Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Nu’man ibnu Mukarrin r.a.

“Imani (besimi) ka shtëpi, por edhe hipokrizia ka shtëpi, e shtëpia e Beni Mukarrenit është njëra nga shtëpitë e besimit.” (Abdullah ibnu Mes’ud)

Shtëpitë e fisit Muzejne shtriheshin afër Jethribit, në rrugën e gjatë në mes të Medinës dhe Mekës. I Dërguari i Allahut kishte migruar në Medinë. Lajmet i vinin pandërprerë fisit Muzejne prej vizitorëve të hershëm dhe udhëtarëve. Për të dëgjoheshin vetëm fjalë të mira.

Një mbrëmje, kryepari i fisit, Nu’man ibnu Mukarrin el Muzenij, u ul në log me vëllezërit dhe pleqtë e fisit të tij dhe  u tha:

“O burra! Për Allahun, ne nuk kemi dëgjuar për Muhammedin tjetër përveç fjalëve të mira, thirrja e tij nuk është gjë tjetër përveç thirrje e mëshirës, bamirësisë dhe drejtësisë. Vallë, çfarë bëjmë ne? Presim ende, ndërsa njerëzit ngarendin tek ai pareshtur!”

Pastaj vazhdoi dhe tha:

“Unë për vete kam vendosur të shkoj herët tek ai, në agim. Kur të zgjohem, kush do të më bashkohet, le të përgatitet.”

Fjalët e Nu’manit i prekën zemrat e fisit dhe, sapo ia dha agu i mëngjesit, ai vuri re se të dhjetë vëllezërit e tij dhe katërqind kalorësit e fisit Muzejne ishin bërë gati që të shkojnë me të në Jethrib për të takuar Pejgamberin e Allahut dhe për të pranuar fenë islame.

Ndonëse atë vit kishte mbajtur mot i thatë, që nuk kishte lënë pikë qumështi e as bimë, pasoja këto që i ndjeu Muzejneja, prapëseprapë N’umani kishte vendosur që t’i prijë atij grupi dhe të shkojë te Pejgamberi i Allahut pa marrë me vete asgjë për të dhe muslimanët.

Megjithatë, Nu’mani bëri një qark rreth shtëpisë së vet dhe shtëpive të vëllezërve të vet dhe mblodhi ato që kishin mbetur nga plaçkat e luftës dhe shkoi me to te Pejgamberi i Allahut.

Ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të, deklaruan para Muhammedit (a.s.) se e pranojnë fenë islame.

Banorët e Jethribit u gëzuan shumë për ardhjen e Nu’man ibnu Mukarrrinit me shokët e tij. Kësisoji nuk mbeti shtëpi arabe pa e pranuar fenë islame prej tij, nga njëmbëdhjetë vëllezërit e lindur nga një baba dhe një nënë. Së bashku me ta fenë islame e pranuan edhe katërqind kalorës.

Pejgamberi fisnik u gëzua shumë që Nu’mani pranoi fenë islame.

“Por, disa beduinë besojnë në Allahun dhe botën tjetër dhe atë që e japin e konsiderojnë si veprim të devotshëm, i cili i afron tek Allahu, dhe me këtë veprim janë të denjë të nderohen me bekimet e Pejgamberit. Vërtet ato (veprime) i afrojnë ata tek Ai. Allahu (së shpejti) do t’i përfshijë në mëshirën e Vet, se Ai fal dhe është Mëshirëplotë.” (Et-teube:99)

Nu’man ibnu Makarrini iu bashkua radhëve nën flamurin e Pejgamberit të Allahut. Ai mori pjesë në të gjitha betejat e tij, në të cilat tregoi trimëri dhe vendosmëri të rrallë

Kur halifatin e mori EsSidiku (Ebu Bekri), ai dhe fisi i tij Beni Muzejne qëndruan besnikërisht. Ata luajtën rol vendimtar në shkatërrimin e renegatëve dhe trathtarëve të fesë islame.

Kur halifati kaloi në duar të El Farukut (Omerit r.a.), Nu’man ibnu Mukarrin kishte për ta kryer në kohën e tij një detyrë, që historia ende e përmend me fjalë miradie dhe mirënjohjeje.

Pak para Betejës së Kadisisë, Sa’d ibnu Ebi Vek-kasi  komandant i ushtrisë muslimane, dërgoi një delegacion te Kisra Jezdexhurdi nën udhëheqjen e Nu’man ibnu Mukarrinit për ta ftuar atë popull në fenë islame. Kur arritën në kryeqytetin e Kisrasë, në Medain, kërkuan leje të hyjnë dhe u lejuan të hyjnë. Pastaj ata ftuan përkthyesin dhe i thanë:

– Pyeti çka i ka shtyrë që të vijnë në shtëpitë tona dhe pse dëshirojnë të na luftojnë? Mbase ju na e keni lakmi dhe keni marrë guxim të na bëni sfidë për shkak se ne kemi larguar vëmendjen tonë nga ju e nuk dëshironim t’ju sulmojmë?!

Nu’man ibnu Mukarrini iu kthye personit që e kishte pranë e i tha:

– Nëse dëshironi, po ju përgjigjem atyre në emrin tuaj. Nëse ndonjëri prej jush dëshiron të flasë, le të urdhërojë, ta dëgjoj!”

Ata i thanë:

– Pra, fol ti! Pastaj u kthyen nga Kisraja (Mbreti) dhe i thanë se ky njeri flet në gjuhën tonë, pra dëgjoje se ç’thotë!

Nu’mani e falënderoi Allahun dhe e madhëroi Atë, ia bëri bekimet dhe përshëndetjet e Allahut të Dërguarit të Tij, dhe tha:

 Allahu pati mëshirë ndaj nesh, ndaj na e dërgoi një të Dërguar i cili na urdhëron për gjëra të mira dhe na urdhëron t’i bëjmë ato. Na njofton me gjërat e këqija dhe të dëmshme dhe na i ndalon ato.

Ai na ka premtuar se, nëse i përgjigjemi në të gjithë atë që ai na ka ftuar, Allahu do të na sjellë të mira në këtë botë dhe në botën e ardhshme.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Allahu na ndihmoi t’i përballojmë vështirësitë dhe na solli begati, na këndelli nga sjelljet e çoroditura dhe na përudhi në sjellje me edukatë, çrrënjosi armiqësitë tona e na solli mëshirë dhe kultivoi vëllazërim.

Ai na ka urdhëruar që t’i ftojmë njerëzit tek ajo që është për të mirën e tyre. Dhe këtë apel po e fillojmë me fqinjët tanë.

Ne po ju ftojmë të pranoni fenë tonë. Ajo është fe që na udhëzon të bëjmë mirësi në tërësi dhe në të njeriu gjen kënaqësinë dhe motivimin për jetë. Ajo flet keq e më keq për gjërat e shëmtuara dhe na e tërheq vërejtjen që mos t’i punojmë. Ata që besojnë, i nxjerr nga errësira e mosbesimit dhe dhuna e saj në dritën e besimit dhe në drejtësinë e tij.

Nëse ju na përgjigjeni pozitivisht dhe pranoni Islamin, ne po ju lëmë Librin e Allahut dhe po ju angazhojmë të gjykoni sipas dispozitave të tij.

Ne po largohemi dhe po ju lëmë rehat me hallet tuaja. Nëse nuk pranoni Fenë e Allahut, ne do të marrim nga ju tagrën (xhizjen) dhe do t’ju mbrojmë.

Nëse refuzoni “xhizjen”, do t’ju luftojmë.

Ai u mërdhez nga zemërimi nga fjalët që dëgjoi, dhe tha:

Unë nuk kam parë popull në rruzullin tokësor që ka qenë më kryeneë se ju, me numër më të vogël, aq i përçarë dhe në gjendje aq të keqe!

Ne ua kemi besuar çështjen tuaj prefektëve të rrethinës dhe ata do të merren vesh me ju. Pastaj iu ul pakëz tensioni dhe shtoi: – Nëse është nevoja e ngutshme, që ju ka shtyrë të vini këtu, po ju japim ushqim gjersa t’ju vijë bereqeti në shtëpitë tuaja. Do t’ju veshim juve dhe popullin tuaj. Kemi emëruar, nga mesi ynë, një prijës i cili do të sillet butë ndaj jush.

Një anëtar i delegacionit reagoi në atë mënyrë saqë zemërimi i Mbretit sërish shpërtheu dhe tha:

– Po të vriteshin emisarët edhe unë do t’ju vritja. Çohuni prej këtu, se nuk keni ç’të kërkoni tek unë dhe njoftojeni prijësin tuaj se unë do të dërgoj Rustumin (komandantin e ushtrisë persiane) që t’ju luftojë gjersa ta varrosë atë dhe juve së bashku në hendekun e Kadisisë.

Pastaj urdhëroi që t’ia sjellin një grusht dhe, të cilën ia sollën. Ai u tha njerëzve të vet: – Dërgojeni te më i madhi i tyre,por para juve çonie që t’i shohin njerëzit gjersa të dalin ata nga portat e kryeqytetit të pushtetit tonë. Ata pyetën delegacionin:

– Kush është më i respektuari prej jush?

Asim ibnu Omer iu afrua atyre dhe iu përgjigj:

– Unë jam.

Ata e ngarkuan me mall gjersa doli nga qyteti. Pastaj ai ia ngarkoi atë devesë për t’ia dërguar Sa’ad ibnu Ebi Vekkasit dhe e përgëzoi se Allahu do t’ua hapë muslimanëve portat e Persisë dhe do t’ua bëjë të mundur t’i qeverisin ato troje.

Më pas u zhvillua Beteja e Kadisijes, hendeku i së cilës u mbulua me mijëra kufoma të njerëzve të vrarë, nga ushtria muslimane por nga ajo e Kisrasë.

Persianët nuk iu nënshtruan pushtimit të Kadisijes. Ata bashkuan radhët e tyre dhe mobilizuan forcat e tyre derisa u numri i tyre shkoi në 150 mijë luftëtarë.

Kur El Faruku (Omer r.a.) mori lajmin për këtë mobilizim të madh, ai vendosi të shkojë edhe vetë t’i bëjë ballë kësaj sfide të madhe.

Por masa e muslimanëve e hodhi poshtë një vendim të tillë dhe i propozuan të dërgojë një komandant të besuar për të kryer këtë mision të rëndësishëm. Omeri tha:

  • Më tregoni ju njeriun që ta angazhoj në atë front.

Ata i thanë:

– Ti më së miri, e njeh ushtrinë tënde, o prijës i muslimanëve.

Pastaj ai vazhdoi:

– Për Allahun, unë do të angazhoj në krye të ushtrisë së muslimanëve që kur të takohen të dy palët luftuese, do të jetë më i moshuari, e ai është Nu’man ibnu Mukarrin El Muzenij.

Ata i thanë:

– Ai është komandant i qëlluar. Ai i shkroi Nu’manit dhe i tha:

“Nga shërbëtori i Allahut, Omer ibnu Hattabi drejtuar Nu’man ibnu El Mukkarrinit.

Pas përshëndetjes…

Më kanë arritur lajme se grupe të mëdha të persianëve janë tubuar rreth jush në qytetin Nehavend. Kur të arrijë kjo letër imja nisu për atje me emrin e Allahut, me ndihmën e Tij dhe me muslimanët që janë me ty. Ata mos i vë në pozitë të vështirë, në mënyrë që të mos pësojnë… se një musliman është më i dashur për mua se njëqind mijë dinarë!”

Nu’mani u përgatit me ushtrinë e tij për t’u ballafaquar me armikun. Ai dërgoi përpara një pararojë kalorësish për të vëzhguar rrugën. Kur kalorësit iu afruan Nehavendit, kuajt e tyre u ndalën. I shtynë ata, por nuk u nisën. Kalorësit zbritën për të mësuar se çfarë ndodhi (me kuajt e tyre).

Në shputat e këmbëve të tyre gjetën thela hekuri, të cilat u ngjanin majave të gozhdave. Ata shikuan terrenin, me ç’rast panë se si persianët kishin shpërndarë gjemba nëpër shtigje, që shpienin në Nahavend, për t’i penguar kalorësit dhe këmbësorinë që mos të hyjnë në qytet.

*  *  *

Kalorësit vëzhgues e njoftuan Nu’manin se ç’kishin parë dhe kërkuan nga ai që të japë mendimin e vet për atë çështje. Ai urdhëroi që të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të ndezin zjarr natën me qëllim që armiku t’i shohë ata.

Me atë rast ata simuluan se po frikësohen dhe se gjoja janë para një disfate, ndaj shprehën dëshirën për t’iu bashkuar atyre dhe kërkojnë që t’ua heqin gjembat e hekurit që i kishin vendosur.

Kjo dredhi e kalorësve muslimanë ndaj persianëve u shkoi përdore dhe shpejt panë pararojën e ushtrisë muslimane duke ecur para tyre të mposhtur gjersa dërguan punëtorët e tyre, të cilët pastruan rrugët nga gjembat. Muslimanët iu vërsulën atyre, i sulmuan dhe i pushtuan ato shtigje.

*  *  *

Nu’man ibnu Makarrin u stacionua me ushtrinë e vet në lartësitë e “Nehavendit” dhe vendosi ta befasonte me sulm armikun e tij. Ai i tha ushtrisë së vet:

“Unë do të thërras me zë të lartë tri herë. Kur ta madhëroj Zotin për herë të parë, le të vihet në gjendje gatishmërie ai që nuk ka qenë i përgatitur. Kur ta madhëroj Atë për herën e dytë, le ta ngjeshë secili prej jush armën në trup. E kur ta madhëroj Atë për herë të tretë, unë do t’u vërsulem armiqve të Allahut, pra vërsuluni edhe ju me mua.”

Nu’man ibnu Makarrin mori tre tekbiret e tij dhe iu vërsul aradhave të armikut porsi luan. Pas tij vërshoi sakaq ushtria muslimane mu si lumi. Në mes palëve ndërluftuese u zhvillua një betejë e ashpër, për çka historia ka dëshmuar rrallë.

Ushtria persiane u shpartallua si më keq. Fushat dhe brigjet u mbushën me të vdekur, e gjaku i tyre vërshonte nëpër shtigje dhe rrugica. Kali i Nu’manit u vra, por edhe Nu’mani u qëllua me një të rënë vdekjeprurëse. Vëllai i tij ia mori flamurin nga dora dhe e mbuloi me një “xhelabi” të gjatë që e kishte me vete. Ai nuk u tregoi muslimanëve se kishte vdekur Nu’mani.

Kur u arrit kjo fitore e madhe, të cilën muslimanët e quajtën “triumf i triumfeve”, ushtarët ngadhnjimtarë pyetën për prijësin e tyre të patrembur, Nu’man ibnu Mukarrinin…

Vëllai i tij e ngriti xhelabinë nga ai dhe tha:

“Ky është prijësi juaj. Allahu ia plotësoi dëshirën me këtë fitore dhe ai ia përfundoi jetën si dëshmor.”

Vend në Irak, në perëndim të Nexhefit.

Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 50 other subscribers

Data e Rradhës

  • Dhjetë Ditët e Dhul Hixhes 07/06/2024 – 16/06/2024 Nuk ka ditë më të dashura se 10 Ditët e Dhul Hixhxhes, sikur një Ramazan i Vogël. Mundësit e mrekullueshme...