Bediuzzaman Said Nursi u lind në Turqinë Lindore më 1876 dhe ndërroi jetë në 1960 në moshën tetëdhjetë e trevjeçare, pas një jete e një lufte vetmohuese e shembullore për çështjen e Islamit. Ai qe shkollar i një rangu shumë të lartë, sepse nuk pati studiuar vetëm shkencat tradicionale, por edhe ato moderne. Si rezultat i
studimit dhe i aftësive të tij të rralla, që në rini pati fituar epitetin “Bediuzzaman” (Mrekullia e kohës), epitet të cilin ia dhanë dijetarët më të shquar.
Jeta individuale e Bediuzzamanit kapi dekadat e fundit të kalifatit dhe të Shtetit Osman, të rrëzimit dhe copëtimit të tij pas Luftës së Parë Botërore dhe, pas formimit të Republikës më 1923, përjetoi tridhjetë e shtatë vjetorin e Republikës, vite këto deri më 1950 të njohura për shtypjen antiislame të qeverisë dhe për represionin kundër drejtësisë fetare.
Pas Luftës së Parë Botërore, përpjekjet e Bediuzzamanit në rrugën e Islamit qenë shumë të mëdha. Ai, jo vetëm që u jepte mësim studentëve të tij dhe hynte në debate e diskutime me shkollarë e drejtues nga të gjitha anët e botës islame, por edhe komandoi e drejtoi për afro dy vjet gjithashtu edhe tranzicionin nga “Saidi i Vjetër në Saidin e Ri”. Saidi i Ri u karakterizua nga një tërheqje të tij prej jetës publike dhe u përqëndrua në studim, në adhurim e mendim, sepse ajo që kërkohej tani ishte një luftë e një natyre tjetër.
Pas një periudhe afro dyvjeçare, më 1925, Bediuzzamanani u detyrua të mërgojë në Anadollin Perëndimor dhe 28 vjet me radhë, deri në prag të dhjetëvjeçarit të fundit të jetës së tij, ai vuajti mërgimin, burgimin, ngacmimin dhe persekutimin prej autoriteteve. Gjatë viteve në mërgim e izolim vendosi të shkruante “Risale-i
Nur” (Mesazhet e Dritës) dhe përhapjen e tij anembanë Turqisë. Vetë Bediuzzmani në ligjëratë të drejtë u shpreh: “Tani unë e shoh qartë se pjesa më e madhe e jetës sime është komanduar e drejtuar jashtë aftësisë së perceptimit tim që do të nxirrte këto mesazhe për t’i shërbyer çështjes së Kur’anit. Sikur e gjithë jeta ime si shkollar të kishte kaluar në parapërgatitjen për këto shkrime, të cilat demonstrojnë mrekullinë e Kur’anit”.
Bediuzzamani e kuptoi çështjen esenciale të rënies së botës islamike, e cila u dobësua pikërisht në themelin e besimit. Ky dobësim i shoqëruar me sulmet e pashembullta kundër atyre themeleve në shekujt e XIX-të dhe XX-të, të ndërmarra nga materialistët, ateistët e të tjerët në emër të shkencës e të progresit, e bënë atë që të kuptonte nevojën urgjente dhe themelore, e cila ishte ruajtja dhe forcimi i besimit. Kërkohej të harxhoheshin të gjitha përpjekjet për të rindëruar godinën e Islamit nga themelet e saja, duke filluar nga besimi dhe t’u
përgjigjej po me atë gjuhë atyre sulmeve, me një xhihad ma’nevij, ose me “Xhihadin e fjalës”. Kështu, në mërgim, Bediuzzamani shkroi një mori veprash të titulluara “Risale-i Nur” (“Mesazhet e dritës”), të cilat do t’i
shpjegonin dhe paraqisnin njeriut modern parimet bazë të besimit dhe të vërtetat e Kur’anit. Metoda e tij analizon besimin e mosbesimin dhe demonstron, përmes argumenteve të qarta logjike, se, duke ndjekur metodën e Kur’anit, jo vetëm që është e mundur t’i provosh në mënyrë të arsyeshme të gjitha të vërtetat e besimit, si: ekzistencën e Zotit të Lartësuar, Njësinë e Tij, profetësinë dhe ringjalljen e qënieve të gjalla, por gjithashtu se këto të vërteta kanë të vetmin shpjegim racional për ekzistencën, për njeriun dhe universin.
Kështu, Bediuzzamani i demonstroi të vërtetat e fesë më së miri, në formën më të lehtë të të kuptuarit, nëpërmjet krahasimeve, shpjegimeve dhe provave të arsyeshme, të cilat janë të papajtueshme me interpretimet materialiste për ato zbulime moderne, duke i cilësuar ato interpretime materialiste joracionale dhe absurde.
Në të vërtetë Bediuzzamani, me veprat e tij, provoi se zbulimet mahnitëse të shkencës, lidhur me universin, vërtetojnë e përforcojnë të vërtetat e fesë. Rëndësia e “Risale-i Nurit” nuk mund të çmohet, sepse nëpërmjet
kësaj vepre, Bediuzzaman Said Nursi luajti një rol të madh në ruajtjen dhe rigjallërimin e besimit islam në Turqi, pikërisht në ditët shumë të errëta të historisë dhe, në të vërtetë, roli dhe rëndësia e kësaj vepre
vazhdon të rritet edhe në ditët e sotme anembane botës. Për më tepër “Risale-i Nuri”, veçanërisht, është i përshtatshëm t’u drejtohet jo vetëm muslimanëve, por gjithë njerëzimit për disa arsye:
Së pari: Sepse është shkruar në harmoni me mentalitetin e njeriut modern, qoftë musliman ose jo, i cili ka qenë mbushur e frymëzuar thellë nga filozofia materialiste.
Së dyti: “Risale-i Nuri”, në mënyrë specifike, u përgjigjet të gjitha pyetjeve dhe dyshimeve që shkakton kjo filozofi; u përgjigjet të gjitha “pse-ve” që arrin të ketë mendja e shëndoshë e njeriut modern.Gjithashtu “Risale-i Nuri” shpjegon çështjet e thella të besimit, të cilat më parë vetëm shkollarët e përparuar i studiuan në detaje, në atë mënyrë që çdo njeri, madje dhe ai për të cilin subjekti është i ri, mund të kuptojë, të fitojë diçka pa patur ndonjë vështirësi a shqetësim.
Një arsye tjetër është se duke shpjeguar natyrën e vërtetë të universit dhe qëllimin e njeriut, “Risale-i Nuri” tregon se lumturia, në këtë botë dhe në tjetrën, arrihet vetëm nëpërmjet besimit dhe njohjes së Zotit të Lartësuar.
“Risale-i Nuri” gjithashtu tregon dhimbjen e rëndë dhe mjerimin që i shkakton mosbesimi shpirtit dhe ndërgjegjjes së njeriut; dhe se njerëzit të cilët kanë humbur udhën e drejtë përgjithësisht përpiqen t’i
shmangin të tjerët duke i bërë të shkujdesur dhe duke i shkëputur nga realiteti. Kështu, duke lexuar këtë vepër, çdo njeri mund të kërkojë strehë në besim. Bediuzzamani, nëpërmjet “Risale-i Nuri” na udhëzon për tek
konceptimi i drejtë i Kur’anit dhe i Sunnetit të pastër profetik. Ai na paralajmëron për rrezikun e rënies në bidate, risi, në ekstreme dhe në greminat e çudhëzimit, që rreziqe të tilla janë të shumta në këtë kohë.
Ai jep shpjegime të shumta të hollësishme si tek shembulli i trajtesës së “Ixhtihadit” e cila është Fjala e Njëzet e Shtatë tek koleksioni i Fjalëve, ku në atë trajtesë theksohet domosdoshmëria e ndjekjes së njërës nga katër shkollat e sheriatit Islam –Katër medh’hebët– të cilat përfaqësojnë mendimet e sakta të dijetarëve të mëdhenj të Ehli Sunnetit vel-Xhemaah.
Gjithashtu në Shkreptimën e Katërt të “Koleksionit të Shkreptimave” dhe në “Shkreptimën e Njëmbëdhjetë,” Bediuzzamani bën një shtjellim të detajuar tek trajtesa “Rruga e Praktikave të Profetit Muhammed A.S.M. dhe Kundërhelmi ndaj sëmundjes së bidatit” duke treguar në të domosdoshmërinë e ndjekjes së Sunnetit Profetik si dhe duke paralajmëruar për rreziqet e rënies në kthetrat e sekteve devijuese, në kurthet e lëvizjeve negative që synojnë të realizojnë qëllime të mbrapshta të kësaj dynjaje duke shfrytëzuar fenë dhe paralajmëron për
rrezikun e rënies në grackat e grupeve heretike. Gjithashtu, nëpërmjet dhjetëra trajtesave të ndryshme të “Risale-i Nurit”, Bediuzzamani ndriçon për ne në mënyra të ndryshme botëkuptimin e drejtë të Ehli Sunnetit vel-xhemaah, të cilët janë njerëzit e së vërtetës, duke ua mundësuar kështu besimtarëve të të gjitha niveleve në këtë kohë të trazuar të ecin në rrugën e drejtë të Kur’anit e të Sunnetit me një bindje të plotë e të sigurtë dhe duke i shpëtuar ata përfundimisht nga ekstremet.
Kështu, Fjalët e shkruara rreth mistereve të Kur’anit janë ilaçi më i efektshëm dhe balsami më i mirë për plagët e kësaj kohe; janë drita më e dobishme për tërësinë e Islamit i cili është zbuluar para sulmeve të errësirës, dhe janë udhëzuesi më i vërtetë për ata që bredhin të hutuar e të çoroditur në luginat e çudhëzimit. Koleksioni i Fjalëve në këtë kohë, të cilat janë shkreptimat e mrekullisë së Kur’anit, janë si një kundërhelm ndaj çudhëzimit ateist. Atëherë nuk do të ishte e perceptueshme të qëndrosh indiferent ndaj kësaj vepre brilante, “Risale-i Nurit”.
Përfundim:
Kur’ani i Shenjtë i drejtohet inteligjencës dhe njeriut të të gjitha niveleve. Ai i kërkon njeriut që ta njohë universin, funksionin e tij, të mësojë për natyrën e vërtetë dhe për qëllimet e krijimit; të mësojë Atributet e Krijuesit të Vetëm dhe detyrat e tij si një krijesë. Kjo është Pikërisht metoda që tregon Bediuzzamani nëpërmjet argumenteve të qarta, se kur kur’ani lexohet në këtë mënyrë, të gjitha bazat e besimit mund të provohen racionalisht. Kur ndiqet kjo metodë, personi arrin një besim të vërtetë që do të ishte mjaftë i fortë e i qëndrueshëm për t’i bërë ballë çdo dyshimi që buron nga “fytyra” e sulmeve të holla të materialistëve, natyralistëve dhe ateistëve.
Nevoja kryesore e njeriut është nevoja për fe, nevoja për ta njohur e adhuruar Zotin e Plotëfuqishëm me të gjitha Atributet dhe Emrat e Tij të Bukur, është nevoja për t’iu bindur ligjeve të Tij, atyre të manifestuara në univers dhe atyre që u zbuluan nëpërmjet Profetëve të Tij; të pranojë mesazhin e Kur’anit, e librit të fundit të shpallur, i cili u shpjegua nga Profeti i fundit, Muhammedi A.S.M. (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) dhe të pranojë se Islami është feja e plotësuar e njerëzimit.
Në “Risale-i Nur” Bediuzzamani demonstron se nuk ka kundërthënie apo ndarje ndërmjet shkencës e fesë dhe, përparimi i vërtetë e lumturia për njeriun mund të arrihet vetëm në këtë rrugë, në rrugën e Kur’anit.
Shto koment