Nata e pesëmbëdhjetë (nata që lidh ditën e 14 me ditën e 15) të muajit Shaban sipas kalendarit hënor, është Nata e Mirë e Beraetit. “Beraet” do të thotë pafajësi, shpëtim prej një situate të keqe, marrje e pafajësisë.
Ata që e shohin këtë natë si një rast i mirë për të kërkuar falje nga Allahu xh.xh. dhe duke e përdorur këtë rast lutet me lot në sy, me shpresë që të jetë i falur nga i madhi Zot, janë njerëzit më fatlumë! Kurse ata njerëz që nuk mund të përfitojnë nga kjo natë, të cilën mëshira e Zotit e ka kapluar në të katër anët, janë njerëzit më të pafat!
Fjala “Berat” në gjuhën arabe do të thotë: të shpëtosh, të falësh e të lirohesh prej gjynaheve, fajeve dhe dënimeve. Kësaj nate i është referuar si nata e bekuar e Beratit, duke shpresuar se në këtë natë Allah’u xh.xh. besimtarëve do t’ua fal gjynahet dhe do të pastrohen. Pohimet e disa dijetarëve Islam, se edhe kthimi i drejtimit të kibles nga Mesxhidi Aksa në Jerusalem për në Mesxhidi Haram në Mekke, është bërë po në këtë natë, kësaj nate i jep një rëndësi më të veçant.
Nata e faljes
Përsëri në këtë natë, Krijuesi ynë i Mëshirshëm, i cili urdhëron; “Në fund të një së tretës të çdo nate, duke zbritur në qiellin afër tokës duke thënë, “Kush lutet që t’ia pranoj lutjen, kush dëshiron diçka prej meje që t’ia pranoj dëshirën, kush kërkon falje prej meje që ta fal?”, fal më shumë njerëz se sa numri i qimeve të tufës me dhen të fisit Ibn-Kelb. (Ibn Maxhe, Ikame, 191).
Çdo vepër e mirë që bëhet në këtë natë, për shpirtrat që janë të mbushur plot me besim kjo natë është sikur një vinç për të arritur në horizontin e natës së bekuar të Beratit; pa marrë parasysh se sa vështirë është për nefsin (egon) që t’i adaptohet kësaj nate, ndalesat për heronjtë e durimit konsiderohen si nga një lutje me vepër që i nxit ata të arrijnë deri tek synimi i vërtetë i tyre e që është fitimi i kënaqësisë së Krijuesit të Gjithësisë.
Sipas shpalljes së haditheve të vërteta (sahih) kemi: “Ata njerëz që pendohen (bëjnë teube) në natën e pesëmbëdhjetë të Shabanit duke përfituar nga falja e gjynaheve nga ana e Allahut (xh.sh.) do të shpëtojnë prej Xhehenemit.” Nata e pesëmbëdhjetë e Shabanit përveç emrit Beraet ka dhe emrat: Natë e Begatshme sepse ka begati shpirtërore, bereqet dhe mirësi; Nata e Pafajësisë sepse në qoftë se vlerësohet si duhet është një mundësi e dhënë nga Allahu për pastrimin shpirtëror nga gjynahet dhe gabimet; gjithashtu quhet dhe Nata e Mëshirës sepse ka shumë mirësi, falje dhe arrihet në gostinë dhe përgëzimin e Allahut (xh.sh.). Rreth begatisë së Natës së Beraetit po i drejtohemi një-dy haditheve të vërtetë (sahih) që vijojnë si më poshtë: “Në Natën e Beraetit Allahu (xh.sh.) zbret me mëshirën e vet në qiellin e tokës, aty shfaqet (me veprat dhe duke treguar veçoritë e veta) dhe fal më shumë gjynahe se numri i fijeve të leshit të deleve të fisit Kelb.” Sipas një transmetimi (rivajeti) tjetër Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Natën e Beraetit kalojeni duke bërë ibadet dhe në ditën e saj agjëroni.”
Allahu shfaqet në qiellin e tokës në mbrëmje mbas perëndimit të diellit dhe deri në sabah thotë: “A nuk ka ndonjë që kërkon falje ta fal atë? A nuk ka ndonjë që kërkon rizk (të mira materiale dhe shpirtërore) t’i jap atij rizk? A nuk ka ndonjë që ka rënë në vështirësi t’i jap rehatinë? A nuk ka ndonjë kështu, A nuk ka ndonjë ashtu? e kështu me radhë.” Ndërsa në një hadith tjetër është dhënë sihariqi se duatë që bëhen në Natën e Beraetit nuk kthehen mbrapsh (pranohen).
Një hadith tjetër është formuluar kështu: “Kjo natë është nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban. Në këtë natë Allahu i shpëton njerëzit nga xhehenemi sa numri i qimeve të deleve të fisit Beni Kelb, por nuk shikon fytyrat e atyre të cilët i bëjnë shirk Atij, të atyre që ushqejnë urrejtje dhe armiqësi ndaj myslimanëve, të atyre që shkëpusin marrëdhëniet me të afërmit, të atyre që mburren dhe që janë mëndjemëdhenj, të atyre që nuk u binden nënës dhe babait dhe, të atyre që vazhdojnë pirjen e alkoolit” (Buhari, et-Tergib ve’t-Terhib, II, 118).
Pse është e rëndësishme kjo natë?
Në burimet tona flitet për pesë ngjarje të rëndësishme që janë realizuar në këtë natë të bekuar:
-Në këtë natë bëhet ndarja dhe përzgjedhja e çdo pune të rëndësishme me një urtësi të madhe.
-Adhurimi që bëhet në këtë natë (namazet që falen, Kur’ani që lexohet, lutjet, toubet dhe kërkimet për falje) dhe vlera e agjërimeve që mbahen janë shumë të larta.
-Është një natë me shumë mirësi Hyjnore, mirëqenie e begati.
-Nata e mëshirës.
-E drejta për ndërmjetësim (shefaat), të Dërguarit të Allahut, i është dhënë në këtë natë.
Si mund ta vlerësojmë këtë natë?
Kemi dijeni se i Dërguari i Allahut s.a.s. kësaj nate i ka dhënë një rëndësi të veçantë dhe e ka vlerësuar atë ndryshe nga netët tjera. (Tirmidhiu, Saum, 39)
Këtë natë të bekuar mund ta vlerësojmë duke falur namaz kaza, duke bërë shumë lutje, duke kërkuar falje të sinqertë për gjynahet që i kemi bërë, duke kërkuar falje prej Krijuesit tanë me lot në sy, duke përqafuar farefisin me dashuri dhe mëshirë, duke ia zgjatur dorën e ndihmës nevojtarëve dhe personave të harruar.
A jemi të gatshëm për muajin e Ramazanit?
Ndërkohë, një nga mesazhet që na i jep kjo natë e madhe është se ka ngelur shumë pak kohë për muajin e Ramazanit. Nata e bekuar e Beratit, sikur të na referohet me këto fjalë; “Ke vetëm dy javë kohë deri në fillimin e muajit të Ramazanit. Të pret një stinë e ngjeshur e adhurimit që do të zgjas plot një muaj.
Shto koment