Home » Trajtesa » Ramazani » Namazi i Teravive

Namazi i Teravive

Fjala Teravih është shumësi i fjalës arabe “terviha” dhe ka kuptim “të pushosh, apo të qetësohesh”. Gjatë muajit të Ramazanit, pas namazit të jacisë, ulja në teshehud pas çdo katër rekateve është quajtur terviha, ku më vonë shumësi i kësaj fjale i njohur me emrin Teravih, ka marrë emrin e namazit shtesë që falet në netët e Ramazanit, domethënë namazi i Teravive.

Teravitë janë synet muekkede, të forta. Është synet për muajin e Ramazanit, për meshkujt dhe për femrat, dhe nuk ka të bëjë me agjërimin. Namazi i teravive ka 20 rekate, që falen pas namazit të jacisë dhe para namazit të vitrit. Falja e teravive me xhemat është kifai sunet. Teravitë falen me 10 selame dhe ndërmjet tyre bëhen 5 pushime të shkurtra. Pra, jepet selam në çdo dy rekatë dhe pushohet në çdo katër rekate, por mund të falen edhe me katër rekate. Pas pushimit të pestë plotësohet edhe falja e vitrit me xhemat. Profeti (a.s.) përveç disa netëve, teravitë i ka falur vetëm dhe për t’i motivuar sahabët në faljen e tyre, ka thënë: “Kush e fal namazin e Ramazanit (teravisë) duke shpresuar tek Allahu, atij do t’i falen të gjitha gjynahet e bëra më parë.”

Praktika e Pejgamberit a.s

Transmetimi që flet për praktikën e teravive nga Profeti (a.s.), është i tillë: Profeti ynë në muajin e Ramazanit kishte përgatitur një dhomë të shtruar me rrogozë për të bërë itikaf në xhaminë e tij. Disa netë në 10 ditët e fundit të Ramazanit, është bashkuar me xhematin duke dalë për të falur namazin e jacisë dhe të teravisë. Një natë kur pa interesimin e madh të njerëzve, fali vetëm namazin e jacisë dhe u fut në dhomën e tij, duke mos e plotësuar teravinë me ta. Me shpresë se do të dalë sërish, njerëzit e pritën aty, madje disa prej tyre duke menduar se ai po flinte kishin filluar të kolliteshin me qëllim që ai të zgjohej. Profeti (a.s.) kishte dalë nga dhoma dhe u kishte thënë këto fjalë: “Unë e di dëshirën tuaj për të falur teravitë. Dhe nuk kam asnjë pengesë për ta falur këtë namaz bashkë me ju. Por, nga frika se mos teravitë do të bëhen farz për ju, nuk dola t’i fal ato. Po qe se ju bëhet farz, ju nuk do të mund ta zbatoni. Tani shpërndahuni! Përveç farzeve, namazet më me vlerë janë ato të falura në shtëpitë tuaja”.

Po ashtu, Profeti (a.s.) për rëndësinë e faljes së teravive dhe të qenurit sunet të tyre, është shprehur:
“Allahu jua ka bërë farz agjërimin në muajin e Ramazanit. Ndërsa unë ju motivova që netëve të Ramazanit të falni namazin e teravive si synetin tim. Kush agjëron me sinqeritet dhe duke besuar e pritur sevapet e Allahut si dhe duke falur namazin e teravisë, pastrohet nga mëkatet si të kishte lindur sot nga nëna e tij.”

Sipas Hanefive, Shafive dhe Hanbelive namazi i teravive është me 20 rekate. Ndërsa Malikitë kanë mendimin se teravitë janë me 20 ose 36 rekate. Por sipas disa librave të këtij medhhebi teravitë pranohen me 20 rekate. Imami më i rëndësishëm i medhhebit Shafi, Imam Neveviu, ka thënë se namazi i teravisë mbështetur në konsensusin e dijetarëve islamë, është me 20 rekate dhe është synet.

Siç u theksua edhe më lart në një transmetim nga Aishja (r.a.), Profeti ynë (a.s.) në muajin e Ramazanit disa netë i kishte prirë xhematit duke falur së bashku me ta namazin e teravive, por më vonë nga frika se mos ai bëhet farz, e kishte braktisur faljen me xhemat, duke i motivuar shokët e tij që ta falin individualisht atë.

Omeri (r.a.), nën drejtimin e Ubej bin Ka’bit, i kishte grumbulluar sahabët duke falur me ta 20 rekate teravi dhe askush prej tyre s’e kishte kundërshtuar një praktikë të tillë. Kjo gjendje tregon se ata dinin diçka në lidhje me këtë çështje.

Si rrjedhojë, edhe Ebu Hanife, duke tërhequr vëmendjen në këtë ngjarje thekson se Omeri (r.a.) nuk e nxori nga mendja e tij këtë ide dhe nuk mund të ketë sjellë ndonjë risi, por është bazuar në të dhënat dhe mësimet e të Dërguarit të Allahut (a.s.). Edhe sahabët, duke parë këtë vendim me vend të Omerit (r.a.) e kanë mbështetur atë duke unifikuar mendimet e tyre. Baza mbështetëse e këtij konsensusi është praktika e Profetit (a.s.). Konsensusi i tyre në këtë çështje është si argument i fesë. Në këtë mënyrë ka filluar të falet namazi i teravive me 20 rekate, duke u bazuar në konsensusin dhe praktikën e tyre nëpër xhami, e cila vazhdoi më vonë edhe në kohën e Osmanit (r.a.) dhe të Aliut (r.a.), për të ardhur deri në ditët e sotme në të njëjtën mënyrë.

Si rrjedhojë, edhe Ibni Abidin-i e thekson një gjë të tillë duke përmendur se kjo praktikë ndiqet si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.

Omeri (r.a.) urdhëroi faljen e teravive me 20 rekate në xhami, për të parandaluar rrëmujën. Sepse teravitë në fillim faleshin në xhami vetëm apo edhe me xhemat, në mënyrë të shpërndarë.

Ekzistojnë transmetime të tjera që mbështesin faljen e teravive me 20 rekate nga sahabët. Ja disa prej tyre:

  1. Nga Ibni Abas-i (r.a.) transmetohet se Profeti (a.s.) gjatë Ramazanit ka falur 20 rekate dhe vitrin. Ky transmetim është i përforcuar me konsensusin në praktikë të sahabëve. Sepse transmetimi i Aishes (r.a.) se Profeti (a.s.) gjatë Ramazanit falte shumë namaz, konsensusi i sahabëve duke falur 20 rekate dhe unifikimi i mendimit nga ana e dijetarëve në lidhje me faljen e 20 rekateve të teravive, e përforcon transmetimin e Ibni Abasit në lidhje me këtë çëshje. Të sipërpërmendurit janë argument për saktësinë e hadithit të mësipërm.
  2. Transmetohet nga Said bin Jezidi (r.a.) se ne në kohën e Omerit (r.a.) falnin 20 rekate dhe vitrin.

Si përfundim, namazi i teravive është synet dhe është nga simbolet e Islamit. I ka 20 rekate.


Buhari, Salatu’t-teravih, 1; Muslim, Salatu’l-musafirin, 174.

Buhari, Salatu’t-teravih 2; Muslim, Salatu’l-musafirin, 178.

Nesai, Sijam, 40, Ibn Maxhe, Ikame, 173; Ahmed b. Hanbel, Musned, 1/191

Serahsi, Mebsut, 2/144; Ibn Abidin, Reddu’l-Muhtar, 2/45; el-Mevsuatu’l-Fikhije, 27/141.

Shihabuddin er-Remli, Nihajetu’l-Muhtaxh, 2/126

Buhuti, Keshafu’l-Gina, 1/425; Ibn Kudame, Mugni, 1/834

Ibn Abdi’l-Berr, et-Temhid, VIII/113.

Desûki, Hashije ale-Sherhil-Kebir, 1/503. shih:Hafidh Ibn Rushd, Bidajetu’l-Muxhtehid, 1/166.

Nevevi, Mexhmû, IV/37

Hz. Omeri zgjodhi Ubey b. Ka’b’in sepse edhe në kohën e Profetit ai dilte imam në teravih.

Mevsili, el-Ihtijar, 1/68.

Kâsânî, Bedâius-Sanâi’, 2/275; Ibn Kudame, Mugni, 1/834-835; Mevsuatu’l-Fikhije, Ibn Abidin, Reddu’l-Muhtar, 2/43-44

Mevsûatu’l-Fikhije, 27/141; Ajni, el-Binâje, 2/660

Ibn Abidin, Reddu’l-Muhtar, 2/45; el-Mevsuatu’l-Fikhije, 27/141

Abd b. Humejd, Musned, I/218; Taberani, Muxhemu’l-Evsat, V/324; Muxhemu’l-Kebir, XI/393 Ibn Ebi Sheybe, Musannef, II/164;

Kandehlevi Evxhezu’l-Mesalik ila Muvatta Malik, 2/298

Kandehlevi, Evxhezu’l-Mesalik ila Muvatta Malik, 2/286

Bejhaki, Sunenu’l-Kubra, 2/496; Zejlai, Nasbu’r-Raje, 2/175; Tehanevi, I’lau’s-Sunen, 7/60

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 49 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...