Home » Horizont » Shtamba e Thyer » Namazi (Shtamba e Thyer 1)

1. Veprimet duhet të jenë bartëse të kuptimeve

Në lidhjen e njeriut me Zotin, kryesore është kuptimi, ndjenja dhe shpirti. Mirëpo, bartëse të tyre janë shprehjet, format dhe veprimet. Për këtë arsye, duhet patjetër t’i kushtohet kujdes atyre shprehjeve dhe veprimeve. Ato veprime duhet t’a bartin kuptimin që është marrë si bazë. Për këtë arsye, nuk mund të thuhet se format dhe veprimet nuk kanë asnjë kuptim. Vendimet për pamjen e jashtme mirren nëpërmjet tyre. Mirëpo, ka namaz brenda namazit, agjërim brenda agjërimit. Mu për këtë thuhet në ajet: “Shpëtuan besimtarët. Ata besimtarë që…”. Ajeti pas kësajë vjen në formën “Të cilët janë të përulur në namazin e tyre”. Nuk thuhet “Ata që falin namazin.” Pra, thuhet që të shpëtuarit janë ata që çdoherë përjetojnë përulje në namaz dhe e kërkojnë atë.

Ne nuk mund të përcaktojmë nëse dikush është i përulur vetëm duke e parë namazin e tij. Kjo është mes ndërgjegjes së njeriut dhe Allahut. Ne mundohemi të kemi mendim të mirë, mirëpo disa persona janë aq të pakujdesshëm në namazet e tyre, në agjërimet e tyre dhe bëjnë veprime të pajustifikueshme në aspektet morale; saqë njeriu sado të ketë mendim pozitiv, nuk e ka të lehtë të mendoj pozitivisht rreth veprimit për të cilin është dëshmitar. Për shembull, njëri merr tekbir menjëherë dhe ende pa ardhur ti në gjysmë të Fatihas, ai shkon në ruku! Në këtë rast, sado që mundohesh, nuk thua dot që ai fali namaz. Për shembull; sipas disa transmetimve është obligim që të thuhet njëherë “Subhane Rabbije’l Adhim” në ruku, duke i’a dhënë hakun, duke i shqiptuar mirë fjalët. Nuk ka kuptim nëse ajo thuhet shpejt. Kurse sipas disa transmetimeve të tjera, duhet thënë tri herë. Për këtë arsye, në ruku dhe në sexhde duhet thënë tri herë këtë tesbihat, ngadalë dhe duke i shqiptuar fjalët si duhet. Nëse themi më pak, i detyrojmë të tjerët të mendojnë pozitivisht rreth neve! Kështu që, disa veprime nuk e bartin atë kuptim, përmbajtje apo domethënije që ne dëshirojmë të japim me të. Si rezultat i kësaj, ata që kanë mendim të mirë për neve, del se e kanë bërë këtë në vendin e gabuar, aty ku nuk duhet.

Fatiha-ja që lexohet duke u ngutur, nuk është Kur’an. Sepse, Kur’ani nuk ka zbritur kështu. Kështu që, namazi që falet me Fatiha-në e lexuar shpejt, nuk është namaz. Nuk kryhet farzi i kiraatit duke lexuar Kur’anin shpejt dhe me një frymë, me brengën për t’a përfunduar leximin pa u kryer ajo frymëmarrje.

Shprehjet janë veprim i kuptimeve, por veprimi duhet t’i përshtatet domethënies. Mund të ndodh zgjerimi i kohës (bast-i zaman), ajo është tjetër gjë. Njëri pati thënë “Brenda pesë minutave kam falur duke ia dhënë hakun katërdhjetë apo nëntëdhjetë rekateve.” Sipas Zakonit Hyjnor, kjo nuk ndodh çdo herë! Nëse dikush që i është bërë e mundur një gjë e tillë e thotë për t’u mburrur, nuk i bëhet e mundur edhe njëherë tjetër.

2. Frika dhe perulja në namaz

Për namazin nuk është përdorur shumë shprehja “Falje me përkushtim.” Kjo shprehje është e lidhur ngushtë me frikën dhe përuljen. Frika dhe përulja e lidhin çështjen me domethënien e namazit. Ju lutem, mos e shihni si të tepërt këtë që po e them lidhur me përuljen në namaz. Imani dhe namazi janë vëllezër binjakë; vetëm se imani ka lindur pak më herët. Aty ku Ustadi shpjegon ndarjen e namazit në pesë kohë, shpjegon edhe domethënien e tyre. Përfshirë edhe disa që janë brenda rrethit të shërbimit ndaj Islamit, nuk po munden të falin namaz me plotkuptimin e fjalës. Pesë herë në ditë ulen dhe ngrihen, por nuk falin namaz. Pra, shkatërrimi është për ata që falen”. Aq shumë kemi mangësi rreth namazit… Për shembull, çështja që tregon ajeti “Kur ata ngrihen për namaz, janë dembel” është njëra nga këto. Në hadithe, dikush që fal namazin kësisoj llogaritet si jo-njeri. Namazi është një sjellje njerëzore. Mirëpo, nëse nuk qëndrohet brenda kësaj vije, veprimet që bëhen u ngjasojnë veprimeve shtazore. Për shembull, për atë person që shkon në ruku para imamit thuhet “A dëshironi që kur të ngriheni nga rukuja Allahu t’ua shëndrroj pamjet tuaja në pamje gomari?” do të thotë që bërja e lëvizjeve para imamit ka domethënien e daljes nga vija e të qenurit rob. Thuhet “Kur ndonjëri prej jush shkon në sexhde mos të bëj sikur gjeli kur han kokrrat!” Shikoni, kjo është një sjellje shtazore; goditja e tokës me ballë dhe ngritja e menjëhershme është sjellje shtazore. Thuhet “Mos t’i vënë duart në tokë sikur qeni!” dhe kështu tërhiqet vëmendja që veprimet nga ulja në sexhde, nga sexhdja në ruku, nga rukuja në kijam të jenë ndryshe nga veprimet shtazore.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) me këto fjalë të bekuara na thërret në sjellje njerëzore. Pra frika dhe përulja shprehen vetëm në këtë formë. Kur thua “Unë jam në rrethin e frikës dhe përuljes” duhet t’i tejkalosh veprimet shtazore. Dhurata e frikës dhe e përuljes u dërgohet vetëm atyre që mund t’a bartin atë.

3. Evoluimi i namazit

Ndjenja e namazit dhe domethënija e tij mund të mos zhvillohet menjëherë. Një njeri tek i cili është zhvilluar ndjenja e namazit, edhe kur është i zënë me punën më të bukur që ai dëshiron, ikë e shkon në namaz dhe merr kënaqësinë më të lartë nga namazi. Edhe nëse jo çdo herë, shumë herë thotë “Sikur jeta të mos përfundonte dhe unë gjithmonë të qëndroj kështu në kijam.” Por, për t’u zhvilluar kjo, njeriut i duhen ndonjëherë njëzet, tridhjetë e ndonjëherë edhe katërdhjetë vite. Katërdhjetë vjet qëndron i gatshëm para asaj dere, dhe qysh tek atëherë arrin ta përjetojë namazin si duhet. Ti deri atëherë ke bredhur nëpër tokën e pluhurt e në minierë për të kërkuar damarin e artë të namazit, dhe ke qenë këmbëngulës. “Nga kjo vijë shkohet atje!” ke thënë, “Ky është ai damar, ky është ai damar”. Dhe një ditë e ke gjetur veten përballë atij thesari. A bëhen të gjitha përpjekjet deri në atë moment apo jo?

Në ajet thuhet “Prandaj përmende emrin e Zotit tënd dhe përkushtoju krejtësisht Atij. Meqenëse folja është në formën “tefa-ul,” ajo shpreh një detyrim. Dhe në fillim ajeti kështu i drejtohej Pejgamberit (s.a.s.). Ai (s.a.s.) ishte në atë gjendje me namaz, saqë thoshte:“Dëshirat që ju ndjeni ndaj hajes-pijes dhe gjërave të ngjajshme, unë i ndjej ndaj namazit.”. Në të njejtën mënyrë, nëse je këmbëngulës aq sa duhet në këtë çështje dhe nëse bën durim, pret hapjen e mbulesës së ndjenjës së namazit edhe për ty, dhe nëse pas kësaj ty të thonë: “Qenkan përgatitur për ty tryezat në Xhennet”; ti thua: “Ta fal namazin pastaj vij; unë nuk mund ta sakrifikoj namazin”. Nëse vjen Azraili (a.s.) ti thua: “Nëse më jep leje ta fali namazin që i ka hyrë koha, që të mos ikë, e pastaj bëje ç’të duash!?”. Vjen në një gjendje të atillë shpirtërore që edhe nëse je në prag të vdekjes, mundohesh ta falësh namazin. Familjarizohesh me namazin. Në këtë mënyrë mund t’a kuptojmë Hz. Hubejbin (r.a.), që para se të binte shehid, i refuzoi të gjitha propozimet dhe vetëm deshi ta falte namazin.

4. Korridori i namazit

Falja e namazit në kohën e tij është shumë e rëndësishme; dhe më e mira është që të falet në momentet e para që hyn koha e atij namazi. Të gjithë studiuesit e fikhut, hadithit dhe tefsirit tërheqin vëmendjen në këtë pikë. Bashkë me këtë, ju me siguri keni sjellur jetën tuaj në atë gjendje saqë namazeve u ndani kohë pa hyrë koha e kerahetit. E prisni kohën kur do të lëshoni veten në qetësinë e zemrës së namazit si dhe adhurimeve që lidhen me të. Për të arritur këtë, duhet që ezani të jetë ezan, ikameti të jetë ikamet. Këto kanë edhe duatë e tyre. Të gjitha këto kanë rol të madh në përqendrim. Derisa edhe sofra ka adete, ka një mënyrë se çfarë do të vendoset së pari e çfarë do të sillet më pas dhe për të marrë shije e kënaqësi të plotë nga ushqimi, njerëzit i respektojnë këto; edhe për të marrë shijen qiellore të namazit duhet të respektohen ato tjerat.

Namazi është një shitblerje mes Allahut (xh.xh.) dhe teje. Nuk ka gjë tjetër që të sjellë aq afër me Allahun dhe aq shpejt se sa namazi. Në fillim, në dukje duhet të arrijë vlerën e duhur; do të thotë se, ende mund të mos e kesh shijuar namazin, mos t’a kesh dëgjuar, mos t’a kesh ndjerë por në aspektin objektiv duhet të thuash: “Kjo është, kjo.” Sepse, ky pranim do ta bëjë të shfaqet ndjenja e motivimit. Kjo është gjëja që do ta godas, do t’i jap fillim ndjenjës së motivimit. Nëse nuk ke një ndjenjë të tillë, nëse nuk ke mendim për arritjen e kësaj brenda namazit, atëherë çfarë do të përdorësh si qëllim për të arritur tek Ai? “Me këtë Zoti xh.xh. po më jep mua mundësi që t’i bëhem rob Atij dhe unë të mund t’ia shfaq çështjen e adhurimit me edukatë e me gaditshmëri. Sa i madh është Ai, e sa i vogël jam unë; sa i pafund është Ai, e sa zero që jam unë…dhe kjo më jep mundësi për të shpreshur robërinë, për të shfaqur vogëlsinë, bëhet mundësi për të shpallur Madhështinë e Tij…” Pra, së pari duhet të stërmbushemi me këtë ndjenjë motivimi.

Qetësia shpirtërore ka dy kuptime. E para është shkrirja në kënaqësi shpirtërore. Njeriu për shembull mund të mendoj “Ah sikur të ishte,” por sipas meje nuk duhet të jemi kërkues të kësaj. Kuptimi i dytë është të qenit i pranuar bashkë me vogëlsinë tënde, bashkë me të qenurit zero, bashkë me të qenurit asgjë…” Të përfitosh mundësinë të shprehësh veten në qetësi shpirtërore, të fitosh qetësinë shpirtërore.

5. Namazi me xhemat

Falja e namazit me xhemat është shumë e rëndësishme. Nuk duhet të neglizhohet aspak. Ne nuk jemi nga medhhebi Hanbeli; por i’a vlen të tregohet kujdes mendimit të Imam Ahmed ibn Hanbelit lidhur me xhematin. Ai e llogarit xhematin kusht të namazit. Sa të kujdesshëm që ishin tabiinët në çështjën e xhematit. Për shembull, Sylejman b. Mihramit, për shtatëdhjetë vjet me rradhë nuk i ka ikur asnjëherë tekbiri fillestar. Shtatëdhjetë vjet, nuk ka lënë madje as edhe një rekat kaza. Një tjetër, gjatë tërë jetës së tij nuk e kishte parë qafën e dikujt tjetër në namaz, sepse gjithmonë ishte në safin (rreshtin) e parë. Pejgamberi (s.a.s), duke treguar rëndësinë e xhematit, thotë kështu: “Shpesh herë më vjen në mendje që dikush të thërras ikametin, xhemati të filloj namazin, e unë të shkoj e t’ua djegi shtëpitë atyre që nuk kanë ardhur në xhemat.” Pra, xhemati është shumë i rëndësishëm. Nëse unë i’u pyes juve: “Në jetën tuaj, sa namaze i keni falur vetëm, pa xhemat?” Nëse numri i namazeve tuaja pa xhemat është më shumë se dhjetë, mos e thuani, është turp përpara Allahu’t. Edhe ato dhjetë namaze duhet të jenë në rrugë, në aeroport ose në aeroplan, pra, në vende ku nuk jipet mundësia e xhematit.

Jeta duhet të planifikohet sipas namazit. Namazi si një kalendar duhet ta rrethoj çdo pikë të jetës. Shtresa e kalendarit të vërtetë të jetës duhet të përshtatet sipas namazit. Kohët e namazit duhet të jenë gurët e skajshëm ku punët e tjera duhet të programohen sipas këtyre gurëve. Të vjetrit, kur merreshin vesh për ndonjë punë thonin: “Para namazit të sabahit,” “Mas namazit të drekës ,”… Edhe në Kur’an ruhet kjo mënyrë dhe në shumë vende urdhërohet me shprehje si: “Pasi të falet namazi…”, “Kur ngriheni për namaz…”, “Kur të lidheni në namaz…”

6. Shfaqja e ndryshimeve në namaz

Të bërit “ah-vah,” bërtitja, nxjerrja e zërave në namaz, nëse është jashtë vullnetit, nuk ka problem. Nëse kjo është nevojë e shkallës, dhe buron nga frika e besimit nuk mund t’i them ndonjë gjë. Pra, dikush do të përjetoj një gjendje të atillë që do ta humbë veten dhe pa qenë i vetëdijshëm do të nxjerrë zë, do të bërtasë… Pastaj, kur t’i thuhet: “Ke bërë kështu!”, ai do të thotë: “Vërtetë?! Mua nuk më kujtohet fare!”, nuk do të jetë i vetëdijshëm për atë që ka bërë. Nëse nuk është ashtu, nuk do të nxjerr zë, nuk do të shfaq ndryshim. Edhe të qarit është kështu. Sa të jetë e mundur, duhet të mundohesh të frenohesh. Por, nëse nuk mund t’a pengosh, nëse të vjen nga brendësia në mënyrë të pavullnetshme, nuk ka problem.

Tregonin për gjendjen e Ustadit në fillim dhe brenda namazi. Sytë i bëheshin të çuditshëm dhe zëri i dilte çuditshëm. Kjo është çështje e nivelit. Mirëpo, shfaqja e veprimeve të tilla nga dikush që nuk ka nivelin e tillë dhe improvizon, nuk është aspak e drejtë.

Në adhurimet e bëra bashkë me njerëzit, ekziston rreziku i shirkut dhe rijasë (dukjes). Nëse dikush kur është vetëm i jep shpejt namazit dhe kur është me të tjerët e zgjatë atë, Allahu na ruajtë, kjo është shirk. Edhe nëse dikush që është vetëm e falë gjerë e gjatë namazin, ndërsa kur është me të tjerët falet shkurt, kjo është rija; sepse në këtë sjellje merret parasysh dhe i jepet vlerë prezencës së njerëzve të tjerë. Kështu që, njeriu duhet t’a falë namazin me xhemat ashtu siç e falë kur është vetëm. As gjatë, as shkurt. Nuk duhet të shfaq asnjë ndryshim. Sikur bariu që fal namaz pranë deleve. Mos të ketë gabim në përngjasim, a kujdeset bariu që namazin që e fal t’a shohin delet? Njeriu duhet të përpiqet që namazin e tij ta ngritë në nivelin e namazit të plotë, pa mangësi.

Namazi është adhurim që do të na shpëtojë neve. Neglizhimi i tij të mos na nxjerrë pastaj probleme në botën tjetër.

7. Një kujtim dhe kujdes me namazin

Njëri nga njerëzit që nuk do ta harroj anjëherë është edhe babai i ndjerë i Mehmet Kërkënxhë hoxhës së nderuar, Xhelal Efendiu. Xhelal Efendiu, një muxhavir në Medine, ishte një njeri i çmuar. Aty vdiq dhe u varros. Kur isha tek ai, ishte plakur shumë. Përkundër moshës së shtyrë dhe shqetësimeve nuk i linte anash namazet, edhe synetet i falte në këmbë. Por me që kishte vështirësi në të ulur dhe të ngritur, namazet i falte afër shtratit dhe për t’u ngritur në këmbë i duhej të mbahej për shtrati. Pas një namazi të cilin e plotësoj në këtë formë, më pati thënë: “Hoxhë, unë kur fal namaz mbahem kështu për shtrati për t’u ngritur në këmbë, a pranohet namazi im?” Nuk do ta harroj kurrë atë ndodhi. Ç’botëkuptim ishte ai… Për kundër ç’do gjëje, të mundohesh ta shfaqësh namazin si duhet, dhe të mos mjaftohesh me atë që bën e të kërkosh më shumë e më thellë.

Pra, namazi është një thesar që do të na shpëtoj neve në Ahiret. Për këtë, duhet të jemi të kujdesshëm në çështjen e namazit. Allahu (xh.xh.) u bëftë të njohur vlerën e tij shpirtërave tanë dhe na i pranoftë namazet tona me zbrazëtirat dhe mangësitë e tyre.

8. Bërja e sexhdes dhe kijamit duke e ndjerë

Në sexhde mund të qëndrosh sa të duash me një mendim të thellë e duke mos thënë asgjë. Ajo që është me rëndësi është të japësh veten me këmbëngulje në namaz. E thua një gjë të vetme; por horizonti yt të merr dhe të dërgon ty në thellësitë më të mëdha. Kjo është një çështje e të ndjerit. Kohëzgjatja e sexhdes te i Dërguarit i Allahut (s.a.s.), ishte sa koha në ruku. Qëndrimi në ruku ishte sa qëndrimi në këmbë (kijam). Qëndrimi në këmbë ishte njëjtë me qëndrimin ulur (tehijat). Ndonjëherë një rekat nafile që falte Ai (s.a.s.) ishte sa teravitë që falim ne. Dhe me të falur namazin e teravisë një muaj brenda vitit, ne pandehim se kemi falur shumë namaz!

9. Butësia e zemrës dhe namazi

Pyetje: Cilat janë anët e butësisë së zemrës dhe përpikmërisë në çështjen e namazit që lidhen me detyrat tona dhe jetën e Ahiretit?

Përgjigje:

Butësia e zemrës është shenjë e imanit. Loti, që është gjuhë e butësisë së zemrës, është një mënyrë e të zbrazurit tek heronjët e dashurisë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë: “Në Ditën e Gjykimit, kur flakët e Xhehenemit do t’i ndjekin njerëzit, do të shfaqet Xhebraili (a.s.) me një gotë ujë në dorë dhe do t’a pyes: “Çka është kjo?” dhe ai më përgjigjet kështu: “Këta janë lotët që kanë derdhur robërit besimtarë nga sytë e tyre duke qarë nga frika ndaj Allahut dhe është e vetmja gjë që mund t’i shuaj këto flakë trishtuese.”” Pra, lotët janë ilaqi i vetëm që në botën tjetër shuajnë flakët e Xhehenemit, kurse në këtë botë shuajnë zjarret e vetmisë dhe të ndarjes. Në Kur’anin Fisnik, vende-vende duke vlerësuar dhe ngritur butësinë e zemrës, thuhet: “Ata, kur dëgjojnë ajetet e Allahut bien me fytyrë për tokë (sexhde).” Kurse në një vend tjetër thuhet: “Le të qeshin pak e le të qajnë shumë!” dhe Pejgamberi (s.a.s) përgjërohet: “O Allah! Të mbështetem Ty nga zemra që nuk dridhet dhe nga syri që nuk loton!” Një zemër e butë, një zemër që dridhet, është gjithnjë e hapur për llogari dhe vështirësi, e merr shpesh në pyetje vetveten. Ashtu siç nuk i sheh nga vetja sukseset e arritura, edhe ato që i ka bërë i sheh të pakta. Bëhet një hero i “Hel min mezid”-it (a nuk ka më?) që nuk di të ngopet në emër të mirësisë dhe dobisë.

Për një njeri me zemër të butë as nuk vjen në shprehje të ngopurit dhe mjaftushmëria në çështjen e adhurimeve. Është çështje e lënë në vlerësimin e personit se sa do të bëjë adhurim pasi ka përfunduar farzet. Një njeri, për namazin që ka falur mund të thotë: “Unë këto nuk munda t’i falë me zemër të qetë, nuk munda t’i jepem sa duhet, atëherë do të falë namaze vullnetare në vend të tyre apo t’i bëj kaza namazet që i kam falur në pakujdesi”. Sasi të caktuara zëvendësohen. Meqë nuk dihet se kur do të vijë vdekja, koha deri te ardhja e së cilës shkon duke u ngushtuar, duke falur çdo ditë disa namaze ditore kaza plotësohen mangësitë dhe zbrazëtirat.

Për adhurimet vullnetare përdoret shprehja “xhebren li’n-noksan,” do të thotë “fashë për thyerjet dhe nxjerrjet nga vendi”. Me to, kemi për qëllim mbylljen dhe plotësimin e zbrazëtirave e mangësive dhe lidhjen e thyerjeve. Pra, kjo çështjë është diçka që ka mbetur në ndërgjegjjen e personit. Një person për një periudhë të caktuar ka falur farzin pa iu drejtuar Allahut xh.xh ashtu siç duhet. Një ditë e kupton urtësinë e nijetit, dhe i qaset nijetit me dëshirë që buron nga zemra dhe duke ndjerë afërsinë. Afërsinë e kupton si fshirje të preokupimeve nga zemra, harrimin e çdo gjëje në atë moment dhe hyrje në mendimin për Allahun. Dikush që e ka kuptuar nijetin kështu, nëse nuk hyn në namaz me nijet të këtij lloji llogaritet se nuk ka falur namaz. Në këtë çështje secili duhet të sillet sipas nivelit të tij. Në disa libra Hanefi, edhe pse nuk dihet nga ka dalur, është regjistruar se: “Thënja e nijetit me gojë është e preferueshme.” Nuk e di se si do të bëhet drejtimi i zemrës në namaz duke folur; mirëpo qenka bërë traditë që njerëzit kur bëhen gati për namaz, nijetin t’a bëjnë me zë. Nëse në këtë formë sigurohet drejtimi kah Allahu (xh.xh), shumë mirë… Por, nëse mbetet vetëm në shprehje dhe nëse thuhen disa fjalë pa ua ditur kuptimin dhe ashtu fillohet me namaz pa e drejtuar zemrën në anën e duhur, ka mundësi që namazi të mos pranohet. Pra, një njeri që e ka mësuar nijetin në këtë mënyrë dhe që ka filluar të jetojë brenda një komunikimi të tillë, mund të thotë: “Nuk i kam kaluar kot kohët e namazeve, por nuk e di a kam mundur t’ua jap hakun adhurimeve!” Duhet të bëj ‘mbulim të mangësive,’ duhet të fali namaze vullnetare.” Nëse Allahu (xh.xh.) i ka dhënë jetë edhe tridhjetë vjet një njeriu, duke falur çdo ditë namazet kaza të një dite ai i mbyll zbrazëtirat dhe mangësitë.

Krahas kësaj, tek Hanefitë ashtu siç falen me kujdes të madh pesë vaktet farz, duhet të falen edhe synetet e pesë namazeve. Këto dymbëdhjetë rekate janë urdhëruar me këmbëngulje nga ana e Pejgamberit (s.a.s.), dhe janë synet i fortë. Për synetin e ikindisë nuk ka detyrim të këtillë, por edhe ai është nga të këshilluarat. Edhe katër rekatet e para synet të jacisë janë nga të këshilluarat. Kjo nuk gjendet në “Kutub-u Sitte”; mirëpo në librin me emër “Fethu Babi’l-Inaje” të Ali el-Karit duke u bazuar në një hadith të marrur nga “Sunen”-i Said b. Mansurit, thekson se Pejgamberi (s.a.s.) ka falur katër rekate namaz synet para jacisë.

Edhe namazi tehexhud është shumë i rëndësishëm. Ata të cilët i kanë netët të ndriçuara me fenerin e tehexhudit, sikur dita do t’i kenë të ndriçuara edhe jetët e tyre në varr. Tehexhudi është një mburojë kundër errësirës së varrit, armë, pishtar dhe mjet sigurie që mbron personin nga dënimi i varrit. Çdo namaz ka marrë përsipër ndriçimin e një pjese të jetës së njeriut në botën tjetër; kurse tehexhudi është ushqim, furnizim dhe ndriçuesi i jetës së varrit. Në Kur’an në disa vende është shenjuar për tehexhudin. Për shembull, “Kaloje një pjesë të natës si falje shtesë për ty (Muhamed)! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendos në një vend të lavdëruar.” “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne.” “Përmende Emrin e Zotit tënd në mëngjes dhe mbrëmje. Në një pjesë të natës bëj Atij sexhde dhe natën falju gjatë Atij.”

Namazi tehexhud, ashtu siç mund të falet dy rekate mund të falet edhe tetë rekate. Sipas transmetimit të Muslimit dhe Buhariut, Abdullah ibn Omeri (r) i tregon të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) se kishte parë në ëndërr dy persona të tmerrshëm të cilët duke e kapur për krah e dërguan buzë një pusi të thellë e me flakë dhe kur nisi të frikësohet se do ta hedhin i thonë: “Mos u frikëso, nuk ka brengë për ty!”. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e këshillon duke i’u drejtuar në formën: “Sa njeri i mirë që është Ibn Omeri; sikur të falte edhe namazin e natës!” Allahu i kishte shfaqur Ibn Omerit në ëndërr një tabllo të jetës së varrit që i përket Xhehenemit dhe ia kishte bërë me dije që të përgatitej.

Bashkë me këto, edhe namazet tjera vullnetare sikur namazi “duha” dhe “evvabin”, do të kenë rolin e mbështjellësit të mangësive dhe zbrazëtirave të mbetura nga namazet farz dhe do t’i plotësojnë ato. Allahu (xh.xh) do t’i plotësoj zbrazëtirat tona në farze, me namazet vullnetare. Sipas një hadithi sherif që tregon për këtë çështje, pyetja e parë për të cilën do të pytet në ahiret është namazi. Allahu pyet: “A është në rregull namazi i robit Tim?” Ata thonë: “ Në rregull është.” Atëherë Allahu urdhëron: “Atëherë le të kaloj ai.” Nëse i thuhet “I ka namazet e mangëta.” Allahu pyet se: “A ka namaze vullnetare?” Kur të thuhet “ka” urdhëron: “Vendosni namazet vullnetare në vend të farzeve.” Si Mëshirë Hyjnore, namazet vullnetare vendosen në vendin e mangësive në farze. Po të doni, këtë mund t’a komentoni kështu: “Mbulimi i mangësive bëhet drejtpërdrejtë me vullnetin e Allahut (xh.xh.), pra mbulojën në Ahiret e shtron Allahu.”

Siç shihet, butësia e zemrës sonë dhe të qenurit i kujdesshëm ndaj namazeve farze e vullnetare është një burim i dashurisë, kënaqësisë, forcës dhe motivit për të çuar në vend detyrën e të qenurit rob në këtë botë; dhe në botën tjetër na bëhet bashkëudhëtar besnik në rrugën që fillon me vdekjen dhe zgjatet deri në Xhennet; na bëhet ndërmjetësues. Namazi, është një shkas që na afron te Krijuesi Madhështor dhe një litar i pakëputshëm që kapemi për të qëndruar në vend, një vegël e fortë. Namazi është për ne një burim për një jetë të moralshme dhe një mur i kështjellës që na mban larg të këqijave.

“ Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur prej Librit (Kur’anit) dhe fale namazin! Vërtetë namazi të ruan nga shthurrja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtetë, përmendja e Allahut është më e madhe. Allahu di gjithçka që ju bëni.”

10. Vjedhja e shejtanit në namaz

Të shikuarit djathtas e majtas në namaz quhet vjedhje e shejtanit nga namazi. Do të thotë ai nuk mund ta vjedhë komplet namazin, por vjedh një pjesë prej tij. Nuk mund t’a vjedh themelin; por e përdor mundësinë e fundit për të vjedhur shikimet. Mundohet: “A mund t’a bëj të shikoj djathtas, a mund t’a bëj të shikoj majtas?”.

Ejani, t’ia fillojmë punës nga namazi! Nuk duhet të lejojmë të na vidhet asgjë nga namazi. Ai është një amanet. Mos të vjedh shejtani as nga shikimi, as nga ngritja e ulja, as nga ajo e as nga kjo. Si njerëz besnik ndaj amanetit të namazit, duhet t’i jepemi namazit në formë të përshtatshme për të. Nëse nuk mund t’i bëhemi pengesë vjedhjes së shejtanit në një vend, ai e godet atë në vesh, në hundë e në buzë. Në një anë i’a merr krahun e në një anë këmbën… E bjen në atë gjendje sa që nuk e di se çka i thotë trupi i tij në ahiret. Patjetër që ka diçka për të thënë. A thotë “Allahu ua dhashtë mirësitë, më bëtë të humbur” apo thotë “Më bëtë të mjerë,” patjetër që do të thotë diçka. Mirëpo, për të mos pasur probleme atje duhet që këtu mos ta shqetësoni namazin. Duhet t’i bëheni pengesë dorës që zgjatet për t’a vjedhur atë. Duhet t’i drejtoheni Allahut me tërë zemrën dhe ndjenjat; nuk duhet të lejoni të vidhet asgjë nga asnjë vend. Është vështirë ta bëjnë këtë duke e ndjerë ata që janë në fillim. Gënjen nëse thotë “e ndjeva”. Mirëpo, Allahu e hap një ditë atë derë! Sidomos ju, përmbahuni; jepni atij kohën më të rëndësishme, më të lirë dhe shfrytëzojeni vetveten. Inshallah vjen dita kur lind mundësia për t’iu dhënë namazit në formën më të bukur.

Ndoshta, disa për të arritur namazin e vërtetë çdo natë falin një mijë rekate. Unë kam parë njerëz që falin me të vërtetë namaz. Kishte shumë që falnin disa qindra rekate, sa nuk mund të numëroheshin. Ky popull ka harruar faljen e namazit. Xhamitë kanë mbetur të lidhura për figurat. Ato tepihë kanë nevojë për lotë tani. Sexhdet kanë nevojë për balle të pastra.

Namazi është zemra e adhurimit. Çdo shtyllë e namazit e ka vlerën e saj; por pjesa e tij më e rëndësishme është vendosja e ballit në tokë- sexhdeja. Thuhet “Vendi ku robi është më së afërti me Allahun është sexhdeja.” Pra, namazi kurorëzohet me sexhde.

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 49 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...