Home » Revista Ujëvara » Të frymëzuarit nga Aureola për çështjen e ballafaqimit me veten – 2 (Dhjetor, 2018)

Kështu i shpreh Imam Zejnelabidini rënkimet e tij të përhershme, të cilat i vazhdon përherë me thellësi të ndryshme: “O Zot! Unë nuk jam i pari person i cili, pasi ka kaluar jetën në luginat e rebelimit ndaj Teje, ka trokitur në ‘derën’ e mëshirës Tënde me një ndjenjë të thellë pendese, e që ka pritur trajtimin Tënd prej mëshirës, dhembshurisë e bujarisë.. sa e sa të tjerë kanë vendosur kokën në ‘pragun e asaj dere’, por asnjëri nga ta nuk u kthye duarbosh!” Thotë kështu e rënkon, dhe vazhdon me këto rreshta shprese: “O Allahu im I Lartë! Unë u drejtova nga Ti pa pasur ndonjë kapital a pasuri; Ti je Bujar, të lutem m’u përgjigj përgjërimeve e duave të mia, mos më lër të humbur në shpresat dhe pritshmëritë e mia!”


Këto përgjërime e dua shkojnë e vazhdojnë në linjën e atyre që ishin në Aureolë; dhe me ato rënkime ai u ofron himne atyre personave të cilët janë mposhtur nga ngurtësitë e zemrave të tyre dhe atyre të cilët kanë devijuar duke rrëshqitur nga rruga e drejtë.. e me këto djegie të brendshme përpiqet t’ua bëjë të ditura ato edhe shpirtrave të atyre që kanë ngecur në rrugë si viktima të egove të tyre.


Fjalët e teksti vijnë nga Aureola, himni vjen nga ajo zemër e kulluar që digjet me zjarrin e dashurisë për Allahun:
Nuk i ka hije të flejë robit i cili ka nevojë për mirësinë e Rahmanit (Allahut xh.sh.)


Mos fli natën në mënyrë që të përfitosh me bollëk nga mëshira dhe mirësitë e pafund të Allahut! (Ibrahim Hakkë)


Ai i paraqet në mënyrë shumë ndikuese duatë e përgjërimet e tij ndaj Allahut si dhe ballafaqimin e tij me nefsin, saqë për ata që i kuptojnë këto, -nëse nuk janë tërësisht të vdekur nga ana shpirtërore!-, do të vrapojnë të kërkojnë të jenë “sa më pranë Allahut”.


Allahu na mundësoftë të zgjohemi me ato dua të përbrendshme e të vijmë në vete!..


Nuk mjaftohet me një përgjërim të këtillë; dëshiron të përdorë të gjitha mënyrat për t’iu drejtuar Allahut xh.sh. Edhe një herë tjetër vendos kokën në pragun e Mëshirës për t’u ballafaquar me veten dhe për t’u treguar atyre që vijnë pas tij, rrugën për në inabe (teube, pendesë), dhe ‘e hedh veten’ në rënkime një tjetër kornizë të lutjes: “Allahu im! Gjynahet dhe gabimet që kam bërë –kushedi se çfarë quan gjynah Ai – , e bënë shpirtin tim të veshë rroba të inferioritetit. Me largimin nga Ti o Allah e gjeta veten brenda petkut të mjerisë. Gabimet gjigante që kam bërë ma nxinë zemrën. –Çfarë kërkim-llogarie nga vetja!- Jam te ‘dera’ Jote, balli im është në Pragun e Mëshirës Tënde; O Allah, vetëm Ti meriton të adhurohesh! Të lutem ma prano ‘ardhjen’ time tek Ti dhe teuben (kërkimfalje) time. Edhe një tjetër herë unë u drejtova tek Ti. Kokulur dhe me qëndrim “gatitu!” jam para Teje dhe pres faljen Tënde. Nëse Ti e përzë robin Tënd, në cilën derë mund të drejtohem e te kush mund të strehohem? O Allah, Ti je Ai i Cili i fal edhe gjynahet më të mëdha dhe i Cili i mbështjell zemrat e lënduara të rëna në ngatërresë e çrregullim. Të lutem e përgjërohem Ty që të m’i falësh ato gjynahe që ma nxijnë fytyrën, të m’i mbulosh gabimet e turpshme.. Mos më privo mua andej matanë nga trajtimi që do t’i bësh atyre që Ti i do, dhe as nga klima freskuese e mirësisë, bujarisë e mëshirës Tënde!”


Me këto fjalë, ai vrapon në ‘vaskat’ shumë të thella të istigfarit, teubes e inabes (kërkimflajes, pendesës), duke shfaqur kështu një tjetër tablo të përgjërimit. Rënkimet e tij janë në përpjesëtim të drejtë me horizontin e tij të irfanit (njohjes së Allahut). Ai përhap rënkime të atilla përreth vetes së tij, saqë, po t’i dëgjoni ato, ju dot ë mendoni se janë të qarat e një robi të përlyer fund e krye me gjynahe! Por, ç’e do se, edhe sikur të mos i kuptojmë ne fiks ashtu siç duhet, këto përvuajtje janë rënkime të horizontit të mukarrabinëve (personave të një grade të lartë shpirtërore).. të cilat janë SIKUR ezanë që ua tërheqin vëmendjen të paditurve. Pavarësisht gjithë gjërave që thotë e shpreh ky hero i “fena fil-lahut”, mendoj se nuk ka folur as edhe në ëndërr me nefsin emmare (urdhërues për të liga).. por ai gjithmonë ka rënkuar: nga njëra anë na ka dhënë mësim neve, dhe nga ana tjetër është përgjëruar në këtë mënyrë për shkak të gradës së lartë që ka pasur.


Prandaj ai gjithmonë kokulur thotë: “Kam gjithmonë nevojë për Ty o Allah! Më ndihmo!”. Ja, edhe një tjetër rënkim në mekamin “Hixhaz”: “O Zoti im i Lartë! Mos më lër kurrë të largohem nga Ti e në këtë mënyrë të bie në ligësi. Mos më lejo që të bie nga gabimi në gabim, e në këtë mënyrë të hap velat drejt detit të Isjanit (kundërshtimit e mohimit) dhe më ruaj mua nga zvarritja drejt gjendjeve të cilat tërheqin zemërimin Tënd! Kërkoj strehim tek Ti nga nefsi emmare (nefsi urdhërues për të liga!) i cili më bën të rend pafund pas dëshirave e tekave që s’kanë mbarim; gjithmonë ankohet nga belatë e fatkeqësitë, ia atribuon vetes secilën punë të hajrit, ka një prirje të theksuar ndaj gjërave boshe e të parëndësishme, bashkëjeton me gafletin (hutesën) dhe harresën, orë e çast është i hapur ndaj gjynaheve, i cili i shtyn gjithmonë për më vonë ibadetet, teubet e kërkimflajet duket thënë “bëji nesër!”.


Nuk e di se kë quan nefs emmare ky shpirt i pastër e i kulluar (safi dhe zaki), i cili ka vendosur tendën e tij në horizontin e ngopjes shpirtërore?! Nuk mjaftohet me këto; pasi kërkon mbrojtje e strehim te Allahu nga vorbullat e shejtanit dhe tekave të nefsit, kalon në një tjetër fazë lutjeje dhe shpreh në këtë mënyrë duanë e tij, e cila buron e del nga gjuha e zemrës dhe e cila njëkohësisht është si një shuplakë për ne gafilët (të hutuarit): “Ja Rab! Kërkoj strehim te Ti për gjendjen e zemrës sime të vdekur e cila është skllavëruar ndaj vesveseve të ndryshme, e cila është ngurtësuar e ndryshkur fare dhe e cila ka harruar se ç’është frika ndaj Teje!” Nuk e di se a do të kuptojnë gjë nga këto, shpirtrat të cilët i kanë harruar para shumë e shumë shekujsh lotët dhe rrëqethjet e zemrës, të cilët adhurojnë dynjanë, ata të cilët janë vërtetues të ajetit “Kemethelil himari jahmilu esfera” (Kuran, 62/5)? S’ma do mendja!


Nuk mjaftohet me këto Zejnelabidini; drejtohet kah horizonti i frikës e respektit ndaj Allahut.. dhe i drejtohet elementëve themelorë të lartësisë njerëzore.. drejtohet, dhe përpiqet që nën hijen e të vërtetës “Re’sul hikmeti mehafetullah” – Kreu i mençurisë (urtësisë) është frika ndaj Allahut, drejt elementit (faktorit) themelor të virtytit të lartë; rënkon sikur po i reciton këto vargje të M. Akifit, dhe thyhet më dysh para Hakkut (Allahut xh.sh.):


“Nuk e lartëson moralin as irfanit (njohja e Allahut) e as ndërgjegjja;
Ndjenja e lartësisë te njerëzit vjen nga frika ndaj Allahut.
Le të supozojmë se u hoq frika ndaj Allahut
nuk kanë ndikim te njeriu as irfani e as ndërgjegjja.
Jeta për të do të jetë ‘jetë kafshërore’, jo, edhe më e ulët se ajo!”
(M. Akif)


Kështu mendon ai, dhe te njerëzit të cilëve nuk u ka vdekur ndërgjegjja zgjon ndjenjën për të jetuar në mënyrë njerëzore. Këto ndjenja i artikulon me himnet e frikë-respektit ndaj Allahut; rënkon me bindjen se Allahu po e shikon, madje sikurndodhet para Tij. Ja, edhe në këtë temë, një zë i këndshëm i disa buqetave me dizajne dhe ngjyra të ndryshme, të cilat shprehin frikë-respektin ndaj Allahut xh.sh.:


“O Allahu im, Ti je Zotëruesi i mëshirës dhe dhembshurisë! A do ta hedhësh në zjarrin Tënd, këtë robin dhe lypësin Tënd, i cili është drejtuar nga Ti? A do ta privosh nga falja Jote këtë të gjorë, bëmat e të cilit pastrohen vetëm e vetëm në detet e Tua të gjëra të rahmetit? Hasha, mos qoftë e thënë, njëqind mijë herë hasha! Ti kurrë nuk i ke kthyer duarbosh e të zhgënjyer ata të cilët i janë drejtuar derës Tënde!”


Këtu, sikur i mbetur pa frymë dhe sikur t’i “goditej teli” i frikës ndaj Allahut, rënkon e thotë: “Ah sikur të arrija ta dija… ta dija që ma ke shkruar emrin në fletoren e “saidëve” dhe se më ke nderuar me të qënit i afërt me Ty! Ta dija e të më mbusheshin sytë e zemra me lumturi e ngazëllim!.. Ja Rabbi! Mos i mbyll dyert e Tua të mëshirës ndaj atyre të cilët të njohin Ty vetëm pjesërisht, e të besojnë Ty! Shpresa dhe besimi im është që zemrat të cilat Ti i ke ngjallur duke ua bërë të njohur ekzistencën Tënde të lartë të mos i lësh në poshtërimin e të jetuarit duke të mos njohur e besuar Ty,–dhe Ti asnjëherë nuk i ke lënë-! Zoti im! Më ruaj mua, robin Tënd, nga dhimbja e ndëshkimit dhe dënimit! Më ruaj mua nga ndëshkimi i Xhehennemit atë ditë më se të ashpër kur do të ndahet gjithçka e hajrit nga ato që nuk janë të hajrit, kur duart e këmbët do ngatërrohen mes vete nga brenga e llogaridhënies, kur shpirtrat e lartësuar me mirësi do të ngazëllehen nga lumturia e të qënit në gradë të lartë te Ti, kur fatkëqijtë të cilët i kanë nxirë jetët e tyre me të qëndruarit larg nga Ti do të dridhen.. dhe atë ditë kur nuk do t’i bëhet padrejtësi askujt as edhe sa një grimcë atomi!…”


Dhe në këtë mënyrë artikulon me fjalë gjendjen në të cilën ndodhet.. i drejtohet Allahut xh.sh. me përvuajtjet më të thella sikur të ishte i lyer fund e krye me gjynahe.. kalon nga përgjërimi në përgjërim me bindjen e plotë se dy frika e dy siguri nuk të jenë bashkë.. me duart e tij që dridhen gjithmonë dhe vazhdimisht troket në derën e mëshirës dhe dhembshurisë, dhe pa ndalur rënkon e rënkon.. dhe, edhe kur me lotët që i rrjedhin u vë kurorë ndjenjave të tij, u paraqet mesazhe të të qënit i rrënuar e shkatërruar shpirtrave të vdekur, të cilët ndonëse janë nën petkun e besimit, janë larguar nga imani i vërtetë, e janë të privuar nga frika dhe frikë-respekti ndaj Allahut xh.sh.!

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up