Home » Lexim » Enciklopedia Sahabet » Abdullah Ibn Xhahsh r.a.
YouTube player

I pari që u emërua komandant i besimtarëve.

Sahabi për të cilin do të bëjmë fjalë tani kishte lidhje të ngushta me Resulullahun s.a.v.s. dhe ishte njëri prej muslimanëve të parë.

Ai ishte i biri i tezës së Pejgamberit a.s., sepse nëna e tij, Umejme binti Abdul Muttalib, ishte tezja e Resulullahut s.a.v.s.

Ai ishte mik i të Dërguarit të Allahut, sepse motra e tij, Zejneb bintu Xhahsh, ishte gruaja e Pejgamberit a.s. dhe njëra prej nënave të besimtarëve.

Ai është i pari që e ngriti flamurin në Islam, e pas kësaj u quajt komandant (prijës i besimtarëve)…

Ky është Abdullah ibnu Xhahsh elEsedijj.

*  *  *

Abdullah ibnu Xhahshi pranoi fenë islame para se të hyjë Pejgamberi a.s. në shtëpinë e Erkamit, prandaj është prej muslimanëve të parë.

Kur Pejgamberi a.s. u lejoi sahabëve të tij të shpër-ngulen për në Medinë, për t’iu shmangur torturave të kurejshitëve dhe për ta ruajtur fenë e tyre, Abdullah ibnu Xhahshi ishte muhaxhiri i dytë, sepse i kishte paraprirë Ebu Selemeja.

Mirëpo, shpërngulja për Allahun, dhe braktisja e të afërmve dhe vendlindjes për hir të Tij nuk ishte gjë e re për Abdullah ibnu Xhahshin, sepse ai së bashku me disa të afërm të tij para kësaj ishte shpërngulur për në Abisini.

Por, shpërngulja e tij kësaj radhe ishte më e gjerë dhe më e përgjithshme. Me atë u shpërngulën familja e tij dhe disa të afërm të tij, si dhe farefisi tjetër nga babai i tij, burra e gra, pleq dhe të rinj, djemë e vajza, sepse shtëpia e tij ishte shtëpi muslimane dhe fisi i tij ishte  fis besimtarësh.

Posa dolën nga Mekeja, shtëpitë e tyre dukeshin të pikëlluara, të vetmuara, të zbrazta, të shkreta, sikur të mos kishte jetuar në to njeri më parë e as të mos kishte fjetur njeri në to.

Nuk kaloi një kohë e gjatë prej shpërnguljes së Abdullahut dhe kush ishte me të, derisa një ditë dolën prijsat e Kurejshitëve dhe shëtiteshin nëpër lagjet e Mekës për të parë se kush është shpërngulur prej muslimanëve dhe kush kishte mbetur ende në mesin e tyre. Ata ishin Ebu Xhehli dhe Utbe ibnu Rebia.

Utbeja i shikoi shtëpitë e benu Xhahshit se si era i përplaste dyert dhe tha:

– Qenkan bërë të shkreta shtëpitë e benu Xhahshit, po i qajnë banorët e tyre!

Ndërsa Ebu Xhehli ia ktheu:

– Kush janë ata që të qajnë shtëpitë për ta?!

Pastaj Ebu Xhehli e vuri dorën në shtëpinë e Abdullah ibnu Xhahshit, e cila ishte njëra prej shtëpive më të mira dhe më të pasura dhe nisi të plaçkisë, të marrë gjërat e saj, ashtu siç vepron pronari në shtëpinë e vet.

Kur i arriti lajmi Abdullah ibnu Xhahshit se çka kishte bërë Ebu Xhehli në shtëpinë e tij, i tregoi për këtë Resulullahut s.a.s. kurse Pejgamberi a.s. i tha:

– A nuk dëshiron, o Abdullah, që të të japë Allahu një shtëpi në xhenet në vend të saj?!

Atëherë Abdullahu u përgjigj:

– Si jo, o i Dërguari i Allahut!

 

Pejgamberi a.s. i tha:

– Ajo është për ty.

Pas kësaj, Abdullahu u qetësua.

*  *  *

Posa u stabilizua Abdullah ibnu Xhahshi në Medinë, pas vështirësive të shpërnguljes së parë dhe të dytë dhe posa e kishte shijuar një grimë qetësie nga mikpritja e ensarëve, pas torturave të shumta nga ana e kurejshitëve, deshi Allahu që ai të ballafaqohet me provimin më të vështirë në jetën e tij dhe të preokupohet me sprovën më të ashpër që nga koha kur ishte bërë musliman.

Prandaj, ta përcjellim me kujdes tregimin e sprovës së tij të ashpër dhe të hidhur.

*  *  *

Pejgamberi a.s. i dërgoi tetë sahabët e tij në një mision të parë ushtarak në Islam. Në mesin e tyre ishin Abdullah ibnu Xhahshi dhe Sa’d ibnu Ebi Vekkasi dhe u tha:

– Do të emëroj për komandant atë që ka durim më të madh në uri dhe etje.

Pastaj ia dha flamurin Abdullah ibnu Xhahshit dhe ishte komandanti i parë i emëruar në një grup besimtarësh.

Pejgamberi a.s. ia caktoi Abdullah ibnu Xhahshit marshu-tën e udhëtimit dhe i dorëzoi një letër, por e urdhëroi që letrën mund ta hapte vetëm pasi të kalojnë dy ditë në udhëtim.

Pasi kaluan dy ditë të udhëtimit të çetës, Abdullahu e hapi letrën, në të cilën shkruante:

“Kur ta shikosh letrën time, vazhdo udhëtimin derisa të arrish në vendin e quajtur “Nahle”, ndërmjet Taifit dhe Mekës. Prej aty përcilli lëvizjet e kurejshitëve dhe na informo për lajmet e tyre!”

Posa e përfundoi Abdullahu leximin e letrës, tha:

– E dëgjova dhe iu përula urdhrit të Resulullahut s.a.v.s. Pastaj iu tha shokëve të vet:

– Resulullahu s.a.v.s. më ka urdhëruar të shkoj deri në “Nahle” që t’i përcjellim kurejshitët dhe ta informojmë Pejgamberin a.s. për lëvizjet e tyre. Ai ma ka ndaluar që ta detyroj ndonjërin prej jush të vijë me mua. Kush do prej jush të bjerë shehid, le të urdhërojë me mua, e ai i cili nuk e do këtë, le të kthehet i paqortuar.

Shokët iu përgjigjën:

– E dëgjuam dhe i përulemi Resulullahut s.a.v.s. Vazhdojmë rrugën me ty ku të ka urdhëruar Resulullahu s.a.v.s.

Pastaj vazhduan rrugën derisa arritën në “Nahle” dhe filluan të përgjojnë e të shikojnë rrugët, për të përcjellur lajmet dhe lëvizjet e kurejshitëve.

Një ditë prej ditësh  vërejtën prej së largu një karvan të kurejshitëve, në përcjelljen e të cilit ishin katër njerëz, e ata ishin: Amr ibnul Hadremijj, ElHakem ibnu Kejsan, Uthaman ibnu Abdullah dhe vëllai i tij, Mugire. Me ata ishte tregtia e Kurejshit, në të cilën kishte lëkura, rrush të thatë e gjëra të tjera që i blenin kurejshitët.

Kur e panë këtë, sahabët filluan të konsultohen në mes vete. Ishte dita e fundit e muajve të shenjtë, në të cilët nuk lejohej derdhja e gjakut. Më në fund thanë:

– Nëse i mbysim ata, do t’i mbysim në muajin e shenjtë. Në këtë rast do të cenohet shenjtëria e këtij muaji dhe do të jemi objekt kritike nga ana e të gjithë arabëve. Po nëse i lejojmë të kalojë kjo ditë, atëherë ata do të hyjnë në Mekë  tokën e shenjtë, do të thotë në vendin e sigurt.

Sahabët më në fund erdhën në përfundim të përbashkët se duhet të sulmohen, të mbyten dhe t’u merret e tërë pasuria e karvanit… Pas një sulmi të furishëm e mbytën një, i zunë robër dy vetë, kurse i katërti ua mbathi këmbëve dhe iku.

*  *  *

Abdullah ibnu Xhahshi së bashku me shokët i morën dy të zënët rob dhe karvanin dhe u nisën në drejtim të Medinës. Kur arritën te Resulullahi s.a.v.s. dhe pa se si kanë vepruar, nuk e pëlqeu atë veprim të tyre dhe iu tha:

– Betohem në Allahun se unë nuk ju kam urdhëruar të luftoni, por ju kam urdhëruar që t’i përcillni lëvizjet dhe lajmet e kurejshitëve.

I ndali dy të zënët rob derisa të marrë vendim rreth çështjes së tyre, ndërsa karvanin as që e shikoi e as nuk mori prej tij ndonjë send.

Abdullah ibnu Xhahshi dhe shokët e tij u penduan shumë dhe ishin të bindur se puna e tyre kishte mbaruar, ngase nuk i ishin përmbajtur urdhrit të Resulullahut s.a.v.s.

Por, ajo që i dëshpëronte edhe më shumë ishte se vëllezërit e tyre prej muslimanëve filluan t’i qortonin dhe çdo herë që kalonin pranë tyre u thonin:

– Këta janë ata që e kanë kundërshtuar urdhrin e Resulullahut s.a.v.s.

Por, ajo që i dëshpëroi edhe më tepër ishte kur morën vesh se kurejshitët e kishin marrë këtë ndodhi si shkak për ta diskredituar Pejgamberin a.s. në mesin e fiseve arabe, sepse ata thonin:

“Muhammedi nuk e respekton shenjtërinë e muajve të shenjtë. Ai lejoi derdhjen e gjakut në të, plaçkiti pasurinë tonë dhe i zuri rob njerëzit tanë…”

Prandaj, mos pyet për dëshpërimin e madh të Abdullah ibnu Xhahshit dhe shokëve të tij për atë që kishte ndodhur e as për turpin që ndienin ata para Resulullahut s.a.v.s. për shkak të pozitës së keqe në të cilën e kishin vënë.

*  *  *

Pasi dëshpërimi kishte arritur kulmin dhe fatkeqësia ishte bërë barrë e rëndë mbi supet e tyre, atëherë u erdhi lajmi i gëzur se Allahu xh.sh. ishte i kënaqur me veprimin e tyre dhe për këtë kishte zbritur ajete të Kur’anit.

Atëherë nuk mund ta marrësh me mend gëzimin e madh që i kishte kapluar zemrat e tyre, kurse njerëzit i përqafonin ata duke i përgëzur e uruar, si dhe duke u lexuar prej Kur’anit atë çka kishte zbritur rreth veprës së tyre.

*  *  *

Lidhur me këtë, Pejgamberit a.s. i zbriti Fjala e Allahut xh.sh.:

“Të pyesin për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaj: “Luftimi në atë muaj është mëkat i madh, por shmangia nga rruga e Allahut dhe mohimi i Tij dhe tempullit të shenjtë dhe përzënia e banorëve të Tij është mëkat më i madh tek Allahu. Kurse shpifja është mëkat më i madh se vrasja!” (ElBekare: 217)

Pasi zbritën ajetet e përmendura, u qetësua zemra e Pejgamberit a.s., e mori karvanin, i liroi dy të zënët rob dhe u pajtua me veprimin e Abdullah ibnu Xhahshit dhe të shokëve të tij, sepse lufta e tyre ishte ngjarje me rëndësi në jetën e muslimanëve. Preja e saj ishte preja e parë që merrej në Islam, i mbyturi në të ishte pabesimtari i parë gjakun e të cilit e kishin derdhur muslimanët, kurse dy të zënët robër ishin robërit e parë që kishin rënë në duar të muslimanëve. Flamuri i saj ishte flamuri i parë të cilin e kishin ngritur duart fisnike të Resulullahut s.a.v.s. dhe komandant i saj ishte Abdullah ibnu Xhahshi, që është quajtur komandant i parë i besimtarëve.

Pas pak kohe ndodhi beteja e Bedrit, në të cilën Abdullah ibnu Xhahshi tregoi heroizëm të jashtëzakonshëm, gjë që ishte në nivelin e besimit të tij.

Nuk shkoi pak kohë e ndodhi beteja e Uhudit, në të cilën Abdullah ibnu Xhahshi dhe Sa’d ibnu Ebi Vekkasi patën një ndodhi, që nuk mund të harrohet. Ia japim fjalën Sa’dit të na rrëfejë për ndodhinë e tij dhe të shokut të tij.

Sa’d ibnu Ebi Vekkasi tregon:

Para se të fillojë lufta e Uhudit, më takoi Abdullah ibnu Xhahshi dhe më tha:

– A nuk dëshiron t’i lutesh Allahut?!

Iu përgjigja:

– Si jo.

U shmangëm vetëm ne të dy, unë i pari u luta e thashë:

– O Zoti im, kur ta takoj armikun më ballafaqo me një të fortë prej tyre, të mllefosur e të ashpër që ta luftoj atë dhe të më luftojë mua. Pastaj më dhuro mua fitore mbi të, derisa ta mbys atë dhe ta marrë trofeun e tij!

Abdullah ibnu Xhahshi i kishte ngritur duart gjatë lutjes sime, bëri Amin!, e pastaj tha:

– O Zoti im, më ballafaqo me një njeri të fuqishëm, guximtar, ta luftoj për hir Tëndin e të më luftojë. Pastaj të më marrë mua dhe të ma këpusë hundën time dhe veshët e mi, e kur të takoj Ty nesër, do më pyesësh:

– Përse të është këputur hunda jote dhe veshët e tu?

E unë do të përgjigjem:

– Për ty dhe për të Dërguarin Tënd.

Ti do të thuash: – Ashtu është!

Sa’d ibnu Ebi Vekkasi pastaj tha:

– Lutja e Abdullah ibnu Xhahshit ishte më e mirë se lutja ime. Duke shëtitur në mbarim të ditës, e pashë trupin e tij të masakruar e hunda e tij dhe veshët e tij ishin varur në degët e një druri.

*  *  *

Allahu xh.sh. iu përgjigj lutjes së Abdullah ibnu Xhahshit, të cilën e nderoi me rënien e tij shehid (dëshmor), ashtu siç e nderoi dajën e tij, zotëriun e dëshmorëve, Hamza ibnu Abdul Muttalibin.

Pejgamberi a.s. i varrosi të dy në një varr e lotët e tij të pastër e ujisnin dheun e tyre të parfumosur me erërat e bukura të shehidllëkut. Burimi

Shto koment

Lini një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Për postimet e reja

Join 50 other subscribers

Data e Rradhës

  • Dhjetë Ditët e Dhul Hixhes 07/06/2024 – 16/06/2024 Nuk ka ditë më të dashura se 10 Ditët e Dhul Hixhxhes, sikur një Ramazan i Vogël. Mundësit e mrekullueshme...