Pyetje: Cila është urtësia në rekomandimin me aq ngulm për leximin e Risales së Ihlasit (Sinqeritetit) dhe Uhuvvetit (Vellazerimit)? Si mund ta fitojmë këtë shprehi?
Çështjet që trajtohen në Risalet e Ihlasit dhe të Uhuvetit janë të rëndësishme sa uji, buka dhe ajri për një ekip i cili bën shërbim në rrugën e imanit dhe Kur’anit. Në qoftë se njeriu nuk është i bindur se është Allahu Ai i Cili e bën njeriun të bëjë shërbim, dhe në qoftë se ai nuk ka një ihlas (sinqeritet) të palëkundshëm, atëherë njeriu –edhe sikur të vrapojë për hizmet- përsëri nuk arrin të shpëtojë nga shirku i cili do t’ia vendosë në brendi njeriut këtë ndjenjë në atë nivel sa të mos mendojë se mund të të jetë ndryshe
Në një hadith (kuptimisht) flitet për një nga personat e parë të cilët Allahu xh.sh. i merr në pyetje, i cili kishte vdekur në fushëbetejë të luftës dhe ishte i mbuluar me gjak. Në po atë hadith, tregohet edhe për një tjetër grup njerëzish, dhe ata janë njerëzit e dijes dhe tjetri grup i cili pasurinë e tij e ka shpenzuar në rrugë të hajrit. Allahu xh.sh. e pyet shehidin (dëshmorin) në Ditën e Gjykimit: “Përse u vrave?” Ai thotë: “O Allah! Unë u urdhërova të luftoja në rrugën Tënde. Ndaj unë luftova derisa në fund u vrava.” Allahu xh.sh. i thotë: “Jo! Ti në asnjë mënyrë nuk e bëre këtë gjë për Mua; përkundrazi, ti e bëre këtë luftim vetëm e vetëm që njerëzit të thonë ‘Sa trim është filani!’ dhe kjo t’u tha.” Pra, ti e more atë që e prisje dhe s’të ka mbetur gjë për të marrë.
Po, sado punë e vepra të bëjë njeriu; nëse ajo vepër është edhe sa malet mirëpo nuk është bërë me sinqeritet, ajo nuk do të pranohet nga Allahu. Më pas radha i vjen njeriut të dijes (dijetarit) dhe Allahu e pyet ‘Përse e fitove këtë dije?” Ai thotë: “Për të Të shpjeguar Ty o Allah!”. Allahu xh.sh. i thotë: “Jo! Ti e bëre që njerëzit të thonë ‘Filani di shumë, sa bukur që lexon Kur’an, ai është dijetar i madh’ dhe në këtë mënyrë e bën të heshtë dijetarin.. dhe, sikur i thotë: “Shko të ta japin ata shpërblimin!” Të njëjtat gjëra vlejnë edhe për atë i cili e jep mallin e tij. Nëse edhe ai në këtë mënyrë nuk e ka nijetin të pastër dhe nëse nuk është i sinqertë, merr të njëjtën përgjigje.
Po, ihlasi (sinqeriteti) është shumë i rëndësishëm; në të ekziston një sekret dhe një forcë aq e madhe sa që Allahu xh.sh. ia jep edhe jobesimtarit atë që ai kërkon nëse ai është i sinqertë në veprat dhe përpjekjet e tij. Janë parë sa e sa raste me persona jobesimtarë të cilët, në çastin kur të gjitha sebepet (shkaqet) kanë përfunduar e janë fikur, ata i janë kthyer Krijuesit të Sebepeve (Allahut xh.sh.) me një gjendje përvuajtjeje, ia kanë shpalosur Atij (xh.sh.) gjendjet e tyre dhe Allahu xh.sh. u ka dhënë shpëtim atyre.
Një shembull i gjallë: ndodh një aksident me aeroplan dhe aeroplani përfundon brenda akujve. Pas dhjetë a dymbëdhjetë orësh nxirren të gjallë njerëzit.
Në një tjetër rast bie termet dhe pas dhjetë ditësh midis shkëmbinjsh e nxjerrin të gjallë një burrë.
Kur pyeten këta njerëz, ata thonë: “Aty mbaruan përfundimisht të gjitha sebepet (shkaqet), ndaj, iu ktheva (luta) Zotit.”
Ka shumë raste si kjo kur njeriu i është drejtuar Allahut xh.sh. me zemër të thyer duke i thënë: “Ja Rabbi! Ja Rabbi!” dhe Allahu xh.sh. i ka thënë “Urdhëro (robi im)!” dhe në këtë mënyrë e ka nxjerrë njeriun në bregun e shpëtimit. Ja, në ihlas ekziston një forcë e këtillë.
Te personi i cili sillet me ihlas dhe këndon himnin e sinqeritetit ekziston një gjendje e atillë që çfarëdo që t’i kërkojë Allahut xh.sh., Ai ka për t’ia plotësuar.
Ihlasi (sinqeriteti) është shumë i rëndësishëm për shërbimin tonë.
Nëse ne nuk do të bëjmë hizmet për hir të Allahut, nëse nuk do të fitojmë kënaqësinë e Zotit tonë, nëse nuk do të fitojmë duatë e personave të cilëve ua çojmë këtë hizmet (shërbim), nëse nuk ta zgjerojmë rrethin e kënaqësisë dhe nëse Zoti ynë nuk do të na thotë: “Unë jam i kënaqur prej jush, edhe ju jini të kënaqur prej Meje”, atëherë e gjithë përpjekja jonë nuk ka asnjë kuptim. Prandaj, ne duhet medoemos të jemi në rrugën e kënaqësisë duke kërkuar vetëm e vetëm fitimin e kënaqësisë së Allahut, dhe nëse presim një fryt dhe përfitim, ato duhet t’i presim vetëm matanë (në ahiret). Në fakt ky mendim përbën edhe shpirtin dhe thelbin e sistemit të besimtarit.
Hadithi “Veprat janë sipas nijetit”, të cilin Imam Buhariu e ka vendosur në krye të librit të tij të hadithit zë një vend shumë të rëndësishëm në medhhebin Shafii. Sipas atij medhhebi nijeti është thelbësor në secilën vepër. Në medhhebin Hanefi disa vepra të cilat në vetvete nuk janë ibadet, si p.sh. abdesti, mund të bëhen pa nijet, por, në veprat të cilat janë ibadete si p.sh. namazi e agjërimi, nijeti është kusht.
Nijeti (qëllimi) është një eliksir i atillë që sevapet i shndërron në gjynahe dhe gjynahet në sevape. Prandaj, në raport me sinqeritetin që ka njeriu, Allahu xh.sh. gjërat shumë të këqija, të liga e të errëta i shndërron në të ndritshme dhe në gjëra shumë të mira.
Pastaj, duhet të lexohet Risalja e Ihlasit (Sinqeritetit) në mënyrë që të mos i lihet vend polemikave dhe debateve midis shpirtrave të përkushtuar. Sipas parimeve që përshkruhen aty, synimi i vërtetë i besimtarit është që ta shpëtojë hakun (të vërtetën, të drejtën) nga sulmi dhe dominimi i të gabuarës dhe të keqes, t’i ndalojë rënkimet e ummetit të Muhammedit (as), i cili po qan; dhe të ruajë krenarinë Islame. Madje, në një aspekt, të tregojë trimërinë e të ‘mbajë anën’ e të gjithë atyre të cilët janë të drejtë dhe që janë përballë të keqes. Prandaj, përsëritja e kësaj Risaleje një herë në pesëmbëdhjetë ditë është shumë e rëndësishme për ata të cilët i janë përkushtuar shërbimit ndaj Islamit.
Ndërkaq Risalja e Vëllazërisë është një Risale e cila përmban veçoritë që gjallërojnë ndjenjën dhe mendimin e vëllazërisë midis besimtarëve. Edhe ajo na lidh ne, vëllezërit besimtarë mes vete, dhe sipas shprehjes së ajetit na bën ne “bunjani marsus” – mur i lidhur me plumb (të radhitur si të ishin një ndërtesë solide.) Dhe çështja më e rëndësishme këtu është të jetosh me cilësitë e virtytet e mira të vëllait dhe shpirti i besimit te fuqia që vjen nga bashkimi e bashkëpunimi. Po, kur vëllezërit të bëhen bashkë ‘sup më sup’ me njëri-tjetrin në kuptim të plotë, ashti siç 2 bashkë bëjnë 11, edhe 3 herë 4 persona (që normalisht bëjnë 3×4=12) tashmë kur bashkohen arrijnë gradën e fuqisë 444. Për këtë arsye, ne, njerëzit të cilët përpiqemi në rrugën e kauzës së Allahut, e kemi për detyrë të bashkohemi, të bashkëpunojmë dhe ta jetojmë me kuptim të plotë këtë vëllazëri.
Prandaj, kur shikohet nga ky aspekt, Risalja e Uhuvvetit (Vëllazërisë) është një Risale e rëndësishme. Ah sikur ne, njerëzit të cilët i dimë dhe i njohim këta libra, të mund t’i lexojmë e përsërisim ato! T’i lexonim e të shpëtonim nga disa smira e urrejtje tonat e të arrinim të jetojmë deri në fund në harmoni e pa i mërzitur, pa i thyer njerëzit ehl-i iman (besimatërt) dhe ehl-i kible (ata të cilët drejtohen nga Kibla)..! Por, shumica nga ne i shkelëm parimet e Ihlasit, nuk i kushtuam rëndësi parimeve të Uhuvvetit (Vëllazërisë) dhe shumë herë u prishëm me besimtarët; nuk arritëm të unifikohemi e të bashkohemi. Harruam që ishim punëtorët dhe shërbyesit e të njëjtës anije, dhe se ishim njerëz me detyra të ndryshme brenda një fabrike. Shumica nga ne, në vend që të bëjmë punën që na takon, filluam të ngatërrohemi në punët e të tjerëve, ranë në mendime vetjake e thamë fjali të tilla si “Të gjitha punët i bëj unë.” dhe “ Nëse do të ketë fitore, ajo duhet të jetë vetëm në krahun/grupin tim.”… dhe u dashuruam pas gjërave të cilat Allahu nuk i do. Për shkak se këto gjëra bien ndesh me kënaqësinë e Allahut, ato sollën si rezultat dobësimin e shoqërisë Islame dhe përfundimin me dështim të forcave dhe përpjekjeve të saj.
Po, ne duhet të lexojmë shumë të tilla libra. Por, të lexosh është një punë, ta kuptosh dhe ta ‘përtypësh’ e ta tretësh është punë tjetër. Fillimisht duhet bërë puna e parë: leximi një herë në pesëmbëdhjetë ditë duhet të shndërrohet në një princip, madje, nëse njëri nga shokët tregohet përtac në këtë drejtim, shoku tjetër duhet t’ia kujtojë e ta bëjë atë të lexojë… më pas duhet të qëndrojnë te të kuptuarit e tij. Ashtu sic thotë shkruesi i librit se e ka lexuar mbi 115 herë, ashtu thonë edhe nxënësit e tij.
Leximi shumë i shpeshtë i Kur’anit ndër të tjera ka për synim edhe që urdhrat e Tij të larta e shpirtërorë të na tërheqin vëmendjen, të na hyjnë në zemër dhe të formojnë një fitrat (karakter) të ri tek ne. Njeriu duhet t’i lexojë edhe Risalet e lartpërmendura me këtë nijet (qëllim); në të kundërtën ai i kupton ato dhe mund të thotë “Tashmë nuk ka nevojë të lexohen (sepse i kuptova)”.. e kjo gjendje –në një farë mase- është mashtrim. Në fakt njeriu secilën herë që lexon do të ndjejë një rinim në veten e tij, prandaj vazhdimisht duhet të bëhet leximi i ripërsëritur.
Muslim, imaret 152; Tirmidhi, zuhd 48;
Buhariu, Bed’u’l-vahj 1.
Surja Saf, 61/4.
Shto koment