Home » Horizont » Revista Ujëvara » Të frymëzuarit nga Aureola për çështjen e ballafaqimit me veten (Nëntor, 2018)

*Aureolë (brerore): Shkëlqimi i madhështisë, i lavdisë ose i nderimit, që rrethon dikë a diçka, p.sh. rreth hënës. Shpeshherë Pejgmaberi a.s. është quajtur “Kameri Munir” – Hëna Ndriçuese. Në artikull me “Aureolë” aludohet për Sahabët e Nderuar (radiallahu anhum exhmein) të cilën ishin si drita e shkëlqimit përreth Pejgamberit s.a.v.s., ashtu siç është drita përreth hënës.


Burim begatie Pejgamberi (sala-lallahu alejhi ue sel-lem). Asnjëherë nuk kanë munguar ndjekësit e Tij, të cilët bartnin ndjenja, ndjesi të kësaj rruge. Ata të cilët kanë qenë të privuar nga soditja e Tij, vazhdimisht kanë shikuar e ndjekur ata që kishin përpara vetes tyre, me emocionin që të bëheshin si ata e të kishin arrinin të ishin në gjendjen e tyre.. ndaj edhe kurrë nuk e kanë lënë bosh (pa udhëtarë) rrugën që të çonte te Ai.


Sytë gjithmonë ishin të drejtuar për kah “Aureola”, zemrat përpiqeshin të sodisnin gjithnjë e më shumë, qindra e mijëra persona me dëshirën dhe synimin se janë duke observuar, thoshin “Botët matanë!”.. dhe gjithmonë ua kanë mësuar edukatën e të ecurit në këtë rrugë atyre të cilët ecin këmbadoras por që janë nisur për tek Ai!


Imani në Allah një burim emocioni që gurgullon në zemra.. marifeti (njohja e Allahut) dhe muhabbeti (dashuria ndaj Allahut) një pishtar që shkëlqen me shumë ndriçim në ndjenja e mendime.. pasioni për të arritur tek Pronari i vërtetë i gjithçkaje, një projektor që ndriçon rrugët që çojnë në përjetësi.. “ishtijaki likaullah” – dashuria e madhe për të arritur të Allahu xh.sh., një burim i pashtershëm energjie në ndjenja e mendime.. zemrat rrahin përherë me emocionin që të vëzhgojnë horizontin e Atyre që ishin në Aureolë.. pa ngecur kanë ecur në rrugën e përjetësisë.. as lodhje e as mërzi; duke vlerësuar me basiret (largpamësi) se po vwzhogheshin.. me përpjekje maksimale për të ‘udhëtuar’ përtej horizonteve me mekanizmin e ndërgjegjes.. zemra u ka rrahur me frikë ndaj Allahut.. dhe me të gjitha anatomitë e tyre materiale e shpirtërore duke shfaqur ngjethje e të dridhura, ata kanë vrapuar për në rrugën e atyre që ishin në Aureolë.
Imani dhe irfani (njohja e Allahut) që ata kanë është më e thellë se thellësia.. të plota janë përgatitjet materiale dhe shpirtërore.. janë larguar me tërë qenien e tyre nga dynjaja dhe ato ç’ka ajo brenda.. i kanë nëpërkëmbur nxitjet dhe cytjet e pista të nefsit e të epshit.. kanë hapur krahë në maja, por u dridhen fort zemrat.. qajnë e rënkojnë si gjynahqarët e mbushur me faje.. e marrin në pyetje veten mëngjes e mbrëmje me dyshimet më të thella.. i kanë bërë fjalë të përsëritura për gjuhët e tyre vargjet:


Po të më peshojë Rahmani (Allahu) mua për gjynahet e mia,
Thyhet fare peshorja në ditën e Mahsherit!


Rënkojnë ditë e natë e ditë me këto ndjenja brenda vetes tyre.. gjithmonë janë nëpër maja, mirëpo ulen e ngrihen me ndjenjën e modestisë e turpit.. ndjejnë neveri nga lëvdatat, duartrokitjet.. ndjenjë neveri ndaj famës, nderimit dhe luksit.. me çdo gjendje të tyre shfaqin gjendjen e parimit “bëhu thjesht një njeri midis njerëzish”.. bukuritë, sukseset dhe gjendjet e veçanta ia atribuojnë Pronarit të tyre (Allahut xh.sh.) dhe me principin tahdith-i nimet (mirënjohje për mirësitë) ata nga gjendja e rukusë kalojnë menjëherë në sjelljet e sexhdes.


Me ndjenjën:
Nuk e meritoj unë këtë mirësi, unë jam thjesht një rob,
Përse gjithë kjo mirësi kjo për mua?!
(M. Lutfi Efendi)


Edhe një tjetër herë i godasin fort përtokë nefsat e tyre; e fillojnë të flasin e kuvendojnë për modestinë e thjeshtësinë. E kanë bërë pjesë të pandashme të karakterit të tyre këtë parim të rëndësishëm të Kur’anit:


Çdo e mirë që të gjen ty o njeri, prej Allahut është, kurse e keqja që të godet, është prej vetes sate. (Surja Nisa, 4/79).


Nuk harrojnë një gabim a lëshim që e kanë bërë ndoshta para shumë e shumë vitesh.. i harrojnë mirësitë e bukuritë që i kanë bërë e që mund t’u mjaftojnë mijërave.. po t’u vijë ndërmend ndonjë sukses a fitore marramendëse, ata thonë “Suksesi që ka ardhur prej Allahut pas punës së bërë në bashkëpunim mes njerëzish” e në këtë mënyrë shpëtojnë nga kjo punë. Këto janë karakteret e të përkushtuarve që ecin në rrugën e Hakut (Allahut xh.sh.) dhe këto janë gjendjet e përhershme të personave të veçantë, zemrat e të cilëve janë përqendruar në kënaqësinë e Allahut dhe të cilëve zemra u rru te Aureola.


Tani, duke marrë “një pikë ujë nga deti”, dua të qëndroj në disa shembuj të robërve besnikë të derës së Hakut (Allahut) të cilët sytë e zemrën e kishin në Aureolë:


Imam Zejnelabidini ishte një personalitet shumë i veçantë, një nga frutat e pemës dritëdhënëse të Profetësisë. I ati ishte Hz Husejini, gjyshja Hz. Fatimja (r. anha), gjyshi “Luani sulmues”, “I pari i trimave”, Hz Aliu (r.anhu); ndërkaq gjyshi i gjyshërve Zotëria Ynë, Pejgmaberi (alejhisselam). Ai ishte një fatlum i cili i kishte hapur sytë në një botë të këtillë të ndritshme, kishte hedhur shtat e ishte rritur duke pirë nga “uji i jetës” dhe ishte një njeri i shpirtit e i zemrës, gjithmonë i drejtuar nga Allahu.. aq sa ai nuk ishte njohur me gjynahet as edhe në ëndrra a imagjinata, në çdo hapje e mbyllje sysh ishte mahnitur me kontaktin me Aureolën, vazhdimisht kishte rrahur krahët me dëshirë e pasion për takim në atë burim bereqeti.
Edhe pse këto ishin ndjenjat dhe mendimet e Tij, edhe pse ambicia dhe aspirata e tij ishte ajo Linjë prej Drite, ai gjithmonë e shumëzonte veten e Tij me zero me konceptin:

“Ai që do të Dashurin (Allahun xh.sh.), a bie në telash të shpirtit të tij?
Kush e do të Dashurin, a brengoset më për veten e tij? (Sejjid Nigariu)

Ai vazhdimisht ka thënë “Ai” (xh.sh.) dhe i kishte mbyllur sytë tërësisht ndaj çdo gjëje tjetër. Sepse Ai, me shikimin dhe largpamësinë e tij, ishte në një soditje të vazhdueshme të Aureolës.. zemra e tij rrihte me emocionin për të qenë në të njëjtën dritë bashkë me Ta dhe përpiqej maksimalisht që të kryente detyrën e tij prej robi kështu duke arritur majat!


Në lidhje me këtë temë, do të mundohem tani pa u kapur në ngushtësinë e fjalëve ta çoj përpara në kuptim temën, ndonjëherë do të kaloj disa pjesë, do të shëtis midis shprehjeve të tij që të këpusin zemrën.. e ndonjëherë do të ndaloj e të bëj vlerësimin e gjendjes me gjërat që na kujtojnë leximet e mëposhtme, e në këtë mënyrë do t’ia kujtoj të vërtetat nefsit tim dhe atyre që kanë dëshirë të dëgjojnë. Tani, me kushtin që të mos humbet kuptimi i thelbit të shprehjeve, them: këto të mëposhtmet janë fjalët të cilët Hz. Zejnelabidini nuk i hiqte nga goja:


“Allahu im! Gabimet dhe gjynahet të cilat i bëj vazhdimisht, e bënë shpirtin tim të veshë rroba të inferioritetit. Me largimin nga Ti o Allah (kë quan ai largim…) e gjeta veten brenda petkut të mjerisë. Gabimet gjigante që kam bërë –mos qoftë e thënë- ma nxinë zemrën; kërkoj strehim tek Ti, Allahu im! Të lutem ma prano ‘ardhjen’ time tek Ti me një teube (kërkimfalje) të sinqertë, dhe në këtë mënyrë më bëj të arrij një (ba’thu ba’del meut) ringjallje shpirtërore. –Nëse edhe ti nuk je i gjallë, s’e di se ç’mund të thuhet për varret lëvizëse si puna ime?!- Betohem se unë asnjëherë nuk kam ditur e nuk di dikë tjetër përveç Teje që të mund të m’i mbulojë e lidhë plagët e të mund të më japë zgjidhje për hallet e mia; dhe jam në gjendje gatishmërie e pritjeje për falje para Teje . Nëse Ti e përzë robin Tënd në cilën derë mund të drejtohem e te kush mund të strehohem? Nëse unë përzihem nga ajo derë vaj halli për mua e për gjendjen time të turpshme!”


Ah drita e syve të mi, ne të njohëm ty dhe të ngjashmit me ty në ato pasqyrat e Sijerit (Historisë Islame) se ishit përherë me fytyrën përtokë dhe ju njohëm me rënkimet e brendshme që kishit. Nëse shkaktari i këtyre “ah’eve e rënkimeve” është mjegulla a tymi kalimtar që ndonjëherë përplaset në imagjinatën e ëndrrës tënde… lum për ty! Dhe vaj halli i atyre të pafatëve të këtij shekulli të egoizmit të cilët e kalojnë një jetë të tërë në atë mjegullnajë e tym, dhe vaj halli i atyre ‘teologëve’ të cilët mendojnë se janë fetarë!


Ai nuk mjaftohet me këto që thotë e që bën, dhe rënkimeve të tij ai i shton edhe më shumë lëngim, digjet për së brendshmi dhe kalon në një tjetër gjendje:


O Allahu im i Lartë! Ti je Ai i Cili i fal edhe gjynahet më të mëdha dhe i mbështjell me mëshirë zemrat e bëra copë-copë! Të lutem e përgjërohem Ty që të m’i falësh ato gjynahe që ma nxijnë faqen, të m’i mbulosh gabimet e turpshme.. Të lutem e Të përgjërohem që ta falësh edhe këtë robin Tënd në mesin e atyre të cilët i ke mbrojtur në atmosferën e ngrohtë të faljes dhe të dhembshurisë.


Ah sikur qoftë edhe 1% e këtyre rënkimeve të ndodheshin edhe në botët shpirtërore të personave që kalojnë një jetë të tërë nëpër xhami/mesxhide, që bëjnë punë sa për dukje, që harxhojnë jetët në vatrat e gafletit (hutesës), e që çojnë jetët me fjalët “unë bëra, unë realizova”, e që janë tufa imituese ..!


Hazreti Zejnelabidini vazhdon të zbrazë ndjenjat e tij të brendshme me rënkimet të ngritura në maksimum:


Nëse teubeja dhe inabeja (kërkimfalja) për gjynahet është një pendesë që ndjehet e përjetohet në zemër, atëherë unë betohem se jam njëmijë herë pishman për ato çka kam bërë! Nëse të thënit “Estagfirullah”, të shprehurit e dëshirës për të qenë i falur nga Ti është një sebep për fshirjen e gabimeve, unë rënkoj me pendesat më të thella dhe të lutem ta falësh këtë robin Tënd që nuk largohet nga ‘dera’ Jote!


Po i kaloj disa nga rënkimet e brendshme; dhe këtë mund ta konsideroni si respekt ndaj tij. Fjala është përsëri e tija:


Allahu im! Ti je Ai i cili i hap deri në fund dyert e teubes për robërit e Tu, na e prezanton këtë gjë si sihariq me fjalët teube-inabe (kthim te Allahu duke i braktisur gjynahet) dhe me ajete si “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë.” (Surja Tahrim, 66/8) na thërret për tek Ti. Është nga bujaria Jote shpresa për faktin që atyre që i drejtohen kësaj dere që Ti ke hapur do t’u realizohen pritshmëritë. Po, është shumë e vërtetë që nuk u ka hije aspak robërve të Tu të bëjnë gabime e gjynahe, mirëpo nuk ka dyshim se Ti je Bujari në falje e pranim.


Të shtojmë:


Trego bujari, mos e ndërprit bujarinë nga të mjerët,
A i shkon Bujarit ta ndërpresë bujarinë e Tij ndaj të varfërve? (M. Lutfi)


Shpirtrat nevojtarë gjithmonë me këtë ndjesi i shprehën kërkesat e tyre. Nëse nuk do të konsiderohet si mungesë edukate ndaj Allahut, edhe unë i ndaj po të njëjtat mendime dhe ndjenja.

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events