Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Ebu Talha r.a.-Zejd ibnu Sehl

Zejd ibnu Sehl EnNexhxhari, i njohur me pseudonimin Ebu Talha, mësoi që Rumejsa Bintu Milhan nga fisi Nexhxhar, e njohur me pseudonimin Umu Sulejm, kishte mbetur e vejë, pasi i kishte vdekur burri, dhe me të dëgjuar këtë lajm zemra e tij u bë shend e verë.

Nuk është çudi përse Ebu Talha e ndiente veten shpirtërisht ashtu, ngase Umu Sulejmeja ishte një zonjë me moral të lartë, mendjemprehtë dhe me cilësi të larta.

Ai vendosi shpejt e shpejt që të fejohet me të, para se ta bëjë këtë ndonjëri prej atyre të cilët e lakmonin.

Ebu Talha ishte i bindur se Umu Sulejmeja nuk do të pranonte asnjërin prej burrave që do ta kërkojnë, përveç tij.

Ai ishte një burrë i pjekur, gëzonte respekt të madh dhe kishte pasuri të madhe, për të cilat njerëzit ia kishin lakmi… Përveç kësaj, ai ishte kalorës i njohur i fisit të tij, Benu Nexhxhar, dhe njëri prej shigjetarëve të saktë dhe të rrallë të Jethribit.

*  *  *

Ebu Talha shkoi te shtëpia e Umu Sulejmes…

Ndërsa ai po shkonte rrugës së tij, iu kujtua se si Umu Sulejmeja kishte dëgjuar për fjalën e thirrësit mekas,  Mus’ab ibnu Umejrit, lidhur me pejgamberllëkun e Muhammedit a.s. Ajo kishte besuar Muhammedin dhe kishte përqafuar fenë e tij.

Por, sakaq tha në vetvete: – A thua, si do t’ia bëj kësaj pune me të?…

A nuk ishte burri i saj, ai që kishte vdekur, i lidhur me fenë e gjyshërve të tij, kundërshtar i Muhammedit dhe i thirrjes së tij?!

Ebu Talha arriti te shtëpia e Umu Sulejmes. Kërkoi leje nga ajo që të hynte brenda dhe ajo e lejoi. Në praninë e djalit të saj, Enesit, ai i propozoi që të martohet me të…

Ajo i tha:

– Në të vërtetë, njeriu si ti nuk refuzohet, o Ebu Talha, por unë nuk do të martohem me ty sepse ti je jobesimtar.

Ebu Talha mendoi që Umu Sulejmeja me këtë qëndrim po vë kusht për ta refuzuar dhe se, sipas mendimit të tij, ajo ka zgjedhur një njeri tjetër, më të pasur, nga ndonjë fis më i famshëm.

Atëherë iu drejtua asaj:

 Për Zotin, ky nuk është shkaku që të më refuzosh, oj Umu Sulejme.

 E cili mund të jetë ai? pyeti ajo.

I verdhi dhe i bardhi… ari dhe argjendi,  i tha ai…

Ari dhe argjendi?!  pyeti ajo e befasuar.

Po,  tha Ebu Talha.

Megjithatë, unë dëshmoj para teje, o Ebu Talha, dëshmoj para Zotit dhe Pejgamberit të Tij se, po qe se pranon fenë islame, do të të pranoj për burrë timin, pa ar dhe pa argjend, kurse pranimi i fesë islame nga ana jote le të jetë mehri yt për mua…

*   *   *

Pasi dëgjoi fjalët e Umu Sulejmes, Ebu Talhës i shkoi mendja te puti (idhulli) i tij, të cilin e kishte punuar prej drunjve të çmuar, të cilin e njihte për zot të vetin, ashtu siç bënin pjesëtarët e fisit të tij.

Por, Umu Sulejmeja kishte vendosur t’i binte hekurit sa ishte ende i nxehtë (vendosi që të mos e humbë rastin) dhe vazhdoi t’i thotë:

A nuk e di ti, o Ebu Talha, se zoti yt, të cilin e adhuron përveç Allahut, ka mbirë nga toka!?

E di, gjithsesi,  iu përgjigj ai.

A nuk ndjehesh i turpëruar kur adhuron trupin e një druri, një pjesë e të cilit tështë dhënë për zot, kurse pjesën tjetër të po atij trupi e kanë përdorur të tjerët për lëndë djegëse, për t’u ngrohur me zjarrin e tij apo për të pjekur me të bukën?… e pyeti ajo.

Në të vërtetë, nëse pranon fenë islame o Ebu Talha, unë do të jem e kënaqur, do të të pranoj për bashkëshort timin dhe nuk dëshiroj mehër përveç Islamit.

 Kush më mëson se s’i pranohet feja islame?  pyeti ai.

Unë,  u përgjigj ajo.

Si?  pyeti ai.

Umu Sulejmeja i tha:

Thuaj të vërtetën, pastaj dëshmo se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Allahut, prandaj shko në shtëpinë tënde, shkatërroje putin tënd dhe përdhose atë.

Ebu Talhës iu shfaq në fytyrë gëzimi dhe hareja dhe tha:

“Eshhedu en la ilahe illlallllah ve eshhedu enne Muhammeden resulullllah” (“Dëshmoj se s’ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Tij”).

Pastaj ai u martua me Umu Sulejmen…

Atëherë muslimanët thonin:

“Nuk kemi dëgjuar asnjëherë për një mehër më të çmuar sesa mehrin e Umu Sulejmes… Ajo e bëri mehër të vetin fenë islame…”

*  *  *

Që nga ajo ditë, Ebu Talha hyri nën flamurin islam, iu bashkua radhëve të tyre dhe me tërë fuqinë e tij u vu në shërbim të Fesë Islame.

Ai ishte njëri nga 70 vetat të cilët zgjodhën dhe ia dhanë besën Pejgamberit a.s. në Akabe, kur me të ishte edhe bashkëshortja e tij Umu Sulejmeja.

Ishte njëri nga dymbëdhjetë eprorët të cilët atë natë Pejgamberi a.s. i kishte emëruar për udhëheqje të muslimanëve të Jethribit.

Ishte pjesëmarrës i të gjitha betejave që zhvilloi  Muhammedi a.s. ku dëshmoi shkathtësi të rrallë dhe të lartë.

Por, njëra nga ditët më madhështore për Ebu Talhan, është dita e betejës së Uhudit. Ja se çfarë ndodhi atë ditë.

*  *  *

Ebu Talha e ka dashur Pejgamerin a.s. me një dashuri të sinqertë, e cila shtohej dhe ia përshkonte trupin e tij, sikur gjaku në të gjitha enët, prandaj nuk ngopej duke shikuar dhe me padurim priste rastin për të parë dhe dëgjuar fjalët e tij të ëmbla.

Kur ngelte vetëm me të, ulej para gjunjëve të tij dhe i thoshte:

“Shpirti im është flijues për shpirtin tënd dhe fytyra ime është në mbrojtjen e fytyrës tënde.”

Ditën kur u zhvillua beteja e Uhudit muslimanët u larguan nga Muhammedi a.s., lëvizjet e të cilit vëreheshin prej së largu, atëherë politeistët filluan t’i afrohen atij nga çdo anë. Ata ia thyen dhëmbin, ia çanë ballin, ia lënduan buzën dhe gjaku i rridhte fytyrës…

Ai ishte në gjendje aq të keqe, saqë ndjellakëqinjtë menduan se Muhammedi a.s. është vrarë, e muslimanët vazhdimisht dobësoheshin dhe mposhteshin para armikut të Allahut.

Në ato çaste, vetëm një grup i vogël u përqëndrua në mbrojtjen e Muhammedit a.s., në krye të të cilëve ishte Ebu Talha.

*  *  *

Ebu Talha vuri trupin e tij në mbrojtje të Pejgamberit a.s. si të ishte mburojë.

Ai ngrehu harkun e tij të pamposhtur dhe vendosi shigjetat e tij të cilat nuk i huqnin caqet dhe filloi ta mbrojë Pejgamberin e Zotit, duke qëlluar politeistët njërin pas tjetrit.

Pejgamberi zgjatej prapa Ebu Talhasë që të shihte cakun e shigjetave të tij, por Ebu Talha ia tërhiqte vërejtjen nga frika se Pejgamberi a.s. do t’i ekspozohej rrezikut dhe i thoshte:

– Ti je sikurse prindërit e mi, më je i dashur, mos u zgjat, se mund të të vrasin ose të të qëllojnë… Fyti im dhe gjoksi im flijohen për fytin dhe gjoksin tënd. Për ty flijohem.

Njëri nga radhët e muslimanëve po kalonte pranë Pejga-mberit a.s. duke ikur, e me vete kishte shportën e shigjetave. Pejgamberi a.s. e thirri dhe i tha:

– Hidhi shigjetat e tua para Ebu Talhasë e mos ik me gjithë ato.

Ebu Talha mbronte Pejgamberin a.s. gjersa iu thyen tri harqe, kurse nga radhët e politeistëve vrau aq luftëtarë sa ka dashur Allahu.

Pastaj përfundoi beteja dhe Allahu e shpëtoi Pejgam-berin e Tij dhe e mbrojti atë me mbrojtjen e Tij të pathyeshme.

*  *  *

Siç ishte Ebu Talha bujar me shpirtin e tij në rrugën e Allahut, në momentet më të vështira, ai ishte bujar gjith-ashtu me pasurinë e tij në qëndrimet e duhura për të shpenzuar…

Nga bujaria e tij veçojmë kur ai kishte një kopsht hurmash dhe rrushi në Jethrib, ku nuk njihej ndonjë kopsht me më shumë pemë, as me fruta më të këndshme e as me ujë më të ëmbël.

Gjersa Ebu Talha falej nën freskitë e hijeve, atij ia tërhoqi vërejtjen një cicërimë e një shpendi me ngjyrë të gjelbër, sqep të kuq dhe këmbë ngjyrangjyra.

Ai shpend filloi të këndojë mbi degët e drejta të pemëve, duke cicëruar me një melodi ngacmuese, atëherë e mahniti pamja e bukur e tij dhe ai u kredh në mendime.

S’vonoi dhe erdhi në vete, andaj nuk i kujtohej sa rekate kishte falur!! Dy… Tri… Ai nuk e dinte…

Pasi përfundoi namazin shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i dha lajmin e keq për veten e tij, se vëmendjen e tij nga namazi ia largoi kopshti, pemët e tij me hije të gjata dhe shpendi cicërues i atij kopshti…

Pastaj tha:

– Dëshmo, o i Dërguar i Allahut, që unë e lë këtë kopsht sadakë në emër të Allahut të Lartmadhëruar…

Ndaj përdore dhe shërbehu me të aty ku Allahu dhe Pejgamberi i Tij dëshirojnë.

*  *  *

Ebu Talha jetoi duke agjëruar dhe duke luftuar në rrugën e Allahut… Të tillë edhe e zuri vdekja… Dëshmitarët e kohës së tij kanë thënë se pas vdekjes së Resulullahut ai kishte agjëruar rreth tridhjetë vjet, pa ndërprerë agjërimin asnjë ditë, përveç në ditët e Bajrameve, kur agjërimi ishte i ndaluar. Atij i zgjati jeta gjersa u bë plak i shtyrë në moshë, megjithëqë pleqëria e tij nuk e pengoi që ta vazhdojë luftën në rrugën e Allahut, për të ecur nëpër rrugët mbi sipërfaqen e tokës për të lartësuar Fjalën e Allahut dhe për ta nderuar dhe madhështuar fenë e Tij. Njëra nga luftërat në të cilat mori pjesë ky trim i paepur ishte edhe beteja të cilën muslimanët vendosën ta zhvillonin në det, në kohën e halifetit të Othman ibnu Affanit.

Kur Ebu Talha filloi të përgatitet për të dalë me ushtrinë e muslimanëve, të bijtë e tij iu drejtuan:

 Të mëshiroftë Zoti, o ati ynë, tashmë je plakur dhe ke luftuar krahas të Dërguarit të Allahut xh.sh. dhe krahas Ebu Bekrit dhe Omerit, prandaj, a nuk ke nevojë për qetësi dhe rehati, që të na lësh të luftojmë edhe për ty?!

Ai iu tha bijve të vet:

– Allahu i Lartmadhërishëm thotë:

“Merrni pjesë në luftë (në rrugën e Allahut), le t’ju vijë e lehtë ose e rëndë.” (Etteube 41).

Ja pra, ai na tejkaloi të gjithëve me pjesëmarrje në luftë në rrugën e Allahut… pleqve dhe të rinjve dhe na tregoi se pjesëmarrja në luftë për të çuar përpara kauzën e fesë islame për të jetësuar Fjalën e Allahut, nuk është e lidhur domosdoshmërisht me moshën e individit.

Ai assesi nuk hoqi dorë nga këmbëngulja e tij për të marrë pjesë në luftë.

*  *  *

Ndërsa që plaku tejet i moshuar, Ebu Talha, ishte në anije me ushtrinë e muslimanëve në mes të detit, u sëmur rëndë, pasojë e së cilës qe vdekja.

Muslimanët filluan të kërkojnë një ujdhesë me qëllim që ta varrosin në të, por nuk e gjetën derisa kaluan 7 ditë dhe Ebu Talha ende në mesin e tyre, i mbështjellur me qefin, pa ndryshuar asgjë në të, sikur të ishte i fjetur.

Kjo ndodhi në hapësirën dhe gjerësinë e detit…

Ebu Talha u varros.

Larg nga familja e gjerë dhe atdheu…

Larg nga familja e ngushtë dhe vendbanimi…

Por, përkundër të gjitha këtyre, ai ishte edhe më fatlum, sepse kaloi në fqinjësi të Allahut të Lartmadhëruar.

Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 49 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...