Home » Trajtesa » Ramazani » Për të përfituar sa më shumë prej begatisë së Ramazanit

Agjërimi gjatë muajit të bekuar të Ramazanit është një ndër adhurimet më të rëndësishme. Së bashku me namazin, zekati përmendet më së shumti, në tridhjetë e kusur ajete të ndryshme të Kuranit, mirëpo – siç e dini – për agjërimin janë caktuar faqe të tëra të Librit të Madhërishëm. Madje agjërimi shumë here është përmendur edhe si një adhurim dëmshpërblyes për mëkate që mund të jenë kryer. Ka mëkate për të cilat është menduar se duhet agjëruar 60 ditë, 10, e ndonjëherë tri ditë. Dhe kjo do të thotë se ai është faktori më i rëndësishëm për t’i shlyer e për t’i shkrirë ato mëkate është agjërimi, duke luajtur kësisoj rolin e një elementi pastrues dhe lartësues për qenien njerëzore.

Agjërimi i sinqertë

Agjërimi gjatë Ramazanit, duke qenë se është një detyrë e kryer drejtpërsëdrejti ndaj Allahut (xh.sh.), është një adhurim që duhet të kryhet me një vetëdije të forte robërimi. Ndaj ajo ka, pa dyshim, një varg urtësish dhe arsyesh pse është i këtillë. Sepse janë posaçërisht këto lloj adhurimesh që tregojnë pikërisht atë pjekuri të shpirtit që do të shikojë Allahu te besimtarët, që tregon pikërisht atë pjekuri që tregon edhe se cila është cilësia e parajsës e lumturisë së përjetshme që meriton kjo lloj pjekurie shpirtërore. E thënë me një gjuhë më të thjeshtë, këto mund të quhen ndryshe edhe adhurime të caktuara për ta bërë njeriun të denjë për të qëndruar pranë Allahut, duke u kthyer në meritues të lumturisë së përjetshme.

Prandaj, edhe pse te to mund të vërehen një varg dobish të kësibotshme, një varg urtësish, që edhe pse mund të duken sit ë dukshem, ato kanë sa e sa ndikimi dhe rezultate akoma edhe më të thella. Domethënë këto e shndërrojnë njeriun nga një qenie profane në një qenie që meriton përjetësinë. Pikërisht atë njeri që e ka të vështirë që ta shohë Allahun (xh.xh.), i cili është shtatëdhjetëmijë perde larg Allahut, ngrihet drejt lartësish metafizike prej nga mund të shihet vetë Allahu. Njeriut, që nuk zotëron dot pasuri sa për të kërkuar kënaqësinë e Allahut, sado që të jape në këmbim, i jep atij pëlqimin hyjnor. Andaj edhe, kur e trajtojmë, Ramazanin duhet ta shohim sit ë tillë. Me një fjalë kemi të bëjmë me një mundësi dhe mirësi shumë të rëndësishme të Allahut që i është dhënë njeriut për të merituar Xhenetin dhe për t’i falur atij pjekurinë e nevojshme për të dëshmuar bukurinë e Allahut (xh.xh.)

Vetëm se agjërimi duhet mbajtur ashtu siç është caktuar prej Allahut të Madhërishëm, pikërisht sipas domethënies që Ai i ka dhënë të agjëruarit. Dhe, që besimtari të mund të marrë rezultatin e synuar prej muajit të Ramazanit dhe që të mos i thonë: “Të të vijë turp!”, njeriu nuk duhet ta privojë veten vetëm nga të ngrënët dhe të pirët, por duhet t’u qëndrojë larg edhe gjërave të shëmtuara siç është të merresh me gjëra të kota, të pakuptimta, dhe aq më pak me gënjeshtra apo përgojime, të cilat bëjnë pjesë ndër mëkatet më të rrezikshme. Ai duhet të distancohet prej gjërave të panevojshme, t’u qëndrojë larg fjalëve të tepërta, duke e hapur dhe mbyllur gojën veçse për gjëra të hairit. Dhe, me ato fjalë që i kemi përsëritur kaq e kaq here: ta zbukurojë gjuhën me bashkëbisedimin e përshpirtshëm për më të Dashurin e shpirtrave. Poashtu duhet t’i ketë nën kontroll edhe sytë. Të mos shohë nga e ndaluara, t’i shikojë me kujdes gjërat që sheh, t’i interpretojë drejt, duke nxjerrë domethëniet më të thella nga çdo gjë.

Po, një besimtar duhet t’i mbajë edhe veshët larg prej bisedave të cekëta, të zhytura në ndotësi dhe mëkate të ulëta, duke i hapur ata veçse drejt bisedave rreth bushtit të Kuranit, apo rreth fjalësh të tjera të bukura. Dhe, ashtu siç vë gojën dhe organet e brendshme të trupit të agjërojnë – e thënë me fjalë të tjera – t’u qëndrojë larg gjërave problematike, ashtu siç e ka privuar trupin nga të ngrënët dhe të pirët – madje jo vetëm nga gjërat problematike, por ai nuk duhet t’i qaset asgjëje që qëndron brenda qerthullit të së padobishmes, duke i pare edhe ato si mëkate e gjëra të ulëta që ia poshtërojnë shpirtin. Kësisoj, siç thonë edhe të parët tanë, t’i vërë të gjithë gjymtyrët dhe shqisat në agjërim, duke ia falur kënaqësinë e agjërimit si trupit, ashtu edhe shpirtit.

Nga ana tjetër, nëse ka diçka që është më e rëndësishmja tek agjërimi, ai është sinqeriteti. Robi, teksa agjëron, duhet të jetë përherë i kapluar nga sinqeriteti për atë që po bën, domethënë, duke e parë atë si një dhuratë që ia ka falur Allahu i Madhërishëm (xh.xh.) dhe duke mos përfshirë në të asnjë synim tjetër, pos pëlqimit të Zotit. Madje, edhe më tej, ai  duhet të mendojë vazhdimisht se “unë nuk agjërova dot ashtu siç duhej, s’e kryeva dot siç duhej dhe nuk e shfrytëzova dot siç duhet këtë muaj të bekuar. Sepse, në të kundërt, kryerja e gjithçkaje vetëm për të rënë në sytë e të tjerëve, apo përpjekja për t’ua bërë të ditur të tjerëve se “ke agjëruar kështu apo ashtu”, apo “se unë e mbaj agjërimin kështu e ashtu. Sepse mendjemadhësia dhe hipokrizia duke thënë se “unë çohem natën e bëj këtë apo atë”, duke treguar se gjoja adhurimet e tua janë më të thella, sepse të gjitha këto janë pengesa të sinqeritetit, çka e bëjnë agjërimin një barrë si ajo që përshkruhet në hadithin profetik: “Ka sa e sa njerëz që agjërojnë, që të ndenjurit pa ngrënë dhe pa pirë nuk do t’u japë kurrfarë dobie veç urisë dhe etjes.

Prandaj, krahas agjërimit njeriu duhet të lidhet fort pas Allahut dhe kënaqësisë së Tij. Sepse marrja e agjërimit prej Tij nga ana juaj dhe përpjekja për të përfituar diçka jashtë kënaqësisë së Tij bie ndesh edhe me urtësinë e Tij. Sepse Allahu (xh.sh.) na thotë kësisoj: “Agjërimi nuk mund të mbahet vetëmse për të fituar pëlqimin Tij, andaj edhe jam vetëm Unë që mund ta jap shpërblimin e tij.”

Tani, çdo adhurim mund të ketë një sere dobish, urtësish dhe arsyesh të urdhërimit përsa i përket jetës së kësaj bote. Për shembull, zekati është si një urë, e cila shndërrohet në një element lidhës mes klasës së të skamurve me shtresën e kamur të shoqërisë. Bie fjala, njeriu shkon në haxh, por haxhi është edhe një kongres i mbarë myslimanëve në të njëjtën kohë; edhe atje mund të ketë disa gjëra të bukura që i përkasin kësaj bote… Mirëpo agjërimi nuk ka asnjë aspekt të këtillë eksplicit, por ai i përket vetëmse Allahut (xh.xh.). Shpërblimi i tij është falja e mëkateve. Profeti ynë i dashur na thotë se, “Kush agjëron gjatë muajit të Ramazanit, duke i besuar shpërblimit dhe duke e pritur atë vetëmse prej Allahut (xh.sh.), atij i fallen të gjitha mëkatet e shkuara.” Po, nëse njeriut, me çdo agjërim të muajit të Ramazanit i falen të gjitha mëkatet e vitit të shkuar, atëherë ai shkon pranë Allahut i pastruar nga çdo mëkat që mund të ketë kryer. Dhe një njeri i këtillë po që ka dale i fituar, sepse e ka përdorur siç duhet kohën përgjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Andaj, ky njeri nuk mund të rrëzohet asnjëherë, as këtu, as në botën e varrit, e as në ditën e gjykimit… Po të doni, mund ta shihni edhe si njeri që nuk do të pësojë asnjëherë humbje në vlerat e tija njerëzore.

Ramazani dhe vendosja e frerëve ndaj egos

Një tjetër çështje shumë e rëndësishme është edhe edukimi i egos përmes agjërimit, siç thuhet edhe në Traktatin e Ramazanit të Bediuzaman Said Nursiut. Një njeri që agjëron, me këtë adhurim të tijin, thotë: “T’ia tërheq edhe pak këta frerët kësaj egos sime, ta drejtoj edhe pak drejt Allahut (xh.sh.). Ta mësoj atë të flasë pak, të hajë pak dhe të flejë pak. Të përpiqem që të fitoj ato aftësi, virtyte dhe grade që fitohen përmes shkaktimit të vuajtjeve vetes në rrugëtimin e lartësimit shpirtëror dhe ta shoh agjërimin gjatë muajit të Ramazanit edhe si një stinë të mësimit të vetes me të jetuarit me pak e duke u marrë vetëm se me ato punë që janë më të dobishmet për shpirtit. Sepse thelbi i kësaj të fundit është pakësimi me sa të mundësh i të ngrënit dhe i të pirit, madje aq sa të mos hash më shumë se disa kafshata bukë dhe disa gllënjka ujë në ditë, me pak fjalë, të hash vetëm aq pak sa të mos vdesësh dhe kjo të zgjasë plot dyzet ditë. Dhe, nëse nuk do që të mjaftohesh me kaq, atëherë mund të vazhdosh me dyzetditëshin e parë, me dyzetditëshin e dytë, e kështu me radhë.

Të gjitha këto janë gjëra që bëhen për t’i rikthyer shpirtit njëfarësoj fuqinë e tij. Nëse kjo nuk bëhet për të fituar pëlqimin hyjnor, nëse synim nuk është kënaqësia e Allahut, atëherë i gjithë ai mundim e ato vështirësi do të jenë fare të padobishme. Njeriu mund të jetë i krijuar për të arritur disa gjëra të jashtëzakonshme; mund të shohë se është metafizika që i jep formë fizikës, aq sa me një shikim të mund t’i vërë flakën sobës atje tej. Mirëpo asgjë syresh nuk bart ndofarë vlere tek Allahu (xh.sh.). Po, frenimi dhe kufizimi i egos përmes agjërimit është një dinamikë shumë e rëndësishme. Prandaj edhe njerëzit e Allahut i kanë pasur kufizuar vazhdimisht egot e tyre, duke ngrënë dhe duke pirë vetëm sa për të mbetur gjallë, duke i ruajtur dhe duke i mbajtur shpirtrat e tyre në formë. Po ashtu, edhe përftimi i forcës dhe fuqisë që bëjnë jogit duke ndenjur të etur dhe të uritur, apo ajo që u bëjnë mistikët egove të tyre duke u shkaktuar vuajtje dhe tortura nga më të ndryshmet vetes, janë ndodhi që e kanë treguar se e lartësojnë njëfarësoj shpirtin njerëzor. Mirëpo, as jogit, as këta lloj mistikësh, nuk do të përfitojnë dot kurrgjë në emër të amshimit të tyre. Sepse të ndenjurit të uritur dhe të etur, apo kufizimi në maksimum i tyre, kanë vlerë vetëmse kur bëhen për të përfituar kënaqësinë e Allahut (xh.sh.). Dhe kënaqësia e Allahut fitohet vetëm kur adhurimet që kryen i kryen vetëmse për hir të Allahut (xh.xh.). Ja pra, ku del, se agjërimi gjatë muajit të Ramazanit bart potencialin për t’u dhënë njerëzve pikërisht ato arritje që njerëzit e Zotit i kanë fituar përmes kufizimit të egos së tyre, duke ngrënë dhe duke pirë vetëm sa për të mbetur gjallë. Sepse edhe Ramazani është po ashtu një kufizim i egos.

Me rastin e agjërimit të Ramazanit të bëhet e mundur edhe që të jetosh njëfarësoj i çliruar dhe i pavarur nga të gjitha zakonet e përftuara, veset apo varësitë e ndryshme që mund t’i kesh krijuar vetes. Sepse, kur e mësojmë egon me uri dhe me etje, do ta kemi më të lehtë që t’u bëjmë ballë atyre nëse në një tjetër kohë do të mbeteshim të kushtëzuar për të mos pirë ujë, apo për të ngrënë ushqim.Të vjetrit thoshin kështu: “Braktisja e zakonit të shkatërron: Braktisja e zakoneve (të krijuara) dhe e varësive është prej faktorëve që të çojnë drejt shkatërrimit.” Ti mësohesh me të ngrënë e me të pirë, apo duke ngrënë e duke pirë disa gjëra të caktuara. Mirëpo myslimani – siç është shprehur vazhdimisht nëpër vende të ndryshme – duhet ta mësojë veten asisoj që të mund të mbijetojë edhe në kushtet më të vështira, si të ishte një komando. Ja, kjo është ajo që na meson muaji i Ramazanit.

Madje kushedi se ç’dhurata mund të jetë duke u falur Ramazani të qashtërve që ngarendin sa këtu atje për të edukuar brezin e ri. Sepse, të bësh syfyr dhe iftar në rrugën e shërbimit ndaj njerëzve, ata, që ndoshta u duhet të udhëtojnë me kilometra nga njëri vend në tjetrin, megjithëse janë duke agjëruar, kushedi se ç’fryte sa për mijëra vite do të jenë duke përfituar.

T’i vësh frerët egos sate do të thotë njëherazi edhe që të qëndrosh në vigjilencë të plotë ndaj fatkeqësive dhe të këqijave që mund t’u vijnë fesë apo popullit tënd. Do të thotë të kryesh detyrat e kauzës që i ke besuar. Me pak fjalë, do të thotë që të vësh në pah cilësinë e “të dedikuarit”. Çdo hap që hedh njeriu i dedikuar për hir të arritjes së qëllimit dhe synimeve të tij, çdo hap i hedhur do t’i falë atij shpërblimet e të qenit në krye të detyrës për të mbrojtur fenë tënde. Lëre pastaj nëse ky shpërblim do të jepet përmes begatisë së muajit të Ramazanit!.. A mund ta përfitojë dot çdokush një shpërblim të këtillë? Po, të gjithë mund të përfitojnë prej këtij shpërblimi, disa sipas sinqeritetit në zemrën e tyre, disa sipas thellësisë së nijetit e disa të tjerë sipas shkallës së afërsisë me Allahun (xh.sh.). Në hadithin profetik tregohet një horizont atje tej që duhet arritur. Ajo është gjendja e atij që e fiton shpërblimin të plotë, mirëpo edhe pse jo çdokush mund të shpërblehet njësoj me atë, gjithsecili do të përfitojë sadopak prej të njëjtit fryt.

Muaji i Ramazanit ka edhe një anë tjetër, atë të vëllazërimit dhe të miqësisë. Njeriu fillon të mendojë përmes agjërimit: “Kushedi në ç’gjendje duhet të jenë ata që nuk gjejnë dot asgjë për të ngrënë, apo për të pirë.” Do ta kuptoni më mirë gjendjen e tyre kur jeni vetë të uritur dhe kjo ju bën që t’ju zgjohet fort ndjenja e bujarisë. Kësisoj populli e ka ushtruar aq shumë këtë lloj sjelljeje, sa që e ka shndërruar atë në zakon; asisoj që të gjitha ato të mira, kontribute, zekate dhe sadaka, i bëjnë me rehatinë më të madhe të shpirtit me të ardhur muaji i bekuar i Ramazanit, pa pritur që t’u zgjohet ndjenja e bujarisë. Ja pra, siç e shihni, ata japin sadaka, ngrenë ngrehina përmes gurëve të sadakasë. Ndërsa tani, në vend të atyre gurëve, ngrenë çadra të sadakasë dhe thonë: “Këtu janë mbushur sofrat e qerasjes së Allahut (xh.sh.), kush të dojë të vijë të marrë, pa pagesë!” E ndoshta është pikërisht vetë Allahu (xh.sh.) që ua zgjon këto ndjenja bujarie, këto ndjenja bamirësie. Por ndoshta është edhe vetë populli që e ka kthyer atë në zakon, duke e praktikuar vazhdimisht, pa e ndërprerë asnjëherë.

Njeriu që i vlerëson siç duhet të gjitha këto, begatinë e muajit të Ramazanit dhe të gjitha mundësitë e pakapshme në asnjë periudhë tjetër të vitit, që vijnë me të, nuk i bie kokës me grushte kur kalon Ramazani. Sepse ai njeri fiton një pozitë të veçantë, atë është e vështirë ta rrëzosh, duke u shndërruar në një njeri që nuk i gjen dot asnjë anë për ta share. Ai e ka vlerësuar siç duhet muajin e Ramazanit dhe kështu ka merituar faljen e Allahut (xh.sh.)… Njërin nga dy gëzimet e ka shijuar çdo ditë në sofrën e iftarit.. ndërsa tjetrin do ta shijojë kur të shkojë pranë Zotit të tij.

Pyetje: Pak më parë, në hadithin e përmendur thjesht si një përkthim i fjalëpërfjalshëm, thuhej se “kushdo që e mban agjërimit të Allahut vetëm sepse i beson Atij dhe vetëm prej Tij e pret çdo shpërblim, atij do t’i falen të gjitha mëkatet e shkuara”, aty vihet një kusht, “për besimin dhe llogaridhënien”. Si duhet ta kuptojmë këtë shprehje?

Përgjigje: Profeti ynë (alejhi ekmelut’tehaja) ka thënë se “kush i beson tërësisht begatisë që vjen me Ramazanin dhe agjëron me sinqeritet dhe përshpirtmëri dhe e kalon të gjithë atë kohë me adhurime e lutje dhe e pret shpërblimin veçse prej Allahut, le të jetë ky si një sihariq, por tyre besimtarëve do t’u falen të gjitha mëkatet e së shkuarës.”

Fjala “për nga besimi”, do të thotë që ta besosh me zemër çdo gjë që është e domosdoshme për t’u besuar në lidhje me agjërimin dhe me muajin e Ramazanit; ta pranosh se agjërimi është një detyrim i fesë dhe se për të ju pret një shpërblim shumë i madh, madje, mbi çdo gjë tjetër qëndron edhe se ai mund të kthehet në një urë shumë të mirë, që të çon drejt kënaqësisë hyjnore. Dhe me të theksohet pikërisht besimit pa lëkundjen më të vogël.

Po, ne jemi robërit e Allahut; dhe Allahu është i adhuruari ynë. Të gjitha adhurimet që ne i kryejmë ndaj Tij me ndjenjën e robërimit karshi Tij, apo punët e mira, janë një e drejtë e Tij dhe njëherazi detyrë dhe përgjegjësi e jona. Edhe agjërimi është një urdhëresë e Tij dhe një përgjegjësi e jona. Ai është në çdo çast në dijeni të adhurimeve tona dhe di gjithçka që bëjmë ne. Të gjitha veprat tona, që Allahu (xh.xh.) i ka parë dhe i dim ë së miri, do të vijë një ditë që do të mbarsen me lëng jete e do të na kthehen sërish neve. Veç kësaj, kur t’i ngremë duart dhe t’i lutemi për t’i kërkuar ndonjë gjë, “ato duar nuk do të ulen të mbetura bosh”, siç thuhet edhe në hadithin kudsi.

Kur i drejtohemi Allahut dhe zëmë t’i lutemi e t’i përgjërohemi, pike së pari, është e domosdoshme që t’i besojmë tërësisht se, para së gjithash, Ai i sheh robërit e Tij se çfarë bëjnë dhe ua dëgjon çdo lutje e i ka të gjitha forcat për t’ua realizuar atyre të gjitha dëshirat. Sepse, në të kundërt, t’i hapësh duart pa besuar, kjo është sikur të thuash “po na i dha, na i dha, s’na i dha, s’na i dha” dhe është më se e kuptueshme se një thirrjeje të tillë Ai nuk do t’i përgjigjet kurrsesi, sepse kjo nuk është tjetër, veçse një mungesë e thellë respekti. Ai, me mirësinë, fisnikërinë, bujarinë dhe mëshirën e Tij, e cila është më e madhe se ndëshkimi i Tij, dhe me mëshirën e Tij të thellë mund t’u jape edhe të këtillëve, nëse u jep; ne nuk mund të themi preras “nuk u jep”. Mirëpo shkaku më i mirë për t’i bërë lutjet tona të pranueshme pranë Tij është që t’i lutemi Atij duke i besuar me zemër. Do t’I besosh dhe kur t’i ngresh duart për t’iu lutur me sinqeritet, Ai nuk jua çon ato dëm, nuk ju turpëron; përkundrazi, Ai ju fal edhe më shumë mirësi të tjera, në mënyrë që ti të drejtohesh sërish kah porta e Tij. Ja pra, një besim i tillë kihet parasysh me frazën “për nga besimi”.

Ndërsa me frazën “për nga llogaria” kihet parasysh se shpërblimi është diçka që mund të pritet veçse prej Allahut (xh.sh.); të mos hysh në pritshmëri përsa i përket kësaj bote, por të mbash parasysh vetëmse kënaqësinë e Allahut, duke e pritur çdo shpërblimi vetëmse prej mëshirës së Tij të pakufishme. Në adhurimet dhe punët tuaj të mira nuk duhet të ekzistojë as grimca e ndonjë gjëje tjetër pos sinqeritetit dhe kryerjes me dëshirë të plotë të zemrës; nuk do hyrë kurrsesi në qorrsokakët e hipokrizisë apo të dëshirës për t’u dukur në sytë e njerëzve. Asnjë vepër nuk duhet kryer për hir të vlerësimit dhe duartrokitjeve që do të marrësh nga të tjerët; çdo gjë duhet kryer vetëmse për Allahun (xh.xh.). Dhe në një pritmëri të tillë, përpjekja duhet të jetë përherë sa më e lartë; me një fjalë, punët e mira që kryhen nuk duhen kryer kurrsesi duke pasur parasysh dobitë e kësibotshme që mund të rrjedhin prej saj. Megjithëse, siç e kërkon edhe botëkuptimi si i sahabëve, ne edhe lidhësen e këpucëve, nëse na humb, duhet t’ia kërkojmë Allahut… duhet të përpiqemi fort në çdo punë që i kemi hyrë, ta përdorim vullnetin tone siç duhet dhe t’ia kërkojmë Atij, që është Krijuesi i Gjithçkaje, çdo gjë që të na duhet. Vetëm se kur ia shpërfaqim Atij robërimin tonë, nuk duhet të na dale asnjëherë nga mendja se Ai është i Adhuruar, e ne jemi adhuruesit; robërimi ynë duhet të jetë i drejtuar veçse nga Ai, duke qenë se është atribut vetëm i Tiji. Kësisoj, adhurimet tona nuk duhet t’i lidhim kurrsesi vetëm me nevojat dhe dëshirat tona, por t’i kryejmë ato me mendimin se është një detyrë e përgjegjësi e jona.

Sepse, në vetvete, as kërkimi i diçkaje prej Allahut nuk është një e drejtë origjinare e jona; gjithçka duket si një e drejtë, mirëpo bëhet fjalë për një të drejtë, e cila na është falur prej Tij si mirësi. Ai është aq shumë mirëbërës, saqë ka lejuar që ne të përdorim një varg të drejtash, me kushtin e vetëm që ato të përdoren vetëm për Të. Për shembull, Ai ka thënë, “ju më adhuroni mua, duke i kryer të gjitha adhurimet që ju janë urdhëruar – që kjo është edhe detyrë e juaja – që edhe unë t’ju kënaq ju me mirësitë e Mia në botën tjetër”, duke ju dhënë kësisoj disa të drejta, të cilat janë të një karakteri marrëveshjesor; u ka thënë: “Nëse e kryeni robërinë tuaj, atëherë mund të keni ndofarë të drejte tek Unë”. Me një fjalë, është po Ai që e ka falur dhe të drejtën, edhe mundësinë për ta përdorur atë.

Sepse sa para kapital kemi ne për t’i fituar të gjitha këto mirësi që na janë falur në natyrën tonë dhe që na jepen vijimësisht, në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë jetesën, që pastaj të kemi edhe të drejta! Po, ne i përkasim Atij që nga çasti i parë e deri në të fundit dhe, edhe sikur të kemi ndonjë të drejtë që na e ka falur Ai, ne, para së gjithash, jemi robër. Andaj, ne duhet të veprojmë ashtu siç i ka hije një robi dhe të kërkojmë veç kënaqësinë e Krijuesit, Ushqyesit dhe Zotit tone të Madhërishëm dhe po me këtë vetëdije t’i kryejmë edhe adhurimet tona. Ja pra, shprehja “për nga llogaria” është e lidhur fort me këto të vërteta dhe bart domethënien e mbajtjes së agjërimit vetëmse për hir të Allahut dhe shpreh, po ashtu, domosdoshmërinë e pritjes së shpërblimit veçse prej Tij.

Pyetje: Në disa hadithe të bekuara thuhet se, kur vjen muaji i Ramazanit “djajve inatçorë u vihen vargonj zinxhirësh.” Ç’janë “djajtë inatçorë”; dhe si shfaqet kjo lidhje e tyre me vargonj zinxhirësh?

Përgjigje: Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na ka thënë: “Gjatë muajit të Ramazanit hapen portat e Xhenetit, mbyllen ato të Xhehenemit dhe djajtë inatçorë lidhen me vargonj zinxhirësh.” Me ‘merede’, siç është fjala në gjuhën arabe, kihen parasysh inatçorët, këmbëngulësit, kokëgdhetë dhe ata që bëjnë rezistencë ndaj së mirës. Dhe me këtë frazë kihen parasysh djajtë më të paepur, ata që nuk i bën të stepen asnjë litar e asnjë shkop, të cilëve ua ka errur sytë e keqja. Po, gjatë këtij muaji të bekuar, “djajve inatçorë” u vihen hekurat.  

Dhe, me këtë nuk dua të them se gjatë Ramazanit të bekuar nuk bëhen gabime, nuk hyhet në mëkate apo nuk ka njerëz që rrëzohen si pasojë e disa gabimeve edhe më të mëdha. Mirëpo, nëse do të kemi parasysh përfitimin e madh që sigurojnë besimtarët dhe duke pasur parasysh se djalli nuk do të ishte kurrsesi i kënaqur me të, ai do të bëhej si i çmendur nga ambicia për të keqen dhe do të bënte gjithçka për t’i tërhequr njerëzit drejt mëkateve, duke përdorur çdo hile, mund të themi se “u janë vënë hekurat djajve më inatçorë, më këmbëngulës” dhe kjo merr njëfarë kuptimi.

Nuk ka dyshim që adhurimet e kryera gjatë muajit të Ramazanit janë shumë të rëndësishme. Allahu (xh.xh.) e cilëson agjërimin me këto fjalë: “Agjërimi është një adhurim i kryer për Mua; unë atë e mas vetëmse me Veten Time. Ndaj edhe jam Unë që do ta jap shpërblimin për të.” Prandaj edhe kuptimi i vlerës, gjerësisë dhe thellësisë që ai ka përpara Allahut (xh.sh.) dhe përcaktimi i çmimit të tij për njerëzit është krejtësisht i pamundur. Prandaj edhe askush tjetër, përveç Allahut, nuk ka fuqi që të jape shpërblimin e tij. Allahu i Madhërishëm e ka caktuar vetë shpërblimin e agjërimit dhe ka premtuar se do ta jape atë në botën tjetër në formën e një surprize. Dhe shkakun për këtë shpërblim surprizë e ka shprehur me fjalët: “Sepse robi im heq dorë nga të ngrënët dhe nga të pirët për Mua.”

Gjatë kësaj pjese të bekuar të kohës, njerëzit, krahas agjërimit, falin edhe namazin e teravive dhe siç e kërkon fjala hyjnore, “Ai muaj i Ramazanit që është një udhërrëfyes për njerëzit, që i çon ata në rrugën e drejtë, ai mauj kur u zbrit edhe Kurani, në të cilin janë të mbledhura provat më të hapura dhe më të shndritshme. Ata e vlerësojnë atë si një muaj të Kuranit, ndaj edhe lexojnë shumë Kuran. Në të njëjtën kohë zemrat e tyre hapen, zgjerohen dhe sheh se si ato i kaplon një entuziazëm i pashoq bujarie; i sheh të përdorin çdo çast e çdo munësi për të kryer punë të mira e të bukura në llogarinë e tyre. Siç thuhet edhe në një hadith të bekuar: “I Dërguari i Allahut ishte më bujari ndër njerëz. Por bujaria e Tij shtohej edhe më shumë kur vinte Ramazani dhe Ai takohej me Xhebrailin (alejhis’selam). Xhebraili i nderuar, që nga dita e parë e deri në ditën e fundit të këtij muaji, vinte pranë Profetit tonë të dashur dhe lexonin Kuran së bashku. Gjatë atyre ditëve e shihje të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) të bëhej më bujar edhe se era që sjell mëshirën.” Andaj edhe besimtarët, duke e ndjekur Atë si Udhërrëfyesin më të Përsosur për njerëzimin, bëhen edhe më bujarë gjatë atyre ditëve; ata bëjnë sa e sa të mira duke i quajtur ato zekat, apo sadaka e fitrit. Por jo vetëm kaq, por disa syresh vendosin që të izolohen kur vijnë dhjetë ditët e fundit të këtij muaji, duke e dhënë veten plotësisht pas adhurimit.

Tani, tërbimi i djallit nga një garë e këtillë bamirësie është i pashmangshëm, sepse kjo është natyra e tij. Sepse, kur e ka shprehur armiqësinë e tij për njeriun, ai ka thënë: “Të betohem në Ty, se unë do t’i nxjerr ata të gjithë nga rruga!”, ndaj edhe ka kërkuar gjithnjë gjithfarë mënyrash për t’i penguar ata, apo për të krijuar terrene të rrëshqitshme, në mënyrë që ata të rrëzohen e të mos e gjejnë dot më rrugën e së drejtës. Kësisoj, begatia e Ramazanit e tërbon djallin dhe disa shpirtra të tjera të shejtanëzuara. Për t’ua marrë me çdo kusht nga duart këto shpërblime të mëdha që u janë taksur besimtarëve, ata vlojnë brenda vetes e garojnë me njëri-tjetrin e me djajtë ndër njerëz e xhinde, se kush do të hungërijë më shumë se tjetri.

Por, pavarësisht kësaj, siç duket njerëzit njësohen me Ramazanin në këtë klimë të kënaqësisë shpirtëore; jetojnë më të kujdesur dhe më të hapur kah amshimi. Me lejen dhe ndihmesën e Allahut, ata e kalojnë jetën me një qetësi edhe më të madhe e pak më larg nga mëkatet. Me sa duket, këtyre “djajve inatçorë”, duke qenë se do të bëheshin të papërmbajtur, u hidhen hekurat, e lidhen me vargonj zinxhirësh. Edhe pse disa djaj nga njerëzit dhe nga xhindet përpiqen që t’u vijnë në ndihmë përmes epshit dhe dëshirave të tjera të tyre dhe vazhdojnë të shkatërrojnë, Allahu (xh.sh.) ua pret rrugën këtyre djajve të patundur, duke mos lejuar që ata t’ia dalin në qëllimin e tyre.

Pyetje: Ju thoni se një tjetër emblemë shumë e rëndësishme e muajit të Ramazanit është edhe namazi i teravive. Çfarë duhet të kemi kujdes gjatë faljes së këtij namazi?

Përgjigje: Teravi, në gjuhën arabe, vjen prej fjalës “terviha” dhe është shumësi i saj dhe do të thotë “të pushosh, të qetësosh shpirtin dhe të çlodhësh trupin”. Ndaj edhe falja e këtij namazi, që falet vetëm gjatë muajit të Ramazanit, falet pas namazit të jatsisë, i ndarë në katërrekatësh të shoqëruar me nga një pushim në fund të secilit; mandej, shumësi i këtij namazi, “teravia”, është kthyer në emërtimin e këtij namazi shtesë. Namazi i teravisë është një ndër ato sunete të Profetit tonë që Ai e ka kryer vazhdimisht e pa ndërprerje, megjithatë është një sunet që i përket muajit të Ramazanit dhe kohës në të cilën falet dhe jo i agjërimit. Prandaj edhe ata që janë të sëmurë, apo që janë në udhëtim e sipër, e nuk janë të detyruar që të agjërojnë, namazi i teravive vijon të jetë një namaz sunet, të cilin mund ta falin edhe pse nuk kanë agjëruar.

Profeti ynë u printe besimtarëve të tjerë në faljen e këtij namazi në disa prej netëve të muajit të bekuar; mandej, i shqetësuar se mos bëhej detyrim-farz për xhematin dhe ata nuk do ta përballonin dot, ka përzgjedhur që ta falë në vetmi; mirëpo Ai i ka nxitur sahabët e Tij që ta falin këtë namaz duke u thënë: “Kushdo që e fal namazin e Ramazanit (teravitë) duke besuar dhe duke e pritur shpërblimin e tyre veçse prej Allahut, atij do t’i fshihen të gjitha mëkatet e shkuara.

Profeti ynë (alejhis’salatu ues’selam), në një tjetër hadith, e shpreh kështu rëndësinë e faljes së namazit të teravive dhe se ai është sunet: “Allahu jua ka lënë si detyrim që të agjëroni në muajin e Ramazanit. Dhe unë ju nxita që t’i kaloni netët e këtij muaji duke u gatitur përpara Allahut (të falni namazin e teravive), si një sunet timin. Kushdo që agjëron duke besuar dhe duke e pritur shpërblimin veçse nga Allahu  dhe fal namaz (namazi i teravive), ai pastrohet nga të gjitha mëkatet dhe bëhet i pastër ashtu siç e ka lindur nëna.

Falja e namazit të teravive me xhemat është sunet që kërkon të kryhet të paktën nga një grup njerëzish; me një fjalë, duhet që në një vendbanim të caktuar të ketë të paktën një bashkësi besimtarësh që mblidhen për ta falur këtë namaz me xhemat. Mënyra më e virtytshme është që të falet i ndarë në dyrekatësha. Në mes tyre të ketë salavate për të Dërguarin e Allahut (pqmT), lutje të zbukuruara me Emrat e Bukur të Allahut, apo me lutjet e quajtura “hizbu’l-hasin”, ose “hizbu’l-masun”.

Sot disa po këmbëngulin në një hadith të transmetuar prej nënës sonë, Aishes së nderuar (r.a.), sipas të cilit namazi i teravive përbëhet nga vetëm tetë rekate. Mirëpo Ibni Abbasi (radijallahu anh) na ka transmetuar se Profeti ynë falte njëzet rekate namaz gjatë muajit të Ramazanit dhe bashkë me to edhe namazin e uitrit. Madje, më shumë se kaq, këtë e thonë edhe shumë sahabë të tjerë në mënyrë unanime. Prandaj ky namaz është përcaktuar si njëzet rekate, si në shkollën Hanefi, ashtu edhe në atë Shafi, Hanbeli. Ndërsa në shkollën Maliki ekzistojnë dy pikëpamje, njëra që thotë se duhet të falen njëzet, ndërsa tjetra tridhjetë e gjashtë, mirëpo pikëpamja që thotë se duhen falur njëzet rekate është më e përhapur. Megjithatë, ata që janë shumë të vjetër në moshë dhe vuajnë nga ndonjë sëmundje, nëse kanë mundësi që të falin vetëm tetë rekate, të paktën të kryejnë ato; mirëpo ata që i kanë forcat dhe fuqitë mendoj se duhet t’i falin të njëzet rekatet e këtij namazi.

Dijetarët janë shprehur se falja e namazit të teravive duke plotësuar të paktën një hatme është sunet, ndërsa plotësimi i më shumë se një hatmeje është virtyt. Të parët tanë të mirë i kanë falur teravitë përgjatë gjithë Ramazanit duke e lexuar të gjithë Kuranin, apo duke e falur namazin të prirë nga dikush që e lexon të gjithë Kuranin. Mirëpo, me kalimin e kohës është marrë parasysh edhe gjendja e xhematit, kanë parë më të arsyeshme që t’i falin ato në një mënyrë që të jetë sa më e përshtatshme për bashkësinë, në mënyrë që të mos i largojnë njerëzit prej xhamive.

Kur falet namazi i teravive, si të lexohen suret e shkurtra, si të ndiqet leximi i një hatmeje të plotë, ajetet duhet të lexohen me tërë kujdesin e nevojshëm dhe, gjatë namazit, të respektohen të gjitha virtytet e namazit. Sepse, nëse ai falit me një shpejtësi sikur të ishe garuar, asisoj që mes xhematit të ngatërrohet radha e rukusë me sexhden, kjo nuk është aspak e drejtë. Fatkeqësisht, kohët e fundit, në zhargonin popullor të besimtarëve është përhapur një shprehje që i cilëson imamët që e falin namazin kësisoj “xhet imam”; çka shfaq disa skena shumë të pakëndshme, të cilat e prekin thellë si seriozitetin e nevojshëm për kryerjen e këtij adhurimi, ashtu edhe shëndetin e tij. Besimtarët duhet të tregohen shumë të matur përsa i përket kësaj çështjeje; ajetet e lexuara gjatë namazit të teravive të lexohen me tërë kujdesin e nevojshëm dhe të ruhen me përpikëri virtytet e tij.

Pyetje: Çfarë na këshilloni që ne të kthehemi edhe njëherë në jetën e vërtetë falë Kuranit, tani që jemi në muajin e Tij?

Përgjigje: Edhe ata që e kanë kaluar të gjithë muajin larg Kuranit, gjatë klimës së shndritshme të Ramazanit rendin për të pirë tërë etje prej burimit të ëmbël të fjalës hyjnore. Sepse një tjetër zakon shumë i mirë që ka rinisur të kryhet gjerësisht gjatë këtij muaji të faljes dhe mëshirës hyjnore është edhe mukabeleja.

Që Kurani të ruhej që të ishte ashtu siç ishte zbritur prej Allahut, ajetet dhe suret të organizoheshin drejt dhe për t’i kontrolluar këto, Xhebraili (alejhis’selam) zbriste tek i Dërguari i Allahut çdo vit gjatë muajit të Ramazanit, ndërsa sipas një tjetër transmetimi çdo natë gjatë muajit të Ramazanit. I Dërguari I Allahut (alejhi ekmelut’tehaja) ia lexonte ajetet kuranore Xhibrilit (alejhis’selam) dhe pastaj dëgjonte leximin që i bënte Ky i fundit.

Dhe, ja, leximi kësisoj i Kuranit nga ana e Krenarisë së Gjithësisë dhe Xhibril Besnikut ndaj njëri-tjetrit është quajtur “mukabele”. Dhe, si në shenjë respekti ndaj këtij kujtimi madhështor, por edhe sepse ky është pikërisht muaji kur ka zbritur Kurani dhe leximi i Tij pikërisht gjatë këtyre ditënetëve do të shpërblehet shumëfish, besimtarët mblidhen nëpër xhami dhe në shtëpitë e tyre dhe i realizojnë hatmet e tyre duke kryer “mukabele” me miqtë e tyre, duke e kthyer këtë në një zakon shumë të bukur.

Të parët tanë të mirë e kanë parë leximin plotësisht të Kuranit të paktën një herë në muaj si kufirin më të ulët për të treguar mirënjohjen për zbritjen e Tij; ata që nuk e kanë lexuar atë të paktën njëherë në muaj nuk janë treguar mirënjohës karshi Tij dhe e kanë cilësuar këtë si braktisje të Librit të Allahut (xh.sh.). Nga kjo pikëpamje, ne duhet ta mësojmë veten me kryerjen e hatmes brenda një muaji, si tani me rastin e muajit të Ramazanit dhe le të jetë ky një fillim për të gjithë ne, që më e pakta të mund të jemi ndër besnikët e Fjalës Hyjnore.

Ç’është e vërteta, ata që nuk dine ta lexojnë duhet të jenë në çdo çast në kërkim të mësimit për ta kuptuar Atë dhe ata që e dinë duhet t’i përdorin të gjitha forcat dhe njohuritë e tyre për t’ua mësuar sa më mirë të tjerëve, për ta përhapur sa më shumë leximin dhe kuptimin drejt të Tij. Sepse Ai është dhurata më e bukur që mëshira e Allahut (xh.sh.) i ka falur mendjes dhe aftësive njohëse të njeriut. Sepse të mësuarit dhe të kuptuarit e Tij është edhe një detyrë, por edhe një virtyt i rrallë; ndërsa shpjegimi dhe mësimi i Tij të tjerëve, zemrave të hapura e nevojtare për dritën e Tij, është shprehje e respektit dhe mirënjohjes ndaj Zotëruesit të Fjalës Hyjnore.

Andaj, nëse nuk dime ta lexojmë Kuranin, le të marrim shkas prej Ramazanit të Bekuar dhe të kërkojmë menjëherë rrugët e të mësuarit; nëse dimë vetëm sa ta lexojmë, por nuk e kuptojmë, duhet t’i drejtohemi menjëherë një përkthimi që përmban shpjegimet më të mira të ajeteve të Tij, ose më e bukura, të studiojmë ndonjë libër të mirë tefsiri, ku ajetet kuranore jepen të interpretuara, duke e vlerësuar këtë muaj me të vërtetë si një muaj të Kuranit. Le t’i ndjekim besnikërisht të parët tanë të mirë në këtë aspekt dhe t’i drejtohemi Kuranit me gjithë zemër e shpirt, t’i hapim dyert e zemrës tërësej ndaj fjalës hyjnore dhe të derdhim një mund e përpjekje të denjë për shenjtërinë e Ramazanit, për ta kuptuar se ku fshihet kënaqësia e Allahut drejtpërsëdrejti nga Fjala e Tij.


 Bakara, 2/185.

Marre nga: https://fgulen.com/al 

 

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events