Home » Resulullah » Profeti Muhamed a.s. si prind » Profeti Muhamed a.s. si prind

Ai i merrte nipërit Hasan dhe Hysen në krahë a në shpinë dhe shëtiste andej-këtej. A mund ta merrte fëmijën në shpinë një njeri i shkallës së tij e të dilte me të në rrugë a mes njerëzve? Ai e merrte dhe dilte! Dhe, duke vepruar kështu, përcaktonte të ardhmen e tyre dhe nderin që kishin për të fituar ata! Një ditë, kur përsëri Profeti po i shëtiste nipërit e tij hipur mbi shpinë brenda në shtëpi, hyri Hz. Omeri dhe, me t’i parë Hasanin dhe Hysenin në shpinë të Profetit, u tha: “Ç’kalë të bukur që keni!” Kurse Profeti iu përgjigj aty për aty: “Ç’kalorës të bukur këta!  Pavarësisht nëse të nipërit ishin të vetëdijshëm për këtë apo jo, Profeti i nderonte me këtë mënyrë. Edhe një radhë tjetër, kur dikush i pati thënë Hasanit se ç’kalë të mirë kishte, Profeti i qe përgjigjur aty për aty se edhe ai ishte një kalorës i mirë! Profeti ishte ati i të gjithë njerëzve të shenjtë gjer në kiamet dhe, duke iu përkushtuar në mënyrë të veçantë këtyre dy imamëve të rëndësishëm të familjes profetike që bartnin në identitetin e tyre embrionet e nderit dhe dinjitetit të të gjithë njerëzve të shquar e të shenjtë, i bartte ata herë pas here në supe ose në shpinë. Në këtë interesim të veçantë të Profetit për ta, pa dyshim që kishte pjesë familja profetike që do ta përfaqësonin, si dhe të gjithë njerëzit e shquar e të shenjtë. Prandaj, Abdulkadir Gejlani, një pjesëtar me rëndësi i familjes profetike, duke u nisur nga fakti që etërit e tij qenë bartur në supet e Profetit, thotë me të drejtë kështu: “Këmbët e bekuara të të Dërguarit të Allahut janë mbi supet e mia, kurse këmbët e mia, mbi supet e të gjithë njerëzve të shquar e të shenjtë!” Gjithsesi, kështu do të vazhdojë të mbetet gjer në kiamet!

Një radhë tjetër, Profeti pati dalë përsëri me nipërit në supe dhe u pati thënë atyre kështu: “Ç’kalë i mirë ky nën ju dhe ç’ngarkesë e mirë ju mbi të! Kështu i pati çmuar ai të bijtë e të nipërit, pati ngritur fron në zemrat e tyre dhe qe bërë i merituari i një dashurie mbi dashurinë e etërve dhe gjyshërve

Në një hadith të rrëfyer nga Muslimi, Enes b. Maliku i cili pati nderin e lartë t’i shërbejë të Dërguarit të Allahut dhe ta kryejë këtë punë me besnikëri të lartë për dhjetë vjet me radhë pa ndërprerje, thotë: “Nuk kam parë njeri më të dhembshur ndaj pjesëtarëve të familjes se Hz. Muhamedi!”

Sa herë që Profeti të hynte në Medine kaluar, mund të shihje disa fëmijë të hipur bashkë me të e të kapur pas tij. Kjo do të thotë se Profeti nuk tregonte dashuri dhe dhembshuri vetëm ndaj fëmijëve dhe nipërve të vet, por edhe ndaj fëmijëve të shtëpive fqinje që banonin edhe më larg. Ai i merrte pranë ata me shumë dhembshuri dhe sinqeritet duke ua fituar zemrat me dashurinë që u tregonte.

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up