Home » Të ndryshme » Fjala e gjashtë – T’ia shesësh amanetin Allahut (Pjesë nga koleksioni i Risale-i Nur)

بِسْمِ اللّهِ الرَّحْمنِ الرَّحِيمِ

اِنَّ اللّهَ اشْتَرَى مِنَ الْمُؤْمِنِينَ اَنْفُسَهُمْ وَاَمْوَالَهُمْ بِاَنَّ لَهُمُ الْجَنَّةَ

Me Emrin e All-llahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti. “Me të vërtetë All-llahu ka blerë nga besimtarët jetën e tyre dhe pasurinë e tyre me çmimin, se e tyre do të jetë Parajsa.”[11]

Në qoftë se dëshiron të kuptosh, se sa tregti me përfitim dhe sa rang i nderuar është që njeriu t’ia shesë personin e tij dhe pasurinë All-llahut, dhe të jetë shërbëtori dhe ushtari i Tij, dëgjoje krahasimin që vijon:

Një herë, një mbret ua la në besim dy nënshtetasve të tij një pasuri tokë bujqësore, secili prej tyre kishte nga një fermë të madhe duke përfshirë në të gjithçka që ishte e domosdoshme si punishtet, makineritë, kuajt, armët e kështu me radhë. Por meqenëse ishte një kohë e turbullt dhe e stuhishme lufte, asgjë nuk gëzonte stabilitet; ishte shkruar se do të zhdukej ajo gjë ose do të ndryshohej. Mbreti me mëshirën e tij të pafund dërgoi një nga njerëzit e tij të afërm i shoqëruar me dekretin e tij të mëshirshëm që t’u komunikojë të dyve, sa vijon:

“Ma shisni mua amanetin Tim që ju tani e mbani në besim, që ta ruaj për ju, që të mos shkatërrohet për kot e pa qëllim. Pasi të mbarojë lufta, unë do t’jua kthej atë në kushte më të mira se ato të mëparshmet. Unë do ta vlerësoj amanetin si pasurinë tuaj dhe do t’ju jap një çmim të lartë për të. Sa për makineritë dhe veglat në punishte, ato do të përdoren në Emrin Tim dhe tek bankat e Mia të punës. Por, çmimi dhe paga për përdorimin e tyre do të rritet nga një në njëmijë. Ju do të merrni të gjithë përfitimin që shtohet. Ju jeni të varfër e pa mjete jetese, dhe të pamundur për t’i mbuluar shpenzimet e këtyre punishteve të mëdha. Prandaj do t’i marr Unë përsipër të gjitha shpenzimet dhe pajisjet, dhe do t’ju jap ju të gjitha të ardhurat dhe përfitimet. Ju do t’i mbani ato deri në kohën e çmobilizimit. Atëherë shikoni pesë mënyrat në të cilat ju do të përfitoni!..

Tani, në qoftë se nuk ma shisni pasurinë, ju mund të shikoni se asnjëri nuk do të ketë mundësi ta ruajë atë çfarë ka në pronësi, dhe ju ashtu si çdokush tjetër do ta humbisni atë çfarë ju keni tani në dorë. Ajo do të shkojë për hiç asgjë dhe do të humbisni çmimin e lartë që Unë ua jap. Veglat e holla e të çmueshme, balancat dhe metalet e vlefshëm që presin për t’u përdorur, gjithashtu do ta humbasin të gjithë vlerën, dhe kjo, për shkak të mospërdorimit të tyre në punët e larta.. Ju do të keni merakun dhe shqetësimin e administrimit të tyre dhe të ruajtjes, por në të njëjtën kohë do të ndëshkoheni për tradhtinë e amanetit tuaj. Prandaj shikoni pesë mënyrat në të cilat ju mund të humbisni!..

Për më tepër, në qoftë se ma shisni Mua pasurinë, ju bëheni ushtarët e Mi dhe veproni në Emrin Tim. Dhe në vend të një të burgosuri të rëndomtë ose të një ushtari të parregullt, ju do të jeni togerë të lirë të një Mbreti.”

Pasi ata të dy e kishin dëgjuar këtë fjalë të bukur dhe këtë dekret mbretëror mëshirëmadh, më i zgjuari i tyre tha:

“Do t’i bindem patjetër dekretit të mbretit, unë jam i kënaqur ta shes pasurinë me të gjithë krenarinë dhe me njëmijë falënderime.”

Ndërsa tjetri që ishte arrogant, egoist dhe i shthurur, shpirti i tij ishte bërë aq krenar sa ai i Faraonit. Ai mendoi se do të jetonte përjetësisht në fermë dhe se nuk do ta godiste asnjë tërmet apo tronditjet dhe trazirat e kësaj bote. Ai tha:

“Jo, Jo!.. Kush është Mbreti? Unë nuk do ta shes pasurinë time, as nuk do ta prish kënaqësinë time.”

Pas një kohe të shkurtër, njeriu i parë arriti një rang aq të lartë, saqë gjithkush ia kishte zili gjendjen e tij. Ai mori mirësinë e Mbretit dhe jetoi i lumtur në pallatin e Mbretit. Ndërsa tjetri ra në një gjendje aq të ulët, saqë gjithkujt i erdhi keq për të, por megjithatë thanë se e “meritonte atë!”, sepse, si pasojë e gabimit të tij, lumturia dhe pasuria e tij i ikën, dhe vuajti dënim e torturë.

O shpirt i mbushur plot teka! Shikoje fytyrën e së vërtetës nëpërmjet teleskopit të kësaj shembëlltyre.

Sa për mbretin, Ai është Monarku i Parapërjetësisë dhe i Paspërjetësisë, është Furnizuesi yt dhe Krijuesi. Ferma, makineritë, veglat dhe balancat janë ato që ke në pronësi në jetën e kësaj bote, si: trupin tënd, shpirtin dhe zemrën dhe çfarë përfshijnë ato si dëgjimin, shikimin, gjuhën, mendjen dhe përfytyrimin, domethënë të gjitha shqisat e jashtme dhe ndjenjat e brendshme. Sa për lajmëtarin fisnik, ai është Profeti i Nderuar Muhammed a.s.m.. Dekreti mbretëror është Kur’ani i shenjtë i gjithurtë, i cili e përshkruan tregtinë që ne po diskutojmë në këtë vërset:

اِنَّ اللّهَ اشْتَرَى مِنَ الْمُؤْمِنِينَ اَنْفُسَهُمْ وَاَمْوَالَهُمْ بِاَنَّ لَهُمُ الْجَنَّةَ

“Me të vërtetë All-llahu ka blerë nga besimtarët jetën e tyre dhe pasurinë e tyre me çmimin, se e tyre do të jetë Parajsa.”[12]

Print Friendly, PDF & Email
Scroll Up