Home » Revista Ujëvara » Horizonti i Profetit në përballjen me veten – 1 (Shkurt, 2018)

E kapërcen horizontin tonë përballja e tyre me Allahun… përballja me veten… dhe përgjërimi i tyre plot maturi përballë portës së Allahut, pavarësisht pafajësisë së tyre të pastër. Nuk ka hapësirë që ta nxërë thellësinë e tyre madhështore… ndjenja e tyre e përgjegjësisë dhe frikës… lutjet e tyre gjithë zjarr të brendshëm drejtuar largësive të afërme dhe melodia e qashtër e zemrave të tyre. Me fjalët tona, të cilat janë veç pikla të një oqeani dhe grimca të thërrmuara të çastit të parë të agimit, është shumë e vështirë që të mund të paraqesim dhe të vlerësojmë se si ngarendnin të pastruarit nga çdo e metë, se cili ishte mendimi që i vinte në lëvizje, për të vrapuar nga njëri shteg i pastrimit në tjetrit, përmes pendesës, shpresës dhe pritjes së çlirimit vetëmse prej Allahut (xh.sh.), përveçse duke pasur si mbështetje kryesore dorën e mëshirës hyjnore. Por, prapëseprapë, nëse duhet që ne t’i shohim ata dhe të vijmë vetë në vete, edhe pse do të ishte paksa e guximshme, besoj se është e domosdoshme që t’i themi disa fjalë për horizontin e tyre. Ma merr mendja se do të bënim gjënë më të duhur nëse do ta mbyllnim këtë paragraf me dëshirën që “Allahu (xh.sh.) të na falë edhe neve qoftë edhe një pikël prej ndjeshmërisë së tyre madhështore!”

Mes atij brezi të smeraldtë prekja dhe përgjërimi i parë i zemrës, ai që saherë kujtohet veç me ngazëllim, ishte rrjedhojë e padiskutueshme e caktimit të një çasti të çeljes së iftarit. Veçanërisht nuk po e quaj gabim, sepse do t’i vijë edhe kësaj koha, që të ndalemi e të përpiqemi ta kuptojmë – inshaallah. Edhe pse fjalët që Krijuesi mund të përdorë për robërit e Tij mund të jenë shkas për respekt të ndërsjellë mes Zotit dhe robit të Tij, neve na takon që të flasim dhe të mendojmë veç me respekt dhe me maturi për ata “shpirtra të zgjedhura”.

Kësisoj, në krye të të gjithë atyre vjen Ai që erdhi në fund por ishte në krye të të gjithëve, dua që ta nis, duke thënë “Edhe njëherë Bismil’lah”, me Zbuluesin e të fshehtës së urtësisë së ekzistencës së botës, që ekzistonte përpara çdo gjëje tjetër në planin e dijes hyjnore, kurora e gjithë banorëve të tokës dhe të qiellit, i cili, me mesazhet e Tij universale u bë udhërrëfyes i mbarë njerëzimit… krenaria e banorëve të krejt hapësirës, Ai që vështirë t’ia gjesh shokun dhe që të gjithë, për breza me radhë, e thërrisnin si Mbret i profetëve… Ai që të gjithë e shihnin si më i dallueshmi në mes të krijesave të krijuara prej Krijuesit… rrezet e dritës dhe ndikimi i të Cilit gjente çdoherë, medoemos, hapësirë për të ndjellë besim ndër zemrat e hapura… të Ciin të gjithë e përkujtonin me cilësinë e të qenit maja më e lartë e botës fizike dhe shpirtërore… para të Cilit nuk mund të gjeje dot një njeri tjetër që t’i bartte aq denjësisht sa ai cilsitë e qashtërsisë, ndershmërisë, besnikërisë, besimit, zgjuarsisë dhe aftësisë për t’i udhëzuar njerëzit drejt së drejtës… që me fjalët e një miku të së drejtës, nderohej me të tilla fjalë:

“Pasqyrë është kjo botë, ku çdo gjë prej Allahut ekziston,
Ndaj veç Allahun prej pasqyrës së Muhamedit shikon.”

Atë që të gjithë, pa përjashtim dhe pa kurrfarë paragjykimi ishte zbuluesi i vetëm i të vërtetave të Allahut që është një i Vetëm dhe që nuk ka nevojë për asgjë tjetër, ashtu siç çdo gjë ka nevojë për Të, si rrjedhojë e cilësive qiellore të rrugës në të cilën ecte Ai… dhe të Atij që çdokush e lavdëronte se ishte gjuha më e kuptueshme e “të Vërtetës së të vërtetave”… por që prapëseprapë vijonte të ecte nëpër rrugën e natyrshme të Tij, atë të thjeshtësisë dhe ndrojtjes përballë Allahut (xh.sh.)… një hero i zgjedhjes së të tjerëve përpara vetes, që i dha lamtumirën e përkohshme edhe takimit më të madh për një njeri, vetëm e vetëm për ta përhapur në çdo zemër të vërtetën e Allahut (xh.xh.)… duke ia kaluar edhe engjëjve; një natyrë e pazakontë, përmendore e pashembullt.

Pavarësisht gjithë këtyre virtyteve dhe kësaj thellësie shpirtërore, mendja ta kërkon që të mendosh, “pse, përse?”, kur shikon shqetësimin, lutjet dhe përgjërimet që Ai i bënte Krijuesit të Tij, por Ai e pati jetuar çdo çast të jetës vetëmse i lidhur fort pas Zotit të Tij dhe me një vetëdije shumë të fortë të të qenit nën vështrimin e Allahut, duke shpërfaqur tablonë më të madhe të të ndierit të vetes aq thellësisht rob të Tij. Tani, edhe pse përmbledhtazi, do të doja që të thoshim disa fjalë për Të.

Edhe pse arsyeja e pastër e kërkon që këtë temë ta nisim që prej Ademit (a.s.), i cili quhej ndryshe edhe si “Safij’jullah” – I Pastri i Allahut – zemra na thotë që të themi “edhe njëherë bismil’lah” me Atë që ishte edhe arsyeja e krijimit të gjithësisë, sikur të ishim duke kërkuar edhe njëherë shpëtim. Sepse, para së gjithash, edhe pse Ai erdhi në fund të të gjithëve, Ai ishte përherë në krye dhe prijës. E gjithë grada e profetësisë për Të qe krijuar dhe kompozuar, edhe pse e patën vendosur që të vinte i fundit, si përmbyllje, si një rimë në fundin e asaj melodie madhështore. Me të i qe vënë pika këtij misioni kaq të qenësishëm.

Po, në një kuptim Ai ishte i pari, ndrësa në një tjetër Ai ishte i fundmi. Para së gjithash, me trupin e vet të shndritshëm, Ai ishte drita: “Gjëja e parë që krijoi Allahu ka qenë nuri im.” Ja ky ishte nderimi që i bënte Allahu Atij.Dhe ja se si do të thoshte vetë një ditë: “Edhe kur Ademi (a.s.) ishte një përfaqësues i Allahut në tokë dhe kudo, unë isha Profet!” Kështu do të thoshte dhe do t’i vinte pikën misterit të të qenit i pari dhe i fundit njëkohësisht.

Andaj edhe, të nisur nga ky privilegj i mistershëm, duam që t’ia nisim kësaj brezareje të smeraldtë me atë shpirt të lartësuar që ishte i drejtuar veç nga Allahu (xh.sh.) në çdo grimëçast të jetës së Tij, edhe pse këtë mund ta bëjmë veçse me disa fjali.

Ai nuk e pati bujtur dhe nuk e pati lejuar kurrë gabimin, as në imagjinatën dhe ëndrrat e Tij. Sepse ky shpirt i veçantë i dashuruar pas Allahut, që është më i Drejti, edhe kur shtrihej për të pushuar në gjumë, i cili është edhe vëllai i vdekjes në njëfarë mënyre – se edhe gjumin Ai e kishte që flinte me zemrën të zgjuar e vetëm sa mbyllte qepallat e syve. – i hapte velat drejt asaj bote duke përsëritur këto ajete dhe sure të Kuranit, përkthimin e fjalëpërfjalshëm të të cilave po e japim këtu: “O Zoti ynë! Nëse kemi gabuar – se çfarë quante gabim Ai! – mos na mbaj mëri e mos na ndëshko. O Zoti ynë! Mos na ngarko edhe ne barrë të rënda si ato që u ngarkove atyre që erdhën para nesh. Zoti ynë! E mos na mbaj përgjegjës për ato gjëra që ne e kemi të vështirë që t’i përballojmë!.. Falna ne dhe të metat tona – nuk e di se ç’quante të metë Ai! – Ti je Zoti ynë; vetëm Ti mund të na vish në ndihmë, ndaj ndihmona ne kundër mosbesimtarëve!” [1]

O Shpirt i Lartë dhe i Qashtër! Nëse kjo qasje dhe lutje e tillë është për t’u tërhequr vëmendjen mendjemëdhenjve të kapluar nga megalomania, ne do të të themi “të dëgjojmë dhe të bindemi!”, do t’i quajmë udhëzime këto vuajtje të Tuat dhe t’i përulemi ekzistencës sate të shndritshme sa hëna. Por nëse ato janë thënë për Ty, atëherë nuk na mbetet asgjë tjetër pos mbylljes së syve dhe të veshëve dhe le të zhytemi në përballjen e heshtur me veten; zhytemi sepse Ty të quanin “Besniku” edhe armiqtë më të paepur që vlonin nga mllefi dhe urrejtja karshi Teje; e mbanin gojën, duke i vënë kyçin gjuhës, kur flitej për ndershmërinë, ndrojtjen dhe pastërtinë tënde dhe edhe pse për pak çaste u reshtnin së dali hungërima nga gojët. A sikur të mund të më arrinte zëri deri aty ku gjendesh Ti, o Prijës i denjë – më pengon egoja që t’ia dal mbanë – o i Dashuri ynë! Na thuaj, për hir të dashurisë për Allahun (xh.xh.), ç’janë këto vajtime dhe përgjërime të matura më shumë se maturia, mister që i përket vetëm atyre që janë më afër se afërsia me Krijuesin tonë, apo ndonjë urdhëresë e tërthortë për ne, që të tregohemi shumë të kujdesshëm?!.

Nuk e di, ç’fshihet pas delikatesës dhe ndjeshmërisë kaq të thellë të Tij; a ishte vallë një qasje e Allahut (xh.xh.) e tipit “ Ti nuk je i tillë, por Unë e thashë çfarë kisha për të thënë! kur i thoshte: “Ne ta zbritëm ty këtë libër si vetë e vërteta, që të veprosh dhe të vendosësh mbi njerëzit ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe të mos u dalësh në mbrojtje atyre që kanë tradhtuar; andaj eja kërko falje prej Allahut, sepse Ai është Falës, Mëshirues.” [2] Apo mos ka qenë që “ po i them atij, në mënyrë që ju pas tij; ju të tjerët ta dini!” Mirëpo ky zë pati jehuar si një fyell në shpirtin e Tij më delikat edhe se vetë delikatesa. Nuk kish dyshim se shpirti i bekuar i Tij kishte ndierë e kishte kuptuar të njëjtat gjëra që i kishin pushtuar shpirtin kur thoshte “ Mua më plaku sureja Hud.” apo kur dëgjojnë fjalën e patëmetë që e urdhëronte: “Ji më se i drejtë, siç të është urdhëruar!” [3]

O Shpirt i Lartësuar! Që gjithë shpirtrat tona të qofshin falë!.. Gjithë jetën e pate jetuar me një modesti dhe respekt që qëndronte shumë shkallë më lart se drejtësia; mirëpo Ti ia mveshe vetes atë urdhër hyjnor, ndaj edhe ngashëreheshe në lot aq shumë. Kur ato fjalë ishin për ne; por ne nuk i kuptuam dot dhe nuk u dogjëm dot ashtu siç u dogje Ti. Ah sikur të mund ta kishim kuptuar, qoftë edhe njëherë të vetme, se edhe ne jemi përgjegjës dhe të ngarkuar për t’iu bindur atyre gjërave që dukej sikur të urdhëroheshin Ty! Është shumë e hidhur; e çuam gjithë jetën të mbytur në përhumbje, duke mos i përdorur asnjëherë pozitat tona në të njëjtën rezonancë me qëllimin e krijimit të tyre.

O Nderi i qenies njerëzore dhe Krijesa më e vyer e gjithësisë! Na fal! Gjithë jetën pandehëm se ecnim pas Teje, mirëpo veçse qenkemi përpjekur më kot këmbadorazi, duke e çuar jetën dëm shumë larg Teje. Kur t’i drejtohesh mihrabit Tënd të përjetshëm, përgjëroju Allahut (xh.sh.) edhe njëherë për këto shpirtra të ngrata, duke iu lutur Atij që t’ua mbushë zemrat me Islam edhe këtyre të hutuarve që kanë humbur rrugën!.. Lutju, që Allahu të na bëjë edhe ne prej njerëzve të vërtetë!..

[1] Bakara, 2/286.

[2] Nisa, 4/105-106.

[3] Hud, 11/112.

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up