Home » Trajtesa » Kurani » El Fatiha – Reflektime rreth Kur’anit

إِيَّاكَ نَعْبُدُ

Kuran, El-Fatiha 5

“Vetëm Ty të adhurojmë…”

Vëmendja jonë këtu i drejtohet fillimit të vargut ku përemri  “Ty” vendoset përpara foljes “të  adhurojmë”. Vendosja e  përemrit para foljes ekskluzivisht nënkupton: “O Zot, ne me gjithë zemër shpallim, pranojmë dhe rrëfejmë se je vetëm Ti dhe askush përveç Teje të cilit i drejtohemi, përkulemi dhe kërkojmë ngushëllim. Ne besojmë se vetëm pranë Teje mund të arrijmë qetësinë dhe paqen.”

Një tjetër pikë shumë delikate për t’u theksuar këtu është koha në të cilen përdoret folja; në vend të përdorimit të ‘abadna’ (ne adhuruam) në kohën e shkuar, në këtë ajet Zoti i Plotfuqishëm përdor na’budu në të tashmen. ‘Abadnā, e cila është forma e kohës së shkuar të foljes ‘A-Ba-Da, do të thotë “Ne e bëmë!” ose “Ne ia dolëm(e përfunduam)!” Sidoqoftë, një përdorim i tillë do të cenonte dhe në një farë mënyre do të ishte në kundërshtim me vetë frymën e adhurimit, sepse tingëllon si një arritje  personale, që nënkupton  do të ketë njëfarë krenarinë për një sukses të përfunduar, sikur të kishim përmbushur tashmë diçka dhe kemi pasur sukses në atë që ne donim ta arrinim pa ndihmën e askujt. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se adhuruesi ka arritur tashmë në pikën e synuar duke përmbushur detyrën e tij ose  saj të adhurimit me forcat e veta. Sidoqoftë, na’budu, që është forma e kohës së tashme të foljes ‘A-Ba-Da, nënkupton se detyra nuk ka përfunduar ende, gjë që e bën të pamundur një keqkuptim të tillë. Me shprehjen “Ty të adhurojmë”, na’budu i referohet qëllimit dhe vendosmërisë sonë për të pranuar pafuqinë dhe varfërinë tonë të përjetshme përpara Allahut. Kjo do të mund të parafrazohej edhe si vijon: “Ja Rab! Ne nuk do të bëhemi robër të askujt përveq Teje dhe nuk i nënshtrohemi e përulemi askujt përveq Teje. Ne  drejtohemi te Ti me nijet të plotë në robëri dhe adhurim; sytë tanë janë të fiksuar tek Ti dhe tek askush tjetër. Ne jemi të mbushur me një dëshirë për  nënshtrim ndaj Teje  dhe lutje drejtuar vetëm Ty . Të vendosur për të distancuar veten nga çdo gjë tjetër përveç Teje, ne dëshirojmë të qëndrojmë gjithmonë kundër gjithçkaje që Ju nuk e doni dhe pëlqeni. Nijeti ynë është adhurimi ynë më i madh; ne shpresojmë që Ti do ta pranosh nijetin tonë si adhurim. Ne kërkojmë kënaqësinë Tënd, jo në raport me numrin e adhurimeve që kemi bërë, por me nijetin e atyre që kemi synuar. Forma  e foljes, na’budu, ose “Ty të adhurojmë”, (e cila është jo vetëm për kohën, por edhe për vetën e parë shumës) gjithashtu thekson se adhuruesi nuk është i vetëm në adhurim. Duke shpresuar që të gjithë të tjerët të mendojnë në të njëjtën mënyrë, adhuruesi shpall: “Duke bërë këtë kërkesë, jam në përputhje të plotë me të gjithë bashkëadhuruesit e tjerë”. Nëpërmjet një aleance dhe marrëveshjeje të tillë të pakundërshtueshme, adhuruesi fuqizohet me nijetin, konfirmimin dhe dëshminë e njëjtë të të gjithë adhuruesve, dhe kështu ai ose ajo i drejtohet pranisë së Zotit të Plotfuqishëm, i Cili plotëson të gjitha nevojat. Në këtë mënyrë, ata mund ta çlirojnë veten nga mendimet e liga të pavullnetshme që shejtani mund të bëjë që të shfaqen tek ata dhe kështu mund të portretizojnë një formë më të plotë adhurimi ndaj Krijuesit të Përsosur.

Përkthyer nga: https://fgulen.com/en/fethullah-gulens-works/reflections-on-the-quran/suratul-fatihah-the-opening/al-fatihah-1-5

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.