Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Ebu Bekri Es-Siddiku r.a. – Ngjarje nga jeta e sahabeve

AMBIENTI KU LINDI DHE U RRIT

Babai i tij ishte Osman ibn Amr (Ebu Kuhafe) ndërsa e ëma Sel­ma bint Sehr (Umu Hajr). Ai lindi 3 vjet pas ngjarjes së elefantit, kur Ebreheja, mbreti i Jemenit, erdhi për të pushtuar Mekën me ushtrinë e tij me elefantë. Nëna e Ebu Bekrit ishte e vajza e xhax­hait të Ebu Kuhafes.

Ato kohë, Selma, e mbiquajtur edhe “nëna e bekimeve” nga banorët e Mekës, po kalonte një periudhë të vështirë, pasi të gjithë fëmijët meshkuj që kishte lindur më parë nuk i kishin jetuar. Zem­ra po i digjej nga dëshira për të pasur një djalë. Kishin kaluar 2 vjet nga ngjarja e elefantit dhe Selma ishte përsëri shtatzënë. Gëzimi mund të lexohej qartë në sytë e saj. Kësaj radhe kishte një parand­jenjë të mirë. Ajo ishte shumë e sigurt se ky fëmijë do të ishte djalë. Megjithatë, ndjeu se duhet të bënte diçka ndryshe në mënyrë që dëshira e saj të bëhej realitet. Prandaj, ajo bëri një premtim që djali t’i shërbente Qabesë nëse do të jetonte. Këtë premtim e shpal­li haptazi. Asokohe, ky lloj premtimi konsiderohej i shenjtë dhe duhej përmbushur me përpikëri.

Koha kishte ardhur dhe “nëna e bekimeve” filloi të ndjente dhimbjet e lindjes. Ajo do të sillte në jetë një fëmijë të bekuar. Megjithëse ishte pothuajse e sigurt se do të lindte djalë, vazhdonte të ishte e shqetësuar. Arsyeja e këtij ankthi ishte frika për jetën e tij. Ajo u betua se sapo të lindte djalin, do të shkonte pranë Qabesë dhe do t’i lutej përgjërueshëm Zotit të saj. Synimi i saj ishte kjo lutje e përvuajtur: “Allahu im! Dhuroji jetë të gjatë fëmijës tim! Shpëtoje atë për hatrin tim!” Shkalla e sinqeritetit në lutjen e saj ishte garancia më e madhe për pranimin. Sigurisht që një përgjërim aq i thellë nuk mund të kthehej mbrapsht, djali i Ebu Kuhafes kishte lindur gjallë.

STATUSI SHOQËROR I EBU BEKRIT NË MEKË

Për shkak të suksesit në tregti, Ebu Bekri ishte bërë një nga tregtarët më të pasur të Mekës. Përveç pasurisë ai kishte fituar gjithashtu edhe respektin e bashkësisë përmes ndershmërisë dhe besnikërisë. Fuqia e tij ekonomike ishte e pakrahasueshme dhe reputacioni i tij midis kurejshëve kishte arritur majat.

Ai ishte një nga burrat e parisë së Mekës, një kryetar fisi i res­pektuar dhe anëtar i një elite personash që merrnin vendime dhe drejtonin punët në Mekë. Ndër këta mund të përmendim edhe Ebu Sufjanin, Umeje ibn Halefin, vëllezërit Utbe dhe Shejbe, Ebu Xhehlin, Suhejl ibn Amrin dhe Ebu Lehebin. Asnjë vendim nuk mund të merrej pa votën e Ebu Bekrit.

Përmes sjelljes së mirë dhe zgjuarsisë së tij, Ebu Bekri u kthye në një prijës. Midis kurejshëve ai ishte më i dituri në fushën e gjenealogjisë. Madje edhe çështje serioze si vrasja, vjedhja apo dëmshpërblimi, do të silleshin tek ai për t’u dhënë zgjidhje. Ai e kishte fituar reputacionin me anë të ndershmërisë. Kishte vepruar me ndjeshmëri të madhe në mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve dhe kurrë nuk kishte trajtuar dikë me padrejtësi. Për këtë shkak, Kurejshët kishin preferuar këshillën e tij mbi atë të kryetarëve të tjerë të fiseve.

Ebu Bekri ishte gjithashtu nga të pakët persona që ishte dis­tancuar nga sjelljet negative të epokës së injorancës. Ky ishte një virtyt që e kishte dalluar nga të tjerët. Megjithëse faqja e shëmtuar e injorancës kishte prekur çdo aspekt të shoqërisë, ajo nuk kishte mundur të futej në shpirtin e dëlirë të Ebu Bekrit. Marrëdhënia e tij me idhujt asnjëherë nuk kishte qenë e mirë. Edhe në fëmijëri kur i ati e kishte çuar në Qabe, ai kishte parë me habi të madhe se si njerëzit adhuronin objekte që i kishin ndërtuar me duart e tyre. Dëlirësia dhe pastërtia ishin virtyte themelore të karakterit të tij. Ai i kishte bërë një premtim vetes se kurrë nuk do të pinte alkool. Ai e dinte se pirja e alkoolit nuk sillte asgjë përveç së ligës dhe shpeshherë debatonte se ata që përdornin alkool herët a vonë do të humbnin nderin dhe dinjitetin e tyre.

FUNHASI DHE EBU BEKRI

Ftesa e njerëzve në Islam ishte një detyrë e vazhdueshme për të gjithë myslimanët. Natyrisht edhe Ebu Bekri vazhdonte të përçon­te mesazhin në Medinë. Ai takohej me shumë njerëz dhe secilit i fliste për bukurinë e besimit të cilin e ndjente thellë në zemër.

Rastësisht Ebu Bekri takoi një burrë të quajtur Funhas. Ky per­son kishte njohuri të mira të shkrimeve të shenjta. Ai ishte një dijetar që u tregonte histori nga Teurati fëmijëve në Sinagogë. Funhasi edukonte fëmijët në mënyrë që ata të bëheshin dijetarë të së ardhmes. Nëse ky njeri do të pranonte Islamin, shumë njerëz të cilët e respektonin do të ndikoheshin prej tij për të pranuar Pro­fetin e Fundit. Një ditë, Ebu Bekri shkoi për ta takuar dhe filloi t’i fliste për themelet e besimit. Ai u përqendrua në jetën pas vdekjes dhe theksoi pasojat e fshehjes së të vërtetës. Pas një diskutimi të gjatë, Ebu Bekri i tha:

“Turp të kesh o Funhas! Ki frikë Allahun dhe eja në Islam. Ti e di shumë mirë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Kjo është shumë e qartë në Bibël dhe në Teurat.”

Funhasi nuk kishte ndërmend të dorëzohej para Ebu Bekrit. Zuri të tallej me gjërat më të rëndësishme të besimit të Ebu Bekrit.

“O Ebu Bekr, ne nuk kemi nevojë për Allahun. Allahu ka nevojë për ne. Ai kërkon nga ne më shumë sesa ne kërkojmë prej Tij. Ne jemi më të pasur se Ai. Nëse Allahu do të ishte më i pasur, nuk do të kërkonte pjesë nga pasuria jonë, siç thotë mësuesi yt. Ai e ka ndaluar për ju kamatën, por ne na e ka lejuar. Po të kishte qenë më i pasur se ne, nuk do të na e kishte lejuar edhe neve.”

Ebu Bekri ishte njeri me sedër dhe nuk mund të lejonte një ofendim të tillë ndaj Zotit të tij. Funhasi me anë të një loje fjalësh manipuluese po përpiqej ta paraqiste qymyrin si diamant. Për më tepër gjuha e përdorur ishte fyese. Përpara se të përfundonte fjalinë, Ebu Bekri e zuri për fyti. Kjo ishte diçka që nuk e priste. Pastaj Ebu Bekri i tha me zë kërcënues:

“O armik i Allahut! Betohem në të Gjithëfuqishmin që ka në dorë shpirtin tim, se do të ta kisha këputur kokën tani sikur të mos kishim një marrëveshje mes nesh.”

Ebu Bekri ishte një njeri i sjellshëm e i edukuar, dhe kjo sjellje ishte e pazakontë për të. Megjithatë, kur bëhej fjalë për cenimin e emrit të Allahut dhe Profetit, ai ishte i patrembur dhe nuk kishte shok në trimëri.

Funhasi kishte mbetur i fyer për shkak të vetë sjelljes së tij të pahijshme. Me shpejtësi shkoi tek Profeti për t’u ankuar për Ebu Bekrin. Sjellja e tij arrogante ishte e dukshme. Sidoqoftë dukej se ai nuk e kishte nxjerrë mësimin akoma, sepse gjatë gjithë kohës përpiqej t’ia hidhte fajin Ebu Bekrit për incidentin. Funhasi nuk tha asgjë për fyerjet që kishte bërë. Profeti fisnik thirri Ebu Bekrin dhe e pyeti përse kishte vepruar në atë mënyrë. Ebu Bekri u turpërua, por duhet të tregonte fytyrën e vërtetë të këtij njeriu. Funhasi po ankohej për një njeri të cilin e kishte ofenduar. Nor­malisht, Ebu Bekri nuk ishte nga ata që justifikonte veprimet e veta përpara të tjerëve. Por, kësaj here duhet të tregonte çdo gjë ashtu siç kishte ndodhur. Prandaj filloi të shpjegonte:

“O i Dërguar fisnik i Allahut! Ky njeri është armik i Allahut. Ai ka bërë një mëkat të madh. Ai tha gjëra të shëmtuara për Allahun e Plotfuqishëm. Ai tha se Allahu është i varfër dhe se ata janë më të pasur se Ai. Nuk munda ta përmbaj veten, dhe e godita për hir të Allahut.” Funhasin e zuri paniku kur dëgjoi çdo gjë ashtu siç ishte në të vërtetë. Zgjidhja e tij ishte të mohonte pretendimin e Ebu Bekrit.

“Unë nuk kam thënë asgjë nga këto!” u përgjigj.

Çfarë burri ishte ky? Po e akuzonte Ebu Bekrin për gënjeshtër. Ndoshta në momentin kur del e vërteta në shesh, nuk ka më kthim prapa.

Nuk zgjati shumë dhe zbritën ajetet kuranore që vërtetonin besnikërinë e Ebu Bekrit. Qiejt filluan të flasin dhe Xhebraili i solli shpalljen Hyjnore Profetit Muhamed. Vargjet kuranore për­mendnin fjalët e thëna nga Funhasi dhe shpjeguan se të tillë njerëz hipokritë do të ndëshkoheshin në zjarrin e Xhehenemit.

POZITA E EBU BEKRIT PRANË PROFETIT

Pozita e atyre që i kishin vënë shpatullat kauzës së Islamit edhe në kohë vështirësish ekstreme, duhet të ishte e veçantë. Këta per­sona kishin zënë një vend unik pranë Allahut. Allahu i Plotfuq­ishëm e shpjegon këtë dallim në ajetin e mëposhtëm:

“…Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar para fitores me ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar më pas.”

Edhe sjellja e Profetit nuk ishte ndryshe. Ata që kishin qëndruar pranë tij në ditët e hershme të Islamit, kishin vlerë unike. Në fakt, askush nuk mund ta imagjinonte se sa shpërblim të madh kishin fituar ata që qëndruan afër Profetit në kohën kur vështirësitë ishin të rënda. I Dërguari i Allahut ishte një pasqyrë e paimitueshme që reflektonte moralin e Allahut. Si mund t’i trajtonte ndryshe nd­jekësit e tij?

Kauza Hyjnore që ishte ngjizur në shpellën Hira, kishte pasur mbështetje të vazhdueshme që në ditët e para. Ata që i kishin qën­druar pranë që në momentet e fillimit, të parët e të parëve, kishin vend të veçantë në zemrën e Profetit. Ai e kishte bërë të qartë këtë në çdo vend ku kishte ardhur mundësia dhe e kishte shfaqur në sjelljen e tij ndaj tyre.

Një ditë, i Dërguari i Allahut ishte ulur me sahabët, teksa pa shokun e tij të dashur të afrohej. Ai dukej i mërzitur. Profeti e kuptoi që larg gjendjen e tij emocionale. Pastaj tha:

“Shokut tonë i ka ndodhur diçka!” Ai e njihte shumë mirë atë. Fytyra e Ebu Bekrit ishte e zbehtë dhe në trup i dalloheshin shenja rraskapitjeje. Ai erdhi dhe u ul pranë Profetit. Pastaj me zë të ulët filloi të flasë:

“Ndodhi diçka midis meje dhe Omer ibn Hatabit. Më duket se u solla pak ashpër me të dhe i theva zemrën. Në çast u ndjeva fa­jtor dhe i kërkova falje, por ai nuk e pranoi. Prandaj erdha tek ti, o Dërguari i Allahut.”

Profeti u mërzit nga dëshpërimi i Ebu Bekrit. Ai nuk mund ta shikonte në këtë gjendje shokun e tij besnik. Në fillim u lut: “Alla­hu u tregoftë i butë me Ebu Bekrin!”

Kjo ishte edukata e Profetit. Ai lumturohej nga gëzimi i shokëve të tij dhe mërzitej nga dëshpërimi i tyre.

Papritur atmosfera kishte ndryshuar dhe dukej sikur re të zeza kishin rënë mbi ta.

Ndërkohë, Omeri ishte penduar për sjelljen e tij dhe shkoi në shtëpinë e Ebu Bekrit për t’i kërkuar falje. Ai nuk e gjeti atë në shtëpi, ndaj nxitoi drejt xhamisë. Gjendja e tij shpirtërore ishte e njëjtë me atë të Ebu Bekrit. Ai përshëndeti Profetin dhe hyri në xhami. Ndërkohë që kërkonte një vend për t’u ulur, Omeri e ndjente tensionin. Pendimi i tij ishte i thellë, por ishte tepër vonë. Koha nuk mund të kthehej prapa për të ndryshuar veprimin që kishte bërë. Në atë çast, dukej se Omerit të Madh i kishin shteruar të gjitha energjitë. Zemra e Ebu Bekrit mund të mos e pranonte më atë. Ai ra në këmbët e Profetit fisnik dhe u përgjërua:

“Për Allah! Unë veprova keq! Ishte faji im!”

Ai ishte aq i sinqertë, saqë përsëriste vazhdimisht të njëjtat fjalë me një ton zëri që lutej për falje. Edhe retë e ngarkuara me shi ishin gati të shpërthenin në mëshirë. Profeti fisnik iu drejtua të gjithë të pranishmëve me fjalët e tij:

“Betohem në Allah! Kur Ai më dërgoi mua Profet, ju të gjithë mendonit se isha mashtrues! Ebu Bekri ishte i vetmi, i cili tha, ‘Ti dëshmon të vërtetën!’. Ai më mbrojti mua me jetën e tij dhe me gjithçka kishte! A nuk do ta linit pranë meje mbështetësin tim (besnik)?

Çfarë mund të thuhej pas këtyre fjalëve kaq të sinqerta? Të gjithë pohuan me kokë. Si një kor i heshtur, secili pohonte: “The të vër­tetën o Profet fisnik.” Edhe kur e kishte zemrën të thyer, Ebu Bekri shqetësohej për ndjenjat e të tjerëve. Ai mendonte për hidhërimin që ndjente personi tjetër dhe qortonte veten si shkaktar. Ndërkohë që Ebu Bekri ishte larguar nga turma, ai kishte qarë në heshtje.

Ky ishte karakteri i tij. E si mund të sillej ndryshe? Por për fat të keq, këto gjëra ndodhnin herë pas here. Në një rast tjetër, ai pati një keqkuptim me Rabiatul Eslemin. Çështja u paraqit përpara Profetit. Ebu Bekri e kishte lënduar me fjalë Rabian. Ai u mundua ta shlyente këtë duke kërkuar nga Rabia që edhe ai t’i thoshte të njëjtat fjalë, por për fat të keq, Rabia nuk pranoi dhe Ebu Bekri tha:

“Ose ti do të marrësh atë që të takon me të drejtë, ose unë do ta çoj këtë çështje tek Profeti.”

Rabia nuk ndryshoi qëndrim. Ishte e qartë se e vetmja mënyrë për ta zgjidhur problemin ishte të kërkonin ndihmë nga Profeti. Menjëherë shkuan tek ai. Në atë çast, një grup burrash nga klani i Eslemit, të cilët e kishin marrë vesh incidentin, ishin ulur me Pro­fetin. Ata po e kritikonin sjelljen e Ebu Bekrit, kur Rabia ndërhyri:

“Pushoni! Ju po flisni për Ebu Bekrin, jo për një njeri çfarëdo! Allahu e quan atë ‘i dyti prej të dyve’ në shpellën Theur. Mos flisni kundër tij për të më mbrojtur mua! Profeti do të pikëllohet nga dëshpërimi i tij. Pa dyshim, pikëllimi i Profetit do të sjellë zemërimin e Allahut ndaj nesh! Dhe ai do të ishte fundi i Rabias!”

Ebu Bekri shpjegoi gjithçka që kishte ndodhur. Shprehja e fytyrës së Profetit tregonte se ai nuk ishte i kënaqur nga ato që kishte dëgjuar. Ai pa nga Rabia dhe i kërkoi atij me një ton zëri të pakënaqur se ç’problem kishte me Ebu Bekrin. Edhe Rabia ishte i mërzitur nga e gjithë ngjarja, megjithatë dëshironte që ta sqaronte atë. Kishte një detaj të cilin ata nuk e kishin vënë re. Rabia tha:

“O Profet fisnik, ai m’u drejtua me disa fjalë jo të mira. Më pas sugjeroi që edhe unë t’i thoja atij të njëjtat fjalë. Megjithatë, unë nuk pranova.”

Profetit të Allahut i pëlqeu sjellja e Rabias dhe e këshilloi atë që të lutej:

“Allahu të mëshiroftë ty, o Ebu Bekr!”

Ishte e qartë se Profeti nuk dëshironte që të turbullonte mikun e tij të dashur, i cili kishte qenë përkrah tij që në fillim. Për këtë ar­sye, ai po i kërkonte Rabias që të lutej për të. Mbështetja e Profetit ndaj tij, edhe në situata ku ai mund të ishte në gabim, e prekën kaq thellë zemrën e Ebu Bekrit, saqë zuri të qante. Sipas dëshmisë së Rabias, Ebu Bekri u ul në një qoshe dhe shpërtheu në lot.

MATURIA DHE AFTËSIA E TIJ PËR TË KUPTUAR

Megjithëse ishte një ndër personat më eruditë mes besimtarëve, Ebu Bekri kurrë nuk e përdori këtë si avantazh për të ngritur reputacionin e tij. Ai kishte qenë dëshmitar i pothuajse të gjitha shpalljeve që i zbritën Profetit dhe kishte njohuri për traditat më të respektueshme profetike. Ndoshta, kjo është arsyeja, pse ai ishte një ndër dy njerëzit i cili kishte dhënë fetva ndërkohë që Profeti ishte ende gjallë.

Pavarësisht kësaj, ai e fshihte aq shumë zgjuarsinë e tij, saqë nuk fliste përveç rastit kur i drejtohej një pyetje. Ai preferonte që t’i linte të tjerët të pyesnin Profetin, kështu çdo njeri do të kishte mundësi të merrte informacion prej tij nga afër. Njerëzit si Ebu Bekri, ishin kaq të ndjeshëm, saqë kur uleshin pranë Profetit, silleshin sikur të kishin zogj mbi kokat e tyre. Ata drithëroheshin nga mendimi se mund ta shqetësonin Profetin. Në lidhje me këtë, ai kishte pohuar:

“Cila mbretëri do më pranonte mua, apo nën cilin qiell do të gjeja strehim, nëse bëj vërejtje që kundërshtojnë librin e Allahut.”

Një ditë, u shpall ky ajet: “As dëshirat e tua dhe as ato të Njerëzve të Librit (nuk mund të mbizotërojnë): kushdo që bën keq do të ndëshkohet sipas veprës së tij. Përveç Allahut, nuk do të gjeni tjetër mbrojtës e ndihmues.

Ebu Bekri u zhyt në mendime të thella pasi dëgjoi këtë ajet. Ai mundohej të kuptonte përmbajtjen e ajetit hyjnor. Dukej se nuk kishte rrugëdalje për Ebu Bekrin. Si mundej, i biri i Ebu Kuhafes, të flinte në një natë të tillë? Me të shpejtë ai shkoi tek i Dërguari i Allahut. Fytyra i ishte zbehur dhe zemra i rrihte si e marrë. Me zërin që i dridhej, pyeti:

Lexo  10 Sahabet e përgëzuar me Xhenet

“O Profet i lartësuar! Ky ajet na ka thyer më dysh. A ka ndonjë prej nesh i cili nuk gabon?”

Edhe një herë, i takonte Profetit që të ngushëllonte Ebu Bekrin. Ai ia nguli vështrimin Ebu Bekrit dhe i kujtoi atij mosmarrëveshjet dhe mundimet që njerëzit kalojnë në këtë jetë. Më pas, Profeti tha:

“Këto janë gjërat për të cilat do të shpërblehesh në jetën e për­jetshme.”

Në një tjetër rast, kur Ebu Bekri ishte ulur bashkë me Profetin, një burrë erdhi dhe filloi ta mallkonte atë. Duke qenë aq pranë Profetit, ai u ndje jashtëzakonisht i poshtëruar. Ai nuk mund t’i jepte asnjë shpjegim fyerjeve të atij personi. Me cepin e syrit ai hodhi vështrimin për të parë reagimin e Profetit. Profeti i lartësu­ar po buzëqeshte dhe kjo i dha një mbështetje të lehtë zemrës së Ebu Bekrit.

Për fat të keq, burri nuk kishte ndërmend të ndalonte dhe vazh­donte me fyerje dhe sharje. Më në fund, Ebu Bekri nuk duroi më dhe vendosi të ndërhynte me një përgjigje. Përpara se ai të thoshte fjalët në mbrojtje të vetvetes, Profeti i lartësuar u çua dhe u largua prej aty. Ai nuk po buzëqeshte më. Me ta parë këtë gjë, Ebu Bekri po ashtu u ngrit dhe vrapoi pas Profetit. Ai nuk mund të duronte që ta shihte Profetin të mërzitur. Kur e arriti atë, i tha:

“O Profeti fisnik i Allahut! Ti ishe aty kur ai njeri po më fyente. U mundova ta ndalja kur ai i kaloi kufijtë. Përse u largove i zemëru­ar?”, e pyeti ai respektueshëm.

Ebu Bekri u soll me modesti ndërkohë që përpiqej të kuptonte mësimin që Profeti i lartësuar po i jepte me anë të sjelljes. Profeti heshti për një çast dhe më pas bëri një pohim, të cilin duhet ta kujtojë çdo mysliman:

“Nuk ka dyshim se ndërkohë që ti qëndroje i heshtur, një engjëll përgjigjej në vendin tënd. Sapo fillove ta mbrosh vetveten, aty erd­hi Shejtani. Nuk doja të qëndroja në të njëjtin vend me të.”

Pas këtij shpjegimi, Profeti i lartësuar e përgjithësoi çështjen me komentet e mëtejshme:

“O Ebu Bekr! Tri gjëra janë të vërteta:

Allahu do t’i lartësojë dhe do t’i shpërblejë ata të cilët ruajnë qetësinë për hir të Allahut kur të tjerët u bëjnë keq atyre.

Cilido që hap një derë në emër të së mirës dhe i jep me zemërg­jerësi atyre që janë pranë tij, Allahu do t’ia shtojë pasurinë dhe mirëqenien.

Cilido që kërkon prej të tjerëve me qëllim për të shtuar pasur­inë, Allahu do t’ia shtojë varfërinë.”

NJERIU I BESUESHMËRISË DHE I SIGURISË

Pavarësisht nga dijet e thella që kishte për Islamin, ai mbështetej plotësisht mbi të Dërguarin e Allahut. Kur diskutohej një çështje e caktuar, ai mjaftohej me mendimin e Profetit. Nëse ekzistonte ndonjë hadith në lidhje me çështjen në fjalë, atëherë nuk kishte më vend për diskutime. Sipas Ebu Bekrit, fjala e fundit ishte ajo e Profetit.

Në atë kohë ekzistonin dy superfuqi të mëdha, Perandoria Bi­zantine dhe Perandoria Perse. Midis të dyjave kishte filluar një luftë e përgjakshme, ku Persët që ishin adhurues të zjarrit kishin ngadhënjyer mbi Bizantinët që konsideroheshin si ithtarë të Librit. Bizantinët ishin mundur aq keq, saqë askush nuk mendonte se do të rimëkëmbeshin përsëri.

Çfarë rëndësie mund të kishte kjo fitore mbi krahinën e Hixhazit? Në fakt, ajo kishte pasoja të mëdha, sepse idhujtarët e Mekës, të cilët nxirrnin kuptime nga çdo ngjarje, e përdorën këtë kundër myslimanëve. Kjo luftë mbarte edhe një kuptim tjetër; ishte një luftë ndërmjet besimit në një Zot të vetëm dhe politeizmit. Fitorja e adhuruesve të zjarrit mbi të Krishterët u përdor nga Kurejshët si argument se e njëjta gjë do t’u ndodhte edhe myslimanëve. Kure­jshët ishin nga ana e Persëve. Kjo ishte një mundësi për t’u treguar myslimanëve se një fuqi tokësore kishte fituar mbi atë hyjnore. Sipas kësaj logjike, edhe kurejshët që ishin fuqia tokësore, do të triumfonin mbi myslimanët, të cilët konsideroheshin si përfaqë­suesit e kauzës hyjnore.

Ndërsa ky debat vazhdonte me ditë të tëra, zbriti surja “Rum”, me anë të së cilës, Kurani pohonte se Bizantinët do të triumfonin mbi Persët për 3 ose 9 vjet. Ky ishte një lajm i madh për Kurejshët të cilët e përdorën për t’u tallur me Myslimanët. Sipas tyre, Kurani kishte parashikuar të pamundurën. Kur Ubej ibn Halef u takua një ditë me Ebu Bekrin, hapi menjëherë bisedën në fjalë. Ai për­mendi këtë ajet kuranor dhe filloi të tallej me të. Ebu Bekri nuk kishte dyshime rreth ajetit dhe e mbrojti Kuranin me rigorozitet. Të dy ishin këmbëngulës në argumentet e tyre dhe ranë dakord që në fund të tre viteve, humbësi do t’i jepte 10 deve fituesit.

Pas kësaj Ebu Bekri shkoi menjëherë tek Profeti dhe i tregoi për marrëveshjen. Profeti Fisnik i rikujtoi Ebu Bekrit kohën që nënk­uptohej në ajet. Ajeti shprehej qartë se kjo ngjarje do të ndodhte për 3 deri 9 vjet. Megjithatë Ebu Bekri e kishte interpretuar si 3 vjet. Profeti i sugjeroi ta ndryshonte marrëveshjen dhe të rriste numrin e viteve, dhe po ashtu, edhe atë të deveve.

Sapo mori këshillën e Profetit, Ebu Bekri u kthye tek Ubej ibn Halefi dhe i propozoi që periudha kohore të shtyhej deri në 9 vjet dhe numri i deveve po ashtu. Nga ana e Ubejes nuk pati asnjë kundërshtim, pasi askush në Gadishullin Arabik nuk besonte se Persët do të mundeshin. Marrëveshja ishte mbyllur.

Kaluan të 9 vitet dhe në vitin 627 të dy ushtritë ishin sërish për­ballë njëra-tjetrës. Në betejën e madhe të Ninovës, parashikimi i ajetit kuranor ishte përmbushur. Ushtria Bizantine kishte mun­dur Perandorinë e madhe Perse. Afërsisht, po në të njëjtën kohë, myslimanët ishin përballur në Bedër me idhujtarët dhe fitorja e premtuar nga Allahu ishte bërë realitet. Myslimanët ishin shumë të gëzuar, sepse kishin mundur idhujtarët për herë të parë në fushëbetejë. Ata falënderuan dhe madhëruan Alla­hun e Plotfuqishëm. Kurejshët morën një goditje të dytë me la­jmin e fitores së Bizantinëve mbi Persët. Gjërat nuk kishin shkuar ashtu siç e kishin menduar ata. Për më tepër, kishin pësuar edhe një disfatë në Bedër. Në kundërshtim me spekulimet e tyre, Kura­ni kishte triumfuar.73

Ubeje kishte ikur tashmë në vendbanimin e fisit të tij. Për këtë arsye, Ebu Bekri shkoi tek familja e tij dhe kërkoi 100 devetë. Tradi­ta e tyre i detyronte t’i përmbaheshin marrëveshjes dhe i dorëzuan Ebu Bekrit 100 devetë. Çfarë mund të bënte një njeri bujar si Ebu Bekri me kaq deve? Natyrisht, do t’i jepte për bamirësi. Ebu Bekri bëri atë që duhej dhe ua dhuroi të gjitha personave në nevojë.

MODESTI DHE SINQERITET

Një ditë, i Dërguari i Allahut, ndërsa po mbante një predikim, papritur ndali dhe pyeti:

“A ka ndonjë midis jush që agjëron sot?”

Pas një çasti heshtjeje, Ebu Bekri u përgjigj me zë të ulët duke thënë se ai po agjëronte. I Dërguari i Allahut pyeti përsëri:

“A ka ndonjë që ka dhënë sadaka?”

Edhe kësaj here mbizotëroi heshtja e ndjekur nga zëri i turp­shëm i Ebu Bekrit:

“Unë kam dhënë o i Dërguari i Allahut.”

Pyetjet vazhduan:

“A ka ndonjë që ka falur një namaz xhenazeje sot?

Dukej sikur Profeti po bisedonte me një person të vetëm. Ebu Bekri përsëri u përgjigj:

“Unë kam falur.”

Profeti fisnik vazhdoi:

“A ka ushqyer ndonjë nga ju një njeri të uritur sot?”

Asgjë nuk ndryshoi nga më parë. Tani ishte e qartë se i Dër­guari i Allahut po u bënte të njohur xhematit se kush ishte shoku i tij i dashur, Ebu Bekri. Ai e dinte se Ebu Bekri kurrë nuk do t’i përmendte këto virtyte po t’i lihej atij në dorë. Edhe një herë ai u përgjigj: “Unë o i Dërguari i Allahut.”

Ishte momenti i fundit ku Profeti do të bënte pohimin përfun­dimtar. Ai u kërkoi të gjithëve të ishin dëshmitar për këto fjalë:

“Kushdo që bën të gjitha këto vepra të mira në një ditë të vetme, do të jetë i falur nga mëkatet, dhe kësodore do të meritojë Parajsën.”

DREJT KALIFATIT

Ndërkohë, muhaxhirët dhe ensarët ishin mbledhur për të di­skutuar dhe vendosur se kujt do t’ia jepnin besën pas Profetit. Si fillim u përqendruan në idenë e të pasurit të një lideri nga çdo fis. Sidoqoftë, një mendje e ndritur si ajo e Omerit, e kuptoi se kjo do të sillte përçarje dhe konflikt midis njerëzve. Omeri e dinte se sapo shpatat të nxirreshin nga milli, ato nuk futeshin më lehtë mbrap­sht. Ai i bindi të pranishmit se duhet të kishin një lider të vetëm.

Ebu Bekri ishte ftuar me insistim në mbledhje. Sapo u bashkua me të tjerët në mbledhje, Omeri u ngrit në këmbë dhe tha:

“O njerëz të ensarëve! A nuk e dini ju se i Dërguari i Allahut urdhëroi Ebu Bekrin të dilte imam në namaz për të prirë besim­tarët? A do të kishte guxim ndonjëri nga ju të dilte para Ebu Bekrit dhe të zinte vendin që vetë i Dërguari i Allahut ka caktuar për të?”

Omeri po u fliste një grupi burrash seriozë dhe të drejtë. Pran­daj ata u përgjigjën njëzëri:

“I frikësohemi Allahut dhe kërkojmë mëshirë prej Tij nëse dalim para Ebu Bekrit!”

Ishte një situatë konfuze. Nga njëra anë ishte i Dërguari i Alla­hut i cili sapo ishte larguar për në botën e përtejme dhe në anën tjetër po diskutohej se kush do të pasonte atë si lider. Me të vërtetë, nga njëra anë ishte dhimbja dhe dëshpërimi i largimit të Profetit dhe nga ana tjetër sfida e ruajtjes së një drejtpeshimi midis besim­tarëve. Anija e Islamit duhet të lundronte drejt brigjeve të qeta dhe kjo duhet të bëhej pa shkaktuar dëm në shpirtin e fesë. Natyrisht, në atë kohë duhet të merreshin masa të rrepta në mënyrë që të shmangej përçarja. Vendi bosh i liderit duhet të plotësohej tashmë nga një person i denjë për të. Përndryshe do të vendosë një njeri që nuk e meritonte.

Ebu Bekri mbeti i habitur nga biseda. Ai tentoi të ndërhynte duke thënë se vendi i liderit duhet të zëvendësohej nga një ekspert si Omeri ose Ebu Ubade. Megjithatë, Omer ibn Hatabi nuk e la të fliste gjatë. Me një ton autoritar ai tha:

“Më lejo të të bëj një pyetje,” dhe vazhdoi: “I dyti nga ata të dy kur ishin në shpellë dhe ai i tha shokut: ‘Mos u mërzit, Allahu pat­jetër është me ne.’(Teube, 40) Kush është ai që përmendet në këtë ajet? Kush është personi që është nderuar me shoqërinë më fisnike?”

Në këtë pikë, zëra të tjerë e mbështetën Omerin:

“Si mund t’i japim ne besën dikujt tjetër kur midis nesh është një Siddik dhe i ‘dyti nga ata të dy’?” Për më tepër, fjalët e të Dër­guarit të Allahut përsa i përket drejtimit ishin akoma të freskëta në mendjet e tyre:

“Dy personat të cilët duhet të diskutoni pas meje janë Ebu Bekri dhe Omeri.”97

Në këtë moment të gjithë po mendonin të njëjtën gjë. Rreziku i një konflikti kishte qenë i afërt. Të gjitha çështjet ishin zgjidhur brenda një dite, pa rënë ende nata. Më në fund, Omeri mori dorën e Ebu Bekrit dhe e vendosi mbi të tijën. Kjo do të thoshte se Kalifi i parë i të Dërguarit të Allahut ishte zgjedhur. Pas Omerit, të gjithë erdhën një nga një për t’i dhënë besën Ebu Bekrit. Ky ishte fillimi i një momenti sfidues për Ebu Bekrin. Ai ishte tashmë Kalifi, Kalifi i Profetit të Allahut dhe të gjithë besimtarëve.

Pas betimit Ebu Bekri u ngjit në minberin e mesxhidit. Ky ishte minberi nga i cili Profeti fisnik mbante ligjëratat para besimtarëve. Ndërsa ngjitej në minber, Ebu Bekri qëndronte në majë të gishtave. Ai mbante një respekt të madh për kujtimin e të Dërguarit të Al­lahut. Ai ndali në mes të shkallëve dhe filloi t’u flasë njerëzve. Kjo ishte ligjërata e parë për Ebu Bekrin. Ai foli me një zë të butë dhe të ndjeshëm:

“O njerëz! Ju më keni zgjedhur si liderin tuaj megjithëse unë s’jam më i mirë nga ju. Ndaj, kërkoj ndihmën dhe mbështetjen tuaj nëse veproj drejt, dhe të më ftoni në rrugën e duhur nëse shman­gem nga ajo. Pa dyshim se drejtësia është një dhuratë e çmuar dhe padrejtësia një formë tradhtie. Me shpresën tek Allahu, më i dobë­ti nga ju do të jetë më i forti kur unë të mbroj të drejtat e tij. Po ashtu, më i forti nga ju do të jetë më i dobëti kur unë të korrigjoj gabimet e tij. Kini kujdes, askush nga ju nuk duhet të tërhiqet nga përpjekja në rrugën e Allahut. Kujtoni se kush ka neglizhuar në këtë çështje, ka merituar poshtërimin e Allahut. Allahu do të sjellë fatkeqësi të mëdha mbi atë popull ku imoraliteti është shpërndarë lirisht. Bindmuni mua për sa kohë unë i bindem Allahut. Nëse bëj ndonjë gabim në bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij, atëherë mos m’u bindni!”98

Autori i këtyre fjalëve do të ishte më pas ai që do të mposhtte Perandoritë e Persisë dhe të Bizantit. Pozita e lartë dhe rangu, vetëm sa ai kishin shtuar modestinë e tij. Ebu Bekri ishte bërë ako­ma më i dhembshur tani që kishte mbi shpatulla të gjithë umetin e Profetit Muhamed. Sipas

Ebu Bekrit, fuqia nuk jepej për të shty­pur të tjerët. Përkundrazi, ajo ishte një barrë e rëndë që duhet të mbahej dhe një detyrë që duhej përmbushur.

Ebu Bekri ishte person tejet i ndjeshëm. Megjithatë, ai ishte gjithashtu një gjeni i cili do të vendoste një sistem të përkryer në një kohë kur bazat e shoqërisë po lëkundeshin nga themelet. Kjo arritje do të përshëndetej me lavdërime të mëdha nga Omeri, i cili do të bëhej Kalifi i dytë pas Ebu Bekrit. Sipas dëshmisë së Omerit, Ebu Bekri la pas një rrugë shumë të volitshme për ata që do të vinin më pas.

HIXHAZI TRONDITET NGA POLEMIKAT

Sipas dëshmisë së të bijës së Ebu Bekrit dhe nënës së besim­tarëve, Aishes, barra e problemeve dhe shqetësimeve që ra mbi të atin kur mori postin e Kalifit, ishte aq e rëndë, saqë po të kishte qenë vendosur mbi malet, ata do të ishin bërë copë e thërrime.105

Largimi i Profetit nga kjo botë kalimtare ishte një shans i madh për mendjet e djallëzuara që të fillonin dhe të shpallnin profecinë e tyre të rreme. Në të gjithë krahinën e Hixhazit filluan të dalin profetë të rremë. Gjithashtu kishte njerëz të cilët nuk ishin nën­shtruar Islamit plotësisht. Megjithëse ata faleshin si të tjerët, nuk pranuan të japin zekatin. Kishin dalë risi në lidhje me fenë dhe kishin filluar sërish konfliktet midis fiseve të ndryshme. Ambienti ishte mbushur me debate dhe rebelime. Madje, edhe në ditën e ndërrimit jetë të Profetit, filluan thashethemet në lidhje me ush­trinë e Usames të përgatitur nga vetë Profeti. Themelet e bashkë­sisë islame po rrezikoheshin nga këto përçarje dhe debate.

Pavarësisht nga këto, Ebu Bekri ishte njeriu i duhur për këtë gjendje. Kështu kishte dashur kaderi hyjnor. Allahu i Lartësuar i kishte dhënë atij një pozitë pranë Profetit në mënyrë që ai të ishte i përgatitur për kohë të tilla. Ebu Bekri ishte i pajisur me aftësitë për të qenë një lider dhe për të vendosur një sistem të qëndrueshëm që do të mbronte unitetin e Islamit pas largimit të Profetit. Kjo ishte kaq e qartë, saqë Omeri, vite më vonë, do të ndjehej i detyru­ar të bënte pohimin e mëposhtëm:

“Kam vënë re se qëndrimi i rreptë i Ebu Bekrit ndaj rebelimit dhe trazirave ishte më i efektshëm se i imi. Gjatë qeverisjes së tij, ai kishte bërë aq përpara në edukimin e njerëzve me Islamin saqë unë nuk e pata fare të vështirë t’i administroja ato gjatë qeverisjes sime.”

Ibn Mesudi gjithashtu e nderoi Ebu Bekrin me këto fjalë:

“Pas të Dërguarit të Allahut, ne na është dashur të përballemi me shumë incidente shqetësuese. Nëse Allahu nuk do të na kishte dhënë një lider si Ebu Bekri, do të ishim shkatërruar.”

PAQE DHE QETËSI

Brenda një kohe të shkurtër, të gjithë ata që ishin hedhur në kryengritje dhe luftonin me njëri tjetrin, ishin ndalur. Në një farë mënyre ishte vendosur rregulli. Që nga ky moment, Ebu Bekri nisi planet për të arritur një sërë objektivash afatshkurtra dhe afatgja­ta. Këto objektiva ishin pika të treguara nga i Dërguari i Allahut. Ebu Bekri i mblodhi të gjitha energjitë e tij për këtë qëllim dhe iu përkushtua punës natë e ditë.

Lexo  SHEMBULLI I DREJTËSISË, OMERI (R.A)

Pa dyshim se mbështetësi i tij kryesor ishte Omer ibn Hatabi. Ebu Bekri caktoi Omerin për çështjet e drejtësisë. Konfliktet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet qytetarëve të Medinës silleshin përpa­ra Omerit. Drejtësia ishte puna e Omerit dhe ai jetonte me drejtë­si. Ndjeshmëria e Omerit për drejtësinë i kishte dhënë atij titullin “Faruk”, që do të thoshte “diferencuesi i drejtësisë nga padrejtësia.”

Kishte kaluar një vit dhe Omeri shkon tek Kalifi dhe kërkon të dorëzojë detyrën. Natyrisht e kishte një arsye, andaj Ebu Bekri e pyeti për arsyen. Përgjigjja e Omerit ishte shumë interesante. Ai u ankua se që nga caktimi i tij në detyrën e gjykatësit para një viti, askush nuk kishte ardhur për të kërkuar zgjidhej për ndonjë çështje.117

Dëshmia e Omerit tregoi gjithashtu se njerëzit e përkushtu­ar sinqerisht në shërbimin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij nuk shfaqnin probleme në shoqëri. Arsyeja për këtë ishte se ata kishin jetuar në epokën më të bekuar dhe po bëheshin gati të hynin në epokën tjetër më të bekuar. I Dërguari Fisnik i Allahut një herë kishte thënë:

“Njerëzit më të bekuar të të gjitha kohërave janë ata që jetuan epokën time, të ndjekur nga një tjetër dhe një tjetër.”

DEVOTSHMËRIA DHE FRIKA NDAJ ALLAHUT

Askush nuk mund të vinte në diskutim devotshmërinë dhe frikën e tij ndaj Allahut. I vetmi shqetësim që kishte ai në jetë ishte kauza e tij. Ai përdori çdo gjë të vetën në këtë kauzë. Pasuritë e kësaj bote, paraja, fisnikëria dhe pozita nuk kishin asnjë vlerë në sytë e tij. Ata nuk mund ta ndryshonin dot Ebu Bekrin, dhe nuk e bënë.

Një ditë ishte shumë i etur dhe i sollën një gotë me ujë. Në ujë i kishin shtuar pak mjaltë. Ndërsa po e kthente gotën për të pirë, ndali dhe zuri të qajë. Po qante aq shumë, saqë edhe të tjerët rreth tij filluan të qajnë bashkë me të. Pas pak, të gjithë pushuan së qari përveç Ebu Bekrit, i cili vazhdonte të qante me zë të lartë. Pati nga ata që menduan se Kalifi do të mbytej nga lotët. Në fakt kjo ishte mënyra më e mirë për të dhënë një shembull. Ai u jepte një mësim përmes veprave. Pasi e mori veten, e pyetën:

“O Kalif i të Dërguarit të Allahut, çfarë të bëri të qash kaq shumë?”

U përpoq të përgjigjej duke rënkuar me dënesë:

“Një ditë, isha ulur me Profetin. Ai papritur filloi të shtynte me dorë sikur refuzonte diçka. Unë nuk shihja se çfarë ishte, kështu që e pyeta: ‘O i Dërguari i dashur i Allahut, çfarë po përpiqesh të lar­gosh, pasi unë nuk po shoh asgjë?’ Ai m’u përgjigj: ‘Ajo ishte Dyn­jaja, e cila mu shfaq përpara syve. Unë e largova dhe bëra ashtu me duar. Ajo u largua, por u kthye përsëri duke thënë: Edhe nëse ti arrite të më largosh, ata që do të vijnë pas teje nuk do t´ia arrijnë.’ M’u kujtua kjo ngjarje dhe pata frikë se Dynjaja kishte gjetur prani tek unë. Për këtë qava.”

Megjithëse ai zotëronte aftësitë për të duruar çdo lloj vështirësie dhe fatkeqësie, ndodhte që ai donte të qëndronte i veçuar me natyrën. Në këto çaste ndjehej i brengosur. Në një nga këto ditë melankolike, pa një zog që qëndronte i lirë mbi pemë. Zogu kën­donte dhe hidhej nga njëra degë në tjetrën. Për pak minuta e soditi me admirim. Pastaj tha:

“Qofsh i gëzuar kështu! Sa do të dëshiroja të isha kështu si ty! Sa do të doja të isha një zog si ty, pa përgjegjësi dhe detyrë. Do të doja të qëndroja nëpër degë të ndryshme, të ushqehesha me fruta dhe të fluturoja pastaj.”

Një ditë tjetër, kur pesha e përgjegjësisë po i rëndonte shumë mbi shpatulla, pa një pemë. I tha:

“Sa do dëshiroja të isha një trung që të më prisnin dhe të më digjnin.”

Atij nuk i pëlqente kur njerëzit i kërkonin të lutej për ta. Sa herë që përballej me një situatë të tillë, hapte krahët dhe lutej:

“O Allah, ti më njeh më mirë sesa unë njoh veten time. Dhe unë e njoh veten time më mirë se sa njerëzit më njohin mua. Më bëj mua të tillë që t’i meritoj këto lutje. Më fal mua për gjërat që ata nuk i dinë. Mos më bëj përgjegjës për atë që thonë ata.”

Ata të cilët e dinin që Ebu Bekri ishte shumë i ndjeshëm ndaj këtyre gjërave, i sollën ndërmend fjalët e Profetit fisnik në lidhje me të. Ai nuk ishte kurrë i sigurt për veten e tij. U përgjigj:

“Betohem në Allah! Edhe nëse e shoh veten time me të dyja këmbët në Parajsë, prapë nuk jam i sigurt nëse e meritoj apo jo. Të garoje në një garë për punë të mira ishte në natyrën e tyre dhe kjo jo vetëm për Ebu Bekrin. Omer ibn Hatabi po ashtu i kishte vënë qëllim vetes që do të ndihmonte një plakë të verbër që jeton­te në periferi të Medinës. Ai kalonte rregullisht pranë shtëpisë së saj për ta pyetur nëse kishte nevojë për diçka. Sa herë që ai shkonte pranë saj, plaka i tregonte se dikush kishte ardhur para tij dhe ia kishte kryer të gjitha punët.

Omeri i nderuar u bë kureshtar se kush ishte ky njeri që i bënte parapritë çdo herë. Vendosi të shkonte më herët se zakonisht për të takuar të panjohurin. Sidoqoftë ai vinte gjithmonë përpara. Më vonë e kuptoi që ky person ishte Ebu Bekri.

Përballimi i jetesës me rrugë të lejuara ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për Ebu Bekrin. Ai do të vinte në rrezik jetën e tij vetëm që një kafshatë e vetme haram të mos kalonte në stomakun e tij.

Një ditë, një shërbëtor i solli Ebu Bekrit një pjatë me ushqim dhe Ebu Bekri e hëngri. Më vonë shërbëtori e pyeti Ebu Bekrin:

“O Kalif i Profetit, a e di nga ka ardhur ky ushqim?”

Për pak sekonda Ebu Bekri u mbush me djersë dhe filloi të drid­hej nga frika. Me sa duket shërbëtori dinte diçka. Ebu Bekri pyeti me ndrojtje:

“Nga ka ardhur?”

Shërbëtori nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të tregonte të vërtetën:

“Në kohën e injorancës, një burrë më pati kërkuar t’i parashi­koja fatin. Unë nuk para merrja vesh nga kjo punë, kështu që e gënjeva. Sot, e takova dhe më dha paratë që më kishte borxh për punën që i bëra. Ushqimi që hëngre ishte blerë me ato para.”

Para se shërbëtori të mbaronte fjalën, Ebu Bekri kishte futur gishtat në gojë. Po përpiqej me dëshpërim të villte. Donte të nx­irrte gjithçka që kishte ngrënë. Një person që pa gjendjen e Ebu Bekrit i tha:

“Allahu të mëshiroftë! Po e bën këtë vetëm për një kafshatë ush­qim?”

Prijësi i besimtarëve u përgjigj:

“Betohem në Allah! Do të isha gati të jepja edhe jetën për ta nxjerrë këtë ushqim nga stomaku, sepse e kam dëgjuar të Dër­guarin e Allahut të thotë: ‘Zjarri i Xhehenemit është më i përshtat­shëm për trupat që janë ushqyer me haram dhe me të ndaluara.’ U frikësova nga ushqyerja me këtë ushqim, andaj e volla të gjithë ç’kisha ngrënë.

DY VITE TË BEKUAR

Brenda një kohe të shkurtër prej 2 vitesh si Kalif, Ebu Bekri kishte arritur të zgjidhte çështje shumë të vështira si dhe kishte vendosur bazat ligjore të shtetit që do të zbatoheshin nga Kalifët e tjerë. Arritjet e Ebu Bekrit do të reflektonin mendjen e këtij gjeniu i cili do t’i jepte lamtumirën kësaj bote sapo të përfundonte mis­ionin e tij. Jo vetëm kishte zgjidhur disa çështje të brendshme, por gjithashtu kishte hedhur firmën e tij në shumë nisma dhe fitore që do të mundësonin përhapjen e Islamit në të gjithë botën.

Një nga këto arritje të mëdha ishte mbledhja e Kuranit në një libër të vetëm. Shqetësimi i tij filloi të rritej më shumë kur hafizët e Kuranit, ata që e dinë Kuranin përmendësh, po martirizoheshin. Për këtë ai u këshillua me Omerin për ta mbledhur Kuranin në një libër të vetëm. Omeri ishte dakord dhe ideja e tij u finalizua.

Si rezultat i shumë betejave të zhvilluara në të gjithë rajonin, Ir­aku u çlirua nga myslimanët, Irani u detyrua të bëjë marrëveshje, rajoni i Damaskut ishte nën territoret myslimane dhe Perandoria Bizantine ishte tundur nga themelet. Të gjitha këto ngjarje kishin ndodhur brenda 2 viteve. Asokohe, Perandoria Bizantine dhe ajo Perse ishin superfuqitë e botës dhe askush nuk kishte guxuar të përballej me to deri në kohën kur Ebu Bekri erdhi në pushtet.

TRASHËGIMIA E TIJ

Burri i cili dikur kishte qenë tregtari më i dëgjuar i Mekës dhe një njeri të cilin Mekasit e respektonin deri në përulje, Ebu Bekr besniku, Kalifi i Profetit, kishte lënë pas një deve për qumësht, një shërbëtor dhe një tas për të futur qumështin.140 Këto ishin gjithçka që kishte mbetur nga gjërat e tij. Megjithatë, titulli Ebu Bekr “Sidiku” do të ishte i tillë që askush nuk do ta arrinte deri në ditën e gjykimit.

Tashmë Ebu Bekri kishte shkuar pranë Allahut dhe Profetit dhe Omeri, veziri i dytë ishte Kalifi i ri. Pikë së pari i sollën gjërat e Ebu Bekrit tek Omeri. Gjendej një enë e madhe argjile që kishte brenda diçka. Nuk kishin zgjidhje tjetër veçse ta thyenin për të parë se çfarë kishte brenda. Sapo e thyen, paratë u shpërndanë nëpër tokë. Kur pa këtë, Omeri nuk u përmbajt dot dhe tha me lot në sy: “Allahu të mëshiroftë o Ebu Bekr! Nuk ke lënë asnjë fjalë për ata që do të vijnë pas teje. Tani jam unë personi që do të marr përgjegjësinë e kësaj detyre.”

Kjo ishte mënyra se si Omeri e vuri veten në detyrë. Ai e kuptoi se duhet të ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm në marrjen përsipër të postit nga një njeri i cili kishte shërbyer me përpikërinë më të madhe dhe që i kishte diskutuar çështjet në detajet më të vogla. Sipas Omerit, arritja e një ndjeshmërie kaq të madhe ishte pothu­ajse e pamundur.

Pas vdekjes së Ebu Bekrit, Omeri shkoi tek shtëpia e tij dhe foli me gruan e tij, Esma bint Umejes. Ai e pyeti për jetën fetare të burrit të saj në detaje. Ajo i shpjegoi si më poshtë: Ai ngrihej para agimit dhe merrte abdes. Pastaj falte namazin. Ai falej shumë. Më pas lexonte Kuran dhe qante. Ai gjithashtu qa­nte në sexhde gjatë namazeve. Në këto raste unë ndjeja një erë që ngjante si mëlçi e pjekur.

Omeri, ndërsa dëgjonte fjalët e përmalluara të Esmës, u prek. Ai filloi të qante bashkë me Esmën duke i thënë: “Si mund ta kraha­sosh veten me një shërbim si ky, o bir i Hatabit!?”

JETA FAMILJARE

Familja e Ebu Bekrit kishte disa cilësi të cilat nuk i posedonte asnjë familje tjetër. Familja e tij kishte qenë shkaku i zbritjes së ajetit kuranor që i lejonte myslimanët të merrnin tejemum kur nuk kishte ujë për abdes. Pas zbritjes së këtij ajeti, Usejd ibn Hudejri tha:

“Pa dyshim, ky nuk është i vetmi bekim i ardhur mbi familjen e Ebu Bekrit”.

Midis Sahabëve, familja e Ebu Bekrit ishte e vetmja që kishte namin për 4 breza myslimanësh. Kjo ishte arritur përmes Abdu­rrahmanit dhe Esmës.

Siç dihet, Ebu Bekri është martuar 4 herë në kohë të ndryshme. Nga këto martesa ai pati 6 fëmijë.

Gruaja e tij e parë ishte Katila bint Abduluza. Ebu Bekri e di­vorcoi atë gjatë kohës së injorancës. Pas divorcit, ajo erdhi për të vizituar vajzën e saj Esma me disa dhurata. Esma i refuzoi dhuratat dhe u përpoq ta ndalte të futej në shtëpi. Pas incidentit, Katila i tha Aishes të fliste me Profetin për të gjetur një zgjidhje për çështjen. Më vonë, ajetet kuranore treguan se këto lloj marrëdhëniesh ishin të lejuara në kohë paqeje.

Pas Katilas, Ebu Bekri u martua me Umu Ruman bint Amir, e cila ishte nëna e Aishes dhe e Abdurrahmanit. Umu Rumani e kishte pranuar Islamin përpara martesës me Ebu Bekrin. Ajo i kishte dhënë besën Profetit në Mekë. Umu Ruman ndërroi jetë në vitin e gjashtë të hixhretit.

Pas Umu Rumanit Ebu Bekri u martua me Esma bint Umejs. Ajo ishte e veja e Xhafer ibn Ebu Talibit i cili kishte rënë shehid në luftën e Mu’tes. Nga kjo martesë Ebu Bekrit i kishte lindur djali më i vogël, Muhamedi. Esma ishte ndër gratë e para që kishte pranuar Islamin. Ajo ishte bërë myslimane përpara se Profeti të hynte në shtëpinë e Ibn Erkamit. Ajo gjithashtu ishte në grupin e personave që emigruan në Abisini, ku kishte shkuar bashkë me bashkëshor­tin, Xhafer ibn Ebu Talib.

Gruaja e fundit që u martua me Ebu Bekrin ishte Habibe bint Harixhe. Ajo ishte nga fisi hazrexh i ensarëve. Habibja ishte shtatzënë në kohën kur vdiq Ebu Bekri. Ajo lindi më vonë një va­jzë që e quajti Umu Kulthum.

Abdurrahmani ishte fëmija më i madh. Ai pranoi Islamin ditën e Hudejbijes. Përpjekjet e tij gjatë emigrimit ishin të jashtëza­konshme. Ai shoqërohej me idhujtarët gjatë ditës dhe më pas informonte ata që do të niseshin për emigrim për të rejat më të fundit në Mekë. Ai ra shehid nga një shigjetë në ditën e Taifit. Në atë kohë Ebu Bekri ishte Kalif.

Djali i Ebu Bekrit, Muhamedi kishte lindur ditën e Hutbes së Lamtumirës. Ai e humbi të atin në moshën 3 vjeçare. Muhamedi u rrit nga Aliu. Më vonë ai ishte emëruar si guvernator i Egjiptit dhe atje ra shehid.

Vajza e madhe e Ebu Bekrit, Esma, të cilës Profeti i kishte vënë titullin “Dhunitakajn” gjatë emigrimit të shenjtë, ishte martuar me Zubejr ibn Avamin. Nga kjo martesë lindi Abdullah ibn Zubejri. Esma ishte e vetmja grua shtatzënë gjatë emigrimit. Ajo ishte e para muhaxhire që lindi në Medinë. Për këtë, Abdullah ibn Zubejri ishte fëmija i parë i palindur akoma që kishte emigruar. Esma vdiq në vitin e 73 të hixhretit. Ajo ishte e njohur për bujarinë e saj Nëna jonë Aishja, bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut, ndër­roi jetë në vitin e 57 të hixhretit.

Përpara se Ebu Bekri të ndërronte jetë kishte folur me Aish­en për Umu Kulthumin, vajzën që nuk kishte lindur akoma. Ai e këshilloi Aishen për pjesëtarët e familjes: “Këta janë vëllezërit dhe motrat tuaja.” Aishja nuk po e kuptonte se ç’donte të thoshte i ati dhe e pyeti: “E di se kush janë vëllezërit dhe e di se Esma është motra ime, por kush qenka motra tjetër?”

Ebu Bekri i kujtoi Aishes Harixhen. Ajo lindi një vajzë, ashtu siç kishte thënë Ebu Bekri. Më vonë Umu Kulthumi u martua me Talha ibn Ubejdullahun.

Është e qartë se midis Sahabëve të tjerë, familja e Ebu Bekrit qëndron lart me cilësi të dallueshme. Edhe ndërmjet Sahabëve nuk gjendet një i dytë si Ebu Bekri. Ai është i vetmi, babai, nëna dhe fëmijët e të cilit ishin të gjithë myslimanë. Për më tepër, 4 gjenerata të familjes së tij ishin takuar me Profetin duke marrë gradën e Sahabëve. Ebu Bekri kishte arritur këtë përmes 2 degëve të familjes:

  1. Abdullah ibn Zubejri dhe nëna e tij Esma, Ebu Bekri dhe babai i tij Ebu Kuhafe.
  2. Muhamedi, i biri i Abdurrahmanit i cili ishte djali i parë i Ebu Bekrit dhe Ebu Bekri dhe babai i tij Kuhafe.

Si përfundim, mund të themi se Ebu Bekri ishte një person i cili u ngrit nga tregu i qytetit në rangun e Kalifit. Arritjet dhe rangu i lartë në të cilin u ngjit e bënë atë një shembull të paharrueshëm për të gjithë ata që do të pasonin.

Mënyra e jetesës së tij gjithmonë në progres dhe përmirësim të vetvetes duhet të merret parasysh dhe të ndiqet nga të gjithë. Ai ishte një model qëndrueshmërie që kurrë nuk tha, “Mjaft kam bërë.” Ai ishte në një garë për të bërë gjithnjë e më shumë. Në rrugën e të drejtëve u përpoq deri në fund pa hezitimin më të vogël dhe frikën se mos humbiste nga pasuria e tij.

Ka vetëm një gjë që mund të themi për ata që e shikojnë Ebu Bekrin me zili: “Asnjëherë nuk është shumë vonë! Ndoshta ju kur­rë nuk do të jeni si Ebu Bekri, por më ndihmën e Allahut, ju mund t’i shërbeni Islamit ashtu si Ebu Bekri dhe të mbaheni mend në përjetësi.”

Për ta arritur këtë, në fillim duhet të keni qëllimin, të ndjekur nga një aksion i përjetshëm…

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 49 other subscribers

Data e Rradhës

  • Itikafi 31/03/2024 – 09/04/2024 Edukimi i nefsit dhe i shpirtit për një periudhë kohore të ndarë vetëm për adhurim brenda një xhamie, nje traditë e Profeti (s.a.s) i cili ka bërë itikaf çdo ramazan që nga ardhja në Medine e deri në fund të jetës së Tij. Detaje...