Home » Lexim » Tabiin » Ebu Hanife (Numan bin Thabit) – Enciklopedia Tabiinet

Ebu Hanife, imami i shkollës, i drejtimit juridik e fetar. Një mjeshtër i mjeshtrave, ai që u ka diktuar mendimet e veta burrave të mëdhenj që i pati mbledhur përreth vetes në periudhën e ballafaqimit të dijes dhe kulturës, ai që në rrethin e tij mësimor kreu detyrën e shejhul-islamit për grupin e njerëzve të dritës dhe diturisë së periudhave të para, që përgatiti Ebu Jusufët, Imam Muhamedët, Imam Hasan Shejbanitë, Imam Zuferitë dhe Vekiun, mësuesin e Imam Shafiiut. Ai u vinte nënshkrimin e vet epokave, u bënte zë shekujve pas tij dhe ngjitej në pozitën e imamit të milionave. Shënimet që u diktoi ai nxënësve të tij të parë dhe veçanërisht Imam Muhamedit, i sistemoi më vonë Shemsu’l-Eimme, Serahsiu, në veprën e tij të njohur, “Mebsut”, dhe, madje, në fundin e një pusi, e një cisterne… Çdo ditë, nxënësit mblidheshin rreth cisternës, ai përkufizonte, saktësonte, kurse nxënësit i shënonin thëniet e tij, i fiksonin…

A mos nxënësi i Alkames, Jezidit, Esvedit, nxënësve të Ibni Mes’udit (r.a.) nga sahabet? Jo! Nxënësi i nxënësve të tyre! Pra, nxënësi i Hammad Ibni Ebi Sulejmanit. Ç’është e vërteta, edhe Hammad ishte një gjeni i veçantë i fikhut, një gjeni i së drejtës juridike, por nxënës i nxënësit të të Dërguarit të Allahut!

Vetëm në periudhën e Ebu Hanifes, në Kufe ndoshta mund të numëroheshin pesëdhjetë gjeni të atij dimensioni. Sa pjellore është toka, sa e bekuar është koha! Më drejt, të gjithë këta janë reflektimi i dritës së Profetit Muhamed (s.a.s.), janë dallgëzimi i detit të tij të diturisë shpirtërore! Po, është në sajë të tij që nga një bashkësi beduinësh shpërtheu jashtë një kuadër diturie që e ndriçoi njerëzimin dhe i mbyti botët në dritë për katërmbëdhjetë shekuj me radhë dhe, në dashtë Allahut, do ta ndriçojë gjer në kiamet! Burimi

Ebu Hanife dhe bazat e mendimit të tij juridiko-fetar

Themeluesi i medhhebit Hanefi, Imami i Madh Ebu Hanife, është kritikuar nga shumë persona për metodologjinë në deduktimin e vlerësimeve juridiko-fetare. Tema më e debatueshme është ajo e analogjisë (kijasit), një metodë, e cila për herë të parë është zbatuar në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme nga Ebu Hanife. Kijasi, pavarësisht se më pas u kthye në argumentin e katërt në metodologjinë e Jurisprudencës Islame, në krye u nënkuptua më tepër si përdorim i arsyes duke neglizhuar tekstet fetare. Si pasojë, Ebu Hanife u paragjykua dhe u kritikua rëndë. Kritikuesit e tij pretendonin se me përdorimin e analogjisë, ai po braktiste Traditën Profetike dhe po gjykonte me mendimin e tij individual (ra’j) bazuar në arsyetimin personal dhe jo në tekstet fetare.

Këtyre paragjykimeve nuk i kanë shpëtuar as pasuesit e tij, të cilët vazhdimisht kanë ndjerë nevojën të qartësojnë besimtarët në lidhje me mendimin juridik të shkollës hanefitë. Këtë ka bërë edhe autori i veprës el-Hajrât el-Hisân, Ibn Haxher el-Hejtemi, i cili në një kapitull trajton bazat mbi të cilat është ngritur shkolla hanefite. Në vijim do të lexoni disa citime nga kapitulli në fjalë i kësaj vepre, të cilat janë vendosur në thonjëza, si dhe disa informacione qartësuese. Qëllimi këtij shkrimi është që, duke trajtuar kritikat ndaj medhhebit, të vërë në dukje bazat kryesore të tij.

“Shpeshherë në tekstet fetare Ebu Hanife dhe nxënësit e tij janë quajtur ‘përfaqësues të mendimit individual’. Në fakt dijetarët me këtë fjalë nuk nënkuptojnë zhvlerësim. Nuk duan të thonë as që hanefitë i japin prioritet arsyes në krahasim me Traditën Profetike dhe thëniet e sahabëve, sepse kjo nuk qëndron. Këtë mendim e mbështesin edhe fjalët e Ebu Hanifes, të cilat mund të përmblidhen kështu: ‘Në krye ne marrim për bazë Kur’anin; nëse nuk gjejmë përgjigje aty, atëherë i drejtohemi Traditës Profetike (Sunetit); nëse nuk gjejmë as aty përgjigje, atëherë shohim ç’kanë thënë sahabët. Nëse sahabët kanë shprehur mendime të ndryshme, atëherë përzgjedhim mendimin që është më afër me Kur’anin dhe Traditën Profetike, duke mos e tejkaluar këtë kornizë. Por, nëse nuk gjendet asnjë vlerësim prej sahabëve,  atëherë nuk marrim për bazë një mendim të tabiinëve, por bëjmë ixhtihad, porsi kanë vepruar tabiinët (brezi pas sahabëve).’” Kjo, për shkak se vetë Ebu Hanife është bashkëkohor me tabiinët dhe transmetohet që është takuar me rreth 30 sahabë. Të njëjtën metodikë e ka transmetuar edhe Abdullah b. el-Mubarek.

Ndërkohë, Fudajl b. Ijâd shprehet kështu për Ebu Hanifen: “Nëse në lidhje me një çështje të caktuar gjendej një hadith autentik, atëherë Ebu Hanife e ndiqte atë. E njëjta gjë është e vlefshme në rast se i transmetohej një thënie e sahabëve ose e tabiinëve. Në raste të tjera bënte analogji”.

Nga transmetimet prej vetë Ebu Hanifes dallohet qartë, që në lidhje me metodikën e tij juridiko-fetare kishte shumë paragjykime, për të cilat ai ishte në dijeni dhe habitej. Këtë habi e shprehte kështu herë pas here: “Shumë çudi që njerëzit thonë se unë gjykoj në fe sipas mendimit tim individual. Unë nuk gjykoj, përveçse me transmetime”. Dhe shton: “Nëse rreth një teme të caktuar është shprehur Kur’ani, Tradita Profetike ose gjendet konsensus mes sahabëve, askush nuk ka të drejtë të gjykojë në fe sipas mendimit të tij individual. Nëse sahabët kanë shprehur mendime të ndryshme, atëherë ne përzgjedhim njërin prej këtyre mendimeve dhe nuk ngrihemi të bëjmë vlerësime personale. Për çfarë mbetet jashtë trinomit Kur’an-Sunet-Sahabe, bën ixhtihad kush njeh mendimet e ndryshme dhe njeh mirë analogjinë”.

Kurse në lidhje me zbatimin e analogjisë në Jurisprudencën Islame, el-Muzeniu, nxënësi i parë i Imam Shafiiut, transmeton kështu nga mësuesi i tij rreth Ebu Hanifes: “Të gjithë njerëzit janë fëmijë të Ebu Hanifes në zbatimin e metodës së analogjisë”. Për këtë arsye, el-Muzeniu e vlerësonte shumë teorinë hanefite rreth analogjisë dhe i tërhiqte vazhdimisht vëmendjen nxënësve të tij. Kjo bëri edhe që nipi i tij, et-Tahauî, të kthehej në ndjekës të medhhebit Hanefi, fakt të cilin vetë et-Tahaui e rrëfen.

Hasan b. es-Salih gjithashtu na prezanton një këndvështrim tjetër në lidhje me mendimin e metodikës juridike të Imamit të Madh: “Ebu Hanife ishte një njohës shumë i mirë i vlerësimeve shfuqizuese dhe të shfuqizuarave, njohës i haditheve të banorëve të Kufes, respektues dhe ndjekës rigoroz i praktikave të popullit në përgjithësi, si dhe mbrojtës i informacioneve që kishin mbërritur në shoqërinë ku jetonte”.

Me shumë mundësi, kritikat ndaj Ebu Hanifes rreth analogjisë, nuk kanë ndodhur se ishte imami i vetëm që integroi këtë metodë argumentimi në metodologjinë e tij, por për faktin se Ebu Hanife kishte rënë në sy për një zbatim të përsosur të kësaj metodike. Njerëzit e kishin disi të vështirë t’i jepnin kuptim një burimi tjetër përveç Kur’anit dhe Traditës Profetike. Kështu që, në momentin që dëgjonin një bazë “të re” në deduktimin e vlerësimeve juridiko-fetare, me instiktin mbrojtës, reagonin negativisht.

Ja një dialog që shpjegon këtë keqkuptim: Një person tha rreth Ebu Hanifes: ‘Braktiseni këtë farë analogjie. I pari që vuri në punë arsyen ishte Iblisi’. Kur Ebu Hanife dëgjoi këto fjalë ndjeu nevojën të jepte një përgjigje të tillë: ‘Je shprehur gabim për metodën time në Jurisprudencën Islame. Nuk është e njëjta gjë ajo që bëjmë ne, me ç’ka bëri Iblisi. Siç na është rrëfyer në Kur’an, Iblisi, duke përdorur arsyen e tij me një analogji të pasaktë refuzoi urdhrin e Allahut dhe doli jashtë besimit. Kurse analogjia jonë, është bindje ndaj urdhrave të Allahut. Sepse ne e testojmë atë me Librin e Zotit, Traditën Profetike dhe thëniet e sahabëve e të tabiinëve të nderuar, që janë prijësit tanë në dije. Ne jemi ithtarë besnikë të këtyre transmetimeve. Si është e mundur që të jemi në të njëjtin nivel me Iblisin?’ Pas këtij shpjegimi, personi në fjalë pendohet dhe i kërkon falje Ebu Hanifes.”

Kuvendet e Ebu Hanifes ishin me të vërtetë platforma ku rriheshin mendimet e ndryshme dhe gjithkush ishte i lirë të argumentonte mendimin e tij. Kjo liri ka bërë që mendimi Hanefi të përparojë pa njohur kufizime. Gjithashtu, çdokush  kishte të drejtën të ndiqte mendimin që e vlerësonte si më të saktin. Ebu Hanife herë pas here shprehej kështu: “Ky është mendimi ynë dhe nuk ia imponojmë askujt. Nuk detyrojmë askënd që ta ndjekë atë. Përkundrazi, kush ka një mendim më të saktë se i yni, të vijë të na e rrëfejë dhe ne do e pranojmë”.

Madje Ibn Hazm shkon edhe më tej duke e vlerësuar kështu Imamin e Madh: “Të gjithë ndjekësit e Imam Ebu Hanifes bashkohen në mendimin, se kur Ebu Hanifes i transmetohej qoftë edhe një hadith i dobët, ai i jepte prioritet, përkundrejt mendimit individual”.

Nga të gjitha këto mesazhe, nënkuptohet fare qartë se sa strikt ishte Ebu Hanife në argumentimin e çështjeve me anë të Kur’anit, Traditës Profetike dhe thënieve të sahabëve dhe që ky trinom përbënte bazën e medhhebit të tij. Por në të njëjtën kohë, dallojmë se ai analogjinë funksionale e kishte kthyer në një dinamikë të veçantë të mendimit të tij juridik. “Funksionale” do të thotë që me zbatimin e kësaj analogjie, nuk binte ndesh me parimet e tjera. Këto janë edhe katër bazat e metodologjisë së jurisprudencës islame në përgjithësi dhe të asaj hanefite në veçanti. Burimi

Në kohën kur fama për Ebu Hanifen dëgjohej edhe jashtë Kufës dhe kur popullariteti i tij ishte në piedestal, ndaj Ebu Hanifes kishin marrë një fushatë kundërshtuese disa prej figurave të asaj kohe, si myftiu dhe kadiu i Kufës – ibn ebi Lejla, kadiu i Kufës – ibn Shubrumeh, Thevriu, Evzaiu dhe shumë tjerë, të cilët flisnin për të dhe nxorën edhe dekrete, me të cilat e kundërshtonin haptazi dhe kërkonin që ta kundërshtonin edhe të tjerët, mirëpo çështja e tij vetëm sa rritej, numri i pasuesve të tij sa vinte e shtohej dhe tubimet e tij të dijes, që mbaheshin në xhami, kishin tejkaluar për nga numri të gjitha tubimet deri në atë kohë, pothuaj të gjithë banorët e Kufës ishin aty.

Nuk merrej shumë me kundërshtarët e tij, madje ndaj atyre që e kundërshtonin, tregonte maturi dhe durim. Ai përfitoi masën e gjerë dhe atë e respektonin edhe guvernatorët dhe udhëheqësit e shtetit. Bëri gjëra e veprime me të cilat i sfidoi arabët dhe, ndonëse ziliqarët ndaj tij u shtuan, ai u shqua për nga dija e tij e gjerë.(1)
Tubimet e tij ishin madhështore, saqë edhe nxënësit e dijetarëve të tjerë vinin tek Ebu Hanife dhe vetëm atëherë mund ta bënin dallimin mes Ebu Hanifes dhe të tjerëve. Ebu Jusufi kishte ndjekur për një kohë të gjatë mësimet e Ebi Lejla dhe Ebu Hanifes, derisa një ditë përfundimisht braktisi të parin dhe u dha tërësisht pas mësimeve të Ebu Hanifes, falë një fetvaje që dha Ebi Lejla, me të cilën Ebu Jusufi nuk u pajtua, prandaj shkoi tek Ebu Hanife dhe e pyeti dhe fetvaja e Ebu Hanifes ishte krejtësisht e kundërt me atë të Ebi Lejlas.(2)

Shkaku i thellimit të tij në Fikh

Thuajse të gjithë kronistët dhe autorët që janë marrë me jetën dhe veprën e Ebu Hanifes, përmendin se Ebu Hanife në fillime të studimeve të tij nuk merrej me fikh, po me shkencën e apologjetikës, madje ishte shumë i njohur në atë shkencë, por qëndrimi i tij do të ndryshonte. Protagonisti në fjalë është shprehur: “Polemizoja në shkencën e apologjetikës dhe njerëzit e humbur dhe iluzionarë ishin të shumtë në Basra. Aty kam hyrë më tepër se njëzet herë, e ndoshta kam qëndruar aty një vit të plotë a më tepër ose më pak se aq, duke menduar se shkenca e apologjetikës është shkenca më e çmuar, pastaj mendova dhe thashë: “Selefët (të parët) ishin më të diturit për të vërtetat, e megjithatë nuk ishin polemizues, përkundrazi u përmbajtën nga polemizimi dhe u thelluan në dijen-shkencën e legjislacionit islam (Sheriatit). Ata e deshën atë shkencë, mësuan për vete e i mësuan të tjerët dhe në të bënë dialogime. Për këtë shkak e braktisa shkencën e apologjetikës, dhe i hyra shkencës së jurisprudencës. Pashë se ata që i kishin hyrë shkencës së apologjetikës nuk kishin tipare të njerëzve të mirë, zemrat e tyre janë të vrazhda dhe nuk mërziten edhe atëherë kur kundërshtojnë Kuranin, Synetin dhe gjeneratat e para (selefus-salih), e sikur kjo (marrja me apologjetikë) të sillte të mira, selefët do të merreshin domosdo me të”.(3)
Po ashtu përmendet edhe një shkak tjetër rreth thellimit të tij në fikh. Ai ishte pranë tubimeve të Hamadit, por kishte dhe tubimet e veta, ku diskutonte rreth apologjetikës dhe polemikave me grupe të ndryshme. Një ditë erdhi një grua dhe e pyeti për një njeri që dëshironte ta lëshonte gruan e tij sipas Synetit, si duhej të vepronte. Ai nuk kishte përgjigje, prandaj e drejtoi tek Hamadi dhe e porositi që, kur të kthehej pranë tij, t’ia tregonte përgjigjen. Pasi e kishte informuar për përgjigjen, Ebu Hanife u largua nga apologjetika dhe grupet e ndryshme, e iu afrua tubimeve të Hamadit dhe prej tij mësoi për vite të tëra.(4)

Fikhu i Ebu Hanifes

Ebu Hanife ishte poliglot në shkencat islame, po ajo që e dallonte më tepër, ishte fikhu-jurisprudenca islame, dhe, pasi ishte thelluar në shkencën e apologjetikës dhe në fraksionet e asaj kohe, iu përkushtua tërësisht shkencës së jurisprudencës, saqë u bë edhe prijatar i kësaj shkence dhe i nevojshëm për të gjithë ata që do të vijnë pas tij. Ishte i thellë në mendime dhe nuk mjaftohej në kërkim të teksteve e shprehjeve sipërfaqësore, por tekstin e studionte mirë, e analizonte thellë dhe prej tij nxirrte edhe dispozita të shumta. Ishte largpamës dhe i shpejtë në përgjigje. I dinte mirë hiletë, sidomos në raport me armiqtë dhe kundërshtarët e tij. Një ditë hyri tek ai Dahak ibn Kajs el-Harixhiu, i cili i tha Ebu Hanifes: “Pendohu”. “Përse të pendohem?” -pyeti Ebu Hanifja. “Sepse ti ke lejuar arbitrazhin!” -iu përgjigj el-Harixhiu. Atëherë Ebu Hanife i tha: “Do të më mbysësh apo do të polemizosh me mua?” “Përkundrazi dua të polemizoj me ty!”- ia ktheu el Harixhiu. Atëherë Ebu Hanife tha: “Nëse ne nuk pajtohemi për atë që polemizojmë, kush do të jetë në mes meje e teje?” “Zgjidhe ti, cilin të duash” -ia ktheu el-Harixhiu. Atëherë Ebu Hanife iu drejtua njërit prej njerëzve të Dahakut e i tha: “Ulu dhe gjyko në mes nesh për atë për se ne nuk pajtohemi”. E më pas iu drejtua Dahak el-Harixhiut: “A je i kënaqur me këtë person në mes meje e teje?” “Po” -ia ktheu ai. Atëherë Ebu Hanife i tha: “Ti me këtë veprim tashmë lejove arbitrazhin (për se më akuzove mua)”. El-Harixhiu mbeti pa fjalë dhe biseda në mes tyre mbaroi.(5)
Në një rast tjetër tregohet se në Kufë ishte një njeri që thoshte se Othman ibn Afani kishe qenë çifut, dhe askush nga dijetarët nuk kishte mundur ta bindte të thoshte të kundërtën. Një ditë tek ai shkoi Ebu Hanife dhe i tha: “Kam ardhur si ndërmjetës për fejesë për bijën tënde… për një njeri të ndershëm, fisnik, shumë të pasur, hafëz i librit të Allahut, falet natën, qan shumë nga frika e Zotit”. “Mjafton kjo që the, o Ebu Hanife”,-ia ndërpreu fjalën. Ebu Hanife shtoi: “Me përjashtim të një cilësie”. “Cila është ajo?” pyeti njeriu. “Është çifut”! -iu përgjigj Ebu Hanifja. “Madhëria i qoftë Allahut”
-tha i frustruar njeriu-, “a po më urdhëron ta martoj bijën time me një çifut?” “A nuk do ta bësh këtë”? –pyeti Ebu Hanife. “Jo” -u përgjigj njeriu. Atëherë Ebu Hanifja tha: “I Dërguari i Allahut e martoi të bijën me një çifut (me Othmanin, për të cilin njeriu pandehte se ishte çifut)”. Kur i dëgjoi këto fjalë, njeriu tha: “Kërkoj falje nga Allahu. Unë me të vërtetë po pendohem tek Allahu i Madhëruar (për atë që kam thënë)”.(6)
Ligjëratat dhe mësimet e tij nuk ishin vetëm ligjërime mekanike, porse ishin diskutime dhe analiza të thella që u ngjajnë mësimeve të kohës moderne, larg atyre klasike, kur Ebu Hanife hapte temën e caktuar dhe secili prej nxënësve të tij merrte pjesë në diskutime. Secili paraqiste argumentet e tij dhe ndodhte që dikush prej nxënësve t’i thoshte Ebu Hanifes ‘gabove’. Ishte një ambient mësimi i qetë, tolerant ndaj mendimeve dhe ideve të ndryshme; aty nuk nënçmohej asnjëri, përkundrazi çmohej iniciativa dhe përpjekja e secilit. Ata me të vërtetë e donin dhe e çmonin shumë, kur fliste e dëgjonin, saqë nuk dëgjohej zëri i tyre.(7)

Qëndrimet negative karshi Ebu Hanifes

Jo të gjithë kishin mendime të mira dhe qëndrime pozitive për Ebu Hanifen. Disa nuk e kishin kuptuar atë, të tjerët e kishin keqkuptuar, e një pjesë tjetër, që me shfaqjen e tij mbetën nën hijen e tij, tentuan ta baltosnin personalitetin e tij. Kishte prej atyre që e kishin sulmuar nga padituria, sikurse kishte edhe nga lakmia dhe inati. Një pjesë e dijetarëve që kishin dhënë dekrete kundër tij, kur e kuptuan realitetin e tij, u kthyen dhe braktisën qëndrimet e tyre. Imam Evzai kishte mendime të këqija për të, sepse ashtu kishte dëgjuar. Një ditë Evzai u takua me Abdullah ibn Mubarekun dhe i tha: “Kush është ai që po fut risi (bidatxhi) që ka dal në Kufë, i quajtur Ebu Hanife?” Abdullah ibn Mubareku nuk iu përgjigj drejtpërdrejt, por filloi të përmendte meseletë, mënyrën e të kuptuarit dhe zgjidhjet precize juridike. Evzaiu e pyeti: “Të kujt janë këto fetva-zgjidhje juridike?” “Të një dijetari të cilin e kam takuar në Irak!”-iu përgjigj Mubareku. Evzaiu tha: “Ky qenka dijetar i mrekullueshëm! Shko dhe shoqëroje sa më tepër!” Atëherë Ibn Mubareku i tregoi: “Ai është Ebu Hanife”. Pas një kohe në Mekë u takuan Evzaiu dhe Ebu Hanife dhe diskutuan rreth çështjeve, për të cilat i kishte folur Ibn Mubareku. Pas ndarjes së tyre, Evzaiu i tha Ibn Mubarekut: “E kam marrë nëpër gojë njeriun me dituri të pafund dhe jashtëzakonisht inteligjent. I lutem Allahut të Madhërishëm që të më falë. Unë isha qartë në gabim për të. Shoqëroje atë njeri, sepse sot u binda që ai është e kundërta e asaj çfarë kam dëgjuar”.(8)
Për një kolos bashkëkohanik të tij, Ebu Hanife ishte shprehur: “Ibn ebi Lejla ka lejuar të më bëhen gjëra të tilla, që unë nuk do t’i lejoja t’i bëheshin as një shtaze”.(9)
Ibn Ebi Lejla, që ishte një jurist dhe gjykatës në Kufë në kohën e Ebu Hanifes, një ditë dëgjoi pranë xhamisë së tij një grua që kishte të meta psikike (në një transmetim thuhet se ai ishte mashkull) duke i thënë një personi: “O i biri i dy zinaqarëve”. Ai ngriti rastin ndaj saj dhe ajo pranoi shpifjen, prandaj i vuri dy ndëshkime për shpifje ndaj prindërve të të shpifurit, secilin me nga tetëdhjetë të rëna, ndëshkim që u bë në xhami dhe ajo u ndëshkua në këmbë. Sapo dëgjoi Ebu Hanife për këtë rast, tha: “Çudi për gjykatësin e vendit tonë. Ai gaboi në shtatë vende lidhur me këtë çështje: “E para: Gjykoi me vetëpranimin e saj, e ajo kishte të meta psikike, e prej kushteve të shpifësit është edhe aftësia mendore. E dyta: Ai bëri dy ndëshkime ndaj saj, njërin për babanë e të shpifurit dhe tjetrin për nënën, kurse në realitet ai që shpif për një grup, ndëshkohet me vetëm një ndëshkim për shpifje. E treta: Ai i bashkoi dy ndëshkimet ndaj saj, njërin pas tjetrit, kurse në realitet, nëse ndëshkohet me dy ndëshkime, duhet të ndëshkohet ndarazi, së pari ndëshkohet me ndëshkimin e parë, pastaj lihet një kohë dhe ndëshkohet me të dytin. E katërta: Ai bëri ndëshkimin e saj në xhami, e masat ndëshkuese nuk aplikohen në xhami kurrë”. E pesta: Ai e ndëshkoi në këmbë, kurse në fakt nga syneti është se femra duhet të ndëshkohet ulur. E gjashta: E ndëshkoi pa qenë i pranishëm përgjegjësi ose kujdestari i saj, ndërsa ndëshkimi i femrës bëhet në prani të kujdestarit të saj (veliut), dhe E shtata: Për aplikimin e masës ndëshkuese, nevojitet kërkesa e personit ndaj të cilit është bërë shpifja, kurse ai e ndëshkoi atë pa ndonjë kërkesë”. Pas kësaj ngjarjeje, gjykatësi kërkoi nga Sulltani shkarkimin e tij, për shkak se ishte poshtëruar nga Ebu Hanife.(10)

Fikhun e sistemoi dhe e detajizoi

Ebu Hanifja ishte pa konkurrencë në shkencën e Fikhut. Të tjerët mbetën të varur përgjithnjë prej dijes së tij në Fikh. Ai qe i pari që bëri klasifikimin e shkencës së Fikhut, sepse deri në kohën e tij juristët mbështeteshin në aftësitë e tyre memorizuese. Ai e sistemoi atë dhe e radhiti në kapituj e nënkapituj. Të tjerët më pastaj vepruan sipas metodologjisë së tij. Autori i Durrul muhtar ve reddul muhtar për shërbimin e Ebu Hanifes në Fikh, qe shprehur: “Fikhun e ka mbjellë Abdullah ibn Mesudi; e ka ujitur Alkame ibn
Kajs Nehaiu; e ka korrur Ibrahim Nehaiu; e ka shoshitur (qëruar) Hamad ibn Sulejmani; e ka bluar Ebu Hanifja; e ka bërë brumë Ebu Jusufi dhe e ka bërë bukë Muhamed Shejbani, e prej kësaj buke hanë të gjithë njerëzit e tjerë.
Pjesën më të madhe të jetës së tij ia ka kushtuar fikhut-jurisprudencës islame dhe, nëse mblidhen çështjet e Fikhut që ka shtjelluar gjatë jetës së tij, atëherë kuptohet më së miri roli i tij i jashtëzakonshëm në lëmin e kësaj shkence. Janë një milion e dyqind e shtatëdhjetë mijë (1. 270. 000) mesele-çështje fikhore, të cilat i ka shtjelluar dhe detajuar. I ka bërë gati dhe i ka shqyrtuar për ata që do të vijnë pas tij. Ai u parapriu dijetarëve të tjerë dhe qe i pari që zgjeroi nxjerrjen e dispozitave të Fikhut, më pas bëri ndarjen në mes gjërave bazike dhe atyre sekondare-degëve, dhe gjithashtu ishte i pari që u dha pas çështjeve hipotetike, gjërave që ende nuk kishin ndodhur në shoqëri, për se akuzohej shpesh nga dijetarë të tjerë, mirëpo më vonë thuaja të gjithë vepruan sikurse ai. Kur Ebu Hanifja i kishte parashtruar Katades një pyetje, për një çështje që nuk kishte ndodhur, ai i kishte thënë të mos e pyeste para se të ndodhë rasti. Atëherë Ebu Hanifja ia ktheu: “Ne përgatitemi për fatkeqësitë para se ato të ndodhin, e kur të ndodhë ajo, atëherë e dimë si të hyjmë dhe si të dalim prej saj”.(11)

Ç’thanë për Ebu Hanifen dhe Fikhun e tij?

Dijetarët eminentë kanë folur në superlativ për imamin e madh Ebu Hanife. Fjalët e tyre përkojnë me realitetin e fekihut, siç ishte Ebu Hanife.
Imam Dhehebiu për Ebu Hanifen, ka shkruar: “Ai është imami, fekihu-juristi i miletit, dijetari i Irakut”…(12)
Ibn Mubareku ishte pyetur: “A është më i ditur në Jurisprudencë Maliku apo Ebu Hanifja?” Ai kishte thënë: “Ebu Hanifja është më i dituri i gjithë njerëzve në Fikh”. Në një rast tjetër ai kishte thënë: “Ai (Ebu Hanife) është truri i diturisë”. Disa prej bashkëkohanikëve të tij për të kanë thënë: “Askush nuk është njohur që t’i ketë kuptuar hadithet sikurse ai, e ai i nxirrte shkaqet nga të cilat ndërtoheshin dispozitat… ai nuk mjaftohej me të kuptuarit sipërfaqësor të tekstit, po me kuptimin e (thellë të) tekstit”.(13)
Xheriri ka thënë: Mugira më ka thënë: “Ulu me Ebu Hanifen për të fituar Fik’h, sepse, nëse do të ishte gjallë Nehaiu, ai do të ulej me të”. Ndërsa Nadr ibn Shumejl ka thënë: “Njerëzit ishin në gjumë lidhur me Fikhun- Jurisprudencën, gjersa i zgjoi Ebu Hanife me sqarimet e tij”…(14)
Kolosi i madh Ahmed ibn Haxher el-Mekij, i cili është nga shkolla juridike shafite, për Ebu Hanifen, në mes të tjerash ka thënë edhe këto fjalë: “Ebu Hanife është begati e Allahut (ni’metullah) ndaj krijesave të Tij (ala halkihi)”.(15)
Sigurisht se njerëzit që dëshirojnë të mësojnë për shkencën e Fikhut, do ta ndiejnë të domosdoshme të konsultohen dhe të mësojnë për fikhun e Ebu Han – ifes, e këtë e kishte theksuar edhe imam Shafiu, kur pati thënë: “Njerëzit kanë nevojë për Fikhun e Ebu Hanifes”. Burimi

Ne fushen e hadithit

Çështja e Ebu Hanifes në raport me lëmin e hadithit ka ngjallur reagime të ndryshme: një pjesë e njerëzve janë munduar ta paraqesin fekihun e miletit, Ebu Hanifen, të dobët në hadith, kinse dinte pak hadithe, kishte transmetuar shumë pak, madje, sipas tyre, në ato që kishte transmetuar, kishte gabuar siç të tjerë kanë theksuar se ai i kishte dhënë përparësi mendimit të lirë para hadithit. Për këtë arsye, do të përpiqemi të hedhim dritë mbi këto çështje, për të parë se si qëndron realiteti dhe sa ka qenë i njohur Ebu Hanife në lëmin e hadithit. Shtjellimi i këtyre çështjeve do të bëhet me argumente dhe jo pa mbështetje, e as me ndikime nga fanatizmi apo emocionet.

Akuzat ndaj Ebu Hanifes

Në disa burime islame mund të lexohen akuza se Ebu Hanife e kishte njohur fare pak hadithin.
Kështu Hatib el-Bagdadi citon thënien e Ebu Bekr ibn Davudit: “Numri i përgjithshëm i haditheve që transmeton Ebu Hanife është 150. Në gjysmën prej tyre ka gabuar”!(1)
Ali ibn el-Medini thotë se Ebu Hanife ka transmetuar vetëm 50 hadithe, në të cilat, përgjithësisht ka gabuar.(2)
Është qesharak pohimi i Ibn Halduni-t në “Mukadimen” e tij, sikur numri i përgjithshëm i haditheve autentike të cilat i transmeton Ebu Hanife, nuk i kalon shtatëmbëdhjetë. Libri që ka ngjallur më së shumti reagime dhe polemika për këtë çështje, është ”Te’ríhu Bagdad”, autori i të cilit, Ebu Bekër Hatib el-Bagdadi, ka mbledhur opinionet pozitive dhe negative që janë thënë për Ebu Hanifen, pa i verifikuar ato. Madje, ajo që është e çuditshme në këtë aspekt,është fakti se autori njíhet si haditholog dhe njërí prej atyre që i shikon transmetimet dhe, me një dyshim të vogël, i refuzon ato, pra konsiderohet kritikues i rrugës së transmetimeve dhe komentues i tyre, po”për çudi” transmetimet që flasin për Ebu Hanifen, i ka kaluar pa më të voglin shpjegim. Nuk ka dyshim se autori për të cilin jemi duke folur, ishte poliglot dhe një dijetar i rrallë me përmasa të jashtëzakonshme, sikurse nuk ka dyshim që ai ishte i ashpër ndaj hanefinjve, prandaj transmetimet që ka sjellë në librín e tij të mirënjohur, që flasin negativisht për Ebu Hanife, për se akuzohet me akuza të ndryshme, barten nga persona shpifës,gënjeshtarë, mashtrues e injorantë.(3)
Kjo ka shtyrë që shumë dijetarë t’i kundërvihen me fakte Hatib el-Bagdadiut, madje disa edhe në mënyrë shumë të ashpër.(4)
Se sa e kishte njohur hadithin Ebu Hanife, do të flasim më vonë, për se do të sjellim fakte dhe argumente të bollshme, që do ta pasurojnë punimin dhe do të ndihmojnë për qartësimin e kësaj çështjeje.
Një tjetër element që ka ndihmuar në përhapjen e akuzave ndaj Ebu Hanifes, ka qenë pa dyshim edhe roli i hadithologëve, të Cilët kishin divergjenca të mëdha (në veçanti) me hanefinjt (as’haburr-rre’j), madje thuhet se divergjencat dhe inatet në mes tyre kishin arritur kulmin.(5)
Këtë e thekson edhe kolosi Hafidh ibn Abdul Berr, i cili është i mendimit se transmetimet që flasin keq dhe fyejnë Ebu Hanifen, víjnë përmes rrugëve të hadithologëve nga nxënësit e imam Malikut, sa kohë që juristët nuk vërtetojnë gjëra të tilla për të. Ebu-l Velid el-Baxhi, në komentin që i bën Muvetta-së, mohon që këto mendime të jenë nga imami Malik. Ai ka thënë: “Maliku nuk ka folur fare për juristët, por ka folur për disa transmetues nga aspekti i cilësisë dhe përpikërisë. Ai po ashtu u argumentua edhe me respektin e madh që kishte Maliku për Abdullah ibn Mubarekun, i cili ishte nga shokët e veçantë të Ebu Hanifes. Mustafa Sibaí, kur flet për këtë çështje, thotë: “Nuk ka dyshim se këta hadithologë nuk mund të kuptojnë saktësinë dhe përpikërinë e Ebu Hanifes në nxjerrjen e Vendimeve dhe në thellimin e tij për nxjerrjen e dispozitave nga tekstet, e nga kjo ata shpesh edhe e keqkuptuan atë, e braktisën, përhapën mendime të këqija dhe e akuzuan për mosnjohje të hadithit”.(6)
Kjo mund të ilustrohet më mirë edhe me shembullin në vijim: Ubejdullah ibn Amër thotë: “Isha në shoqëri me el-A’meshin, kur i erdhi atij një njeri dhe e pyeti për një çështje juridike, e ai nuk mundi t’i përgjigjej. A’meshi shikoi, kur ja që ishte Ebu Hanife, prandaj edhe i tha: “O Nu’man, thuaj diçka për këtë çështje?! Ebu Hanife tha: “Kjo çështje është kështu (e tregoi në detaje)”. A’meshi i tha: “Nga e nxore këtë përgjigje?” “Nga ky hadith, të cilin na e ke treguar ti”.-iu përgjigj Ebu Hanife. Atëherë A’meshí i tha: “Ne (hadithologët) jemi sikurse farmacistët, kurse ju fekihët jeni sikurse mjekët”.

Njohës i mirë i hadithit

Sigurisht se akuzat ndaj tij për mosnjohje të hadithit janë akuza plotësisht të pabaza dhe jo të argumentuara, më tepër janë për çështje xhelozie, inati dhe për njollosje të personalitetit të tij dhe të shkollës më të njohur juridike që themeloi ai.
Në fillim të karríerës së tij si mësues, një ëndërr do ta shqetësonte Ebu Hanifen pa masë, saqë për disa ditë u tërhoq plotësisht nga mësimi dhe tubimet e dijes. Një natë pa ëndërr sikur po e hapte varrin e Pejgamberit a.s. dhe po i tubonte eshtrat e tij (në një transmetim: po i tubonte eshtrat e tij dhe po i vendoste mbi gjoksin e tij). Nga shqetësimi i madh, braktisi tubimet e dijes, e nxënësit e tij insístonin që ai të kthehej, por Ebu Hanife nuk pranoi dhe ua tregoi ëndrrën, e ata ia treguan ëndrrën komentuesít të ëndrrave Ibn Sirinit, i cili atë ëndërr e komentoi kështu: “Ky burrë po e ngjall Synetin e Pejgamberit a.s., pasi Syneti i tij ka vdekur”. Vetëm atëherë iu kthye mësimit dhe iu qas edhe më tepër çështjeve të fikhut (meseleve).(7)
Ai ka qenë shumë i njohur në hadith, e këtë e dëshmojnë personalitete të njohura e të dëshmuara nga ymeti, prej të cilëve do të veçojmë disa thënie dhe dëshmi:
Sufjan ibn Ujejne, i cili ndryshe quhet emiru-l mu’minine fi-l hadith, për Ebu Hanifen ka thënë: “I pari që më uli pranë hadithit në Kufë, ishte Ebu Hanife”.(8)
Ahined ibn Haxheri, kur flet për Ebu Hanifen dhe rreth akuzave të disave kinse Ebu Hanife ka qenë vetëm njohës në Fikh, e jo në Hadith dhe Tefsir, u përgjigjet atyre duke thënë: “Kini kujdes nga iluzione të tilla kinse Ebu Hanife nuk ka pasur dije të plotë jashtë Fikhut? Allahu na ruajttë nga fjalë të tilla (hasha lilah). Ai kishte dije në shkencat islame si tefsir, hadith, letërsi dhe shkenca të tjera. Ai ishte det në këto shkenca, sa askush s’mund t’i bënte konkurrencë..”.(9)
Ebu Hanife mësimin e hadithit përveç në Kufë e kishte mësuar edhe në Basra, ku, sipas shumicës së hadithologëve, ishte nxënës i Katades, i cili ishte njëri nga hadithologët më të njohur. Shu’beh ishte pa dyshim nga hadithologët më të njohur që pati ky ymet, e ai i kishte dhënë leje Ebu Hanifes që, kur të mungonte vetë, të mbante ligjërata nga hadithi. Dikush e kishte pyetur Jahja ibn Meinin, njërin nga mësuesit e Buhariut, se çfarë mendimi kishte për Ebu I-Ianifen, e ai i qe përgjigjur: “Për mua mjafton të di se Shu’beh i ka lejuar të mbajë ligjërata nga hadithi dhe tradita. E, Shu’beh megjithatë është Shu’beh”.(10)
Ebu Hanife për një kohë të caktuar kishte mësuar edhe tek hadithologu i njohur i Mekës, Ata ibn ebi Rebahu, shkolla e të cilit llogaritej si shkolla më e fortë e arsimimit në lëmin e hadithit. Disa që kishin mësuar tek Ata ibn ebi Rebah-u hadithin, kanë thënë: “Ishim tek Atau duke mësuar, disa ishin pas të tjerëve, e, kur vinte Ebu Hanife, ai ia lironte vendin dhe e ulte në fillim”.(11)
Ebu Hanife mësimin e hadithit e kishte ndjekur edhe në Medinë, tek fekihët dhe hadithologët e njohur, dhe kështu kishte marrë njohuri nga thesari i hadithit në vendbanimet e Pejgamberit a.s. dhe të shokëve të tij. Thuhet se Ebu Hanife e kishte bërë Haxhin plot pesëdhjetë e pesë herë, prandaj secilën herë që shkonte, përfitonte nga dijetarët, ashtu sikur edhe ata përfitonin prej tij. “Ka thënë Hasen ibn Zijadi: “Ebu Hanife ka transmetuar katër mijë hadithe; dy mijë nga mësuesi i tij Hamadi dhe dy mijë të tjera nga mësuesit e tjerë të tij”.12]ahja ibn Nasr ibn Haxheb thotë: “E kam dëgjuar Ebu Hanifen duke thënë: “Unë kam sëndukë të mbushur me hadithe, prej tyre kam nxjerrë vetëm ato më të lehtat dhe më të dobishmet”.(13)
Kjo simbolizon se ai nuk kishte folur për gjithë ato që kishte poseduar. Ka shpjeguar hadithet që kanë qenë me të nevojshmet. Musnedi i tij që përmban një numër simbolik hadithesh, dhe kurrsesi nuk nënkupton se dituria e tij nga hadithi kufizohet vetëm me to, përkundrazi ka shumë hadithe të tjera që transmetohen nga ai e që nuk gjenden në Musned. Raste të tilla hasen thuajse tek të gjithë hadithologët, sikurse tek Buhariu, i cili kishte ditur 100.000 hadithe të Vërteta, por që në “Sahihun” e tij nuk janë as 10% prej këtij numri të madh hadithesh.
Është e palogjikshme të mendojë dikush se Buhariu paska ditur vetëm hadithet që i ka sjellë në librin e tij! Sikurse është e palogjikshme të mendojë një gjë të tillë për Ebu Hanifen. Prej Ebu Hanifes, nëpërmjet nxënësve të tij, janë shkruar dy libra të hadithit, madje para gjashtë koleksioneve të hadithit, që janë libri i Ebu ]usufit dhe i Muhamed ibn Hasenit me titullin ”Athar”, që nënkupton hadithet që janë bartur e përcjellë nga Pejgamberi deri tek Ebu Hanife, e ky i fundit i kishte përcjellë tek dy nxënësit e tij të përmendur këtu.

Pasues i Synetit

Qëndrimet e Ebu Hanifes ndaj Synetit janë të njohura. Ai pranonte gjithçka që vinte me transmetim autentik nga Pejgamberi a.s., e për këtë kishte Vendosur kushte dhe rregulla rigoroze për pranímin e hadithit. Më Vonë pjesa dërrmuese e hadithologëve vepruan sipas tij, duke vënë kushte rigoroze. Ai ndërronte mendimin kurdo që vërtetohej se mendimi i tij ishte i gabuar ose kurdo që haste në ndonjë hadith rreth çështjes së caktuar.
Transmetohet nga Zuhejr ibn Muavije të ketë thënë: “E kam pyetur Ebu Hanifen për sigurinë që jepet nga robi, e ai më tha: “Nëse ai nuk lufton, siguria e tij është e pavlefshme”. Atëherë i thashë atij: “Më ka informuar Asim el-Ahvel e ai nga Fudejl ibn Iezid Rrukashiu, i cili ka thënë: “E kemi rrethuar armikun, e në drejtim të tij u hodh një shigjetë, në të kishte siguri, e ata na thanë: ”Ju tashmë na dhatë siguri”. Ne i thamë: “Ai është rob!” E ata na thanë: “Për Zotin, ne nuk e dimë se kush është rob e kush i lirë prej jush”. I shkruam Omerit për të kërkuar përgjigje dhe ai na shkroi neve që ta lejonim sigurinë e robit. Këtu heshti Ebu Hanife. Pastaj unë mungova në Kufë për dhjetë vjet, e pas atyre viteve shkova në Kufë dhe, kur e takova Ebu Hanifen, e pyeta prapë për sigurinë e robit, e ai m’u përgjigj me hadithin e Asimit dhe kishte hequr dorë nga mendimi i tij. Nga kjo e kuptova se ai pason atë që dëgjon (nga Syneti)…
Njëherë atij i tha dikush: “A po e kundërshton të Dërguarin e Allahut?” Ai i tha: “Allahu e mallkoftë atë që e kundërshton të Dërguarin e Allahut. Me të Allahu na nderoi dhe me të Allahu na shpëtoi”.(14)

A i jepte përparësi analogjisë?

Ndonëse janë ngritur shumë pikëpyetje dhe shumë dyshime rreth Ebu Hanifes dhe shkollës së tij juridike, kinse i kishte dhënë përparësi analogjisë (kijasit) para hadithit dhe kishte punuar më tepër me analogji sesa me hadith, e Vërteta është krejtësisht ndryshe, dhe kjo është vetëm një akuzë dhe shpifje e qartë e kundërshtarëve dhe ziliqarëve kundër tij. Madje ai edhe hadithit të dobët i kishte dhënë prioritet ndaj analogjisë (kijasit). E për këtë më së miri shprehet protagonisti në fjalë, i cili ka thënë: “Marr nga libri i Zotit; e, nëse nuk gjej, atëherë nga Syneti i Pejgamberit a.s.; e, nëse nuk gjej as në librin e Zotit e as në Synetin e Pejgamberit, marr nga opinionet (mendimet) e ashabëve nga cilido prej tyre dhe lë opinionin e cilitdo prej tyre, e nuk dal jashtë opinioneve të tyre; e, nëse çështja përfundon tek Ibrahim Nehaiu, Ibn Sirini, Haseni, Atau, Ibn Muse-jebi-përmendi edhe të tjerë- ata janë njerëz që kanë bërë ixhtihad, prandaj edhe unë bëj ixhtihad ashtu siç kanë bërë ixhtihad ata”.(15)
Akuza të tilla kishte edhe për të gjallë të Ebu Hanifes, madje i kishte dëgjuar edhe vetë ai, për se edhe kishte deklaruar: “Pasha Allahun, po gënjejnë! Po na shpifin të gjithë ata që thonë se po e preferojmë analogjinë mbi synetin! A thua, vallë, është e nevojshme të merret dhe të përdoret analogjia kur kemi tekste të qarta të hadithit”?!
Ndërsa për rastet kur ai dhe shokët e tij kishin përdorur analogjinë, shprehet: “Ne e kemi përdorur analogjinë vetëm nga domosdoshmëría dhe kjo në qoftë se nuk kemi gjetur asnjë argument nga Kur’ani, sunneti dhe praktika e ashabëve”. Ebu Hanife gjatë jetës së tij kishte shqyrtuar çështje mesele të shumta, saqë thuhet se numri i meseleve të shqyrtuara prej tij, është 1 milion e dyqind e shtatëdhjetë mijë. (16)
E për secilën çështje të re që dilte në shesh, nuk kishte tekst, qoftë nga Kur’ani dhe qoftë nga Syneti, prandaj është e logjikshme që në shumë prej këtyre çështjeve-meseleve, në mungesë të argumenteve kuranore a profetike, të ketë bërë ixhtihad për të nxjerrë një vendim juridik, gjithnjë duke u bazuar në argumente apo duke bërë krahasime. Këtë e bënte vetëm atëherë kur mungonin tekstet për sfidat e reja, se përndryshe përcillte etheret dhe opinionet e pararendësve të tij. Në këtë kontekst, Ebu Zehre shprehet: “Opinionet e Ebu Hanifes, të cilat i bartën nxënësit e tij, pa argumente (në shpjegim), s’mund të jenë ndryshe përveç ethere të bartura gjeneratë pas gjenerate, opinione të njohura në shoqëri, bazuar në fetva të ndonjë ashabi apo animi dhe përqafimi i mendimit të tabiinit, e shumë pak përmenden kijasi (analogjia) dhe istihsani…”.(17) Burimi

Menyra e debatit me njerezit

Tregohet se në kohën e Ebu Hanifes r.a. në Kufe, një njeri i cili kishte një autoritet bukur të mirë në Kufe, gjithnjë në opinion plasonte ofendime për Othman b. Afanin r.a (shokun dhe dhëndrin e Pejgamberit s.a.v.s.), se kinse Othmani kishte qenë çifutë dhe kishte vdekur si çifut!

Kur Ebu Hanifja dëgjoi për këto shpifje që i bëheshin Othamnit r.a. nga ai njeri, vendosi dhe mori rrugën e shkoi deri te ai njeri. Pasie takoi njeriun tillë, në shtëpinë e tij Ebu Hanifja i tha: Kam ardhur shkues për bijën tënde, për një mik timin !

Njeriu tha: Mirë se ke ardhur o Ebu Hanife (sepse kishte respekt ndaj tij) kërkesat tuaja nuk mund të refuzohen o Ebu Hanife, por më trego cili do të jetë i fejuari i vajzës sime, më trego cilësitë e tij ?

Ebu Hanifja tha: Njeri i ndershëm, i pasur, bujar, tërë natën falet, hafiz i Kur’anit dhe qanë shpesh nga frika e Allahut xh.sh.. Duke folur Ebu Hanifja njeriu ndërhyri dhe tha: Mjaftojnë këto cilësi o Ebu Hanife që ai të jetë i fejuari i vajzës sime !

Ebu Hanifja tha: Por harrova të të tregoj edhe një send që është shumë me rëndësi !

Njeriu tha: Çka është ai send që duhet të më tregosh për të ?

Ebu Hanifja tha: Ai është çifut- jehudi!

Njeriu u revoltua pa masë dhe tha: Bijën time ta martojë për çifutë ?!! Pasha Allahin sikur tek ai të bashkoheshin cilësitë e të parëve dhe të fundit, kurrë nuk do t’ia martoja bijën çifutit!

Ebu Hanifja tha: Po urren që vajzën tënde ta martosh për një çifutë dhe kaq shumë u revoltove e u hidhërove, e në anën tjetër po propagandon para njerëzve se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dy vajza të tij i kishte martuar për një çifutë, pra për Othmanin ibn Afanin ?!

U djersit njeriu nga mundi dhe turpi dhe tha: Estagfirullah. Kërkoj falje nga Allahu për çdo fjalë që e kam thënë dhe për çdo shpifje që kam bërë ndaj Othmanit. Nga ky moment ky njeri u pendua dhe më kurë nuk ofendoi askënd.

Kështu ishte metodologjia dhe kultura e debatimit të Ebu Hanifes r.a. Burimi

Një ditë, i dituri Ebu Hanife ishte ballafaquar dhe po diskutonte me ateistët e kohës së tij dhe debati ishte fokusuar mbi ekzistencën e Zotit.

Duke parë se ata nuk po bindeshin dhe koha nuk i premtonte më shumë, Ebu Hanife u tha: ”Unë sot ndihem i lodhur dhe me presin punë të tjera, prandaj dhe kërkoj që këtë diskutim ta shtyjmë për të nesërmen në filan orë.”
Ateistët ranë dakord dhe kështu u ndanë.
Të nesërmen, të gjithë ateistët kishin ardhur në kohën e caktuar, kurse Ebu Hanife akoma nuk dukej gjëkundi. Ai u vonua aq shumë saqë ateistët menduan se ka frikë nga ballafaqimi. Në fund, kur erdhi Ebu Hanifeja filloi t’u kërkojë të falur dhe të justifikohej për vonesën.
E gjithë kjo ishte e planifikuar për t’i shërbyer diskutimit. Ai kërkonte me ç’do kusht që t’i bindë mbi ekzistencën e Zotit dhe këtë donte ta bëjë sa më praktikisht.
Ebu Hanife u tha: ”Më vjen keq për vonesën, por siç e dini unë banoj në anën tjetër të Eufratit dhe për të ardhur këtu më duhej të kaloj lumin me lundër. Por, në atë orë që do të vija unë nuk kishte lundër fare, kështu që u vonova.”
Ateistët e pyetën: ”Mirë, por si e kalove lumin?”
Ebu Hanife u përgjigj: ”Teksa isha duke pritur i mërzitur, me rrjedhën e lumit erdhi një copë dërrasë e gjerë dhe e gjatë dhe u ndal para meje. Pas pak erdhën dhe katër të tjera dhe u ngjitën me të parën, duke formuar një lundër të përshtatshme për të kaluar lumin. Kur e pashë këtë, u ngjita sipër saj dhe valët më shtynë derisa kalova lumin pa problem.”
Ateistët i thanë: ”Çfarë?! A po tallesh me ne?! Kjo s’ka pikë logjike! Çfarë janë këto fjalë boshe?!”
Por, Ebu Hanifeja ua ktheu: ”Për Zotin me këto që po thoni po e pranoni vetë ekzistencën e një Zoti Krijues. Nëse ju nuk pranoni që një lundër të formohet rastësisht, atëherë si e pranoni që e gjithë gjithësia që na rrethon të jetë krijuar rastësisht?!”
Atëherë ateistët heshtën dhe nuk folën.

Përgjithësisht, kjo ndodhi tregohet për të vërtetuar se Zoti është Krijuesi i universit dhe i gjithçkaje brenda tij. Burimi

Erdhën njëherë pabesimtarët për të polemizuar me dijetarët myslimanë në lidhje me Allahun e Madhërishëm.

Dijetarët e zgjodhën dijetarin e shquar të asaj kohe, shejh Hamadanin, mësuesin e Ebu Hanifës, Allahu qoftë i kënaqur me të dy. Derisa njerëzit prisnin dijetarin, Ebu Hanife u paraqit papritur, u dëshiroi mirëseardhje atyre që ishin prezent dhe tha: “Mësuesi ynë (Hamadani) nuk kishte kohë për polemikë dhe më dërgoi mua si nxënësin e tij më të ri, Numan ibn Thabit që t’u përgjigjet në pyetjet tua.” Pastaj u ul në vendin e caktuar, ndërsa delegatët pabesimtarë filluan me pyetje.

Pabesimtari: “Cilin vit ka lindur Zoti juaj?”
Ebu Hanife: “Allahu ekziston para datës, kohës dhe viteve (ekzistenca e Tij është e pakufizuar)!”
Pabesimtari: “Ne dëshirojmë të na sjellësh argumente nga realiteti ynë.”
Ebu Hanife: “Cili numër është para katërshit?”
Pabesimtari: “Tre.”
Ebu Hanife: “Cili numër është para treshit?”
Pabesimtari: “Dy.”
Ebu Hanife: “Para dyshit?”
Pabesimtari: “Një.”
Ebu Hanife: “Para njëshit?”
Pabesimtari: “Asgjë.”
Ebu Hanife: “Nëse para numrit (statistikor) një, nuk ka asgjë, atëherë çfarë ndodh me Allahun Një të Vërtetë. Ai gjithmonë ekziston i pakufizuar.”
Pabesimtari: “Në cilën anë është Zoti yt?”
Ebu Hanife: “Nëse sjell llambën në një vend të errët, në cilën anë përhapet drita?”
Pabesimtari: “Në të gjitha anët.”
Ebu Hanife: “Kur ky është rast me dritën natyrale, çfarë është me Dritën e qiejve dhe Tokës.
Pabesimtari: “Na thuaj diç për esencën e Zotit tënd, a është i fortë si çeliku, i lëngët si uji, apo i gazët sikurse tymi dhe avulli?”
Ebu Hanife: “A ke qëndruar para një personi në pragun e vdekjes?”
Pabesimtari: “Po.”
Ebu Hanife: “A ka folur ndonjëherë me ty ai pasi ka vdekur?”
Pabesimtari: “Me siguri jo.”
Ebu Hanife: “Para vdekjes së tij ai ka folur, ka lëvizur, e pas vdekjes nuk ka lëvizur, është gurëzuar, kush e ndryshoi gjendjen e tij?”
Pabesimtari: “Kjo është për arsye se shpirti i tij e ka lëshuar trupin.”
Ebu Hanife: “Na përshkruaj shpirtin e tij, a ka qenë i fortë si çeliku, i lëngët si uji apo i gazët sikurse tymi dhe avulli?”
Pabesimtari: “Ne për këtë nuk dimë asgjë.”
Ebu Hanife: “Nëse shpirti që është i krijuar nuk mund të përshkruhet, atëherë si kërkon ti ta përshkruaj Qenien e Zotit?”
Pabesimtari: “Në cilin vend gjendet Zoti yt?”
Ebu Hanife: “Nëse e sjell enën me qumësht të freskët, a përmban ai yndyrë?”
Pabesimtari: “Po.”
Ebu Hanife: “Në cilin vend është yndyra në qumësht?”
Pabesimtari: “Nuk ka vend të kufizuar, por është e përhapur në tërë qumështin.”
Ebu Hanife: “Nëse yndyra e formuar në qumësht nuk ka vend të caktuar, si dëshiron ti ta kufizosh Zotin në një vend?”
Pabesimtari: “Nëse gjërat janë të përcaktuara para krijimit të Universit, cili është roli i Zotit tënd?”
Ebu Hanife: “Ai përcakton gjërat. Ai disa njerëz i ngrit e disa i përul.”
Pabesimtari: “Nëse hyrja në Xhennet nuk ka fillim, poashtu nuk ka mbarim, si janë banorët e tij të përhershëm?”
Ebu Hanife: “Numrat statistik nuk kanë as fillim as mbarim.”
Pabesimtari: “Si në Xhennet ushqehen, nuk urinojnë dhe nuk e kryejnë nevojën e madhe?”
Ebu Hanife: “Ti dhe secila krijesë kemi qëndruar në barkun e nënave tona nëntë muaj. Jemi ushqyer me gjakun e nënave tona, e nuk e kemi kryer as nevojën e vogël e as të madhen.”
Pabesimtari: “Si është e mundur që begatitë e Xhennetit rriten duke ngrënë dhe nuk harxhohen frytet e tij dhe nuk kanë fund?”
Ebu Hanife: “Sa më shumë arrihet dituria ajo rritet edhe më shumë.” Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 50 other subscribers

Data e Rradhës

  • Dhjetë Ditët e Dhul Hixhes 07/06/2024 – 16/06/2024 Nuk ka ditë më të dashura se 10 Ditët e Dhul Hixhxhes, sikur një Ramazan i Vogël. Mundësit e mrekullueshme...