Home » Trajtesa » Mosshikimi i virtyteve tek besimtari dhe dredhia e shejtanit

Një dredhi djallëzore e cila prish jetën e shoqërisë është kjo:

Ajo është mosshikimi i të gjitha virtyteve të një besimtari për shkak të një pike të keqe të vetme. Ata njerëz të padrejtë të cilët e dëgjojnë këtë dredhi djallëzore janë armiqësorë ndaj besimtarëve në atë mënyrë. Ndërsa kur Zoti i Plotëfuqishëm do t’i peshojë veprat (e njerëzve të përgjegjshëm) me drejtësi absolute në peshoret më të larta në Gjyqin e fundit, Ai do të gjykojë në përputhje me mbisundimin e veprave të mira mbi ato të këqijat dhe anasjelltas. Dhe meqenëse shkaqet e veprave të këqija janë të shumta dhe ekzistenca e tyre është e lehtë, ndonjëherë Ai i mbulon shumë vepra të këqija me një vepër të mirë të vetme.

Domethënë, trajtimet në këtë dynja duhet të jenë në përputhje me atë drejtësi Hyjnore. Në qoftë se pikat e mira të një personi janë më të mëdhaja për sa ka të bëjë me cilësinë ose me sasinë se sa pikat e këqija të tij, atëherë ai person është i meritueshëm për dashuri e respekt. Në të vërtetë, njeriu duhet të falë shumë pika të dobëta për hir të një virtyti të vetëm të vlefshëm.

Por ama, për shkak të damarit të tiranisë në natyrën e tij dhe nëpërmjet pëshpëritjeve të shejtanit, njeriu për shkak të një pike të dobët të vetme të tij harron dhe bëhet armiqësor ndaj vëllait të tij besimtar, dhe kështu bën mëkat. Ashtu si vendosja e krahut të një mize mu përpara syrit e cila do të mbulonte e fshehte një mal, po ashtu, për shkak të mbulesës së urrejtjes, njeriu mbulon e fsheh virtyte aq të mëdha sa një mal për shkak të një të keqeje sa krahu i një mize; kështu njeriu i harron ato të mira, bëhët armiqësor ndaj vëllait të tij besimtar dhe bëhet një instrument shkatërrues në jetën e shoqërisë.

Nëpërmjet një dredhie tjetër që i ngjason kësaj, shejtani prish pastërtinë e saktësinë e mendimeve të njerëzve. Ai shkatërron gjykimin e shëndoshë lidhur me të vërtetat e besimit dhe dëmton pastërtinë dhe saktësinë e mendimit. Kjo është siç vijon:

Ai dëshiron të shkatërrojë qindra dëshmi duke provuar të vërtetat e besimit me anë të një aluzioni të vogël duke i rcmzuar ato. Ndërsa është një parim i vërtetuar se “Një provë e vetme është më eprore se sa njëqind mohime”; deklarimi i një dëshmitari të vetëm duke provuar një pretendim është më e preferueshme se sa njëqind njerëz që e mohojnë atë.

 

Shqyrtoje këtë të vërtetë nëpërmjet krahasimit vijues:

Ndodhet një pallat me njëqind dyer, të gjitha të mbyllura. Në qoftë se njëra nga dyert e tij është e hapur, në pallat mund të hyhet dhe dyert e tjera mund të hapen. Në qoftë se të gjitha dyert janë të hapura dhe njëra derë ose dy janë të mbyllura, nuk mund të thuhet se në pallat nuk mund të hyhet. Kështu, të vërtetat e besimit janë pallati. Çdo dëshmi është një çelës; ai i provon të vërtetat dhe hap një derë. Nuk mund të mohohet ajo e vërtetë e imanit dhe as të braktiset vetëm pse mbetet një derë e vetme e mbyllur prej atyre qindra dyerve të hapura. Mirëpo shejtani e bind një grup prej njerëzve duke u mbështetur mbi shkaqe si injoranca e pakujdesia- dhe u thotë: Nuk mund të hyhet në këtë pallat duke u treguar atyre atë derë e cila ka mbetur e mbyllur, dhe kështu ai i bën njerëzit t’i shpërfillin të gjitha dëshmitë pozitive. Duke thënë: “Shikoni, tek ky pallat nuk mund të hyhet; ju e pandehni atë se është pallat; ai nuk është pallat, dhe asgjë nuk ndodhet brenda tij”, ai kështu i mashtron njerëzit.

O Njeri i mjerë i sprovuar me dredhitë e djallit e me pëshpëritjet e tij! Në qoftë se ti e dëshiron jetën tënde fetare, jetën tënde personale dhe jetën tënde shoqërore të jenë të shëndosha, dhe në qoftë se ti kërkon saktësinë e mendimit, shikim të shëndoshë dhe zemër të sinqertë, peshoji aktet, veprimet dhe mendimet e tua me peshoret e çështjeve të pakundërshtueshme të Kur’anit dhe me peshat e sunnetit të pastër të Muhammedit a.s.m.. Gjithmonë merre Kur’anin dhe sunnetin si urdhëzuesin tënd. Thuaj: “Eudhu bil-lahi minesh-shejtanir-Raxhim – I kërkoj mbrojtje Allahut të më ruajë nga shejtani i mallkuar”.

 

“Lavdia të takon Ty! Ne nuk dimë asgjë më tepër nga ç’na ke mesuar Ti. Vërtet që vetëm Ti je i Gjithëdituri, i Gjithëurti”. (Kur’an, 2:32)

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up