Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Adij ibnu Hatim r.a.

“Ti besove kur nuk besuan, e pranove kur e mohuan, ishe besnik kur tradhtuan, sulmove kur të tjerët ikën.” Omer ibnu Hattabi

Në vitin e nëntë të hixhretit njërit prej mbretëve arabë, pas një mospërfiljeje të gjatë, iu zbut zemra për iman  dhe iu bind Pejgamberit a.s. pas refuzimit dhe kundërshtimit.

Ai ishte Adij ibnu Hatim EtTaij, babai i të cilit ishte shembull për bujari e zemërgjërësi.

* * *

Adiji e trashëgoi udhëheqjen nga babai i vet dhe fisi Taj e zgjodhi për mbret. Ata u obliguan t’ia japin një të katërtën e pasurisë së tyre dhe ia dorëzuan udhëheqjen e tyre.

Kur Pejgamberi a.s. e shpalli haptas thirrjen e tij të vërtetë dhe arabët filluan t’i përgjigjen thirrjes së tij, vend pas vendi, Adiji pa në thirrjen e Pejgamberit një konkurencë të fortë, e cila do ta mposhte autoritetin dhe pushtetin e tij. Për këtë e urrejti Pejgamberin a.s. për së tepërmi  edhe pse ai nuk e njihte atë  dhe ndjeu ndaj tij një armiqësi të jashtëzakonshme.

Këtë qëndrim armiqësor ndaj Islamit e mbajti afër njëzet vjet derisa Allahu ia hapi zemrën ndaj thirrjes së vërtetë.

* * *

Për kalimin e Adijit në Islam ekziston një tregim që nuk mund të harrohet.

Atëherë ia japin fjalën njeriut të na rrëfejë për tregimin e tij, sepse ai për këtë është më kompetent.

Adiji thotë:

Nuk besoj se ka ekzistuar dikush në mesin e arabëve që e ka urryer më shumë se unë Pejgamberin a.s. kur ka dëgjuar për të. Isha njeri me autoritet në mesin e popullit tim, isha i krishterë. Prej popullit tim merrja një të katërtën e pasurisë së tyre ashtu sikurse vepronin edhe mbretërit e tjerë arabë.

Prandaj, kur dëgjova për të Dërguarin e Allahut, e urreva atë.

Mirëpo, kur fuqia e tij u rrit dhe ushtritë e tij filluan të shëtisin prej lindjes deri në perëndim të tokave arabe, i thashë njërit prej robërve të mi, i cili ruante devetë e mia:

Përgatit disa nga devetë e mia më të majme dhe më të shpejta dhe lidhi ato afër meje, e nëse dëgjon për ushtrinë e Muhammedit apo për ndonjë nga patrullat e tij se ka shkelur në këtë pjesë, më lajmëro.

Një ditë prej ditësh ia behu robi im dhe më tha:

– O zotëria im! Atë që ke pasur ndërmend ta bësh, nëse në tokën tënde shkelin kuajt e Muhammedit, atë bëje tani!

I thashë:

– Përse?! Të pastë nëna!

Ai më tha: – Unë pashë disa flamuj që valonin afër shtëpive tona dhe pyeta për ta e dikush më tha se ata janë të ushtrive të Muhammedit.

Atëherë i thashë:

– Përgatit devetë për të cilat të pata urdhëruar më parë dhe silli këtu afër meje.

Pastaj, pa humbur kohë, u çova dhe i ftova anëtarët e familjes sime dhe fëmijët e mi të largohemi nga toka të cilën aq shumë e kishim dashur dhe u nisëm me nxitim të udhë-tojmë në drejtim të Shamit, që të bashkangjitem me bashkëluftarët e mi të krishterë dhe të vendosem në mesin e tyre.

Ngutja e madhe me të cilën u nisëm nuk më mundësoi t’i tuboj të gjithë anëtarët e familjes sime dhe vërejta se kisha lënë një motër në vendlindje, në Nexhd, me njerëzit e tjerë që kishin mbetur prej fisit “Taj”.

Nuk kisha kurrfarë mundësie të shkoja ta merrja.

Vazhdova rrugën me njerëzit e familjes sime derisa arrita në Sham dhe atje u vendosa në mesin e bashkëfetarëve të mi.

Kurse, sa i përket motrës sime, asaj i kishte ndodhur ajo që kishte parashikuar dhe ia kisha pasur frikën.

*  *  *

Derisa unë isha në Sham, më arritën lajmet se kalorësit e Muhammedit i kishin sulmuar shtëpitë tona dhe e kishin marrë motrën time në mesin e të zënëve robër të tjerë dhe e kishin çuar në Jethrib.

Atje ishte vendosur me robëreshat e tjera në një hapësirë te hyrja e xhamisë. Atypari kaloi Pejgamberi a.s. e ajo u ngrit dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, më vdiq babai, u tret ai që duhej të kujdesej për mua, të lutem në Allahun ki mirësi për mua!”

Pejgamberi pyeti: – Kush është kujdestari yt?

Ajo u përgjigj: – Adij ibnu Hatimi.

Pejgamberi ia ktheu:

– I ikuri prej Allahut dhe të Dërguarit të Tij?!

Pejgamberi a.s. pastaj shkoi dhe e la atë.

Të nesërmen, Pejgamberi a.s. kaloi atypari dhe ajo ia tha të njëjtat fjalë që ia kishte thënë një ditë më parë. Edhe Pejgamberi ia dha të njëjtën përgjigje.

Të pasnesërmen, Pejgamberi a.s. kaloi atypari, por ajo e kishte humbur shpresën dhe nuk i tha asgjë. Mirëpo, një njeri që ishte prapa saj i tha çohu dhe fol. Ajo u ngrit dhe tha:

– O i Dërguari i Allahut, më vdiq babai e u tret kujdestari, të lutem në Allahun ki mirësi për mua!

Pejgamberi a.s. i tha:

Ashtu qoftë!

Ajo pastaj vazhdoi:

– Unë dëshiroj t’i bashkangjitem familjes sime në Sham.

Pejgamberi a.s. ia ktheu:

– Por mos nxito të dalësh prej këtu derisa të gjesh ndonjë njeri prej fisit tënd në të cilin ke besim të plotë për të të çuar deri në Sham. Kur ta gjesh një njeri të këtillë, më lajmëro.

Posa u largua Pejgamberi a.s., ajo pyeti për njeriun i cili e nxiti që t’i flasë Pejgamberit a.s. Dikush i tha se ai ishte Ali ibnu Ebi Talibi r.a.

Ajo qëndroi aty derisa erdhi një karvan në mesin e të cilëve kishte njerëz të cilëve ajo u besonte. Atëherë ajo shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha:

– O i Dërguari i Allahut. Ka ardhur një grup i njerëzve të fisit tim, në mesin e të cilëve ka të atillë që kam besim se do të më çojnë deri te familja ime në Sham.

Pejgamberi a.s. e veshi atë, ia dhuroi një deve që ta mbartë si dhe ia dha disa të holla, të cilat do t’i mjaftonin për rrugë. Kështu ajo u nis me karvanin.

Adiji pastaj vazhdon e thotë:

– Ne i përcillnim lajmet dhe e pritnin ardhjen e saj, por assesi nuk mund t’i besonim lajmeve që flitnin për sjelljet e mira të Muhammedit dhe për bamirësi ndaj saj, megjithë armiqësinë time ndaj tij.

Derisa unë isha ulur në mesin e anëtarëve të familjes sime, vërejta prej së largu një grua mbi deve që ishte drejtuar kah ne. I habitur bërtita:

E bija e Hatimit!

Kur qëndroi para nesh, nisi të më flasë e nevrikosur: Ti je ndërprerës i marrëdhënieve familjare, ti je mizor…

E more familjen tënde dhe fëmijët e tu, por e lë motrën tënde.

Unë i thashë:

– Motra ime. Thuaj vetëm atë që është e mirë.

 Kështu fillova t’i flas me fjalë të mira derisa u qetësua. Pastaj më tregoi tërë ndodhinë e saj, që ishte identike me atë që kisha dëgjuar më parë.

Pastaj e pyeta, se ajo ishte grua e zgjuar dhe e vendosur:

– Çfarë mendon ti për atë njeri (e kisha fjalën për Muhammedin a.s.)?

Ajo u përgjigj:

– Mendimi është  betohem në Allahun  që t’i bashkangjitesh atij sa më parë nëse është pejgamber, ngase atij që i bashkangjitet i pari i takon merita më e madhe.

E nëse është mbret, nuk do të jesh i përbuzur tek ai, kur ai e di se kush je.

*  *  *

Adiji vazhdon e thotë:

– U përgatita për rrugë dhe u nisa te Pejgamberi a.s. në Medinë. Unë isha informuar se ai kishte thënë:

“Unë e lus Allahun që t’i bashkojë duart e Adijit me duart e mia.” Hyra tek ai  ishte në xhami  dhe e përshëndeta.

Pyeti: – Kush është ky njeri?

Iu përgjigja: – Adij ibnu Hatimi.

Menjëherë u çua në këmbë, më kapi për dore dhe u nisëm për në shtëpinë e tij.

Betohem në Allahun se, derisa ishim duke shkuar për në shtëpi, atë e takoi një grua plakë dhe e dobët, që me vete kishte një fëmijë, e ndali dhe nisi t’i flasë për disa nevoja të saj. Pejgamberi vazhdoi me ata të dy derisa ia kreu kërkesat e tyre e unë pritja në këmbë…

Atëherë thashë me vete: “Betohem në Allahun se ky nuk është mbret.”

Pastaj më kapi për dore dhe u nis me mua derisa arritëm në shtëpinë e tij. E mori një poste dhe ma ofroi.

Më tha: – Ulu.

Unë u turpërova prej tij dhe thashë:

– Jo. Ti do të ulesh në të.

Ai ma ktheu:

– Jo. Ti do të ulesh.

 E dëgjova dhe u ula në të. Ndërsa Pejgamberi a.s. u ul në tokë, sepse në shtëpi nuk kishte asgjë tjetër.

Atëherë thashë me vete: – Betohem në Allahun se ky nuk është mbret.

Pastaj u drejtua kah unë dhe tha:

– Eh, o Adij ibnu Hatim! A nuk ishe ti ithtar i sektit krishterosabej?

Ia ktheva: – Po, ashtu është.

Pastaj më tha: – A nuk ia merrje popullit tënd një të katërtën e pasurisë, gjë që nuk ta lejon feja jote?

I thashë: – Po. Atëherë e kuptova se është Pejgamberi i dërguar nga ana e Allahut.

Pastaj Pejgamberi vazhdoi e më tha:

– Ndoshta ty, o Adij, të pengon të hysh në këtë fe varfëria e madhe që mbretëron në mesin e muslimanëve. Betohem në Allahun se shumë shpejt ata do të pasurohen saqë, nuk do të ketë kush ta marrë atë.

Ndoshta, ty, o Adij,  të pengon të hysh në këtë fe ajo që po e sheh numrin e vogël të muslimanëve dhe numrin e madh të armiqve të tyre. Betohem në Allahun se shumë shpejt do të dëgjosh se gruaja do të shkojë vetëm e hipur mbi devenë e saj prej Kadisisë për të vizituar këtë Shtëpi, duke mos pasur frikë askë tjetër përveç Allahut xh.sh.

Apo ndoshta ty të pengon të hysh në këtë fe ajo që je duke e parë se pasuria dhe pushteti është në duart e jomuslimanëve. Betohem në Allahun se shumë shpejt do të dëgjosh se pallatet e bardha të Babilonisë do të çlirohen nga muslimanët dhe se thesarët e Kisra bin Hurmuzit do të bëhen të tyre.

I habitur i thashë: – Thesaret e Kisra ibnu Hurmuzit?!

Ai ma ktheu:

– Po. Thesarët e Kisra ibnu Hurmuzit.

Adiji tha:

“Atëherë shqiptova fjalën e dëshmisë së vërtetë dhe pranova fenë islame.”

*  *  *

Allahu xh.sh. i dha jetë të gjatë Adij ibnu Hatimit, i cili gjithnjë thoshte:

– U realizuan dy dhe mbeti e treta. Edhe ajo do të bëhet patjetër. E pashë gruan të niset prej Kadisisë mbi devenë e saj pa farë frike derisa të arrijë në këtë Shtëpi.

Deshi fati të jem ndër kalorësit e parë që sulmuam thesaret e Kisras dhe i morëm ato.

Betohem në Allahun se së shpejti do të vijë e treta.

* * *

Deshi Allahu xh.sh. ta realizojë fjalën e Pejgamberit a.s.  E treta u realizua në kohën e halifit të devotshëm dhe modest, Omer ibnu Abdul Azizit, kur u shumua pasuria e muslimanëve, derisa njeriu thërriste se kush do ta marrë pasurinë e zekatit prej të varfërve të muslimanëve e nuk gjendej askush.

Pejgamberi a.s. e tha të vërtetën.

Adij ibnu Hatimi e mbajti betimin e vet.

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 50 other subscribers

Data e Rradhës

  • Dhjetë Ditët e Dhul Hixhes 07/06/2024 – 16/06/2024 Nuk ka ditë më të dashura se 10 Ditët e Dhul Hixhxhes, sikur një Ramazan i Vogël. Mundësit e mrekullueshme...