Home » Dituria (ilmi) » Trashegimtaret e rrugës së Pejgamberëve

Është një tregues i qartë i rëndësisë që i jep Kurani Fisnik dijes, teksa, kur engjëjve u tregoheshin aftësitë e Ademit të nderuar, theksohej se ai ishte i aftë për të përthithur dije. Sepse, Allahu i Madhërishëm, pasi ia mësoi të gjithë emrat Ademit të nderuar, ua pyeti engjëjve, e ata nuk i dinin; Kështu që Ademi i nderuar, që i dinte, ua mësoi edhe atyre. Së këndejmi kuptohet që kriteri që i përfton epërsi njerëzve ndaj engjëjve, është mësimi i emrave të Allahut (xh.sh.), duke nxjerrë në pah potencialin e tyre për të mësuar.

I Dërguari i Allahut, i Cili na e paraqet dijen si një trashëgimi profetike, ka thënë kështu: “Profetët nuk lënë as dërhemë e as dinarë si trashëgimi. Trashëgimia e vetme e tyre është dija. Ai që e zotëron këtë dije, ta dini se ka përfituar një fat shumë të mbarë.” Ndërsa në një tjetër vend thotë: “Unë u dërgova thjesht si një mësues.”, duke tërhequr vëmendjen kah rëndësia e përvetësimit të dijes, dhe të përçimit të saj te të tjerët.

Ja, pra, edhe mësuesit janë trashegimtaret, zejtarët dhe arkitektët e mendimit të një misioni kaq të lartë. Ma merr mendja se, një mësues që vuan dhe shqetësohet në ditët tona, duke gjetur shtigje nga më të ndryshmet, duke përdorur mundësitë e dhëna në fushën e matematikës, biologjisë, fizikës, kimisë, anatomisë, fiziologjisë dhe gjeologjisë, mund t’u falë dritë, si mendjeve, ashtu edhe shpirtrave të nxënësve të tij. Andaj mund të thuhet se, puna më e vyer për të formësuar njerëz duke u dhënë atyre trajtën e një statuje, është të qenët mësues. Zaten nga vetë ky fakt edhe Kurani, edhe Pejgamberi(a.s) i kanë dhënë aq shumë rëndësi njohjes, duke këmbëngulur gjerazi mbi këtë çështje. Kështu që, një individ që dëshiron të jetë i dobishëm për vendin e tij, kombin e tij, madje për krejt njerëzimin, duhet të shërbejë në këtë lëmë duke përballuar çdo lloj vështirësie dhe duke e përdorur si duhet një instrument të tillë.

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up