Home » Horizont » Shatërvani » Si mbrohen foshnjat? – Shatërvani

A e keni ditur se vendi i vetëm ku njerëzit nuk janë të ekspozuar ndaj mikrobeve, si bakteriet ose kërpurdhat, është mitra e nënës së tyre? Që nga momenti që qeniet njerëzore lindin në këtë botë, e gjejnë veten të ekspozuar ndaj miliona mikrobeve. Me çfarë sistemi të mbrojtjes janë të pajisur fëmijët, që pavarësisht cenueshmërisë dhe paaftësisë së tyre për t’u vetëmbrojtur, i lejon ata të mbijetojnë në këtë botë?

Përveç mbrojtjes së foshnjës nga rreziqet për jetën, ushqimi i një të porsalinduri duhet të jetë i përshtatshëm për zhvillimin e tyre, sistemin e tyre të tretjes dhe veshkat e ndjeshme, të cilat nuk janë në gjendje të pranojnë ushqime normale. Nëse do të varej nga prindërit të dizajnonin dhe krijonin ushqimin e nevojshëm për fëmijët, si do të vepronin ata? A do të ishin në gjendje të krijonin një formulë që do të siguronte vlerat e nevojshme ushqyese, do t’i mbronte nga bakteriet dhe viruset, dhe gjithashtu do të ishte e përshtatshme për sistemin digjestiv të tyre? Miliona dollarë janë harxhuar për ushqimin e të porsalindurve, por askush nuk ka arritur të krijojë diçka më të mirë se qumështi i nënës.

Dieta e një të porsalinduri duhet të përmbajë elementet e përmendura në vijim në përpjesëtime të caktuara: ujë, proteina, amino acide, karbohidrate, yndyrna, acide yndyrore, minerale dhe vitamina (A, B me nëngrupet e saj, C, D, E dhe K ).

Uji është një domosdoshmëri e madhe për trupin e njeriut, pasiqë ky i fundit është i përbërë në masë të madhe prej tij. Në javën e 10-të të shtatëzanisë, 94% e embrionit është lëng, ndërsa 79% e një të porsalinduri është lëng. Kur fëmija hyn në muajin e tretë të jetës, sasia e përgjithshme e ujit në trupin e tij është 70%, ndërsa kur mbush vitin e parë kjo sasi reduktohet në 60%. Sasia e përgjithshme e ujit në trupin e një njeriu të rritur është përafërsisht 55% e peshës së përgjithshme trupore, dhe përderisa sasia e ujit që kalon nëpër trupin e njeriut është përafërsisht 6% e peshës trupore, kjo sasi është 4 herë më e madhe (25%) tek të porsalindurit. Dehidratimi mund të ndodh shumë shpejt tek foshnjet. Kjo është arsyeja që ushqimi i të porsalindurit duhet të jetë shumë i pasur me ujë. Jo quditërisht, qumështi i gjirit, që rrjedh nga fontana e dhembshurisë së të Madhërishmit, është 90% ujë. Qumështi i gjirit gjithashtu përmban proteina të ngurta (kazeina) dhe të tretshme (të njohura si proteina e hirrës), të cilat janë esenciale për rritjen dhe rigjenerimin e trupit.

Kazeina në qumështin e gjirit formon trombe më të buta dhe është më e lehtë të absorbohet krahasuar me kazeinën në qumështin e lopës. Për më tepër, proteina e hirrës në qumështin e gjirit luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e fëmijëve nga infeksionet, pasiqë ka veçori anti-infektive. Qumështi i lopës, për shembull, nuk i përmban proteinat anti-infektive që janë esenciale për të vegjëlit e njerëzve. Pasiqë sistemi i tyre imunitar nuk është zhvilluar akoma plotësisht, të porsalindurit nuk janë në gjendje t’i luftojnë infeksionet, dhe mbrojtja e tyre sigurohet nga qumështi i gjirit, i cili nuk konsiderohet vetëm ushqim, por gjithashtu si lëng i gjallë që i mbron të porsalindurit nga infeksionet. Nuk ekziston ndonjë formulë ose ushqim që mund ta zëvendësojë qumështin e gjirit, pasiqë përmban makrofage të gjalla dhe limfocite. (WHO-1993, UNICEF, 1993 – Nutrition–H-1OF)

Në suren Kasas në Kur’an tregohet për mizorinë e paimagjinueshme të Faraonit, dhe se si ai u dënua nga Zoti si paralajmërim për të tjerët. Një parashikues fati i kishte thënë Faraonit që një fëmijë, pasardhës i bijve të Ismailit, do të vinte në jetë dhe do të shënonte fundin e sundimit të tij. I frikësuar nga ky parashikim, Faraoni urdhëroi që të gjithë të porsalindurit të vriteshin. Gjatë kësaj kohe, nëna e Musait (a.s) ishte shtatëzënë me të. Kur ajo e lindi Musain (a.s.), brenga e saj e vetme ishte si ta mbronte atë nga ushtarët e Faraonit. Në atë moment ajo u udhëzua nga një frymëzim hyjnor:

“Jepi gji atij dhe kur të trembesh pë sigurinë e tij, hudhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshprim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” (Kasas 28:7)

“Jepi gji atij” me fjalë të tjera, “jepi të pijë qumësht gjiri”, ishin fjalët e Zotit për një nënë, brenga e vetme e së cilës ishte të shpëtonte jetën e fëmijës së saj. Nëse do t’i lexonim me vëmendje ajetet para dhe pas ajetit të lartëpërmendur, do të bëhej edhe më e qartë se ideja kryesore e tij është mbrojtja e fëmijës. Përse është përmendur në një ajet të tillë gjidhënia? Përgjigja është sepse ushtarët e Faraonit nuk ishin kërcënimi i vetëm për foshnjen. Pas kërkimeve mjekësore disa vjeçare, tani jemi të vetëdijshëm se sistemi imunitar i një të porsalinduri nuk është ende i zhvilluar plotësisht, dhe prandaj, ata duhet të mbrohen nga bakteriet dhe viruset, të cilët në historinë e Musait (a.s.) ishin një kërcënim më i madh për fëmijën se sa Faraoni.

Ishte e sigurt që fëmija do të ekspozohej ndaj bakterieve dhe viruseve para se ushtarët e Faraonit ta gjenin. Duke qenë nën një presion aq të madh, një nënë mund të mos jetë në gjendje ta pastrojë dhe ushqejë fëmijën e saj, gjë që do ta rriste rrezikun e infeksionit për fëmijën. Mu për këtë arsye, Allahu e udhëzoi nënën e Musait (a.s.) që fillimisht ta ushqejë fëmijën. Është Allahu, ai i cili e krijon dhe e siguron qumështin e gjirit përmes trupit të nënës, dhe Ai sigurisht e di se jo vetëm që është një burim i pasur me vlera ushqyese, por që gjithashtu ndihmon në mbrojtjen e fëmijës kundër infeksioneve. Sigurisht që Allahu mundet të ofrojë një mbrojtje më direkte, pa pasur nevojë për qumësht gjiri, por në këtë mënyrë, pasiqë jetojmë në një botë me efektin shkak-pasojë, është kjo që na bën të rikujtojmë balancën perfekte të këtij universi.

Një nënë gjidhënëse duhet të jetë e lirë nga ankthi dhe stresi, pasiqë këto do të ndikonin negativisht në prodhimin e qumështit. (WHO-1993, UNICEF, 1993 – Nutrition–H-1OF) Kur’ani pasi e këshillon gjidhënien, vazhdon duke e qetësuar të ëmën “…dhe kur të trembesh pë sigurinë e tij, hudhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshprim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” Nënat gjidhënëse kanë nivele të larta të prolaktinës në trupin e tyre. Përveç që e stimulon prodhimin e qumështit, ky hormon gjithashtu funksionon si anti-depresant për nënën. Duke u mbështetur në këtë është shumë e rëndësishme që nënat e reja të praktikojnë gjidhënien. Është e jashtëzakonshme që një ajet që është rreth 1400 vjet i vjetër të jetë në koordinim perfekt me rezultatet e kërkimit 30 vjeçar për qumështin e gjirit.

Laktoza – një përbërës tjetër në qumështin e gjirit – është një lloj i karbohidrateve që është i përshtatshëm për sistemin digjestiv (tretës) të fëmijëve. Tretja e saj e ngadalshme e balancon nivelin e sheqerit në trupin e fëmijës. Laktoza gjithashtu e ngrit absorbimin e kalciumit. Së bashku me disa molekula yndyrore, galaktoza – një lloj i molekulave që gjindet në laktozë – formon komponentët që janë esenciale për zhvillimin e trurit tek të porsalindurit. Gjithashtu luan rol në rritjen e një bakterie të quajtur “lactobacillius bifidus” e cila gjendet në zorrët e të porsalindurit. Këto janë bakterie të padëmshme të florës intestinale, që eventualisht i mbrojnë ata nga diarrea. Tek fëmijët që lindin parakohe, më shumë se 90% e laktozës së qumështit të gjirit kalon në gjak përmes mukozës së zorrëve pas ushqimit me qumësht. Ky kujdes preventiv nuk mund të sigurohet as nga nëna e as nuk inicohet prej dëshirës apo aftësisë së fëmijës. Përpos të gjitha këtyre të mirave që ka për fëmijët, një aspekt tjetër pozitiv i laktozës është që sasia që gjendet në qumështin e gjirit nuk ndikohet nga dieta e nënës.

Ekzistojnë më shumë se 100 lloje të sheqernave, të njohura si Oligosakaride, që gjenden në qumështin e gjirit. Oligosakaridet dhe elementet tjera anti-infektive në zorrë i parandalojnë mikroorganizmat e dëmshëm të qëndrojnë në zorrë duke u kapur për ta.

Foshnjet e marrin shumicën e energjisë që i nevojitet nga yndyrnat që ndodhen në qumështin e gjirit, e të cilat absorbohen lehtë nga zorrët. Përqindja e yndyrës në qumësht rritet në përfundim të procesit të ushqyerjes; kjo i jep fëmijës një ndjenjë të plotësisë dhe e parandalon mbiushqyerjen. Në këtë mënyrë, fëmijët mbrohen gjithashtu nga obeziteti dhe rreziqe tjera të ndërlidhura që mund të ndodhin në të ardhmen, duke përfshirë sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, hipertensionin, diabetin, etj.

Dieta ushqimore e nënës nuk e ndikon sasinë ose kualitetin e mineraleve qe gjenden në qumështin e gjirit. Ky i fundit siguron aq minerale sa i duhen fëmijës, duke i shfrytëzuar rezervat minerale të së ëmës. Gjithashtu i përmban të gjitha vitaminat e nevojshme për muajin e parë të jetës së fëmijës, poashtu edhe faktorët e rritjes, enzimet, dhe dhjetë hormone të tjera, benefitet e të cilave ende nuk dihen.

Qumështi i gjirit tek nënat që lindin para kohe dallon prej atij tek nënat që kanë lindje normale; kjo ndihmon për t’i plotësuar nevojat unike të fëmijës së lindur parakohe. Në javët e para pas lindjes së parakohshme të një fëmije, sasia e proteinave në qumështin e nënës është më e madhe në krahasim me atë të një nëne që e kryen lindjen në kohën e parashikuar. Gjatë një dite, një fëmijë i lindur parakohe ka nevojë për 2 gram proteina për një kilogram të peshës së përgjithshme trupore, që është dyfishi i sasisë së nevojshme për një fëmijë të lindur në kohën e parashikuar.

Gjithashtu cilësia e proteinave (proporcioni kazeinë/ hirrë) të qumështit të gjirit për një nënë që ka lindur një fëmijë nënpeshë është e rregulluar, përkatësisht: 30% kazeinë dhe 70% proteinë e hirrës. Yndyrnat në qumësht e sigurojnë 50% të totalit të kalorive, që është kombinimi ideal për fëmijët nën peshën normale. Tretja dhe absorbimi i këtyre yndyrërave, llojet e acideve të ngopura, dhe shpërndarja e këtyre acideve përmes molekulave të triglicerideve është perfekte.

Dihet se fëmijët e lindur parakohe dhe që ushqehen me qumësht kanë aftësi më të mira shikimi, dhe që vargu i gjatë i acideve yndyrore, karotineve, taurinës dhe vitaminës E – që të gjitha të përfshira në qumështin e gjirit në përpjesëtim perfekt – luajnë një rol të rëndësishëm në aftësinë e të pamurit.

Dy vitet e para të jetës dhe gjidhënia

Një litër e vetme qumësht gjiri siguron ⅔ e të gjitha proteinave dhe vitaminave A dhe C që i nevojiten një të porsalinduri deri në vitin e dytë. Nëse një fëmijë i konsumon 1.5 litra qumësht gjiri gjatë ditës, ai do të ketë siguruar shumicën e ushqimit që i nevojitet. Kjo është edhe arsyeja pse gjidhënia është mirë të vazhdojë deri në fund të vitit të dytë, nëse është e mundur.

Vlera e vërtetë e qumështit të gjirit është zbuluar vetëm së fundi. Në vitin 1960, një fushatë masive reklamimi për formulën e ushqimit të fëmijëve ishte në gjendje të “zbulonte” pothuajse çdo ditë një element tjetër që ekzistonte në formulë, por mungonte në qumështin e gjirit. Kjo u shpërnda përmes televizionit, sidomos në Shtetet e Bashkuara. Si rezultat i këtyre zbulimeve  shkencore, nënat hoqën dorë nga gjidhënia dhe lindi një gjeneratë e formulës së re ushqimore, e gjithë kjo në emër të “shkencës”.

Më 1980, gjidhënia rekomandohej vetëm për katër muajt e parë të jetës. Supozohej se pas katër muajve, qumështi i gjirit nuk ka më ndonjë vlerë ushqyese dhe konsiderohet vetëm si ujë për fëmijën. Në vitin 1986, ai rekomandohej për gjashtë muajt e parë. Dhe përfundimisht, duke filluar nga 1993, qumështi i gjirit u rekomandua për dy vitet e para, pasi u zbulua se edhe gjatë vitit të dytë, ai ende siguron shumicën e ushqimit të nevojshëm për të porsalindurit.

Një ajet i Kur’anit thotë:

Nënat t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet, për ata që duan t’ia plotësojnë dhënien e gjirit. Babai i fëmijës ka për detyrë sipas mundësisë së tij, që t’i sigurojë si duhet ushqim dhe veshmbathje. Nuk ngarohet askush përtej mundësisë që ka: nëna le të mos dëmtohet për shkak të fëmijës së saj e as babai të mos dëmtohet për shkak të tij. Edhe trashigimtari ka të njejtat detyrime për të gjitha këto. Por, nëse pas këshillimit, ata vendosin me pëlqim të ndërsjellë që ta ndajnë fëmijën nga gjiri, kjo nuk është gjynah për ata. Po ashtu, nuk është gjynah për ju nëse doni t’i gjeni fëmijës suaj ndonjë mëndeshë, me kusht që t’ia jepni atë që e keni menduar, sipas rregullave. Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu i sheh mirë te gjitha punët që bëni ju.” (Bekare/ 233)

Gjatë 10 viteve të fundit kërkimet mjekësore kanë zbuluar se gjidhënia duhet të vazhdojë për dy vite, por Kur’ani na ka këshilluar për këtë gjatë 14 shekujve. Nëse njeriu është i arsyeshëm, ai duhet ta pranojë se askush tjetër përpos Allahut do të mund ta kishte ditur këtë fakt para kaq shumë vitesh. Dhe kush tjetër do të kishte qenë në gjendje të na tregonte një informacion të tillë, informacion i cili do të kishte qenë e pamundur të zbulohej me kërkimet shkencore dhe mjekësore të limituara të shekullit të 7-të?     

Përktheu dhe përshtati: V. Kastrati

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events