerëz që jetojnë fenë tuaj, por edhe anëtarë nga grupe të ndryshme fetare mund të keni parë që kanë jetuar një jetë pa pritmëri, e cila i ka bërë që t’i ndryshojnë rrjedhën të ardhmes së shoqërisë njerëzore.

 

Nga ky aspekt mund të themi se këto veçori që mund të konsiderohen edhe si vlera universale të njeriut, janë të njëjta te të gjithë njerëzit. Vetëm se me ndryshimin, që në zemrat besimtare, kjo çështje jo vetëm që është më e qëndrueshme, por edhe premton qëndrueshmëri. Pasi ata kanë marrë nga pas edhe mbështetjen hyjnore. Ndërsa te të tjerët, nganjëherë mund të bëhet fjalë për mospritmëri, sakrificë, pastërti shpirtërore, por këto nuk premtojnë kurrfarë vazhdueshmërie a qëndrueshmërie. Mirëpo edhe duhet ditur se Allahu ia bën të mundur gjithnjë njerëzve që mbartin me vete cilësinë e besimtarit që të jenë të suksesshëm në këtë botë dhe në rrugën që ecin. Sepse veprimet e Allahut janë të bazuara mbi veçoritë e njeriut. Prej këndej, një njeri edhe sikur të jetë një personalitet i lartë që fluturon në qiell, nëse është meskin dhe dembel, ose nëse është i atillë që ngarend për të mbledhur gjithë botën, duke qenë një njeri egoist që jeton vetëm për veten, nuk ka për të parë prej Allahut ndonjë trajtim të veçantë. Pasi ai është larguar prej të qenit njeri i vërtetë. Në fakt, nuk mund të pranohet që një besimtar të zhytet krejtësisht në këtë botë, të jetojë veç për truporen, apo të veprojë vetëm duke u bazuar në ndjenjat e tij kafshërore. Sepse është një e vërtetë e pamohueshme që një mënyrë e tillë të jetuari nuk është kurrsesi një rrugë profetike.

 

Mënyra e përjetësimit të mundësive të kufizuara

 

Patjetër që kuptimi i këtyre fjalëve të thëna gjer këtu, nuk do të thonë që njeriu duhet të tërhiqet për të jetuar një jetë prej dervishi, duke i braktisur të gjitha ç’ka, për t’u tërhequr diku mënjanë. Sepse kjo është në kundërshti me të qenët një popull i fuqishëm. Rrjedhimisht, myslimanët duhet të arrijnë sa më shumë mundësi Prej kësaj bote. Mirëpo ata, këto mirësi të kësaj bote duhet të dinë si t’i përdorin për hir të përjetësisë dhe pafundësisë. Së këndejmi, lejomëni të ndaj me ju një ndjenjë timen: Ndonjëherë më kalon në imagjinatë sikur të më dilnin përpara disa trilionë para, e sikur të mund t’ua ndaj ato vëllezërve të mi në vende të ndryshme të botës, që ata të hapin shkolla apo vatra kulture për të fituar zemrat e njerëzve.

 

Patjetër që kjo është një ëndërr, e ngase është e tillë, unë veç hedh një hap kot. Por lermëni t’jua shpreh: Nëse kjo nuk do të ishte një ëndërr e imja, por e juaja, e ju të ma kishit shprehur mua atë ëndërr, unë do t’ju thosha se edhe një ëndërrim i tillë ka për t’ju përftuar shpërblime adhurimi. Se është shumë e rëndësishme që t’i ndash me të tjerët frymëzimet e shpirtit tënd, të ndriçosh botët me pishtarët e mbajtura në duart e tua, apo të shpiesh emrin e të Dërguarit të Allahut në të katër anët e rruzullit“ (shih: Muslim, fiten, 19), kudo ku lind e perëndon dielli, madje edhe të vuash vazhdimisht për hir të kësaj, duke i lidhur edhe ëndrrat fuqishëm pas një synimi të këtillë.

 

Mirëpo, nëse do të ktheheshim në çështjen tonë kryesore, le ta shprehim edhe njëherë, se nuk përbën kurrfarë problemi nëse përdoren mundësitë e zotëruara ashtu siç duhet. Veçse një pasion dhe dobësi për një pasuricentrizëm, postcentrizëm, shtëpi-familjecentrizëm apo egocentrizëm, e rrokullis njeriun drejt fatkeqësish jo vetëm të kësaj bote, por edhe të asobote. Njeriu duhet të jetë vetëm i drejtuar kah e drejta, duke u lidhur me të gjitha gjërat e tjera vetëm pë hir të Tij. Në fillim, në fund apo në mes të çdo gjëje, do kujtuar pikërisht Ai, duke e lidhur çdo gjë po me Të. Sepse nëse veprohet vetëm për hir të trupit dhe egos, atëherë ne do të zvogëlohemi, pasi ajo do të ngelet veç brenda ngushtësisë së vet, duke bërë që edhe ato mundësi të falura, por edhe ne të shkojmë dëm. Njeriu që është krijuar sa për gjithë botët, madje me një potencial që ia kalon gjithë botëve, e që mund të arrijë zotërime sa qielli e toka, nuk mund të lihet që të bëhet i burgosur brenda një ngushtësie të këtillë. Përkundrazi, ai duhet të rendë pas përjetësisë, duke kërkuar vazhdimisht vetëm se kënaqësinë e Tij. Aq sa edhe sikur triumfues i Stambollit të dëshirojë të jetë, nëse kjo nuk e çon tek Allahu, atëherë nuk duhet ta kërkojë. Sepse një ngjarje e tillë në vetvete nuk ka kurrfarë rëndësie. Me pak fjalë, ai triumf i Stambollit vetëm nëse tregohesh si shembull prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ruan nderin dhe parimet e Islamit, përpiqesh për të përhapur emrin e bukur të Muhamedit (s.a.s.) në mbarë botën, ka për të fituar vlerë.

 

Përcaktueshmëria e nijetit

 

Në fakt, e njëjta gjë shihet edhe në ditët e sotme me dëshirën dhe përpjekjet për të përfunduar disa shkolla. Me pak fjalë, njeriu do të bëjë disa gjëra për vendin dhe kombin e tij, mirëpo që të mund t’i bëjë, nëse është e domosdoshme që të kalojë më parë prej disa rrugësh të caktuara, patjetër që duhet të bëjë ç’është e nevojshme. Për shembull, nxënësi që do të shkojë për të studiuar në një shkollë të mirë, duhet të thotë: “Unë nëse nuk mbaroj dot këtë shkollë, atëherë nuk hyj dot në universitet. E duke mos hyrë dot në universitet, atëherë as nuk i shërbej dot vendit tim më së miri. Po nuk ia arrita kësaj, atëherë nuk kam ndonjë vlerë të veçantë, e duke mos pasur vlerë, atëherë unë nuk mund të bëj dot asgjë as për popullin tim, as për vendin tim, as për synimin tim e as për idealet e mia.”, dhe kësodore ai do ta ketë lidhur qëllimin e tij pas një synimi tejet të madh.

 

Po, ne ngandonjëherë shprehemi edhe me shprehje të llojit: “Pse nuk i panë si duhej disa gjëra? Pse lanë mangësi në disa fusha? Pse veç hëngrën gola?”, duke mos shpëtuar dot prej kritikës ndaj paraardhësve tanë. Kështu që, që të mos na kritikojnë ata që do të vijnë më vonë, duhet të përpiqemi me mish e me shpirt, që të mos lëmë as edhe një mangësi në këtë pikë, madje edhe të mbushim boshllëqet që mund të kenë lënë ata që kanë qenë përpara nesh. Që të mos kritikohemi rëndshëm prej fëmijëve apo nipërve tanë, është e domosdoshme që të ndiqen fill e për pe disa kritere. Para Së gjithash është e domosdoshme që të keni një besim të mirë dhe të mos tregoni mangësi në adhurimet tuaja, e më në fund, edhe t’i lidhni të gjitha pas një nijeti të pastër dhe të madhërishëm. Nëse bëhet kjo, atëherë edhe studimi i fëmijës në një gjimnaz, edhe mbarimi i universitetit prej tij, madje edhe perfomanca e treguar atje, ka për të kaluar si shpërblim për ju. Sepse edhe rrugët e përdorura për realizimin e diçkaje marrin ngjyrën e nijetit dhe qëllimit të paracaktuar në lidhje me të. Kësodore, të gjitha çështjet do të jenë lidhur pas nijetit, madje edhe do të përcaktohen prej tij.

 

Me pak fjalë, besimtari asnjëherë nuk duhet të veprojë apo të bëjë punë vetëm për të Htuar simpatinë dhe vlerësimet e të tjerëve, apo të veprojë vetëm për llogari të kësaj bote. Ai duhet të ngarendë përherë për të çuar edhe në zemrat e të tjerëve ato vlera universale të cilat burojnë që prej thellësive të tij të shpirtit, madje duke u përpjekur që të jetë një mekanizëm kyç në ekuilibrin e vlerave në rruzull. Për hir të këtij qëllimi, ai herë-herë përballet me vështirësi nga më të ndryshmet, përjeton dhimbje pas dhimbjeje, derisa bëhet dysh prej vuajtjes. Mirëpo ai e di më së miri, se një njeri që jeton brenda një rrethi të tillë qëllimi, të gjitha vuajtjet dhe dhimbjet që përjeton, kanë për t’i përftuar një shpërblim të atillë që, nuk mund të arrihet as me rrugëtimin soditës të shpirtit.

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up