Home » Trajtesa » Ramazani » Llojet e Agjerimit

Agjërimi mund të jetë farz, vaxhip apo sunet, sipas situatave. Gjithashtu ka edhe situata dhe ditë që është e ndaluar të agjërohet.

Agjërimet Farz

Agjërimi i ramazanit

Në Islam, njëri prej adhurimeve që duhet të kryejnë personat përgjegjës, është edhe agjërimi. Përgjegjësia fetare në Islam formohet kur personi ka zhvillim mendor normal dhe ka arritur moshën e pubertetit. Një mysliman që i plotëson këto kushte, e ka për detyrim (farz) që një herë në vit gjatë muajit të ramazanit të agjërojë sipas kushteve të përcaktuara nga Kurani, hadithi dhe mendimi i njëzëshëm i autoriteteve (ixhma).

 Agjërimi kaza

Llojet e agjerimit kaza ndahen në agjërim farz dhe vaxhip: Agjërimi kaza pas ramazanit i agjërimeve të pambajtura ose të prishura të ramazanit për shkaqe të justifikueshme fetarisht. Kështu, po qe se dikush nuk mban agjërim ose e prish agjërimin sepse është në udhëtim ose i sëmurë, gjithashtu, po qe se një femër nuk mban agjërim ose e prish agjërimin për shkak se është me të përmuajshme ose lehonë, të gjithë këta i zëvendësojnë pas ramazanit, në një kohë të përshtatshme, një për një ditët e paagjëruara gjatë ramazanit për shkaqet e përligjura fetarisht si më sipër. Këtë, Kurani e shpreh kështu: “Kush nga ju është në udhëtim ose i sëmurë, aq ditë sa nuk ka mundur t’i agjërojë, t’i agjërojë në ditë të tjera!”

Një personi të cilit i mbeten ditë të paagjëruara nga Ramazani dhe ndërkohë vjen muaji tjetër i Ramazanit ende pa agjëruar ditët e mbetura, në fillim mban agjërimin e Ramazanit që ka hyrë, pas tij ditën e prapambetura nga Ramazani i kaluar.

Agjërimi kaza i agjërimit nafile të prishur shndërrohet në vaxhip. Po qe se një adhurim si namazi ose agjërimi, i filluar si nafile, lihet në mes pa u plotësuar për ndonjë shkak çfarëdo, është vaxhip të zëvendësohet më pas. Lidhur me këtë, Hz. Aishja na përcjell këtë hadith: “Unë dhe Hafsaja ishim të agjëruara. Por neve na sollën një gjellë që na pëlqeu dhe e hëngrëm. Më pas, kur erdhi i Dërguari i Allahut, Hafsaja i foli menjëherë para meje: “O i Dërguari i Allahut! Ne ishim të agjëruara. Por neve na sollën një gjellë që na pëlqeu dhe e hëngrëm!” Dhe i Dërguari i Allahut na tha: “Në vend të kësaj dite, agjëroni një ditë tjetër si kaza!”

 Agjërimi i kundërshpërblimit (kefaret)

Është agjërimi i mbajtur si kundërshpërblim për prishjen e agjërimit të ramazanit pa ndonjë shkak të justifikueshëm, në mënyrë të vetëdijshme e të ndërgjegjshme. Kohëzgjatja e agjërimit për kundërshpërblim është dy muaj radhazi. Argument për këtë është hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejre:

“Një njeri erdhi te i Dërguari i Allahut dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë u shkatërrova!” Profeti paqja qoftë mbi të e pyeti: “Ç’është ajo gjë që të shkatërroi ty?” Njeriu iu përgjigj: “Hyra në marrëdhënie me gruan në ramazan!” Atëherë, Profeti paqja qoftë mbi të tha kështu: “A mund të gjesh mall sa për të çliruar një skllav?” Njeriu iu përgjigj: “Jo!” Profeti paqja qoftë mbi të e pyeti: “A mund të mbash agjërim dy muaj radhazi?” Njeriu iu përgjigj: “Jo!” Profeti paqja qoftë mbi të e pyeti: “A mund të gjesh mundësi për të ushqyer gjashtëdhjetë të varfër?” Njeriu iu përgjigj: “Jo!” Pastaj njeriu u ul. Në këtë mes, Profetit i prunë hurma në një trastë. Duke ia zgjatur trastën njeriut, Profeti paqja qoftë mbi të i tha: “Merri këto hurma dhe shpërndajua të varfërve si sadaka (lëmoshë). Njeriu i tha: “A ka më të varfër se ne? Në tërë gurishten e zezë mes lindjes dhe perëndimit të Medines nuk ka familje më nevojtare se ne!” Atëherë, Profeti paqja qoftë mbi të qeshi sa iu dukën dhëmbët dhe i tha: “Shko dhe jepja familjes t’i hanë!”

 Agjërimi i kushtimit (nedhr)

Kushtimi (nedhr-dedikim, premtim) është marrja përsipër, vënia si detyrë vetes e një veprimi të lejueshëm me qëllim madhërimin e Allahut. Kushtimi i disa veprimeve që mund të konsiderohen si adhurime, vetëm për të fituar pëlqimin e Allahut, është i pranueshëm dhe shkak për fitimin e sevapeve. Kushtimi mund të bëhet në këtë formë: “Nesër do të agjëroj (ose do t’u shpërndaj kaq e aq ndihma të varfërve) duke ia kushtuar pëlqimit të Allahut!” Personi që bën një kushtim të tillë, e ka për vaxhib ta plotësojë kushtimin, sepse Zoti thotë: “… t’i plotësojnë kushtimet (premtimet)!” Edhe i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush të premtojë se do t’i bindet Allahut, t’i bindet, kush premton ta kundërshtojë Allahun, të mos bëhet rebel, i ulët!”

 Agjërimet Nafile

Termi nafile që përdoret edhe në trajtën tatavvu, përmbledh adhurimet e veçanta që s’janë farz, të cilat kryhen me qëllim për t’iu afruar Allahut. Në një hadith kudsí, Profeti ynë paqja qoftë mbi të e ka shprehur me këto fjalë rëndësinë e adhurimit nafile (suplementar): “Robi nuk mund të më afrohet mua me ndonjë veprim më të dashur se sa veprimet që ia kam bërë farz. Por robi vazhdon të më afrohet mua me anë të adhurimeve nafile. Më në fund, unë atë e dua dhe, pasi ta dua, bëhem veshi i tij që i dëgjon, syri i tij që i sheh, dora e tij që i kap, këmba e tij që i ecën!”

Gjithashtu, për vlerën e agjërimit të mbajtur nafile, i Dërguari i Allahut thotë kështu: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu i Lartë ia largon shtatëdhjetë vjet fytyrën nga xhehenemi!”

Agjërimet Sunet

Agjërimi i Daudit

Profeti paqja qoftë mbi të ka bërë të ditur se agjërimi nafile (suplementar) më me vlerë i mbajtur përveç agjërimit farz, është “agjërimi i Daudit”. Abdullah b. Amr rrëfen:

“Të Dërguarin e Allahut paqja qoftë mbi të e kishin lajmëruar se unë kisha thënë se sa të isha gjallë, natën do të falja namaz dhe ditën do të agjëroja. I Dërguari i Allahut më thirri e më pyeti: “Ti ke thënë kështu?” “Po, – iu përgjigja unë, – kam thënë!” Atëherë, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të më tha: “Por ti s’ke mundësi për këtë! Ti disa herë agjëro, e disa herë mos agjëro, herë fli e herë fal namaz! Por agjëro nga tri ditë për çdo muaj, sepse për një veprim të dobishëm e të bekuar jepet dhjetëfish shpërblim. Tri ditë agjërim në muaj janë si të kishe agjëruar gjithë vitin!” Unë i thashë: “Unë mund të bëj më shumë se kaq!” Por i Dërguari i Allahut më tha: “Më mirë se kjo s’mund të ketë!”

Kurse sipas një hadithi tjetër, Profeti ka thënë: “Agjërimi më i çmuar është agjërimi i mbajtur nga profeti Daud. Daudi një ditë agjëronte, një ditë jo!”

 Agjërimi i ditëve e hënë-e enjte

Profeti paqja qoftë mbi të në disa kohë i kushtohej më shumë adhurimit, sillej më me ndjeshmëri ndaj adhurimit se zakonisht. Lidhur me këtë çështje, Hz. Aishja thotë: “I Dërguari i Allahut tregonte kujdes të veçantë për të agjëruar ditët e hënë dhe të enjte.” Ndërkaq, shkaku i përkushtimit të veçantë të Profetit për të agjëruar këto ditë është te fakti që këto ditë, aktet e njerëzve i paraqiten Allahut. Usame b. Zejd (r.a.) rrëfen kështu: “Kur e pashë të Dërguarin e Allahut të agjëronte ditët e hënë e të enjte, e pyeta për shkakun. Ai m’u përgjigj kështu: “Veprat i paraqiten Zotit të hënën dhe të enjten dhe unë do të desha që kur t’i paraqiten Zotit veprat e mia, të jem i agjëruar!”

Edhe sipas një rivajeti tjetër, Profetin e kanë pyetur për agjërimin e mbajtur ditën e hënë dhe ai është përgjigjur kështu: “Unë atë ditë erdha në botë dhe mua atë ditë m’u dha profetësia (filloi të më zbritej vahji)!”

 Agjërimi tri ditë për çdo muaj

Agjërimi i tri ditëve për çdo muaj është nga zakonet e bukura të Profetit. Eshtë më me vlerë që këto tri ditë agjërim të jenë ditët pasuese të netëve 13, 14, 15 të muajit të kalendarit hixhri (hënor). Këto quhen “ejjami bid“, “ditët e ndriçuara” sepse, veç ditëve, edhe netët janë të ndriçuara nga hëna e plotë. Sevapi i agjërimit të këtyre tri ditëve, po të shumëfishohet duke u shumëzuar me dhjetë, del i barabartë me agjërimin e gjithë vitit. Ebu Hurejre rrëfen: “Miku im, i Dërguari i Allahut, më këshilloi tri gjëra: e para, të agjëroj tri ditë për çdo muaj; e dyta, të fal dy rekate namaz të duhasë; e treta, ta fal namazin e vitrit para se të bie për të fjetur!” Kurse sipas rrëfimit të Ebu Dherit (r.a.), i Dërguari i Allahut i ka thënë kështu: “O Eba Dher! Kur të agjërosh tri ditë në muaj, agjëro ditët e 13, 14 dhe 15.”

 Agjërimi në ditën e arefesë dhe në muajin dhilhixhe

Ata që s’janë duke kryer detyrën e vizitës së Qabes ose haxhillëkut, mund të agjërojnë ditën e arefesë, domethënë një ditë para bajramit të kurbanit. Kjo është dita e nëntë e muajit dhilhixhe. Profeti ka bërë të ditur se agjërimi i mbajtur këtë ditë bëhet kundërshpërblim (kefaret) për mëkatet e një viti të shkuar dhe e një viti të ardhshëm. Dhe lidhur me vlerën dhe virtytin e kësaj dite, Profeti ka thënë: “Nuk ka ditë tjetër veç ditës së arefesë kur Allahu të ketë çliruar më shumë njerëz nga zjarri i xhehenemit!”

Ndërkaq, Profeti ka ndaluar që personat që janë duke bërë haxh, të agjërojnë ditën e arefesë, sepse njeriu që agjëron këtë ditë e ka të vështirë, ndoshta të pamundur t’i kryejë plotësisht dhe siç duhet ritet dhe adhurimet e haxhit. Prandaj, duke agjëruar, ai e hedh në plan të dytë detyrën kryesore për të cilën ka shkuar në haxh, gjë që s’është e drejtë.

 Gjashtë ditë agjërim në muajin sheval

Shevali është muaji që vjen pas ramazanit. Agjërimi gjashtë ditë në këtë muaj është sunet, sepse në një hadith të tijin Profeti paqja qoftë mbi të ka thënë: “Kush mban agjërimin e ramazanit dhe këtij i shton, pastaj edhe gjashtë ditë agjërim në muajin sheval, është sikur ta kishte kaluar gjithë vitin me agjërim!”

 Agjërimi në ditën e Ashures

Ibni Abasi na jep këtë njohuri mbi agjërimin e ditës së Ashures: “Kur i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të bëri hixhret në Medine, pa se hebrenjtë mbanin agjërim ditën e Ashures dhe pyeti: “Ç’është ky agjërim?” I dhanë këtë përgjigje: “Kjo është një ditë e mirë. Në këtë ditë Allahu i Lartë i shpëtoi Musanë dhe bijtë e Izraelit nga armiqtë, prandaj Musai ka agjëruar këtë ditë.” Profeti paqja qoftë mbi të u tha hebrenjve: “Unë jam më i afërt se ju me Musanë!” Dhe urdhëroi që ditën e Ashures të mbahej agjërim.” Kjo vazhdoi gjersa u bë farz agjërimi i ramazanit. Më pas, Profeti paqja qoftë mbi të i la të lirë njerëzit në agjërimin e Ashures, gjë që e tregon ky hadith: “Kjo është dita e Ashures. Agjërimi i kësaj dite nuk është detyrim për ju. Kush dëshiron të agjërojë, të agjërojë, kush nuk dëshiron të agjërojë, le të mos agjërojë!”

 Agjërimi në muajin e shabanit

Njëri prej agjërimeve të mbajtura nga Profeti është ai i muajit shaban. Ai i kushtohej më shumë agjërimit gjatë këtij muaji, madje e bashkonte me ramazanin. Në një hadith të rrëfyer nga Ummu Seleme thuhet: “Nuk ka ndodhur që i Dërguari i Allahut të agjërojë brenda vitit një muaj tjetër të plotë veç shabanit. Ai e bashkonte shabanin me ramazanin.” Në lidhje me këtë, edhe Hz. Aishja (r. a) na përcjell këtë hadith: “I Dërguari i Allahut në asnjë muaj nuk agjëronte më shumë se në muajin e shabanit. Ai e kalonte gjithë muajin e shabanit me agjërim.”

Agjërimet e Ndaluara

Agjërimi i njëpasnjëshëm

Ky agjërim që quhet edhe “visal”, “bashkim”, është agjërimi i mbajtur dy a më shumë ditë radhazi pa prishur (pa ngrënë iftar). Profeti ynë paqja qoftë mbi të që qe shembull i mëshirës dhe dhembshurisë, ua ka tërhequr vëmendjen atyre që agjërojnë në këtë formë dhe i ka këshilluar të mos veprojnë ashtu. Duke u shprehur për këtë çështje, Hz. Aisheja ka thënë: “Nga dhembshuria për myslimanët, i Dërguari i Allahut e ka ndaluar agjërimin e njëpasnjëshëm!”

 Agjërimi i përditshëm

Islami është feja që mund ta jetojë lehtë çdokush. Në Islam nuk ka asnjë detyrim apo urdhër që njerëzit të mos mund ta plotësojnë. Çdo gjë në Islam është e ekuilibruar, në Islam nuk ka teprim (ekstremizëm) në këtë apo atë skaj. Agjërimi i përditshëm nga një njeri mund të japë përfundime negative tek ai. Ngaqë do ta dobësojë fizikisht, personi mund t’i lërë mangët detyrat e tjera trupore, mund të mos ta ndjekë plotësisht shoqërinë, ndoshta mund të mbetet i detyruar të jetojë si individ i vetmuar. Ose, duke mbajtur çdo ditë agjërim, me kalimin e kohës, agjërimi i kthehet në shprehi, për rrjedhojë, personi humb shumë dobi që mund të fitohen me anë të agjërimit. Është për këto arsye që i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të nuk ka kërkuar që njerëzit të mbajnë agjërim të përditshëm dhe ka bërë të ditur se ata që veprojnë kështu, nuk do të quhen se kanë agjëruar.

 Agjërimi i ditës shekk (të dyshimtë)

Shekk (e dyshimtë) quhet dita e tridhjetë e muajit shaban, pas të cilit vjen ramazani. I Dërguari i Allahut e ka ndaluar agjërimin në ditën e tridhjetë të shabanit. Për këtë mund të jenë ndjekur këto urtësi: myslimanët të hyjnë në muajin e ramazanit plot gjallëri, ta hulumtojnë mirë fillimin e muajit të ramazanit dhe të veprojnë saktë, agjërimi i ditës së tridhjetë të shabanit të mos kthehet në zakon duke ndërruar fillimin e ramazanit, etj. Lidhur me këtë çështje, shohim këto hadithe. Ammar b. Jasir rrëfen kështu:

“Kush mban agjërim në ditën shekk, del kundër Ebul Kasëmit (Profetit)!” Sipas një rrëfimi tjetër, Profeti ka thënë: “Askush prej jush të mos agjërojë një apo dy ditë para ramazanit. Vetëm nëse ka ndonjë agjërim që e ka mbajtur qysh më parë, le ta mbajë!” Nga hadithi i dytë kuptohet se dikush ka një agjërim që e ka mbajtur prej kohësh dhe ky agjërim bie në ditën shekk, nuk ka ndonjë të keqe nëse e mban.

 Agjërimi në ditët e bajrameve dhe të teshrikut

Një tjetër agjërim i ndaluar është ai në ditën e parë të bajramit të kurbanit si dhe tri ditët e tjera pas ditës së parë të këtij bajrami. Ditët e bajramit janë ditë gostie, ditë përjetimi të gëzimit të bajramit bashkë me myslimanët e tjerë, ulje në sofër bashkë me ta. Në ditë të tilla, myslimani nuk duhet të agjërojë, por të ndajë të njëjtat gëzime me myslimanët e tjerë. Prandaj i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të e ka ndaluar agjërimin në këto ditë dhe ka bërë të ditur se ditët e bajramit janë pothuaj si sofra gostie të shtruara nga Allahu për njerëzit. Në një hadith të rrëfyer nga Ukbe b. Amri, Profeti paqja qoftë mbi të ka thënë: “Dita e arifesë, dita e bajramit të kurbanit dhe ditët e teshrikut janë festat tona të myslimanëve. Këto janë ditë gostie dhe përmendjeje të Allahut!” Gjithashtu, mbi këtë çështje ka një rrëfim nga Ebu Said el-Hudriu: “I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të ndaloi agjërimin në këto dy ditë: në ditën e bajramit të ramazanit e të kurbanit!”

 Agjërimi vetëm ditën e premte

Dita e premte ose, më saktë, e xhuma, është ditë feste e myslimanëve. Profeti paqja qoftë mbi të e ka ndaluar caktimin dhe mbajtjen e agjërimit për këtë ditë. Në një hadith të tijin, Profeti ka thënë: “Mos e caktoni vetëm natën e xhuma për adhurim dhe mos e caktoni vetëm ditën e xhuma për agjërim. Por po qe se dikush nga ju mban një agjërim që e ka bërë zakon, kjo përjashtohet!”

 Agjërimi i femrave me të përmuajshme dhe lehona

Femrat janë përjashtuar (çliruar) nga disa adhurime gjatë periudhës me të përmuajshme ose lehoni. Në këto kushte, femrat nuk do të agjërojnë dhe nuk do të falin namaz. Vetëm se nëse kjo periudhë takon në muajin e ramazanit, ditët e paagjëruara femrat do t’i zëvendësojnë në kohë tjetër të përshtatshme. Në një rivajet, Muadh (r.a.) thotë kështu: “E pyeta Hz. Aishen se pse femra me të përmuajshme e bën kaza (e zëvendëson) vetëm agjërimin dhe jo namazin. Ajo m’u përgjigj kështu: “Kur ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut, kur unë isha me të përmuajshme, më thoshte të bëja kaza vetëm agjërimet, kurse për namazet nuk më pati thënë gjë!”


Bakara, 2/184.

Ebu Davud, Sijam, 73; Tirmidhi, Savm, 36; Ahmed b. Hanbel, 6/263.

Buhari, Savm, 30; Muslim, Sijam, 81; Tirmidhi, Savm, 28.

Haxh, 22/29.

Nesai, Iman, 41.

Buhari, Rikak, 38; Musned, 4/256.

Buhari, Xhihad, 36; Muslim, Sijam, 167; Ibni Maxhe, Sijam, 34; Nesai, Sijam, 44.

Buhari, Enbija, 37; Muslim, Sijam, 181; Ebu Davud, Savm, 53; Nesai, Sijam, 86.

Buhari, Savm, 56; Muslim, Sijam, 189; Ebu Davud, Sijam, 76.

Tirmidhi, Savm, 44; Nesai, Sijam, 36; Ibni Maxhe, Sijam, 42; Ahmed b. Hanbel, 6/80.

Tirmidhi, Savm, 44; Nesai, Sijam, 70.

Muslim, Sijam, 197.

En’am, 6/160.

Buhari, Savm, 60; Nesai, Sijam, 81.

Nesai, Sijam, 84; Ahmed b. Hanbel, 5/152.

Muslim, Sijam, 196.

Muslim, Haxh, 436.

Muslim, Sijam, 204; Tirmidhi, Savm, 52; Ibni Maxhe, Sijam, 33.

Buhari, Savm, 69; Muslim, Sijam, 127; Ebu Davud, Savm, 63.

Buhari, Savm, 69; Muslim, Sijam, 116; Muvatta, Sijam, 34.

Ebu Davud, Savm, 57.

Buhari, Savm, 52; Muslim, Sijam, 176; Ebu Davud, Savm, 59.

Buhari, Savm, 20; Muslim, Sijam, 60; Ebu Davud, Savm, 24; Tirmidhi, Savm, 62.

Buhari, Savm, 57; Muslim, Sijam, 186; Nesai, Sijam, 71; Ibni Maxhe, Sijam, 28.

Buhari, Savm, 11; Tirmidhi, Savm, 3; Nesai, Sijam, 37.

Buhari, Savm, 14; Muslim, Sijam, 21; Tirmidhi, Savm, 2; Nesai, Sijam, 31.

Buhari, Idejn, 25; Ebu Davud, Savm, 49; Tirmidhi, Savm, 58.

Buhari, Edahi, 16; Muslim, Sijam, 141; Ebu Davud, Savm, 48; Ibni Maxhe, Sijam, 36.

Muslim, Sijam, 148; Ebu Davud, Savm, 50; Tirmidhi, Savm, 41.

Ebu Davud, Taharet, 104; Nesai, Hajz, 17; Ahmed b. Hanbel, 6/32.

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 52 other subscribers

Data e Rradhës

No upcoming events