Home » Libri i Lutjeve » Lutje rreth pastrimit, xhamise, ezanit dhe namazit

Lutja është arma e besimtarit, me të cilën ai i mbraps kokëçarjet dhe fatkeqësitë e vendosura për të. E si të mos jetë, kur Allahu urdhëron kështu në Kur’an për lutjet:

“Zoti juaj ju tha: “Lutmuni Mua që t’i përgjigjem lutjes suaj!” “Robtë e Mi të pyesin për Mua. Thuaju: “Unë jam shumë pranë tyre! Kur më luten, unë ia pranoj lutjen atij që lutet!” “Kur njeriu ndodhet ngushtë, kush mund t’i shkojë në ndihmë e t’ia largojë të keqen që i ka rënë sipër, veç Allahut?”

Edhe i Dërguari i Allahut (sav), në porositë e tij autentike, ka thënë kështu: “Lutja është adhurim!” “Lutja është thelbi dhe baza e adhurimit!” “Lutuni, se lutja i largon kokëçarjet dhe aksidentet!” “Të përpiqesh për t’i ikur asaj që ka caktuar Allahu, s’ka dobi; është vetëm lutja ajo që sjell dobi për t’u mbrojtur nga kokëçarjet dhe shqetësimet që kanë rënë e do të bien! Atëherë, o robtë e Allahut, lutuni, lutuni!”

Ajetet e Kur’anit të cituara janë dalluar në tekst duke u futur mes kllapave të posaçme për ajetet: { } Dhe kuptimi i tyre është dhënë mes thonjëzash: “”.  Lutjet tjera janë lutje që përmbahen në hadithe.

Lutjet rreth Pastrimit

Lutja duke hyre ne nevojtore

  1. Allahu im, mbështetem tek Ti nga ndyrësitë, nga fëlliqësitë, nga ai që është i fëlliqur nga koka në këmbët, nga ai që rron mes papastërtive dhe fëlliqësive, nga djalli i fëlliqur, i përzënë nga mëshira hyjnore!
  2. Mbështetem tek Ti nga djajtë meshkuj e femra që janë të fëlliqur nga koka në këmbë!

Lutja duke dale nga nevojtorja

  1. Allahu im, lus faljen Tënde! Lavdi Allahut që më bën t’ua ndjej shijen të mirave, që më jep forcë dhe më lehtëson nga mundimi!
    Ose:
  2. Lavdi Allahut që ma heq mundimin dhe më dhuron shëndet e kënaqësi!
  3. Allahu im, pastroma zemrën nga hipokrizia dhe ma mbro nderin nga kurvëria!

Lutja duke filluar abdestin

  1. Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Allahu im, falmi mëkatet, zgjeroma hapësirën dhe begatoma pjesën e të mirave që më takon!
  2. Shqiptohet Fjala e Dëshmisë: “Esh’hedu en la ilahe il’lallah ve esh’hedu enne Muhammeden abduhu ve resulu!” (Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Allahut!”

Lutja pas abdestit

  1. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, se Allahu është një, se nuk ka ortak dhe shok dhe se Muhammedi është
    robi dhe i dërguari i Tij!
  2. Allahu im, bëmë mua prej atyre që bëjnë shumë pendesë dhe që i kushtojnë shumë kujdes pastërtisë!
  3. Duke të lëvduar Ty, Allahu im, pohoj se Ti je i pastër prej çdo lloj të mete e mangësie! Allahu im, dëshmoj se veç Teje s’ka zot tjetër, kërkoj falje prej Teje dhe të shfaq pendesën time Ty. Allahu u dhëntë paqe e mëshirë Hz. Muhammedit (sav), familjes dhe shokëve të tij!
  4. Me emrin e Allahut, Mëshirues, Mëshirëbëres! Ne e zbritëm atë (Kur’anin) natën e Kadrit. Ku ta dish ti se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mbarë se një mijë muaj! Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili) zbresin atë natë me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje. Ajo është paqe gjer në të aguar!” (3 herë)
  5. Allahu im, m’i fal mëkatet, ma zgjero hapësirën, ma begato pjesën time të të mirave dhe mos më vër në provë me
    gjëra që s’mi ke dhënë!

Lutjet rreth Xhamise

Lutja duke shkuar ne xhami

  1. Me emrin e Allahut, i besova Allahut, iu dorëzova Allahut, fuqia dhe forca janë vetëm në dorë të Allahut! Allahu im, të lutem të më mbrosh nga zjarri dhe të më vësh në Xhennet për hir të atyre që të luten Ty pa pushim dhe për hir të daljes sime për t’u falur, sepse unë nuk dola as për ta tepruar, as për ta treguar veten, as që ta dëgjojnë të tjerët se kam dalë, por vetëm për të kërkuar pëlqimin Tënd dhe për t’u mbrojtur nga ndëshkimi Yt!
  2. Allahu im, falmi dritë zemrës, dritë fjalës, dritë syve, dritë veshëve të mi! Allahu im, falmë dritë nga e djathta, dritë nga e majta, dritë nga pas, dritë nga para, dritë nga sipër dhe dritë nga poshtë!
  3. Allahu im, cakto një dritë për mua dhe jepmu dritë nervave, mishit, gjakut, lëkurës dhe bëma trupin tërë dritë nga koka në këmbë! Shtoma dritën, favorizomë me dritë, Allahu im!

Lutja duke hyre ne xhami

Në xhami hyhet me këmbën e djathtë dhe duke hyrë thuhet kështu:

  1. Me emrin e Allahut! Mëshira dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut (sav)!
  2. Mbështetem te Allahu i Lartë, te Individualiteti i Tij Bujar dhe te Sundimi i Tij i pafund nga shejtani i përzënë nga mëshira hyjnore!
  3. Allahu im, hapmi dyert e mëshirës Tënde!

Lutja duke dale nga xhamia

  1. Nga xhamia dilet me këmbën e majtë dhe duke dalë, thuhet kështu:
    Allahu im! Jepu mëshirë e paqe Hz. Muhammedit (sav) dhe familjes së tij! Me emrin e Allahut! Mëshira dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
  2. Allahu im, falmi mëkatet dhe hapmi dyert e virtytit!
  3. Allahu im, mbromë nga shejtani! Allahu im, kërkoj favorin Tënd!

Per ate qe ben tregti ne xhami

  1. Allahu mos i dhëntë fitim në tregti! (Kuptimi këtu është për ata që xhaminë duan ta përdorin parimisht për pëllim tregtie)

Per ate qe kerkon gje te humbur ne xhami

  1. Allahu mos ia ktheftë gjënë e humbur

Lutjet rreth Ezanit

  1. Siç dihet, ezani është sunnet. Edhe ikameti është sunnet. Kur personi dëgjon ezan, përsërit të njëjtat fjalë që dëgjon nga muezini, me përjashtim që, në vend të fjalëve “hajje ale’s-salah” dhe “hajje ale’l-felah”, thotë “la havle ve la kuvvete il’la bil’lah!”

Lutja kur degjohet ezani i mbremjes

  1. Kur personi dëgjon ezanin e mbrëmjes, thotë: “Allahu im, ky çast është ardhja e natës, ikja e ditës, zërat e ftuesve (muezinëve), hyrja e kohës së namazit! Falmë mua për hir të tyre!”

Lutja pas ezanit

  1. Dëshmoj se s’ka zot tjetër veç Allahut, se Ai s’ka ortak e s’ka shok dhe se Hz. Muhammedi (sav) është robi dhe i dërguari i Tij! Unë jam i kënaqur me Allahun si Zotin tim, me Hz. Muhammedin (sav) si profetin tim dhe me Islamin si fenë time!
  2. Allahu im që je Zoti i kësaj ftese bujare dhe i këtij namazi që ka për t’u falur tani, favorizoji profetit tonë, Hz.Muhammedit (sav), arritjen te e Vërteta, arritjen në Xhennet dhe përtej tij dhe jepi atij postin e lartë të Makami Mahmud-it që ia ke premtuar!
  3. Allahu im, jepi Hz. Muhammedit (sav) gradët më të larta e më të vlefshme në Xhennet, gradoje atë si më të lartin ndër ata me gradat më të larta, jepi afërsinë e më të zgjedhurve dhe zikrin e më të afërve të Tu!
  4. Allahu im, jepi paqe Muhammedit (sav)! Ngjite atë në pozitën e ndërmjetësuesit për falje pranë Teje, kurse ne na bëj të merituarit e ndërmjetësimit të tij!

Lutjet rreth namazit

Lutjet pas tekbirit te fillimit

  1. (Sipas disa dijetarëve) Allahu është më i madhi! Lavdi të pafund Allahut! Mbështetem te Allahu nga yshtja (fryrja) dhe nxitja e djallit të përzënë nga mëshira hyjnore! Mëngjes e mbrëmje e pohoj se Allahu është i pastër nga çdo lloj të mete e mangësie!
  2. Unë e ktheva fytyrën, si hanif dhe musliman, nga Ai që ka krijuar qiejt dhe tokën nga hiçi dhe them se s’jam prej atyre që njohin zota të tjerë veç Tij!
  3. Namazi im, adhurimi im, jeta dhe vdekja ime janë gjithmonë për Allahun, Zotin e botëve!
  4. Ai nuk ka ortak e nuk ka shok. Unë i besoj kësaj dhe jam ndër muslimanët!
  5. Allahu im, Ti je sundimtar, zot tjetër veç Teje s’ka! Ti je Zoti im, kurse unë jam robi Yt! I bëra padrejtësi vetes sime, i pohoj mëkatet e mia, falmi të gjitha mëkatet, se s’ka tjetër që t’i falë mëkatet e mia dhe më drejto drejt moralit më të bukur, se s’ka tjetër veç Teje që të më drejtojë mua drejt moralit më të bukur! Largomi veset e këqija, sepse nuk ka kush tjetër që t’i largojë veset e këqija prej meje!
  6. Urdhëro, Zoti ynë, në besën Tënde, Zoti ynë! Të gjitha mbarësitë dhe dobitë janë në dorën Tënde, kurse të këqijat nuk mund të të atribuohen Ty! Unë mbështetem dhe drejtohem në mirësinë Tënde! Zoti ynë, Ti je shumë i shenjtë dhe shumë i lartë! Unë të shpreh pendesën Ty dhe kërkoj falje prej Teje!
  7. Allahu im, mbaji larg meje gabimet e mia siç i mban larg njëri-tjetrit lindjen me perëndimin!
  8. Allahu im, pastromi ndyrësitë e mëkateve të mia me ujë, dëborë dhe breshër!
  9. Allahu im, pastromë mua prej mëkateve të mia siç pastrohet rroba e bardhë prej papastërtive!
  10. Allahu im, duke të lavdëruar Ty me një lavdërim të denjë për Ty, pohoj se Ti je i pastër prej të gjitha të metave dhe mangësive! Emri Yt është i shenjtë, i pastër dhe fama Jote është e lartë! Veç Teje s’ka zot tjetër!

Lutjet ne ruku

  1. E madhëroj Allahun, Zotin e lartë e madhështor, që është Zoti i botëve të dukshme e të padukshme!
  2. I madhëruar qoftë Zoti im i Lartë! (3-9 herë)
  3. Allahu im, Zoti im, e pohoj pastërtinë Tënde prej çdo lloj të mete e mangësie duke të lavdëruar me një lavdërim të denjë për Ty! Falmë mua, Allahu im!
  4. E pohoj se Allahu është i pastër prej të gjitha të metave e mangësive dhe e falenderoj Atë! (3 herë)
  5. Zoti i Pastër, i Shenjtë, Zoti i engjëjve dhe i Shpirtit (Xhebrailit)!
  6. Allahu im, para Teje u përkula, Ty të besova dhe Ty t’u nënshtrova! Veshët e mi, sytë e mi, trutë e mi, palca ime kurrizore, eshtrat e mia, nervat e mia, këmbët e mia dhe çdo gjë që bartin ato, i janë nënshtruar dhe i janë bindur Allahut, Zotit të botëve!

Lutjet pas drejtimit nga rukuja

  1. (Sipas disa dijetarëve) Allahu është më i madhi! Lavdi të pafund Allahut! Mëngjes e mbrëmje e pohoj se Allahu është i pastër nga çdo lloj të mete e mangësie!
  2. Allahu im, Zoti ynë, lavdia dhe falenderimi janë të posaçëm vetëm për Ty! Shumë falenderime të pastra dhe të bekuara për Allahun, Zotin e botëve!
  3. Allahu im, lavdi Ty sa qiejt, sa toka dhe sa gjëra ka në to e mes tyre, lavdi sa të gjitha gjërat që i dëshiron Ti! O Ti që je i denjë për çdo lavdërim! Fjala më e denjë që mund të thonë robtë e Tu që jemi ne të gjithë, është kjo: “Allahu ynë, s’ka kush që mund t’i bëhet pengesë mirësisë Tënde dhe s’ka kush që mund të bëjë mirësi po s’e lejove Ti! Fama dhe nderi i askujt nuk mund t’i sjellë dobi kujt kundër Teje!”
  4. Allahu im, pastromë mua me ujë, dëborë dhe breshër!
  5. Allahu im, siç pastrohet dhe zbardhet rroba e bardhë, pastromë mua prej mëkateve dhe papastërtive!

Lutjet ne sexhde

  1. E pohoj se Zoti im është i pastër prej çdo të mete e mangësie! (3-9 herë)
  2. O Allah, Zoti ynë, e pohoj pastërtinë Tënde prej çdo lloj të mete e mangësie duke të lavdëruar me një lavdërim të denjë për Ty! Falmë mua, Allahu im!
  3. Allahu im, mbështetem tek Ti nga zemërimi Yt për të marrë pëlqimin Tënd, nga ndëshkimi Yt për të marrë kënaqësinë Tënde, nga ashpërsia Jote për te bukuria Jote! Dhe e pohoj se jam i paaftë për të të thurur lavdi Ty aq sa ç’e bën të lavdishëm veten tënde Ti!
  4. Allahu im, të rashë në sexhde Ty, të besova Ty, t’u nënshtrova Ty! Fytyra ime të ra në sexhde Ty që e ke krijuar dhe që i ke dhënë formë, që e ke pajisur me sy e veshë. Sa i lartë je, o Allahu im, Krijuesi më i mirë!
  5. Veshët e mi, sytë e mi, trutë e mi, palca ime kurrizore, eshtrat e mia, nervat e mia, këmbët e mia dhe çdo gjë që bartin ato, i janë nënshtruar dhe i janë bindur Allahut, Zotit të botëve!
  6. Zoti im i pastër e i shenjtë, Zoti i engjëjve dhe i Shpirtit (Xhebrailit)!
  7. Allahu im, falmi të gjitha mëkatet e mia, të mëdha e të vogla, të para e të fundit, të hapura e të fshehura!
  8. E madhëroj Allahun, zotëruesin e botës së dukshme e të fshehtë dhe të botës së ndërmjetme mes tyre, zotëruesin e dinjitetit, zotëruesin e emrave dhe atributeve të lartë, zotëruesin e lartësisë sublime dhe madhështisë!

Lutjet mes dy sexhdeve

  1. Allahu im, falmë mua, mëshiromë mua, më favorizo shëndet e kënaqësi, më oriento mua në rrugë të drejtë, dhuromë të mira, m’i plotëso të metat e mangësitë, m’i mbështill prishjet e plagët dhe më lartëso!
  2. Zoti im, më fal, më favorizo një zemër që të mos jetë e pafat dhe mosmirënjohëse, por e pastruar prej politeizmit, e pastër dhe e mbushur plot me ndjenjat e devocionit!
  3. Zoti im, më fal, më mëshiro, mos m’i vër re të metat! Pa dyshim, Ti je me Vlerë e Bujar!

Ne uljen ndenjur ne namazit

  1. Të gjitha tahijjetet (adhurimet e parashtruara nga qeniet e gjalla me jetën e tyre), salavatet (lutjet) dhe tajjibatet (të gjitha fjalët dhe sjelljet e bukura) janë të posaçme vetëm për Allahun. Përshëndetje o Profet, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ty! Paqe neve dhe robve të mirë të Allahut! Dëshmoj se s’ka zot tjetër veç Allahut! Dhe dëshmoj se Hz. Muhammedi (sav) është robi dhe i dërguari i Allahut!
  2. Allahu im, fale zotërinë tonë Muhammedin dhe familjen e tij, siç e fale Ibrahimin dhe familjen e tij! Pa dyshim, Ti je i lartë e i denjë për çdo famë dhe lavdërim! Allahu im, begatoje zotërinë tonë Muhammedin dhe familjen e tij, siç e begatove Ibrahimin dhe familjen e tij. Pa dyshim, Ti je i lartë e i denjë për çdo famë dhe lavdërim!
  3. Allahu im, i bëra shumë padrejtësi vetes sime, kurse mëkatet i fal vetëm Ti! Falmë mua me një falje prej lartësisë Tënde! Pa dyshim, Ti je Falës dhe Mëshirues!
  4. Allahu im, falmi të gjitha mëkatet e kaluara e të ardhme, të hapura e të fshehta dhe ato që i kam bërë duke e kaluar kufirin dhe përtej kësaj edhe ato mëkatet e mia që i di vetëm Ti! Vetëm Ti je Ai që çon përpara dhe Ai që lë pas! S’ka Zot tjetër veç Teje!
  5. Allahu im, mbështetem tek Ti nga vuajtja e varrit! Allahu im, mbështetem tek Ti nga intriga e Mesih Dexhxhalit! Allahu im, mbështetem tek Ti nga intriga e jetës dhe e vdekjes!
  6. Allahu im, mbështetem tek Ti nga borxhi dhe mëkati!
  7. Allahu im, mbështetem tek Ti nga vuajtja e Xhehennemit, nga vuajtja e varrit, nga intriga e jetës dhe e vdekjes, nga intriga e Mesih Dexhxhalit!

Lutjet pas selamit

  1. Lus falje nga Allahu i Lartë! (3 herë)
  2. Allahu im, Ti je që jep paqe e shëndet, paqja dhe shëndeti janë tek Ti! O i Zoti i madhështisë dhe bujarisë, Ti je i pastër e i lartë!
  3. Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Ai është një, nuk ka ortak e nuk ka shok! Pasuria, pushteti dhe lavdia i përkasin Atij! Ai ka mundësi për çdo gjë!
  4. Allahu ynë, s’ka kush që mund t’i bëhet pengesë mirësisë Tënde dhe s’ka kush që mund të bëjë mirësi po s’e lejove Ti! Fama dhe nderi i askujt nuk mund t’i sjellë dobi kujt kundër Teje!
  5. Fuqia dhe forca janë vetëm të Allahut! Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Ne e adhurojmë dhe i falemi vetëm Atij! Mirësia vjen prej Tij, favori vjen prej Tij, edhe emri i bukur vjen prej Tij. Edhe pse s’duan mohuesit (qafirët), ne themi me sinqeritet se s’ka zot tjetër veç Allahut!

Lutja e kunutit / Duaja e Kunutit

  1. Allahu im, Zoti i Xhebrailit, Mikailit, Israfilit dhe Muhammedit (sav), mbështetem tek Ti nga Xhehennemi! (3 herë)
  2. Allahu im, më fut mes atyre që i ke vënë në rrugë të drejtë! Më fal shëndet e kënaqësi edhe mua mes atyre që u ke falur shëndet e kënaqësi! Më bëj edhe mua mik mes atyre që i ke bërë miq! Jepmë begati në ato gjëra që më ke dhuruar! Dhe mbromë nga e keqja e gjërave që ke vendosur të bëhen, sepse Ti vendos dhe askush nuk mund të vendosë kundër Teje!
  3. Eshtë e vërtetë se ai që Ti e bën mik, nuk humbet; edhe ai që është armiku Yt, nuk fiton vlerë! Ti je shumë i shenjtë dhe i lartë! Allahu ynë, jepi paqe profetit tonë, Hz. Muhammed (sav)!

Lutjet ne sexhden e tilavetit

  1. Fytyra ime të ra në sexhde Ty që e ke krijuar dhe që i ke dhënë formë, që e ke pajisur me sy e veshë. (Kjo përsëritet shumë herë)
  2. Allahu im, me këtë sexhde jepmë shpërblim, hiqmi mëkatet dhe kthemi ato në lartësinë Tënde në mirësi dhe ushqim për mua dhe ashtu siç e pranove nga robi Yt Daud (as), pranoje edhe nga unë!
  3. Ne e madhërojmë Zotin tonë; pa dyshim, premtimi i Zotit tonë është realizuar!

Lutjet ne sunnetin e namazit te mengjesit

  1. Disa herë të këndohen suret Kafirun dhe Ihlas.
  2. Disa herë të këndohen ajetet 64 dhe 84 të sures Al-i Imran.

Lutjet pas sunnetit te namazit te mengjesit

  1. Allahu im, Zoti i Xhebrailit, Mikailit, Israfilit dhe i profetit Muhammed (sav), mbromë mua nga Xhehennemi!
  2. O Hajj, o Kajjum, zot tjetër veç Teje s’ka! (40 herë)

Lutjet pas selamit te namazeve te mengjesit dhe mbremjes

  1. Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Ai është Një, nuk ka ortak e nuk ka shok! Pasuria, pushteti dhe lavdia i përkasin vetëm Atij! Ai jep jetë dhe merr jetë! Ai ka mundësi për çdo gjë! (10 herë)
  2. Allahu im, mbromë nga Xhehennemi! (7 herë)
  3. Allahu im, na vendos neve në Xhennet! Allahu im, bëma fundin e jetës më të mbarën e jetëve, bëma fundin e punëve më të mbarën e punëve dhe ditën time më të mbarë, bëma ditën kur do të takohem me Ty!
  4. Allahu im, mbështetem tek Ti nga mohimi (kufri), nga varfëria dhe nga vuajtja e varrit!
  5. Allahu im, mbështetem tek Ti nga frika dhe mbështetem tek Ti nga rrëshqitja e këmbëve në çastet e fundit! Mbështetem tek Ti nga intrigat e kësaj bote dhe mbështetem tek Ti nga vuajtja e varrit!
  6. Zoti im, mbromë atë ditë kur do t’i ringjallësh robtë e Tu!
  7. Allahu im, Zoti i Xhebrailit, Mikailit, Israfilit dhe Muhammedit (sav), mbromë nga nxehtësia e Xhehennemit dhe mundimi i varrit!
  8. Allahu im, më ndihmo të të përmend Ty, të të falenderoj Ty dhe të të adhuroj sa më bukur Ty!
  9. Allahu im, falmi gabimet dhe mëkatet që i kam bërë me vetëdije! Allahu im, më drejto mua drejt atyre që kanë moral dhe punë të mira, sepse vetëm Ti mund të më çosh te ata që kanë moral dhe punë të mira e të më mbrosh nga të këqinjtë!
  10. Allahu im, falmi të gjitha gabimet dhe mëkatet! Allahu im, lartësomë mua, m’i plotëso të metat e mangësitë, më dhuro furnizim të mirë, më shty drejt punëve të mira dhe moralit të bukur, sepse vetëm Ti mund të më çosh te e mira dhe të më mbrosh nga e keqja!
  11. Allahu im, jepi paqe fesë sime, zgjeroma hapësirën dhe dhuroji begati furnizimit tim!
  12. Zoti yt që është i fuqishëm e i nderuar, është i pastër prej gjërave me të cilat e karakterizojnë ata! Paqe profetëve të dërguar! Lavdi Allahut, Zotit të botëve!
  13. Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit, veç të cilit nuk ka zot tjetër!
  14. Allahu im, largoma shqetësimin dhe dëshpërimin!
  15. Allahu im, mbështetem tek Ti nga intriga e Mesih Dexhxhalit!
  16. Allahu im, mbështetem tek Ti nga ndëshkimi i Xhehennemit!
  17. Allahu im, mbështetem tek Ti nga mëkati dhe borxhi!
  18. Allahu im, mbështetem tek Ti nga intriga e jetës dhe e vdekjes!
  19. Allahu im, vendosmë në Xhennet bashkë me të mirët!
  20. Duke filluar me Besmele, këndohet sureja Fatiha, Ajeti Kursi dhe suret Ihlas, Felak dhe Nas.
  21. Thuhet 33 herë “Subhanallah”, 33 herë “Elhamdulil’lah” dhe 33 herë Allahu Ekber”. Pastaj thuhet: “La ilahe il’lallahu vahdehhu la sherike leh, lehu’l-mulku ve lehu’l-hamdu ve huve ala kul’li shej’in kadir”!
  22. Ngrihen duart për lutje dhe bëhet lutje.

Lutja e shiut

  1. Kur duken rrezet e para të diellit, njerëzit që do të bëjnë lutjen e shiut dalin në fushë ose majë një kodre dhe bëjnë pendim të thellë drejtuar Allahut. Pastaj imami ngjitet në një pozicion më të lartë se grupi dhe thotë kështu: “Lavdia dhe falenderimi janë të posaçëm vetëm për Allahun, Zotin e botëve! Ai është Rrahman (Mëshirues) dhe Rrahim (Mëshirëbërës)! Ai është Sunduesi në Ditën e Fesë!
  2. Pastaj imami ngre fort duart lart dhe thotë: “Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Ai bën atë që dëshiron!”
  3. Allahu im, Ti je Zot, zot tjetër veç Teje s’ka! Ti nuk ke nevojë për asgjë, kurse ne jemi qenie nevojtare! Falna shi neve dhe, bashkë me shiun, fuqi dhe mundësi!
  4. Allahu im, jepu ujë robve të Tu dhe kafshëve të tyre, shpërndaje mëshirën Tënde në çdo anë dhe ringjalli trupat e vdekur!
  5. Allahu im, na dhuro menjëherë dhe pa vonuar shi të dobishëm, të shëndetshëm, por jo të dëmshëm!
  6. Pasi lutet kështu, imami ua kthen shpinën njerëzve, e kthen xhyben nga e prapta dhe, duke vazhduar t’i mbajë duart lart për lutje, zbret nga pozicioni i lartë dhe fal dy rekatë namaz.

Lutja e istihares (ose këshillimit me anë të ëndrrës)

  1. Allahu im, me anë të diturisë Tënde kërkoj dobi dhe mbarësi prej Teje! Me anë të fuqisë Tënde kërkoj fuqi prej Teje, sepse fuqia Jote mjafton, kurse fuqia ime s’mjafton! Ti di, kurse unë s’di! Ti e njeh të fshehtën siç është e vërtetë!
  2. Allahu im, po qe se kjo punë është në diturinë Tënde, e mbarë për fenë time, për botën time, për jetën time, për fundin e punës sime, shkruama mua dhe ma bëj të mbarë e të dobishme! Pastaj, në këtë punë më dhuro begati!
  3. Por po qe se kjo punë është në diturinë Tënde, e prapë dhe e keqe për fenë time, për botën time, për jetën time, për fundin e punës sime edhe atë largoje prej meje, edhe mua më largo prej saj dhe shkruaje për mua atë që është e mbarë dhe jepmë kënaqësi me të!

Namazi i marteses dhe lutja e saj

  1. Personi që kërkon të martohet, fal dy rekatë namaz dhe lutet kështu:
    “Allahu im, pa dyshim që Ti vlerëson dhe cakton, unë s’mund të vlerësoj dhe caktoj; Ti di, unë nuk mund të di; Ti i njeh të fshehtat me të drejtë! Po qe se në diturinë Tënde, filan femër është e mbarë dhe e dobishme për fenë time, për botën time dhe jetën time pas ringjalljes, caktoje atë për mua. Por po qe se një tjetër është e mbarë dhe e dobishme për fenë time, për botën time dhe jetën time pas ringjalljes, atë caktoje dhe mundësoje për mua!”

Namazi i pendeses – teubes

  1. Kur personi kërkon të bëjë pendesë, fal dy rekatë namaz dhe lutet kështu për pendesë: Allahu im, pendohem para Teje për këtë mëkat se nuk kam për ta përsëritur sa të jetë jeta!
  2. Allahu im, falja Jote është më e gjerë se mëkatet e mia dhe mëshira Jote pranë meje është burim shprese më shumë se punët dhe lutjet e mia! (3 herë)

Namazi kur humbet diçka

  1. Ai që humbet diçka, merr abdest, fal dy rekatë namaz dhe lutet kështu:
    “Me emrin e Allahut! O Ti që i drejton ata që janë në rrugë të shtrembër! O Ti që i sjell prapë gjërat e humbura! Kthema prapë gjënë e humbur për hir të dinjitetit dhe madhështisë Tënde! Sepse kthimi prapë i gjërave është një nga virtytet e Tua!
  2. Allahu im, që i kthen gjërat e humbura, që i kthen në rrugë të drejtë ata që e kanë humbur rrugën, Ti kthen nga e shtrembra në të drejtë! Kthema gjënë e humbur për hir të fuqisë dhe madhështisë Tënde! Sepse kjo është nga virtytet e Tua!

Namazi i mesimit permendesh te Kur’anit dhe lutja e tij

  1. Personi ngrihet nga gjumi në një të tretën e fundit të natës së xhuma; po s’mundi ta bëjë këtë, ngrihet në fillim të natës ose në mes të saj, merr abdest dhe fal katër rekatë namaz. Si sure të shkurtra pas Fatihasë, këndon suren Jasin në rekatin e parë, suren Duhan në rekatin e dytë, suren Sexhde në rekatin e tretë dhe suren Mulk në rekatin e katërt. Pas mbarimit të këndimit në ndenje, bën këtë lutje:
  2. Lavdia dhe lavdërimi i takojnë Allahut, Zotit të botëve!
  3. Lavdi Allahut që krijoi qiejt e tokën, errësirën dhe dritën!
  4. Lavdi i qoftë Allahut që ia zbriti Librin robit të Vet, Muhammedit (sav)!
  5. E madhëroj Allahun, lavdia dhe falenderimi i takojnë vetëm Atij! Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Allahu është më i madhi! Fuqia dhe forca janë në dorë të Allahut që është i lartë e madhështor!
  6. Allahu është i pastër prej të gjitha të metave! E lavdëroj Atë në mënyrë të posaçme vetëm për Të! Allahu që është madhështor është i pastër prej të gjitha mangësive!
  7. Allahu im, jepi profetit tonë Hz. Muhammed (sav) dhe familjes së tij falje, paqe e begati sa ç’është përsosmëria Jote dhe në mënyrë të përshtatshme me përsosmërinë Tënde!
  8. Allahu im, fale zotërinë tonë Muhammedin dhe familjen e tij, siç e fale Ibrahimin dhe familjen e tij! Pa dyshim, Ti je i lartë e i denjë për çdo famë dhe lavdërim! Allahu im, begatoje zotërinë tonë Muhammedin dhe familjen e tij, siç e begatove Ibrahimin dhe familjen e tij. Pa dyshim, Ti je i lartë e i denjë për çdo famë dhe lavdërim!
  9. Allahu im, jepi profetit tonë Hz. Muhammed (sav), profetëve të tjerë dhe shokëve të tij pafundësisht falje, paqe e begati sa numri i krijesave, sa pëlqimi Yt, sa pesha e Arshit dhe sa numri i fjalëve të Tua!
  10. Zoti ynë! Falna ne dhe vëllezërit tanë të besimit para nesh dhe mos na lër ndër zemra ndonjë urrejtje kundër besimtarëve! Zoti ynë, Ti je shumë i dhembshur dhe i mëshirshëm!
  11. Allahu im, sa të më japësh jetë, ki mëshirë për mua që të më ndihmosh për t’i braktisur të gjitha mëkatet! Allahu im, mbromë mua që të mos u hyj gjërave që s’më interesojnë mua dhe më bëj që t’i shoh të bukura gjërat me të cilat do të fitoj pëlqimin Tënd!
  12. Allahu im, Ti që ke krijuar nga hiçi qiejt dhe tokën, je gjithmonë i madh dhe bujar!
  13. O Allah, o Rrahman (Mëshirues), kërkoj prej Teje që, për hir të madhështisë Tënde dhe bukurisë së fytyrës Tënde, siç ma mësove Librin Tënd mua, t’ia bësh vazhdimisht të afërt edhe zemrës sime dhe të ma mundësosh mua që ta lexoj atë ashtu që të fitoj pëlqimin Tënd!
  14. Allahu im, Ti që ke krijuar nga hiçi qiejt dhe tokën, je gjithmonë i madh dhe bujar!
  15. O Allah, o Rrahman, kërkoj prej Teje që për hir të madhështisë Tënde dhe bukurisë së fytyrës Tënde, me Librin Tënd të m’i ndriçosh sytë, të ma zgjidhësh gjuhën, të ma lehtësosh zemrën, të ma hapësh gjoksin dhe të m’i japësh trupit lëvizje e gjallëri për punë dhe adhurim! Sepse unë s’kam tjetër veç Teje që të më ndihmojë për ta gjetur të
    vërtetën! Sepse e vërteta është vetëm tek Ti! Fuqia dhe forca janë vetëm në dorë të Allahut që është i lartë e madhështor! (Kjo përsëritet për pesë ose shtatë të premte)

Namazi haxhet (i nevojtarise)

  1. Personi që kërkon t’i lutet Allahut për ndonjë nevojë, në fillim merr abdest, fal dy rekatë namaz dhe bën këtë lutje: “Allahu im! Prej Teje kërkoj dhe duke bërë pretekst të dërguarin Tënd, profetin e mëshirës, Hz. Muhammedin (sav), Ty po të drejtohem! O Muhammed (sav), për të m’u plotësuar kjo nevojë, po i drejtohem Zotit tim duke të bërë pretekst ty! Allahu im, bëje atë ndërmjetës25 për mua!”
  2. Kurse sipas një transmetimi tjetër, personi fal dy rekatë namaz, e lavdëron Allahun, lutet për mëshirë dhe paqe për Profetin (sav) dhe bën këtë lutje:
  3. Nuk ka zot tjetër veç Allahut që është Halim (i butë) dhe Kerim (bujar)! Madhëruar qoftë Allahu, Zoti i Arshit të Madh!
  4. Lavdia dhe lavdërimi janë të posaçëm vetëm për Allahun, Zotin e botëve! Kërkoj prej Teje gjërat që do të tërhiqnin mëshirën Tënde, faljen Tënde absolute, mbrojtjen prej mëkateve, fitimin e çdo të mire, shpëtimin prej çdo lloj mëkati! O më mëshiruesi i mëshiruesve, mos lër tek unë asnjë mëkat të pafalur, asnjë dëshpërim të paqetësuar, asnjë nevojë që i është kushtuar pëlqimit Tënd!
  5. Allahu im, Ti vendos për gjërat që robtë e Tu bien në kundërshtim me njëri-tjetrin!
  6. Nuk ka zot tjetër veç Allahut që është i lartë e madhështor!
  7. Nuk ka zot tjetër veç Allahut që është Halim (i butë) dhe Kerim (bujar)!
  8. Lavdia dhe lavdërimi i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve!
  9. Allahu im që i lehtëson hallet, që i heq shqetësimet, që i përgjigjesh lutjes së të pashpresëve kur të luten Ty, o Mëshiruesi dhe Shpërblyesi i kësaj bote dhe i jetës tjetër pas ringjalljes (Ahiret), mëshiromë mua për plotësimin e kësaj nevoje në mënyrë që të mos mbetem nën mëshirën e të tjerëve!
  10. Sipas një transmetimi tjetër, personi fal dy e nga dy dymbëdhjetë rekatë namaz dhe, në ndenjen e fundit, pas këndimit të Tahhijatit dhe Salavatit, bie në sexhde duke thënë “Allahu Ekber”, ku këndon shtatë herë suren Fatiha, shtatë herë Ajetin Kursi, shtatë herë suren Ihlas dhe dhjetë herë “La ilahe il’lallahu vahdehu la sherike leh, lehu’l-mulku ve lehu’l-hamdu ve huve ala kul’li shej’in kadir”.
  11. Pastaj lutet kështu: “Allahu im, kërkoj prej Teje për hir të të fshehtave të Arshit të Madh, për hir të mëshirës së pafundme të Librit, për hir të Emrit Tënd të Madh, të famës Tënde të lartë dhe të të gjithë Fjalës Tënde!”
  12. Pastaj lutet për nevojën që ka, ngre kokën nga sexhdeja dhe jep selam djathtas e majtas.

Namazi i tesbihve (Namazi i madhërimit të Allahut) – tesbih namaz

  1. Falet me katër rekatë. Në çdo rekat këndohet Fatihaja dhe një sure. Në rekatin e parë, pas mbarimit të këndimit, nëkëmbë, thotë pesëmbëdhjetë herë “subhanallahi velhamdulil’lahi ve la ilahe il’lallahu vallahu ekber”. Përkulet në rukuku e përsërit këtë lutje edhe dhjetë herë të tjera. Drejtohet nga rukuja dhe e përsërit edhe dhjetë herë të tjera. Bie nësexhde dhe e përsërit edhe dhjetë herë të tjera. Ngrihet nga sexhdeja dhe e përsërit edhe dhjetë herë të tjera. Bie nësexhden e dytë dhe e përsërit edhe dhjetë herë të tjera. Ngrihet nga sexhdeja dhe e përsërit edhe dhjetë herë të tjera. Nëkëtë mënyrë i fal edhe rekatet e tjera.

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 49 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...